Gjatë festimeve në natën e ndërrimit të viteve nuk kanë munguar as incidentet. Një prej tyre është edhe ky moment që ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një i ri ka rrezikuar seriozisht gjymtyrët në Arapaj të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:00, në momentin kur po festohej ardhja e vitit 2026. Siç shihet edhe nga pamjet, pas tre lëshimeve të suksesshme, fishekzjarri i katërt i ka shpërthyer të riut direkt në dorë. I riu i është drejtuar redaksisë sonë për të treguar eksperiencën e tij të hidhur: “Si jeni JOQ! Dje në orën 00:00 më shpërtheu fishekzjarri në dorë pas 3 gjuajtjeve dhe pësova djegie në duar. Më mbrojti Zoti! Më duket se i mbajnë shumë në magazinë dhe i shesin të skaduara,” shprehet ai. Ndonëse ka pësuar djegie, fatmirësisht incidenti ka kaluar pa lëndime serioze. Ky rast rikthen edhe një herë vëmendjen mbi rrezikun që paraqesin fishekzjarrët, sidomos kur cilësia e tyre është e dyshimtë ose kur mjetet piroteknike shiten pa asnjë kontroll.
Viti i ri 2026 ka nisur me një tragjedi të rëndë në Zvicër, ku një zjarr shkatërrues në një bar në resortin e njohur alpin Crans-Montana i ka marrë jetën të paktën 40 personave, ndërsa rreth 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Së fundmi, në rrjetet sociale ka qarkulluar një video tronditëse, e cila shfaq momentet e panikut brenda lokalit “Le Constellation”, teksa flakët përhapen me shpejtësi dhe dhjetëra persona përpiqen me çdo kusht të dalin nga ambienti. Në pamje dëgjohen ulërima, britma ndihme dhe përpjekjet e dëshpëruara të turistëve për t’i shpëtuar zjarrit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 të mëngjesit, gjatë festimeve të ndërrimit të viteve, në një bar të frekuentuar kryesisht nga turistë vendas dhe të huaj. Sipas autoriteteve zvicerane, zjarri është përhapur shumë shpejt, duke e bërë të vështirë evakuimin dhe duke shkaktuar pasoja tragjike. Policia e kantonit Valais ka bërë me dije identifikimi i viktimave është i vështirë për momentin për shkak të djegieve të rënda. Sipas autoriteteve, mes viktimave dyshohet se ka edhe shtetas të huaj, ndërsa shumë nga të plagosurit janë të rinj. Prokuroria zvicerane ka sqaruar se ngjarja po trajtohet si aksidentale dhe jo si sulm terrorist, duke theksuar se shkaku i saktë i shpërthimit dhe i përhapjes së flakëve mbetet ende i paqartë. Hetimet janë në vijim dhe pritet që të nevojitet kohë për të hedhur dritë mbi rrethanat e plota të tragjedisë. Pas ngjarjes, zona është mbyllur për publikun, është vendosur ndalim fluturimi, ndërsa forca të shumta zjarrfikëse, ambulanca dhe ekipe emergjence kanë ndërhyrë në vendngjarje. Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, ka vizituar Crans-Montana pas tragjedisë, duke deklaruar se bëhet fjalë për një ngjarje tejet të rëndë, që ka tronditur gjithë vendin, ndërsa shumë nga viktimat besohet se janë persona të rinj. Autoritetet kanë bërë apel për qetësi dhe mirëkuptim, duke theksuar se çdo informacion zyrtar do të publikohet vetëm pas verifikimeve të plota.
Live  ALERT në BE: Kafeja e firmës Devolli “Prince Caffe”, me substanca të rrezikshme Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 01.01.2026, 18:16   Një njoftim alarmi është publikuar nga sistemi RASFF i Komisionit Evropian, ku raportohet se kafeja “Prince Caffe” e Devolli Corporation ka rezultuar me prani të akrilamideve në Kroaci. Alerti është bërë publik gjithashtu edhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK).  Megjithatë, sipas njoftimit zyrtar, nuk sqarohet nëse janë marrë masa konkrete për tërheqjen e produktit nga tregu, nëse bëhet fjalë për të njëjtin lot prodhimi, apo nëse janë kryer analiza shtesë në kompaninë prodhuese apo në pikat e shitjes me pakicë. Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi nivelin e reagimit institucional dhe transparencën ndaj konsumatorëve. Në këtë kontekst, vëmendja duhet të jetë e shtuar edhe në Shqipëri, ku pritet një reagim i qartë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik dhe informimit të konsumatorëve shqiptarë.  Çfarë janë akrilamidet dhe pse përbëjnë rrezik? Akrilamidet janë klasifikuar që në vitin 1994 nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) e OBSH-së si substanca potencialisht kancerogjene (Grupi 2A). Studime më të fundit sugjerojnë se ekspozimi kronik ndaj tyre mund të dëmtojë fibrat nervore, duke rritur rrezikun e sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri. Një meta-analizë e publikuar në vitin 2022 në revistën shkencore Frontiers in Nutrition, e cila përfshiu 31 studime me mbi 1 milion persona, gjeti një lidhje midis marrjes mesatare prej 23 mikrogramësh akrilamide në ditë për rreth 15 vjet dhe rritjes së rrezikut për disa lloje kanceri, përfshirë ato të zgavrës orale, stomakut, ezofagut, prostatës, pankreasit dhe tiroides. Akrilamidet formohen gjatë gatimit në temperatura të larta, veçanërisht në procese industriale, por edhe në gatimin shtëpiak, kur ushqimet me përmbajtje të lartë niseshteje i nënshtrohen transformimit të sheqernave dhe aminoacideve. Ato janë të pranishme jo vetëm në kafe, por edhe në produkte si patatet e skuqura, biskotat, pica dhe produkte të tjera të pjekura. Organizata Safe Food Advocacy Europe ka theksuar vazhdimisht nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve dhe për masa më të forta rregullatore ndaj këtij përbërësi toksik. Ndërkohë, konsumatorët në rajon mbeten në pritje të sqarimeve zyrtare dhe veprimeve konkrete nga autoritetet përkatëse, për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për shëndetin.
Vlonjatët njihen prej kohësh për lidhjen e tyre të fortë dhe të veçantë me detin. I pranishëm në jetën e përditshme të qytetit, deti përfaqëson jo vetëm bukurinë natyrore të Vlorës, por edhe historinë, traditat dhe shpirtin e banorëve të saj. Për shumë prej tyre, ai është një vend qetësie, force dhe rifillimi. Edhe këtë 1 janar 2026, vlonjatët i qëndruan besnikë detit. Ndryshe nga shumica e njerëzve që e nisin vitin e ri në ambiente të mbyllura apo në kafene, vlonjatët zgjodhën të shkojnë në brigjet e Jonit. Aty, pavarësisht temperaturave të ulëta, ata u zhytën në ujërat e ftohta të detit. Për vlonjatët, larja në det në ditën e parë të vitit nuk është thjesht një sfidë fizike, por një mënyrë për të pritur vitin e ri me shpresë, pozitivitet dhe besim se çdo fillim i ri duhet të nisë me forcë dhe vendosmëri.
Viti i Ri 2026 ka nisur me stresin e përhershëm për drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët në rrugët e vendit. Radhë kilometrike, trafik i rënduar dhe pritje të gjata janë regjistruar gjatë ditës së sotme në aksin kombëtar Tiranë–Elbasan. Siç shihet edhe nga pamjet, mjetet kanë krijuar një karvan të gjatë në segmentin e daljes nga qyteti i Elbasanit, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin. Situata ka sjellë vonesa të konsiderueshme për drejtuesit e mjeteve, ku për të përshkuar disa qindra metra janë dashur dhjetëra minuta pritje. Sipas drejtuesve të automjeteve, shkaqet kryesore të trafikut lidhen me mungesën e infrastrukturës së përfunduar, punimet rrugore ende të papërmbyllura, pasivitetin e Policisë Rrugore, si dhe fluksin e shtuar të lëvizjeve për shkak të festave të fundvitit dhe kthimit të emigrantëve. Probleme të ngjashme raportohen çdo ditë edhe në akset që lidhin Tiranën me Elbasanin, Librazhdin dhe Pogradecin, ku pavarësisht investimeve të shpallura në rrugë, qarkullimi mbetet i ngadalshëm dhe i vështirë. Qytetarët shprehen se, edhe pse rruga e re ka shkurtuar distancën, në praktikë përshkimi i saj shpesh shoqërohet me pritje të gjata, ku për vetëm 500 metra nevojiten deri në gjysmë ore. Sipas tyre, kjo situatë nuk ndodh vetëm në ditë festash apo më 1 janar, por është një problem i përditshëm për ata që udhëtojnë drejt dhe nga kryeqyteti.
Personat që shihni në foto janë Anxhelo Ruçi 27 vjeç, Klejdi Myftari 24 vjeç dhe Martin Dulaj 25 vjeç, të cilët humbën jetën në aksidentin e regjistruar në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në aksin “Gjirokastër–Tepelenë”. Anxhelo Ruçi po udhëtonte me një automjet tip Volkswagen me targa AB 797 VP, së bashku me Klejdi Myftari, 24 vjeç. Si pasojë e përplasjes së fortë me një automjet tjetër tip Mercedes Benz, të dy të rinjtë kanë humbur jetën në vendngjarje. Në automjetin tjetër udhëtonte Martin Dulaj, 25 vjeç, i cili ka ndërruar jetë gjithashtu në vendngjarje, si dhe e fejuara e tij, Ardisa Demiri, 19 vjeçe, e cila ka mbetur e plagosur rëndë. E reja është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranëpër trajtim më të specializuar. Sipas burimeve mjekësore, 19-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, por me parametra jetësorë të qëndrueshëm dhe po mbahet nën monitorim intensiv. Për shkak të politraumës së pësuar, ajo ende nuk konsiderohet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa vijojnë konsultat mjekësore të specializuara. Anxhelo Ruçi ishte djali i shefit të Komisariatit të Policisë Tepelenë, Rami Ruçi, si dhe nip i ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. Policia po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik.
Një apartament është përfshirë nga flakët gjatë festimeve në natën ndërrimit të viteve në Tiranë. Shkak dyshohet të jetë bërë një fishekzjarr që ka përfunduar në ballkonin e apartamentit që ndodhet në zonën e Selvisë. Fatmirësisht, deri më tani, nuk raportohet për persona të lënduar nga ky incident. Bëni kujdes me mjetet piroteknike!
Qielli i Tiranës u ndez nga fishekzjarret në ndërrimin e viteve 🎆 Një ndjekëse ka ndarë me redaksinë e JOQ Albania pamje mbresëlënëse të festës, të filmuara nga kodrat mbi Liqenin e Thatë, ku ngjyrat dhe dritat pushtuan kryeqytetin në pritje të vitit 2026. Pamje që tregojnë gëzimin dhe energjinë me të cilën Tirana e priti Vitin e Ri.
Ndërsa edhe pak minuta na ndajnë nga mesnata dhe Shqipëria është vetëm një hap larg Vitit të Ri 2026, shumica prej nesh jemi ulur pranë tryezave festive, me njerëzit e zemrës. Por ka mijëra shqiptarë që sonte nuk e kanë mundësinë e kësaj ngrohtësie. Për ta, “shtëpia” e kësaj nate është vendi i punës, nën dritat e ftohta të spitaleve, reparteve, burgjeve apo rrugëve të zbrazura. Ky postim është për mjekët dhe infermierët në gatishmëri, për policët në patrullë, zjarrfikësit, ushtarakët, punonjësit e sistemit të burgjeve, elektriçistët dhe çdo punonjës tjetër që nata e ndërrimit të viteve i gjen në krye të detyrës. Ata lanë pas ngrohtësinë e familjes, përqafimet e fëmijëve dhe prindërve, që çdo vatër tjetër shqiptare të festojë e sigurt. Edhe pse sakrifica e tyre shpesh mbetet në hije, sonte zëri ynë i përbashkët është falënderimi më i madh për ta. Mirënjohja jonë u takon juve: Faleminderit që jeni në detyrë për ne! Gëzuar Vitin e Ri 2026 edhe për ju, heronjtë tanë të heshtur! U kthefshi shëndoshë e mirë pranë njerëzve tuaj sapo të përfundoni turnin. Një respekt i veçantë shkon edhe për elektriçistin e quajtur Deda, personi që shihni në këtë foto, i cili ndodhet mbi shtyllë në mes të errësirës dhe të ftohtit për të riparuar defektin që ka lënë zonën e Paskuqanit pa energji elektrike në këtë natë të ndërrimit të viteve.
Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të raportuar humbjen e një të moshuari në qytetin e Elbasanit, i cili vuan nga demenca. Sipas familjarëve, Ali Avdolli, 82-vjeç, ka dalë nga banesa e tij në lagjen “5 Maji” rreth orës 10:00 të paradites së sotme dhe prej asaj kohe nuk është kthyer më në shtëpi. I moshuari ka qenë i veshur me xhup blu të errët dhe pantallona gri të errëta. Familjarët shprehen shumë të shqetësuar, pasi sot është nata e ndërrimit të viteve, temperaturat janë shumë të ulëta dhe jashtë është errësirë, çka e bën situatën edhe më shqetësuese. Sipas informacioneve të fundit, ai është parë për herë të fundit rreth orës 16:00 te 'Çesma e Kasinës'. Familjarët u bëjnë apel qytetarëve që kushdo që mund ta ketë parë ose ka informacion, është i lutur të kontaktojë menjëherë në numrin e telefonit: 067 201 2462.
Viti i Ri 2026 ka mbërritur me festime spektakolare në Dubai, ku mijëra qytetarë dhe turistë janë mahnitur nga shfaqja madhështore e fishekzjarrëve pranë ndërtesës më të lartë në botë, Burj Khalifa. Spektakli përfshiu një kombinim unik fishekzjarrësh, imazhesh LED, lazerësh dhe muzike, duke e kthyer qendrën e qytetit në një skenë gjigante feste. Shfaqja vjen pas rreth 10 muajsh përgatitje intensive, ndërsa biletat për eventin u shitën në një kohë rekord. Dubai konfirmon edhe një herë reputacionin e tij si një nga qytetet që organizon festimet më madhështore në botë për ndërrimin e viteve.
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar ditën e djeshme në afërsi të tunelit të Skërficës, në segmentin rrugor Gjirokastër–Delvinë. Një mjet i rëndë (maune) është përmbysur pasi rruga dyshohet se ishte me naftë, duke e bërë të rrëshqitshme sipërfaqen. Drejtuesi i mjetit ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen me automjetet që lëviznin përpara tij por ka përfunduar i përmbysur dhe i bllokuar në kabinën e kamionit. Fatmirësisht, drejtuesit e tjerë të mjeteve i kanë ardhur në ndihmë dhe e kanë nxjerrë në kohë nga kamioni i rrëzuar në rrugë. Në pamje mund të shihni se si një prej qytetarëve nxiton dhe godet me shkelma xhamin e kamionit deri sa thyhet dhe shoferi del. Ky i fundit ka arritur të dalë pa lëndime edhe pse i tronditur nga ajo që i kishte ndodhur, ndërkohë qytetarët i japin ujë dhe përpiqen t’i qëndrojnë afër.
Fryu era që përjashta Tundi perdet e mëndafshta Mos kujto se të harrova kartolinën ta dërgova Pjatat me meze Gotat me raki Ju uroj nga zemra Gëzuar Vitin e Ri Këto janë vargjet nostalgjike, që të kujtojnë fëmijërinë dhe emocionin e vërtetë, por që sot janë zëvëndësuar nga urimet fasadë. Dikur kartolinat ishin mbretëreshat e padiskutueshme të urimeve të fundvitit. Në prag të Vitit të Ri, kioskat dhe libraritë mbusheshin me njerëz që ndalonin me ngut për të zgjedhur një kartolinë të veçantë peizazhe të mbuluara me borë, pamje qytetesh, motive tradicionale apo simbole të kohës. Kartolina nuk ishte thjesht një copë letre, por një shenjë kujtese, një ndalesë e vogël emocionale mes nxitimit të ditëve të fundit të vitit. Shkrimi i urimit ishte ritual më vete. Fjalët zgjidheshin me kujdes, shpesh shoqëroheshin me vargje të thjeshta, të krijuara posaçërisht për atë kartolinë. Urohej shëndet, gëzim, mbarësi; përmendej familja, miqësia, largësia. Çdo rresht mbante gjurmën e dorës dhe mendimit, çdo gabim i vogël e bënte urimin edhe më njerëzor, më të ndjerë. Sot, kjo skenë nostalgjike duket se i përket një kohe tjetër. Urimet e Vitit të Ri udhëtojnë me shpejtësinë e një klikimi, shpesh të njëjta për të gjithë, të dërguara me “forward” në çaste simbolike. Mesazhe të gatshme, të krijuara nga teknologjia, qarkullojnë pa ndalesë, pa peshë emocionale, pa ndjesinë e pritjes apo të surprizës. Urimi bëhet formalitet, fasadë digjitale që plotëson një zakon, por rrallë prek.
Ndodh shpesh që automjete të ndryshme pësojnë defekte në rrugë dhe të bllokojnë qarkullimin rrugor për mjetet e tjera. Për këtë të parët që vijnë në ndihmë janë efektivët e Policisë Rrugore. Edhe ditën e djeshme, një efektiv i Rrugores i është gjendur pranë një shoferi që kishte probleme me makinën dhe kishte ngecur në rrugë pranë kryqëzimit te Rruga e Elbasanit. Ndërkohë edhe një qytetar që po lëvizte me motor ka dhënë kontributin e tij duke e shtyrë me këmbë makinën e ngecur në rrugë.
Një aksident i frikshëm rrugor ka ndodhur pasditen e së martës në autostradën Tiranë–Durrës, ku dy automjete janë përplasur, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Një shtetas i huaj, i cili jeton në Shqipëri prej rreth katër vitesh, i ka dërguar redaksisë së JOQ Albania pamje nga aksidenti, ku shihet qartë momenti i përplasjes dhe dëmet e konsiderueshme materiale. Sipas dëshmisë, ai po udhëtonte drejt Tiranës së bashku me bashkëshorten, duke ndjekur normalisht rrjedhën e trafikut, kur një automjet tip Toyota ka kryer një manovër të papritur, duke e goditur anash. Si pasojë e përplasjes, mjeti i tij është përplasur fuqishëm drejt trafikndarëses prej betoni, ku ka përfunduar pjesërisht mbi të. “Po udhëtoja normalisht, kur makina tjetër u shfaq papritur nga e majta dhe më goditi. Pas goditjes, automjeti im u përplas me barrierën anësore prej betoni”, shprehet ai për JOQ Albania. Nga pamjet e siguruara, vërehet qartë se automjeti i shtetasit të huaj, një Volkswagen Passat gri i errët, ka pësuar dëme të rënda, veçanërisht në pjesën e përparme dhe anësore, ndërsa ka mbetur i ngritur mbi barrierën e betonit. Ai thekson se automjetin e kishte blerë vetëm tre muaj më parë dhe se pas aksidentit dëmet janë të tilla, sa mjeti është bërë pothuajse i papërdorshëm. Fatmirësisht, si ai ashtu edhe bashkëshortja e tij kanë pësuar vetëm lëndime të lehta. Shtetasi i huaj vlerëson edhe ndërhyrjen e policisë në vendngjarje, duke theksuar se efektivi i pranishëm i ndihmoi me procedurat dhe komunikimin, për shkak të barrierës gjuhësore. Sipas tij, nga pamjet dhe rrethanat e aksidentit, përgjegjësia dukej se i takonte mjetit tjetër. Megjithatë, këto mbeten vlerësime paraprake, ndërsa përcaktimi përfundimtar i përgjegjësisë pritet nga organet kompetente.
Pamjet që po qarkullojnë së fundmi pasqyrojnë një realitet të dhimbshëm: dhjetëra të rinj që gdhihen rrugëve të qyteteve moderne, duke fjetur mbi kartonë apo direkt në trotuar. Këto video kanë nxitur raportime të shumta në rrjetet sociale dhe media të huaja, të cilat flasin për një situatë shqetësuese në Kinë, ku dhjetëra mijëra të rinj pretendohet se po përballen me pasoja ekstreme pas futjes në të ashtuquajturën “listë e zezë” të Sistemit të Kreditit Social. Sipas këtyre raportimeve, personat që futen në listën e zezë përballen menjëherë me kufizime të rënda financiare: u bllokohen shërbimet bankare, pagesat digjitale dhe transaksionet online, duke e bërë pothuajse të pamundur pagesën e qirasë, blerjen e ushqimit apo marrjen e pagës. Në disa raste, këto kufizime thuhet se kanë çuar shumë individë kanë çuar individë drejt varfërisë ekstreme, duke i lënë pa kulm mbi kokë dhe jashtë çdo sistemi jetik për mbijetesë, pasi jeta e përditshme në Kinë është e lidhur pothuajse tërësisht me pagesat digjitale. Sipas pretendimeve që qarkullojnë online, futja në listën e zezë mund të ndodhë edhe për shkak të mospagimit në kohë të huave informale ose kredive me interesa shumë të larta, të cilat në disa raste raportohet se arrijnë deri në 25% ose më shumë. Megjithatë, këto mbeten pretendime që nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet kineze. Autoritetet në Pekin e kanë justifikuar Sistemin e Kreditit Social si një mekanizëm për të rritur besueshmërinë financiare dhe disiplinën shoqërore, por kritikët ndërkombëtarë prej vitesh kanë ngritur shqetësime se ky sistem mund të përdoret për ndëshkime disproporcionale dhe përjashtim social. Ndërkohë, debati ka kaluar kufijtë e Azisë, pasi ekzistojnë frika se sisteme të ngjashme të identitetit apo kontrollit digjital mund të tentohen të aplikohen edhe në Europë në vitet e ardhshme. Deri më tani, nuk ka të dhëna zyrtare që konfirmojnë shifrat e përmendura, ndërsa organizata të të drejtave të njeriut kanë kërkuar më shumë transparencë mbi mënyrën se si funksionon ky sistem dhe pasojat reale për qytetarët.
Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të falënderuar publikisht një çift të ri, të cilët gjetën dhe i dorëzuan portofolin që ajo kishte humbur në zonën e Pazarit të Ri në Tiranë. Ajo tregon se portofoli i kishte humbur pasditen e sotme dhe brenda tij ndodheshin rreth 300 mijë lekë të vjetra. Çifti që e gjeti portofolin nuk hezitoi aspak: ata kontaktuan bankën për të gjetur numrin e saj të telefonit dhe më pas e telefonuan për t’ia kthyer personalisht. Në videon e mbërritur në redaksinë tonë, qytetarja shpreh mirënjohjen e saj për këtë veprim të ndershëm: “Përshëndetje JOQ! Kjo është kuleta që mua më kishte humbur në zonën e Pazarit të Ri sot pasdite. Dua të falënderoj çiftin simpatik që më morën në telefon dhe ma sollën në shtëpi. Faleminderit dhe mirënjohje për këtë veprim kaq të ndershëm. Vërtet ekzistojnë njerëz kaq të mirë dhe duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë, sepse nuk është vlera monetare ajo që na bën njerëz, por gjesti dhe veprimi.” Në prag të Vitit të Ri, ky gjest i thjeshtë, por shumë domethënës, është një kujtesë e bukur se ndershmëria, empatia dhe humanizmi ende ekzistojnë dhe meritojnë të vlerësohen publikisht. JOQ Albania i bashkohet falënderimit dhe uron që këto histori të vogla, por të mëdha në vlera, të shërbejnë si shembull për të gjithë shoqërinë.
Sot bëhen pesë ditë që qyteti i Vlorës përballet me mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa pavarësisht deklaratave zyrtare se furnizimi ka nisur të rikthehet, dhjetëra qytetarë kanë kontaktuar redaksinë e JOQ Albania duke raportuar se shumë zona vijojnë të jenë pa ujë. Qytetarë të tjerë kanë dërguar pamje ku uji që ka ardhur në rubineta është i turbullt, me ngjyrë dhe me aromë të rëndë, duke theksuar se ai nuk është i konsumueshëm dhe paraqet rrezik për shëndetin. Në këtë situatë, një qytetare ka ngritur dyshime serioze mbi shkakun real të dëmtimit të tubacionit kryesor, i cili la Vlorën pa ujë për ditë të tëra. Në një video të mbërritur në redaksinë tonë, ajo ka shkuar vetë në vendin ku është çarë tubi dhe ka filmuar zonën përreth. Sipas saj, dëmtimi ka ndodhur brenda një kantieri ndërtimi, që ajo e identifikon si kantier të biznesmenit Arben Avduli. Qytetarja vë në dyshim deklaratën e kryetares së Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini, e cila një ditë më parë e cilësoi ngjarjen si “fatkeqësi natyrore”. “Nuk ka asnjë shenjë shkarjeje dherash këtu. Muri është në rregull. Pas murit është kanal. Nga kanë ardhur dherat? Si ka mundësi që shkarja të ketë ndodhur brenda kantierit? Ky është kantieri i Arben Avdulit”, shprehet ajo në video, duke ngritur pikëpyetje mbi versionin zyrtar. Edhe një tjetër qytetar i është drejtuar redaksisë sonë, duke pretenduar se dëmtimi i tubacionit ndodhet brenda të njëjtit kantier ndërtimi dhe se, sipas tij, askush nuk po flet publikisht për këtë çështje për shkak të lidhjeve politike që ai pretendon se ka biznesmeni në fjalë ka me Partinë Socialiste. Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini, në një deklaratë për mediat, u shpreh se problemi nuk është në përgjegjësi të bashkisë dhe se dëmtimi i tubacionit ishte pasojë e një “fatkeqësie natyrore”. “Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk duhet përdorur për politikë. Nuk është momenti të bëjmë analiza dhe të gjejmë fajtorin, por të japim zgjidhjen”, deklaroi ajo, duke shtuar se pjesët rezervë po vinin nga Turqia dhe se po aplikohej një zgjidhje e përkohshme me furnizim të pjesshëm dhe shpërndarje uji përmes autobotëve. Megjithatë, pesë ditë pa ujë në festat e fundvitit dhe raportimet e shumta nga qytetarët për mungesë totale ose ujë të papijshëm, kanë shtuar indinjatën dhe dyshimet në qytet. Sa i përket biznesmenit Arben Avduli, ai njihet si pronar dhe administrator i kompanisë së ndërtimit “Avduli shpk”, e cila ka përfituar miliona euro nga tendera publikë ndër vite. Çdo lidhje mes aktivitetit të kësaj kompanie dhe dëmtimit të tubacionit mbetet, në këtë fazë, për t’u verifikuar nga institucionet përgjegjëse. Redaksia e JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve që të sqarojnë publikisht dhe me transparencë të plotë shkakun real të dëmtimit të tubacionit, si dhe të garantojnë furnizim të sigurt dhe të pijshëm me ujë për qytetarët e Vlorës.