Shënohet një përvjetor i veçantë për një nga figurat më të njohura dhe diskutueshme të botës së edukimit seksual në Shqipëri: doktori Adem Harxhi mbush 90 vjeç. Ai njihet gjerësisht si “doktori i seksit”, për aktivitetin e tij të gjatë si edukator, autor dhe komentues publik në çështje intime dhe marrëdhënie njerëzore. Adem Harxhi ka ndërtuar një karrierë të pasur duke filluar si mjek okulist dhe më pas duke kaluar në fushën e edukimit seksual, një temë që shpesh konsiderohet tabu në shoqëri. Ai ka botuar libra si “Seksualiteti dhe seksi” dhe “Fëmijët duan të dinë për seksin”, ka mbajtur leksione dhe ka qenë një zë publik për shëndetin seksual dhe artin e marrëdhënieve. Përmes një postimi në profilin e tij personal në rrjetet sociale, Harxhi falënderon të gjithë ata që e kanë mbështetur në gjithë këto vite: “Sot, 90 vjeç. Falënderoj të gjithë, familjarë, miq e shokë, që në tërë këto vite më ndihmuan të jem ky që jam,” shprehet ai në mesazhin e ndjerë për ditëlindjen.
Ndërkohë që institucionet publike duhet të jenë garantët e administrimit me kursim të parave të shqiptarëve, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), nën drejtimin e Gentian Salës, ka vendosur të shpërndajë miliona lekë për komoditetin e zyrave të veta, pa u munduar as të krijojë dukjen e një gare të ndershme. Një garë me një pjesëmarrës: Vetëm një ofertë, një fitues! Sipas dokumenteve të siguruara nga JOQ, AKEP ka mbyllur tenderin me numër reference REF-72383-12-16-2025 me objekt: "Riparimi i sistemit të kondicionimit në zyrat e QKMF dhe zëvendësimi i sistemit të ftohjes në dhomën e serverave". Ajo që bie në sy menjëherë është mungesa totale e konkurrencës. Në këtë procedurë ka marrë pjesë vetëm një kompani: "COMFORT" sh.p.k., në pronësi të Rezart dhe Luftulla Stërmasit. Pa asnjë rival në garë, fitorja ka qenë e sigurt, duke ngritur dyshime të forta për një tender të qepur sipas masës së fituesit. Fondi limit i vendosur nga AKEP ishte 5,033,200 lekë (të reja) pa TVSH. Kompania "COMFORT" ka paraqitur ofertën prej 4,238,375 lekësh. Pas llogaritjes, rezulton se vlera fituese është 84.2% e fondit limit. Në një treg me konkurrencë reale, oferta fituese zakonisht ulet ndjeshëm për të mposhtur rivalët, por në zyrat e Gentian Salës, mjafton të paraqitet vetëm një firmë për të rrëmbyer rreth 50 milionë lekë (me TVSH) nga taksat tona. Ky tender tregon edhe një herë lehtësinë me të cilën hidhen paratë për riparime sistemesh kondicionimi, ndërkohë që procedurat "me një ofertues të vetëm" janë shndërruar në rrugën më të shpejtë për të kaluar fondet publike në xhepat e privatëve. Pyetja që mbetet për organet e kontrollit: Pse nuk kishte asnjë kompani tjetër në garë dhe a ishin kriteret e tenderit të hartuara në mënyrë që vetëm "COMFORT" të kualifikohej?
Konfliktet rreth projektit të Aeroportit të Vlorës po thellohen, ndërsa kompania “Mabco Construction”, e drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli dhe aksionere mazhoritare në shoqërinë koncensionare VIA, akuzon hapur Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për qëndrim të njëanshëm dhe përjashtim të paligjshëm nga vendimmarrja. Në një letër drejtuar zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, me dijeni edhe kryeministrin Edi Rama, Mabco denoncon një takim të zhvilluar më 12 janar 2026 në kantierin e aeroportit të Vlorës, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të MIE-s, Autoritetit të Aviacionit Civil, Albcontrol dhe kompania “2A Group” e Valon Ademit, aksionerit të pakicës me 2% në VIA. Sipas Mabco-s, takimi përbën “një akt të rëndë dhe të paprecedentë”, pasi është zhvilluar në mënyrë të njëanshme, duke përjashtuar qëllimisht aksionerin mazhoritar që zotëron 98% të projektit dhe që deri më tani ka investuar rreth 80 milionë euro. Në letër thuhet se përfaqësuesi i Mabco-s dhe konsulent për certifikimin e aeroportit, Afrim Aziri, është penguar fizikisht të marrë pjesë në takim, me pretendimin se ishte “i padëshirueshëm” pasi konsiderohej “njeri i Mabco-s”. E njëjta situatë, sipas kompanisë, ka ndodhur edhe me drejtorin e projektit për Mabco, Fadil Neziri, i cili pavarësisht se dispononte prokurë përfaqësimi, u largua nga mbledhja me miratimin e heshtur të përfaqësuesve të ministrisë dhe institucioneve shtetërore të pranishme. Mabco e cilëson këtë sjellje si shkelje flagrante të ligjit dhe të kontratës së koncesionit, duke akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me ortakun e minorancës. Sipas saj, fakti që takimi u zhvillua në ambientet e 2A Group në kantier tregon qartë një qasje të paragjykuar dhe përjashtuese ndaj investitorit kryesor. Kompania e Pacollit kërkon përsëritjen e menjëhershme të mbledhjes me praninë e të gjithë aksionerëve dhe rivendosjen e marrëdhënieve transparente në përputhje me ligjin. Në të kundërt, Mabco paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, administrative, civile dhe penale, për të mbrojtur investimin dhe interesin publik. Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar lidhur me akuzat. Ndërkohë, konflikti mes ortakëve vijon prej muajsh edhe në rrugë gjyqësore. Aktualisht, struktura e pronësisë së aeroportit parashikon 98% të aksioneve për Mabco dhe 2% për Valon Ademin, i cili pretendon se i takon një pjesë më e madhe e aksioneve, deri në 47%, për shkak të investimeve të kryera. Për këtë çështje ka nisur hetim nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa SPAK ka bërë me dije se po verifikon procedurat e koncesionit të Aeroportit të Vlorës.
Punëtori me bukë në dorë humb jetën në kantier, fadroma e goditi nga pas për vdekje Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të shtunë në zonën e Palasës, ku një punëtor ka humbur jetën në një kantier ndërtimi, pasi është goditur për vdekje nga një fadromë gjatë orarit të punës. Burime për JOQ bëjnë me dije se viktima me iniciale K.H ndodhej në ambientet e kantierit dhe në momentin e aksidentit kishte bukën në dorë, të cilën e kishte marrë nga mensa. Ai po shkonte drejt fabrikës së betonit, aty ku punonte, kur fadroma dyshohet se ka lëvizur mbrapsht dhe e ka shtypur. Dëshmitarët në vendngjarje pretendojnë se drejtuesi i mjetit të rëndë ishte pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh, megjithëse, sipas tyre, i përdorte shpesh fadromat. Gjithashtu ato ngrejnë shqetësime për mungesë të kushteve të sigurisë në punë në këtë kantier. Ngjarja ka ndodhur në një kantier që dyshohet se i përket kompanisë “Anchori Beton”. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Spathohori të Agrinjos, në Greqi, ku një 44-vjeçar me shtetësi shqiptare dyshohet se ka vrarë me armë gjahu një 51-vjeçar, Kostas Alexandris, kryeplak i fshatit dhe baba i një fëmije të mitur. Viktima raportohet se ishte bashkëshorti i gruas me të cilën autori dyshohet të kishte një lidhje intime. Krimi dyshohet të ketë prapaskenë erotike dhe nuk lidhet me detyrën e viktimës. Autori i kishte ngritur pritë 51-vjeçarit dhe e ka qëlluar me çifte në momentin që ai po afrohej me automjetin e tij, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, automjeti i viktimës ka përfunduar në një greminë, ku u gjet nga banorët e zonës. Disa orë pas ngjarjes, autori ka telefonuar policinë dhe ka pranuar autorësinë e krimit, duke shprehur dëshirën për t’u dorëzuar pasi ishte i penduar. Gjatë hetimeve, policia ka sekuestruar edhe armën e krimit, e cila rezulton se mbahej me leje.
Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë herë të distancohet nga përgjegjësia për përmbytjet masive që përfshinë vendin pak ditë më parë, duke gjetur fajtorë të rinj larg institucioneve dhe investimeve shtetërore. Gjatë një takimi me krerët e njësive vendore, Rama la të kuptohet se problemi kryesor nuk janë kanalizimet e amortizuara apo hidrovorët jashtë funksionit apo inceneratorët që djegin paratë e shqiptarëve, por qytetarët që hedhin qese dhe shishe plastike. Sipas kryeministrit, situata u përkeqësua nga “papërgjegjshmëria rrëqethëse” e atyre që e trajtojnë ambientin si landfill, ndërsa milionat e shpenzuara për sistemet e kullimit duket se nuk patën asnjë rol në përballimin e reshjeve. Kanalizimet e copëtuara, hidrovorët që nuk punojnë dhe investimet që ekzistojnë vetëm në letra, u lanë sërish jashtë diskutimit. Rama përmendi edhe ndryshimet klimatike si një tjetër shkak madhor, duke e kompletuar panoramën ku faji ndahet mes motit, vorbullave të ajrit dhe shisheve plastike. “Dua ta nis me faktin që viti nisi me një situatë të vështirë atmosferike që preku një pjesë jo të vogël të komuniteteve dhe që na përballi me sfidën e emergjencës në kushtet që emergjencat poo bëhen sistematike epo marrin një profil tjetër si rezultat i ndryshimeve klimatike. Kemi më shumë thatësirë e zjarre e më shumë befasira në aspektin e atmosferës ku krijohen vorbulla si ajo e ditëve të para të vitit që sipas ekspertëve janë vorbulla që janë ngërçe në qarkullimin e flukseve të ajrit. Situata u ndërlikua nga papërgjegjshmëria rrëqethëse e dikujt prej nesh që e trajtojnë ambientin si landfill dhe hedhin shishe e qese plastike”, tha Rama
Agjentët e Antidrogës së Tiranës kanë arrestuar Ervin Kaftirajn gjatë një operacioni të zhvilluar mëngjesin e kësaj të shtune në një restorant të njohur në periferi të kryeqytetit. Kaftiraj, i njohur për aktivitetin e tij me makina me qira luksoze dhe mjete retro, ishte prej disa muajsh në përgjim nga autoritetet për dyshimet e përfshirjes në trafikun e drogës. Gjatë kontrollit fizik, Kaftiraj iu gjet mbi 1 kilogram kokainë, e cila është sekuestruar si provë materiale. Operacioni vjen pas hetimeve intensive nga sektori i Antidrogës, i cili kishte ndjekur dhe mbikëqyrur aktivitetet e dyshimta të të arrestuarit për të identifikuar rrjetin kriminal. Autoritetet njoftojnë se operacioni është ende në vijim, ndërsa agjentët e Antidrogës po punojnë për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës dhe për të ndërprerë aktivitetet kriminale që lidhen me të.
Rreth 1.2 milionë persona nga e gjithë bota kanë marrë pjesë në testimin ndërkombëtar të IQ-së, i zhvilluar në dhjetëra shtete të ndryshme, me qëllim matjen e nivelit mesatar të inteligjencës sipas vendeve. Të dhënat tregojnë se në 84.8% të shteteve, rezultati mesatar i IQ-së ka ndryshuar me më pak se 2 pikë nga viti në vit, duke reflektuar një stabilitet relativ të këtij treguesi. Sipas të dhënave të publikuara nga International IQ Test, Shqipëria renditet në vendin e 19-të nga 137 shtete të përfshira në studim, me një mesatare prej 101 pikësh, rreth 4 pikë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Ky rezultat e bën Shqipërinë vendin me IQ-në më të lartë në Ballkan dhe në rajon. Pas Shqipërisë renditet Serbia, në vendin e 32-të me 99.8 pikë, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi renditen përkatësisht në vendin e 45-të dhe 51-të. Bosnje-Hercegovina mbyll listën e rajonit, në vendin e 67-të. Në skenën globale, vendet aziatike dominojnë renditjen e IQ-së. Koreja e Jugut kryeson listën, e ndjekur nga Kina dhe Japonia, të cilat njihen për investimet e mëdha në arsim, teknologji dhe kërkim shkencor, si dhe për ritmin e lartë të zhvillimit ekonomik dhe inovativ. Në Evropë, rezultatet më të larta regjistrohen nga Rusia dhe Spanja. Në fund të renditjes globale ndodhen disa shtete të Afrikës dhe Azisë Juglindore. Ruanda, Timor Leste dhe Somalia shënojnë IQ-në mesatare më të ulët, një gjendje e lidhur ngushtë me faktorë si varfëria, qasja e kufizuar në arsim, konfliktet e gjata dhe mungesa e investimeve në shëndetësi dhe zhvillim social.
Sot shënohen 558 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405–17 janar 1468), figura më e madhe e historisë shqiptare dhe simbol i lirisë dhe qëndresës. Skënderbeu udhëhoqi shqiptarët për më shumë se 25 vite në luftën kundër pushtimit osman, duke mbrojtur trojet dhe identitetin kombëtar në një nga periudhat më të vështira të historisë. I lindur në një familje fisnike, biri i Gjon Kastriotit dhe Vojsavës, Gjergj Kastrioti u dërgua i ri në oborrin osman, ku u arsimua dhe u përgatit ushtarakisht. Këto njohuri ai i përdori më vonë për të udhëhequr me sukses kryengritjen shqiptare. Pas kthimit në atdhe, ai bashkoi principatat shqiptare dhe u shndërrua në udhëheqësin kryesor të luftës për liri. Sot, pas 558 vitesh, figura e Skënderbeut mbetet një frymëzim për shqiptarët kudo që ndodhen. Ai përfaqëson guximin, bashkimin dhe dashurinë për atdheun, ndërsa vepra e tij vazhdon të kujtojë se liria dhe dinjiteti mbrohen me sakrificë dhe vendosmëri. Sot, 558 vjet pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, a do të ndihej krenar Skënderbeu për Shqipërinë e sotme, ku korrupsioni, papunësia dhe problemet sociale sfidojnë çdo ditë shqiptarët?
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për 26-vjeçarin Arbër Xhaxhaj, i cili shkaktoi aksidentin tragjik te ura e Dajlanit, ku humbi jetën 18-vjeçarja Vikena Greku. Xhaxhaj u arrestua natën e 15 janarit, pas testit të alkoolit që tregoi se ishte i dehur gjatë drejtimit të mjetit. Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Sipas policisë, 26-vjeçari ka humbur kontrollin mbi automjetin, i cili u përplas me barrierat anësore të urës dhe ra nga ajo, duke shkaktuar vdekjen e të miturës. I riu ka qenë me shpejtësi mbi 130 km në orë. Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur dhe dy këmbësorë. Ngjarja ka tronditur komunitetin e Durrësit dhe rrit sërish shqetësimet për sigurinë rrugore dhe respektimin e rregullave të qarkullimit.
Mbrëmjen e djeshme, në burgun e Fierit, Seksioni 3, kati i 2 i Godinës së Paraburgimit, ka ndodhur një sherr mes të burgosurve. Burime eskluzive për JOQ ALBANIA bëjnë me dije se vëllezërit Kiri Mërnica dhe Azgan Mërnica kanë sulmuar brutalisht një të burgosur me iniciale K.S., për arsye ende të paqarta. Azgan Mercina, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e efektivit të forcave speciale “Shqiponja”, Novruz Cenalia, më 13 maj 2024, si dhe vëllai i tij Kiri Mercina, i dënuar me 19 vite për vrasjen e 23-vjeçarit Florjan Selimi në vitin 2019, janë konfliktuar me të burgosurin me iniciale K.S gjatë ndërrimit të turneve të stafit dhe për këtë arsye gardianët e burgut kanë ndërhyrë me vonesë. Deri më tani ngjarja është mbajtur e fshehtë dhe po verifikohet nga autoritetet përmes kamerave të sigurisë të instaluara në godinë. Policia dhe administrata e burgut po vijojnë hetimet për rrethanat dhe motivet e sulmit.
Një aksident i trefishtë ka ndodhur ditën e sotme në rrugën e Rinasit, Tiranë. Tre makina janë përplasur dhe për pasojë një person ka mbetur i plagosur. Ka dyshime se shkak për aksidentin është bërë shpejtësia dhe mosrespektimi i sinjalistikës rrugore.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë tonë pëe të raportuar një incident ku makina e tij është gërvishtur në zonën e Turizmit në Pogradec. Ai thotë se personi përgjegjës ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe nuk ka lënë asnjë informacion kontakti pavarësisht dëmit të shkaktuar. Ai i bën thirrje shoferit përgjegjës që ta kontaktojë në numrin 0695369212 për zbardhjen e ngjarjes pasi në të kundërt do të bëjë denoncim në polici për të hetuar rastin dhe për të marrë masat e nevojshme. Denoncimi i qytetarit: pershendetje me kan gervishtur makinen tek turizmi ne pogradec ju lutem nese mundi ta postoni rastin sepse personi qe ka gervishtur makinen ka ikur dhe nuk ka len asnje numer kontakti 0695369212
Dy punonjëse të Postës Shqiptare në Devoll janë proceduar penalisht, pasi dyshohet se kanë vjedhur rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondet e postës. Bëhet fjalë për Paola Shahollin, 29 vjeçe, përgjegjëse e zyrës postare Vishocicë, dhe Eda Çelikun, 27 vjeçe, arkëtare-llogaritare në degën postare Devoll, të dyja banore të Bilishtit. Sipas njoftimit të policisë, ato dyshohet se në bashkëpunim kanë përvetësuar paratë gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026. Përgjegjësja dyshohet se ka përvetësuar dhe shpërdoruar fondet e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë vendit, duke falsifikuar nënshkrimet e tyre. Ndërsa arkëtarja dyshohet se ka manipuluar, hequr dhe falsifikuar mandatpagesat në evidencat e librave të arkës dhe në sistemin e menaxhimit të parave cash, në mënyrë që të favorizonte përvetësimin e fondeve nga 29-vjeçarja. “Nga hetimet dyshohet se këto shtetase, duke shpërdoruar detyrat, kanë përvetësuar rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondet e postës. Shtetasja P. Sh. dyshohet se ka përvetësuar dhe shpërdoruar fondet e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë shtetit, duke falsifikuar nënshkrimet e tyre. Ndërsa shtetasja E. Ç. dyshohet se ka manipuluar, hequr dhe falsifikuar mandatpagesat nga evidenca e librave të arkës dhe sistemi i menaxhimit të parave cash, për të favorizuar vjedhjen e fondeve nga 29-vjeçarja”, njofton policia. Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa organet ligjzbatuese po punojnë për rikuperimin e shumës së përvetësuar.
Mes 100 halleve që ka vendi ynë, kryeministri Edi Rama ka hedhur idenë e ndërtimit të një godinë të re për Parlamentin, pa dhënë detaje se ku dhe kur do të fillojë projekti. Sipas tij, ndërkohë që administrata e Kuvendit ka nevojë për një “modernizim teknologjik”, duket se energjia pozitive e deputetëve mund të rritet vetëm me mure dhe tavane të rinj. Ndërkohë që qytetarët përballen me çmimet e larta, rrugët e prishura dhe shërbimet e mangëta, qeveria mendohet për godinë të re për Parlamentin. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ai theksoi se administrata e Kuvendit duhet të modernizohet dhe të përfitojë nga një transformim teknologjik, si të ishte ky problemi kryesor i vendit. Me pak fjalë, ndërkohë që qytetarët presin zgjidhje për problemet e përditshme, kryeministri duket se ka gjetur mënyrën më “efikase” për t’i dhënë energji pozitive deputetëve që vetëm ngrohin karriget, një parlament të modernizuar dhe tallje me popullin. “Duhet ta vazhdojmë me administratën e kuvendit që kemi kohë që themi që duhet të modernizohet dhe të mbështetet nga një transformim teknologjik dhe nga ana tjetër duhet që të vendosim edhe piketat në një kalendar të qartë për godinën e re të Parlamentit të Shqipërisë. Të gjitha këto bashkë ndihmojnë për ti dhënë më shumë energji pozitive punës së deputetëve”, tha Rama.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka publikuar në faqen e saj zyrtare versionet e përditësuara për vitin 2025 të Katalogut të Pasurive të Sekuestruara dhe Katalogut të Pasurive të Konfiskuara dhe të Sekuestruara, ku renditen pasuri të ndërtuara dhe të përfituara me lekë të pista, që tashmë janë nxjerrë nga hija e krimit dhe janë regjistruar si pronë e shtetit. Në katalog përfshihet pasuria e Emiljano Shullazit, konkretisht pjesa takuese e ish-Hotel “Vollga” në Durrës, e përfituar përmes kontrate dhurimi dhe e regjistruar në emrin e tij në vitin 2014. Prona ndodhet në bashkëpronësi me Fejzi dhe Marjeta Kodra dhe përfshin truall dhe ndërtesë me sipërfaqe mbi 1100 m². Me vendim përfundimtar të Gjykatës së Posaçme të Apelit në korrik 2021, pasuria është konfiskuar dhe pjesa takuese e Shullazit ka kaluar në favor të shtetit. Janë konfiskuar gjithashtu edhe pasuritë e Luan Kërtallit, të cilat sipas autoriteteve janë përfituar nga veprimtaria kriminale e dy djemve të tij. Bëhet fjalë për një truall prej 1050 m² dhe një objekt njëkatësh me oborr dhe pishinë. Enkel dhe Morel Kërtalli janë hetuar për disa vepra të rënda penale, përfshirë falsifikime dhe akuza për vrasje. Në listë figuron edhe konfiskimi i një apartamenti në qytetin e Beratit në pronësi të deputetit demokrat Kasem Mahmutaj. Pasuria me sipërfaqe 106 m² është konfiskuar me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit në qershor 2022. Me këtë vendim, apartamenti ka kaluar përfundimisht në favor të shtetit. Pasuri të konsiderueshme janë konfiskuar edhe nga familjarët e Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”. Mes tyre është një kompleks shërbimesh me restorant, lavazh dhe parkim përballë burgut të Fierit, në pronësi të Ahmet Isufajt, si dhe një truall i përshtatur për biznese në pronësi të Amarildo Isufajt. Konfiskimi është vendosur nga Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në shtator 2023. Në mesin e pasurive të sekuestruara përfshihet edhe lokali “Monopol” në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë, në pronësi të Aurel Hoxhës. Pasuria përbëhet nga dy njësi të bashkuara në bodrumin e një pallati, të përshtatura si ambient lokali dhe aktualisht të dhëna me qira. Aurel Hoxha është identifikuar si porositës i dyshuar i vrasjes së Klevis Lleshit dhe vijon të jetë në kërkim nga autoritetet.
Një qytetare ka denoncuar përmes redaksisë tonë situatën alarmante të mbetjeve urbane në Njësinë 5, konkretisht në rrugën “Irfan Tomini” dhe zonën pranë “Nikoll Kaçorrit”, të ndara vetëm nga një rrugicë. Sipas qytetares, prej rreth dy muajsh në këtë zonë janë krijuar grumbuj të mëdhenj plehrash që nuk po pastrohen, pavarësisht se makinat e mbledhjes së mbetjeve kalojnë dhe marrin vetëm koshat. Nga ana tjetër, mjetet e mëdha të pastrimit pretendojnë se kjo zonë nuk është në përgjegjësinë e tyre, duke e lënë problemin pa zgjidhje. Qytetarja shprehet se situata është bërë e padurueshme, ndërsa askush nuk merr përgjegjësi për pastrimin. Ajo thekson gjithashtu papërgjegjshmërinë e disa individëve që hedhin inerte dhe mbetje të tjera, por kërkon që fillimisht zona të pastrohet dhe më pas të merren masa parandaluese, si vendosja e tabelave paralajmëruese nga vetë komuniteti. Qytetarja i bën thirrje institucioneve përkatëse që të reagojnë dhe të marrin masa, përpara se kjo situatë të zgjasë edhe për muaj të tjerë. Denoncimi i qytetares: Pershendetje ,uroj te jeni mir! Nje problem me plerat kemi si lagje ,na mbyti pislliku, Kto Jan ne rrugen Irfan tomini njesia 5. Kto Tek nikoll kacorri ,nji rrugic I ndan nga njera tjetra ,ka 2 muaj kjo situat,mbledhin vetem kazanet makinat e plehrave,DHE kto thon nuk I kemi ne.vjen makinat madhe Po prap e plehrave DHE ato thon nuk I kemi ne Kush I ka per tu hequr ? Ju lutem publikojeni ,ndoshta I vjen turp ndonji drejtori a ku di un ,DHE merr ndonji mas , Merreni parasysh ta postoni ju lutem se DHE 2 muaj te tjera ktu do jen kto grumbuj plerash. DHE papergjegjshmeria e njerzve esht,se nuk mund te hedhesh aty thaset me inerte e budallalliqe te tjera,Po ti japin zgjidhje ti heqin nji her,se do vem tabel pastaj ne vet si komunitet,sa do funksionoj tabela se di por ta pastrojn nji her
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) kur në krye të tij ishte Gent Gjyli rezultoi institucioni buxhetor me vlerën më të lartë të pagesave të kryera përmes Thesarit të Shtetit gjatë vitit 2025, me mbi 360 MILION €, duke ia kaluar kështu edhe Bashkisë Tiranë. Kjo shumë përfaqësoi një rritje të fortë krahasuar me vitin 2024, kur ARRSH kishte shpenzuar vetëm 45% të kësaj vlere, rreth 159,6 miliardë lekë. Në terma realë, pagesat e Autoritetit janë më shumë se dyfishuar brenda një viti. Nga analiza e përfituesve rezulton se pjesa më e madhe e fondeve është përqendruar në një numër të kufizuar kompanish ndërtimi dhe infrastrukture, të cilat vijojnë të dominojnë tenderët rrugorë në vend. Oligarkët përfitues të ARRSH për vitin 2025 janë: Gjoka Konstruksion i oligarkut Rrok Gjoka me 44 MILIARD LEKË 2T e Artan Sakos, vëllait të kryebashkiakut të Tepelenës Gramoz Sako me mbi 31 MILIARD LEKË Salillari e Pëllumb Salillarit me mbi 24 MILIARD LEKË A.N.K e Agim dhe Ndue Kolëse mbi 21 MILIARD LEKË G.P.G Company e Paqësor Buzit me mbi 19 MILIARD LEKË Geci shpk e Ramë Gecit me mbi 15 MILIARD LEKË Të dhënat tregojnë një përqendrim të dukshëm të fondeve publike në të njëjtat subjekte ekonomike, duke ngritur pikëpyetje mbi konkurrencën reale dhe transparencën në ndarjen e kontratave. Me mbi 363 milionë euro të derdhura nga Thesari vetëm në një vit, ARRSH jo vetëm që mban rekordin për 2025, por shndërrohet edhe në nyjën kryesore të qarkullimit të fondeve publike në sektorin e infrastrukturës.
Personi në pamje është 26 vjeçari Arbër Xhaxhaj, drejtuesi i automjetit tip “BMW X5” që u përfshi në aksidentin e rëndë të ndodhur mbrëmjen e kaluar në urën e Dajlanit në Durrës. Sipas burimeve zyrtare, Xhaxhaj ka qenë në gjendje të dehur në momentin e aksidentit, ndërsa automjeti po lëvizte me shpejtësi të lartë dhe ka dalë nga mbikalimi pas humbjes së kontrollit. Nga aksidenti ka humbur jetën 18-vjeçarja Vikena Greku, e cila ndodhej në makinë si pasagjere. Ajo nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra, ndërsa shoferi ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në spital nën kujdesin e mjekëve. I riu ka qenë me shpejtësi mbi 130 km në orë. Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur dhe dy këmbësorë.
Jonida Proga, motra e Egli Progës, i cili u vra në Pogradec në verën e vitit 2024, ka akuzuar publikisht drejtuesen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdanin, se ka favorizuar dhe promovuar prokuroren e çështjes, Vasjana Postoli. Përmes një postimi në Facebook, Proga shpreh indinjatën e saj për mënyrën se si është trajtuar çështja e vëllait, duke theksuar se prokurorja ka deklaruar në seancë gjyqësore se Egli Proga “vdiq nga një grusht”, ndërkohë që sipas saj autori i dyshuar, Denis Meçe, ishte një kriminel dhe gjobaxhi i njohur në qytetin e Pogradecit, e ka dhunuar për vdekje. Në reagimin e saj, Jonida Proga kritikon ashpër vendimmarrjen e KLP-së dhe i drejtohet drejtpërdrejt anëtarëve të saj, duke shkruar: “Faleminderit të gjithë anëtarëve të KLP që mbyllni sytë sa herë votoni, për të mos parë ç'keni para. Faleminderit Prof. Mirela! Po të masakrohej vëllai yt nga kriminelët e gjobaxhinjtë, a do e dekoroje prokuroren që tha "vdiq nga një 'grusht'”? Faleminderit të gjithë anëtarëve të KLP që mbyllni sytë sa herë votoni, për të mos parë ç'keni para!" Sipas saj, promovimi i prokurores Vasjana Postoli është një fyerje për drejtësinë dhe për familjen e viktimës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 10 gusht 2024 në Pogradec. Sipas dëshmive të mbledhura nga policia, Egli Proga kishte shkuar në një lokal për të pirë, ku brenda ndodhej edhe një shtetas tjetër, ndërsa jashtë lokalit ndodheshin tre persona, mes tyre Denis Meçe, nipi i ish-drejtorit të Postës Shqiptare, Valter Gora, të gjithë në gjendje të dehur. Debati ka nisur pasi Meçe iu afrua Progës duke i kërkuar një cigare, situata u përshkallëzua dhe autori i kërkoi viktimës të dilnin jashtë për “sqarim”, ku Egli Proga u dhunua për vdekje, ndërsa Denis Meçe u arratis pas ngjarjes.