Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Divjakë, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e përplasjes, një prej ...
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Divjakë, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e përplasjes, një prej mjeteve ka përfunduar në kanal. Ngjarja është raportuar në redaksinë e JOQ Albania nga dëshmitarë në vendngjarje, të cilët kanë dërguar edhe pamje nga vendi i aksidentit. Sipas informacioneve të siguruara nga qytetarët, tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë. Të lënduarit udhëtonin në automjetin që përfundoi në kanal dhe janë transportuar me urgjencë me ambulancë drejt spitalit të Lushnjës. Ende nuk dihen rrethanat e sakta të aksidentit dhe përgjegjësitë e palëve të përfshira. Një nga automjetet, sipas dëshmitarëve, kishte targa greke dhe personat në mjet kishin ardhur për pushime. Automjeti tjetër ndodhej në krahun e kundërt të rrugës në momentin e përplasjes. Një qytetar shprehet se aksidente të tilla ndodhin thuajse çdo natë në rrugën e Divjakës, por shumë prej tyre nuk raportohen. Sipas tij, automjetet që përfundojnë në kanal shpesh nxirren me traktorë, madje edhe me persona të bllokuar brenda. “Në rrugën e Divjakës bëhen përditë aksidente si këto dhe nuk dalin në lajme. Makinat nxirren nga kanali me traktor, me njerëz brenda. Situata është shumë e rëndë”, shprehet qytetari. Ai ngre gjithashtu shqetësime serioze për mungesën e kontrollit rrugor në zonë, duke theksuar se në këtë aks qarkullojnë automjete dhe motorë pa leje qarkullimi, ndërsa sipas tij edhe fëmijë shkojnë në shkollë me motorë, pa u ndaluar nga policia. Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet për këtë ngjarje. JOQ Albania i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të sqarojnë rrethanat e aksidentit dhe të marrin masa konkrete për rritjen e sigurisë në rrugën e Divjakës, përpara se të ndodhë një tjetër tragjedi.
18.6K views