Kursi i këmbimit Euro-Lek ka shënuar një tjetër rënie gjatë ditëve të fundit, duke arritur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 96.46 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Agjentët e këmbimit valutor shpjegojnë se rënia lidhet me ofertën e shtuar të valutës në treg, një fenomen sezonal i zakonshëm për periudhën e fundvitit. Kthimi i emigrantëve për festat sjell flukse më të larta të euros, duke ushtruar presion rënës mbi kursin. Në terma vjetorë, euro rezulton rreth 2.1% më e dobët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, sipas ekspertëve, stabiliteti relativ i kursit gjatë vitit 2025 nuk i detyrohet vetëm tregut, por edhe ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë. Banka Qendrore ka vijuar blerjet e valutës edhe gjatë këtij viti. Deri në fund të 9-mujorit 2025, ajo ka blerë rreth 800 milionë euro, ndërsa gjatë vitit 2024 kishte blerë 933 milionë euro. Pa këto ndërhyrje, euro pritet të kishte rënë edhe më tej ndaj lekut. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se në vitin 2026 do të rrisë blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm, duke synuar deri në 450 milionë euro përmes ankandeve, me qëllim forcimin e rezervës valutore të vendit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka lëshuar akuza të forta duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia janë të përfshira drejtpërdrejt në armatosjen e shqiptarëve në Kosovë, me qëllim, sipas tij, kërcënimin e Serbisë dhe cenimin e integritetit të saj territorial. Gjatë një fjalimi përpara ambasadorëve të huaj, Vuçiç deklaroi se “amerikanët po i armatosin hapur dhe pa asnjë mëdyshje shqiptarët në Kosovë dhe Metohi”, ndërsa shtoi se edhe Turqia po dërgon armë të rënda dhe pajisje të tjera ushtarake. Sipas tij, ekziston “një qëllim i vetëm: kërcënimi i drejtpërdrejtë i Republikës së Serbisë, popullsisë civile dhe strukturave ushtarako-policore”. Në të njëjtën dalje publike, Vuçiç akuzoi Shqipërinë, Kosovën dhe Kroacinë se po krijojnë një “aleancë ushtarake” kundër Serbisë. Ai vuri në pikëpyetje të drejtën e këtyre shteteve për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, duke pretenduar se marrëveshjet ushtarake janë zgjeruar edhe me Slloveninë dhe se po tentohet përfshirja e Bullgarisë. Deklaratat e Vuçiç vijnë në një kohë kur Serbia, sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), ka shpenzuar rreth 2.2 miliardë dollarë për ushtrinë vetëm gjatë vitit 2024, ose 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke qenë vendi me investimin më të madh ushtarak në rajon. Kujtojmë këtu se tensionet në rajon janë përshkallëzuar ndjeshëm vitet e fundit. Ngjarja më e rëndë mbetet sulmi i armatosur në Banjskë më shtator 2023, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës. Përgjegjësinë e mori Milan Radoiçiç, i cili ende nuk është ndjekur penalisht në Serbi. Paralelisht, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për terrorizëm ndaj vëllezërve Viqentijeviç dhe Igor Dimoviç, të dyshuar për shpërthimin në kanalin 'Ibër-Lepenc' Sipas aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviç dyshohet se kanë vendosur eksplozivin që dëmtoi kanalin, një vepër e konsideruar akt terrorist.
Tregu i pasurive të paluajtshme në Kroaci po kalon një ftohje të ndjeshme, me rënie të vazhdueshme të shitjeve dhe çmime që vijojnë të mbeten në nivele të larta. Paralajmërimi u dha në Forumin e 40-të të Biznesit të Pasurive të Paluajtshme, ku ekspertët konfirmuan se ngadalësimi është tashmë i përgjithshëm në të gjithë vendin. Sipas Dhomës Kroate të Ekonomisë (HGK), transaksionet kanë rënë për tre vite radhazi. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025, shitjet kanë pësuar një rënie prej rreth 15% në nivel kombëtar, ndërsa në zonat bregdetare, ku tradicionalisht dominojnë blerësit e huaj, rënia kalon 20%. Ekspertët theksojnë se çmimet, veçanërisht për pronat e përdorura, kanë arritur nivele të papërballueshme, duke lënë shumë prona të pashitura për më shumë se një vit. Edhe projektet e reja po shfaqin shenja ngadalësimi, pasi zhvilluesit vazhdojnë të rrisin çmimet. Një faktor kyç është tërheqja e blerësve të huaj, sidomos nga Gjermania, të cilët dikur ishin ndër aktorët kryesorë në tregun bregdetar. Megjithatë, interes vijon të ketë nga blerës në Poloni, Çeki, Sllovaki dhe Ukrainë. Në Zagreb, situata është ndryshe: mungesa e projekteve të reja dhe çmimet e larta kanë sjellë një rënie mbi 20% të shitjeve, me çmime mesatare nga 2 800 deri në 2 900 euro për metër katror. Analistët presin që ftohja e tregut të vazhdojë, duke parashikuar një korrigjim gradual të çmimeve të pronave të përdorura gjatë vitit 2026. Në të njëjtën kohë, ekonomia kroate përballet me presione inflacioniste. Inflacioni arriti në 3.8% në nëntor, niveli i dytë më i lartë në Eurozonë, duke ushtruar presion shtesë mbi fuqinë blerëse dhe duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në tregun e pasurive të paluajtshme.
"Ndonjëherë leksionet më të mëdha vijnë nga më të vegjlit tanë. Dea dhe Dilesia, dy vogëlushe 10-vjeçare, na kujtojnë sot se çfarë do të thotë të jetosh vërtet. Një mesazh që çdo shqiptar duhet ta dëgjojë këtë fundviti. ❤" Në mes të zhurmës së festave dhe nxitimit të përditshëm, shpesh harrojmë të ndalojmë dhe të pyesim veten: çfarë mbetet vërtet në fund? Përgjigjen më të bukur dhe më empatike nuk e dhanë filozofët, por dy vogëlushe 10-vjeçare nga Poliçani, Dea dhe Dilesia. Në një video tejet emocionuese, e realizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve në Poliçan dhe që ka mbërritur në redaksinë tonë, dy nxënëset e klasës së katërt ndajnë një reflektim që po prek zemrat e mijëra shqiptarëve. Nuk është thjesht një urim për Vitin e Ri, por një mesazh i pastër, i sinqertë dhe i thellë, që tejkalon moshën e tyre. Me një pjekuri të rrallë, Dea dhe Dilesia e përshkruajnë vitin që po lëmë pas si një rrugëtim të mbushur me sfida e lodhje, por edhe me gabime që të mësojnë e fitore të vogla që të gëzojnë. Ato na kujtojnë se gabimet janë mësonjës, se jeta është më shumë sesa nxitimi i përditshëm dhe se shpesh vrapojmë pas gjërave që nesër nuk do të kenë më asnjë vlerë. “Ndoshta ky është gabimi më i madh i njeriut: të harxhojë ditët e tij me gjëra që nuk mbeten, duke harruar ato që nuk harrohen kurrë”, thonë vogëlushet, duke e zhvendosur vëmendjen tonë nga “lodrat e botës” te ajo që ka vërtet rëndësi: njeriu, fjala e mirë, falja dhe dashuria. Përmes fjalëve që rrjedhin si melodi, ato na kujtojnë se kur dritat e festës të fiken dhe zhurma të shuhet, nuk janë dhuratat apo ushqimet ato që mbeten, por njerëzit që na qëndrojnë pranë. Ata janë pasuria më e madhe që mund të na japë jeta. Në mbyllje të këtij viti, Dea dhe Dilesia na lënë me një pyetje që të detyron të ndalosh dhe të reflektosh: në fund të vitit, nuk ka rëndësi se çfarë kemi mësuar, por çfarë njeriu jemi bërë. Ky nuk është thjesht një urim. Është një leksion jete nga dy fëmijë, që na kujtojnë se sa kohë kemi njëri-tjetrin, kemi gjithçka.
Darka e Vitit të Ri do t’u kushtojë më shumë familjeve shqiptare këtë vit, pasi çmimet e produkteve bazë janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar. Në tregje, gjeli dhe pula e detit shiten nga 1 000 deri në 1 200 lekë/kg, ndërsa mishi është 50–200 lekë më i shtrenjtë se një vit më parë. Sipas INSTAT, djathi i bardhë ka kaluar 900 lekë/kg, ndërsa qumështi dhe kosi arrijnë deri në 200 lekë. Edhe frutat e perimet janë shtrenjtuar, madje deri në 20% më shumë krahasuar me një muaj më parë. Qytetarët thonë se çmimet janë të papërballueshme në raport me pagat dhe pensionet, pasi një darkë familjare e thjeshtë mund të kushtojë mbi 200 euro, gati gjysma e pagës minimale. Ekspertët e lidhin rritjen e çmimeve me mungesën e prodhimit vendas, veçanërisht në blegtori, ndërsa theksojnë se tregtarët po abuzojnë me kërkesën e lartë festive, pa reflektuar as zhvlerësimin e euros në çmimet e produkteve të importuara. Sipas ekspertëve, çmimet ushqimore janë rritur mesatarisht 5–6% krahasuar me vitin e kaluar, duke e bërë shportën e fundvitit më të shtrenjtë. Ata kërkojnë kontrolle të vazhdueshme gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në periudhën e festave, për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet.
Një i moshuar është raportuar i humbur në Tiranë dhe familjarët janë në ankth për fatin e tij. Djali i 72-vjeçarit ka kontaktuar redaksinë e JOQ Albania duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e babait të tij, Halim Shimo, i cili ka humbur që prej ditës së djeshme. Sipas të birit, Halim Shimo është parë për herë të fundit në zonën e 5 Majit në kryeqytet dhe prej atëherë nuk ka më asnjë gjurmë të tij. Rasti është raportuar edhe në polici, por deri në këto momente nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e të moshuarit. Familjarët bëjnë me dije se 72-vjeçari kishte probleme me shikimin dhe për të lëvizur përdorte një tricikël, çka rrit edhe më shumë shqetësimin për sigurinë e tij. Kushdo që mund të ketë informacion ose e ka parë Halim Shimon, lutet të kontaktojë menjëherë në numrin e telefonit: +355 68 632 4800. Çdo informacion, sado i vogël, mund të ndihmojë në gjetjen e tij.
Ndërsa njerëzit presin përgjigje për miliona euro, zonja Balluku zgjedh të tregojë qetësi dhe buzëqeshje, si të mos kishte asnjë problem. Ky ndryshim nga serioziteti i hetimeve në atmosferën festive nuk ka kaluar pa u vënë re nga komentuesit, të cilët e shohin si një mënyrë për t’i treguar SPAK-ut se po e sfidon. Në vend që t’i japë llogari drejtësisë, ajo duket sikur thotë, “Festojmë dhe bëjmë sikur s’ka ndodhur gjë”. Në një kohë kur skandalet e mëdha po trondisin vendin, kjo sjellje po duket si një tallje me qytetarët dhe drejtësinë, një mënyrë për t’i ikur përgjegjësisë me buzëqeshje dhe dhurata festive. Me këtë ritëm të drejtësisë, Balluku do të konsumojë bakllavanë e Vitit të Ri jashtë burgut, duke gëzuar e buzëqeshur me lekët e shqiptarëve që i vodhi natë e ditë!
Prej disa vitesh tanimë, zona e Golemit përballet me një situatë shqetësuese ujërat e zeza të hoteleve derdhen drejtpërdrejt në det, pa asnjë filtër apo masë mbrojtëse. Pamjet e siguruara tregojnë qartë se pushuesit janë të detyruar të shëtisin mes ujërave të ndotura, duke u përballur me kushte aspak të denja për një zonë turistike. Në rërën pranë vijës bregdetare dallohet një tub që shkarkon ujëra të zeza direkt në det. Videoja është realizuar ditën e djeshme, në një kohë kur shumë turistë vendas dhe të huaj i janë drejtuar bregdetit të Adriatikut për të shfrytëzuar ditët e nxehta të kësaj periudhe. Zona e Golemit dhe ajo e Durrësit janë përfolur edhe më herët për problematikën e ndotjes së ujit të detit, duke ngritur shqetësime të vazhdueshme për shëndetin publik dhe imazhin e turizmit shqiptar. Sipas ligjit, derdhja e ujërave të zeza në det është e ndaluar rreptësisht. Subjektet që shkelin këtë rregull përballen me gjoba, ndërsa në rast përsëritjeje, ndëshkimi parashikon deri edhe mbylljen e aktivitetit. Aktualisht, pika e shkarkimit të ujërave të zeza ndodhet vetëm pak metra larg një hoteli, duke shtuar dyshimet për shkelje të rënda mjedisore dhe nevojën për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
Mëngjesin e sotëm janë regjistruar reshje bore në fshatin turistik të Dardhës, në lartësi 1200 metra mbi nivelin e detit dhe në Voskopojë e Vithkuq ku firmat nënkontraktore po punojnë për hapjen e rrugëve dhe kriposjen e tyre. Edhe pse policia rrugore apelon për kujdes të shtuar dhe përdorimin e gomave dimërore, një qytetar ka denoncuar një situatë më problematike. Ai shprehet se në rrugën e Voskopojës kanë hedhur vaj, gjë që rrezikon drejtuesit e mjeteve, veçanërisht në kthesat e rrugës ku koncentrimi i vajit është më i madh. Drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar në këtë aks pasi mundësitë për aksidente janë të mëdha. Sipas sinoptikanëve, temperaturat ditën e sotme në zonat malore do të shkojnë deri në -5°C, ndërsa gjatë kësaj jave priten reshje dëbore me intensitet të lartë dhe temperatura deri në -10°C. Denoncimi i qytetarit: Pershendetje joq Sot ne rrugen e Voskopojes kishin hedhur vaj qe rezikon aksidente. Po ishte vaj dhe neper kthesa kishte me shum
Llixhat e Bënjës në Përmet dita ditës po shndërrohen nga pasuri natyrore unike në hapësirë artificiale dhe të betonizuara. Vaskat natyrore, të cilat tërhiqnin vizitorë nga e gjithë vendi dhe bota për bukurinë dhe autenticitetin e tyre, po betonohen, duke zhdukur ekosistemet dhe organizmat që jetonin aty. Në një video të mbërritur në redaksinë tonë mund të shihni se si fadromat e kamionët vijojnë punën e tyre për gërryerjen dhe betonzimin e një prej ekosistemeve natyrore më të bukura që ka vendi, ndërkohë që pushuesit lahen në vaska. Ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk është vetëm një ndërhyrje infrastrukturore: betonimi i vaskave po shkatërron ekuilibrin natyror të ujit, po rrezikon cilësinë e ujit termal dhe po krijon nevojën për riparime të shpeshta. Forma natyrore e ujit, që ndihmonte në ngadalësimin e rrjedhës dhe ruajtjen e ekosistemit, po zëvendësohet me struktura që favorizojnë erozionin dhe degradimin afatgjatë. Qytetarët shprehin shqetësim se kjo ndërhyrje nuk është mbrojtje apo zhvillim, por një dëmtim i qëllimshëm i një pasurie natyrore, me pasoja të rënda afatgjata për natyrën, turizmin dhe ekonominë lokale.
Ndërsa për shumë familje Krishtlindjet dhe Viti i Ri janë ditë gëzimi, tryezash festive dhe bashkimi familjar, për mijëra qytetarë në Shqipëri festat kalojnë në vetmi. Emigrimi masiv i të rinjve ka lënë pas prindër të moshuar, të cilët i përjetojnë këto ditë pa praninë e fëmijëve. Disa emigrantë arrijnë të kthehen për festat, por jo të gjithë e kanë këtë mundësi. Për shumë familje, distanca, kostot dhe angazhimet jashtë vendit e bëjnë të pamundur rikthimin, duke i kthyer festat në ditë pritjeje dhe malli për prindërit që kanë mbetur në Shqipëri. Mes tyre është edhe Veli Jaci, i cili jeton vetëm me bashkëshorten, ndërsa fëmijët i ka të shpërndarë jashtë vendit. Në një prononcim për mediat, ai tregoi se vajza e tij prej 10 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se festat i kalojnë larg njëri-tjetrit. Si Veliu, janë të shumtë të moshuarit që presin Krishtlindjen dhe Vitin e Ri pa zërat dhe praninë e fëmijëve. Ka edhe nga ata që mezi presin ditët festive me shpresën se do të takojnë familjarët, por për shumë të tjerë kjo mbetet vetëm një dëshirë. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 103 mijë persona në Shqipëri jetojnë të vetëm, dhe mbi 62 për qind e tyre janë mbi moshën 60 vjeç. Për këtë kategori, festat jo rrallë thellojnë ndjesinë e vetmisë dhe mungesës së mbështetjes familjare. Në një ditë që simbolizon dashurinë, ngrohtësinë dhe bashkimin, Krishtlindja për shumë të moshuar mbetet një ditë e heshtur. Një realitet që rikujton nevojën për më shumë vëmendje, solidaritet dhe kujdes ndaj atyre që i kanë dhënë shoqërisë, por sot festojnë në vetmi.
Një denoncim i pazakontë ka mbërritur pasditen e sotme në redaksinë e JOQ Albania nga një besimtare ortodokse, e cila raporton një situatë që sipas saj nuk e kishte përjetuar asnjëherë më parë. Sipas qytetares, rreth orës 16:57, ajo dhe disa besimtarë të tjerë janë paraqitur në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, me qëllimin për të ndezur qirinj, një praktikë që, sipas saj, kryhet prej vitesh në këtë orar, veçanërisht gjatë festave. Në videon e dërguar në redaksi dallohet qartë momenti kur besimtarët nuk lejohen të futen brenda kishës, ndërsa një person i stafit u kërkon të qëndrojnë jashtë, duke u thënë se mund t’u japë qirinj për t’i ndezur, por pa hyrë në ambientet e brendshme. Besimtarja shprehet e revoltuar, duke theksuar se nuk kishte asnjë njoftim paraprak që kisha do të ishte e mbyllur në atë orar, ndërkohë që edhe në faqen zyrtare online rezultonte ende si “hapur”. Sipas saj, personi i kishës që nuk i lejoi të hynin është shprehur se 'ishin të lodhur', pasi kishin qenë në shërbim që prej mesnatës. Qytetarja thekson se ky justifikim nuk qëndron, duke qenë se shumë njerëz punojnë me turne edhe gjatë festave dhe se dera e kishës nuk i është mbyllur kurrë më parë në këto orare, gjatë 35 viteve që ajo e frekuenton. Denoncimi i qytetares: “Në orën 16:57 kam shkuar te Katedralja Ortodokse ‘Ngjallja e Krishtit’ e Tiranës. Si unë, edhe shumë besimtarë pasdite shkojmë për të ndezur qirinj. Në internet figuron ‘hapur’, ndërkohë që u mbyll në atë orë. Si unë dhe shumë besimtarë të tjerë, të revoltuar, u lutëm të hynim vetëm sa për të ndezur qirinj, por përgjigjja ishte: ‘Mbaruat xhiron ju dhe tani vini ju? Kemi qenë që në orën 12 të natës dhe jemi lodhur’. Kam 35 vite që shkoj në këto orare dhe kurrë nuk ka ndodhur kjo situatë. Sot ishte edhe 25 dhjetor. Uroj besimtarët ‘Gëzuar Krishtlindjet dhe mbarësi në familjet e tyre’. Për ata të kishës, Zoti pastë mëshirë.” E kontaktuar nga JOQ Albania, qytetarja konfirmoi se nuk kishte asnjë njoftim zyrtar në rrjetet sociale për ndryshim orari dhe se shumë besimtarë të tjerë ndodheshin pranë derës së kishës, të habitur dhe të shqetësuar nga situata. JOQ Albania e publikon këtë denoncim për transparencë publike, duke theksuar se bëhet fjalë për pretendime të një qytetareje, ndërsa nga pamjet video konfirmohet vetëm fakti se besimtarët nuk u lejuan të hynin në ambientet e brendshme të kishës. Institucionet përkatëse apo përfaqësuesit e kishës mbeten të hapur për një sqarim zyrtar mbi këtë situatë.
Kjo nuk është një foto e inskenuar, as një realizim artistik dhe as propagandë politike. Është një pamje reale nga bulevardi i Vlorës, ku një grua e moshuar ka përfunduar e rrëzuar në mes të rrugës, e ndihmuar nga kalimtarë të rastit, pasi është penguar nga bordurat prej guri dhe pllakat e rrëshqitshme të vendosura nga Bashkia. Gruaja në foto nuk është “statistikë”. Ajo është nënë, bashkëshorte dhe banore e këtij qyteti, ashtu si dhjetëra të tjerë që çdo ditë rrezikojnë shëndetin në emër të një “investimi estetik” të quajtur Rilindje Urbane. Bordurat e larta prej guri dhe pllakat e lëmuara, të cilat bëhen jashtëzakonisht të rrëshqitshme në ditë me shi apo lagështi, po kthehen në kurthe të përditshme për këmbësorët. Sipas banorëve dhe dëshmive të shumta në rrjete sociale, rastet e rrëzimeve janë shtuar ndjeshëm. Të moshuar, gra, fëmijë, por edhe persona me aftësi të kufizuara, e kanë pothuajse të pamundur të ecin normalisht në disa segmente të bulevardit. Megjithatë, bashkia vijon të heshtë, ndërsa investimi mbetet i pandryshuar. Ironia qëndron në faktin se këto punime janë prezantuar si përmirësim i hapësirave publike dhe rritje e sigurisë urbane. Në praktikë, ato po prodhojnë të kundërtën: dëmtime, fraktura, trauma dhe frikë për të dalë në rrugë. Gurët dekorativë dhe pllakat e rrëshqitshme nuk janë luks urban, por rrezik real. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: sa qytetarë duhet të rrëzohen, sa duar e këmbë duhet të thyhen, që Bashkia e Vlorës të pranojë se ky “investim” ka dështuar? Heqja e këtyre bordurave dhe zëvendësimi i pllakave me materiale të sigurta nuk është çështje shijeje, por detyrim minimal ndaj qytetarëve. Derisa të ketë reagim institucional, pamje si kjo do të vazhdojnë të përsëriten. Dhe përgjegjësia nuk është e “fatit të keq”, por e vendimeve të gabuara që po sakatojnë çdo ditë vlonjatët.
Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, rezulton të ketë kryer një numër të lartë transaksionesh me pasuri të paluajtshme që prej marrjes së detyrës publike. Të dhënat dalin nga deklarimet e pasurisë të dorëzuara nga vetë ai pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) për vitet 2023 dhe 2024. Sipas këtyre deklarimeve, Çaçi ka shitur ose këmbyer gjithsej 13 pasuri të paluajtshme, përfshirë apartamente, njësi tregtare dhe garazhe, ku figuron bashkëpronar me kuotë 16.667% në secilën prej tyre. Viti 2023: 6 apartamente “largohen” nga pronësia Në deklarimin për vitin 2023, kryebashkiaku raporton largimin nga pronësia e 6 apartamenteve, me sipërfaqe që variojnë nga 43 deri në 95 metra katrorë. Në të gjitha rastet, vlera e përfituar është deklaruar 0 lekë, me shënimin “nuk e zotëroj – tjetër”, pa sqarime të mëtejshme mbi formën konkrete të transferimit apo shkëmbimit të këtyre pasurive. Ky fakt ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si janë kryer këto lëvizje pronësie dhe mbi çmimet reale të transaksioneve, në një treg ku pasuritë e paluajtshme, veçanërisht në Sarandë, kanë pësuar rritje të ndjeshme vlerash. Viti 2024: ritëm edhe më i lartë transaksionesh Edhe në vitin 2024, sipas deklarimit zyrtar, Çaçi ka vijuar me shitjen e pasurive. Këtë herë bëhet fjalë për 7 pasuri të tjera, përfshirë: 5 apartamente 1 njësi tregtare 1 garazh Edhe këto pasuri janë deklaruar me kuotë pronësie 16.667%, ndërsa vlerat e raportuara si përfitime janë, në disa raste, simbolike. Për shembull: një njësi tregtare prej 70 m² është shitur për 16,753 lekë një apartament prej 71.1 m² për 43,178 lekë një tjetër apartament prej 63.8 m² për 38,739 lekë Shuma të tilla janë dukshëm larg çmimeve reale të tregut imobiliar në zonat bregdetare. Pyetje mbi përputhshmërinë me funksionin publik Intensiteti i lartë i këtyre transaksioneve ka sjellë që emri i Oltion Çaçit të përflitet publikisht si “Sheiku i Sarandës”, për shkak të rolit aktiv në lëvizjen e pronave, në një kohë kur ai ushtron një funksion të lartë publik. Megjithëse deklarimet janë formalisht të regjistruara në ILDKP, ritmi i shitblerjeve dhe vlerat e raportuara ngrenë pikëpyetje mbi transparencën, konfliktin e mundshëm të interesit dhe përputhshmërinë e kësaj veprimtarie me detyrën e kryetarit të bashkisë. Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga vetë Oltion Çaçi lidhur me këto të dhëna dhe me mënyrën e realizimit të këtyre transaksioneve.
Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se bankat në Shqipëri po japin gjithnjë e më shumë kredi, sidomos për blerje apartamentesh dhe ndërtime, dhe kjo po krijon rrezik që tregu të “nxehët” më shumë seç duhet. Sipas FMN-së, në vitet 2023 dhe 2024 kreditë janë rritur me ritme të larta. Pjesa më e madhe e këtyre kredive ka shkuar për pasuri të paluajtshme. Kjo ndihmon ekonominë për momentin, sepse ka më shumë ndërtim dhe qarkullim parash, por nëse vazhdon me këtë ritëm, mund të krijohen probleme më vonë. FMN vëren se bankat aktualisht janë në gjendje të mirë financiare. Ato kanë fitime të larta dhe kapital të mjaftueshëm për të përballuar vështirësi të mundshme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rreziqet nuk ekzistojnë. Sipas FMN-së, Banka e Shqipërisë reagon vonë ndaj problemeve financiare, sepse pret që kriza të duket qartë, si për shembull kur shtohen kreditë e këqija ose bankat fillojnë të kenë humbje. Në këto raste, ndihma ose masat mbrojtëse vijnë me vonesë. Për këtë arsye, FMN këshillon që Banka e Shqipërisë të veprojë më herët dhe të marrë masa parandaluese, para se problemet të bëhen serioze. Një nga këto masa është që bankat të mbajnë më shumë para rezervë për kohë të vështira. Shqipëria ka nisur ta zbatojë këtë qasje në vitin 2025, duke vendosur që bankat të mbajnë një rezervë shtesë: 0.25 për qind nga qershori dhe 0.5 për qind nga dhjetori. FMN thekson se rritja e shpejtë e kredive, e shtyrë kryesisht nga ndërtimi dhe turizmi, tregon se ekonomia po hyn në një fazë ku rreziqet po shtohen. Nëse situata nuk monitorohet me kujdes, kjo mund të sjellë pasoja për bankat dhe për qytetarët. Sipas vlerësimeve të FMN-së, do të ishte më e sigurt që bankat të kenë një rezervë mbrojtëse edhe më të lartë, në mënyrë që sistemi financiar të jetë më i qëndrueshëm në rast goditjesh të brendshme apo të jashtme.
Një tjetër episod “qyl” duket se po i shtohet dosjes publike të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Këtë herë, jo për ndonjë faturë të papaguar apo ndonjë favor simbolik, por për një dyshim shumë më serioz: ndërtimin e tre vilave pa leje në zonën e njohur si “Barka Resort”. Dyshimet janë ngritur publikisht nga avokati Llangozi, i cili, duke iu referuar informacioneve konfidenciale, ka denoncuar në rrjetet sociale se pranë hyrjes së kompleksit “Barka Resort” po ndërtohen tre vila që dyshohet se i përkasin familjes së Presidentit Begaj. Sipas këtyre pretendimeve, dy vila janë për djemtë e Presidentit, ndërsa një tjetër për përdorim personal. Ironia qëndron në faktin se, sipas të njëjtave burime, këto ndërtime dyshohet se po realizohen në vend të një fushe basketbolli, e cila ishte parashikuar në projektin fillestar të miratuar për resortin. Pra, nga koshi në kosh… nga fusha sportive në vila luksi. Avokati Llangozi ngre disa pikëpyetje që, nëse rezultojnë të vërteta, kërkojnë patjetër transparencë institucionale: – Pse nuk po ndërtohet fusha e basketbollit e parashikuar në projekt? – A kemi të bëjmë me ndërtim pa leje? – Nga cili burim janë siguruar fondet për këto vila? – A janë deklaruar këto pasuri në ILDKPI dhe a përputhen me të ardhurat e deklaruara? Postimi i plotë i avokatit Llangozi: “Tre vila të familjes së Presidentit Begaj po ndërtohen pa leje në zonën e ‘Barka Resort’, në vend të fushës së basketbollit Sipas informacioneve konfidenciale, në zonën pranë hyrjes së kompleksit të njohur si ‘Barka Resort’ po ndërtohen tre vila që dyshohet se i përkasin familjes së Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Burimet konfidenciale pohojnë se dy nga vilat janë duke u ndërtuar për djemtë e Presidentit, ndërsa një vilë tjetër për përdorim personal. Sipas të njëjtave pretendime, ndërtimet po realizohen në hapësirën ku, sipas projektit fillestar të miratuar, ishte parashikuar të ndërtohej një fushë basketbolli në kuadër të resortit. Dy janë pyetjet kryesore që, sipas juristëve dhe zërave kritikë, mund të ngrejnë dyshime për shkelje penale: së pari, pse ‘Barka Resort’ nuk po ndërton fushën e basketbollit të parashikuar në projektin e miratuar dhe nëse në vend të saj po realizohet apo jo ndërtim pa leje. Së dyti, nga cili burim janë siguruar fondet për ndërtimin e vilave që i atribuohen familjes së Presidentit Bajram Begaj, nëse këto pasuri janë deklaruar sipas ligjit në ILDKPI dhe nëse ekziston përputhje mes të ardhurave të deklaruara dhe investimeve të kryera, çështje për të cilat pritet transparencë dhe reagim nga institucionet përgjegjëse.” Natyrisht, deri në një verifikim zyrtar, gjithçka mbetet në nivel dyshimi. Por ironia lind vetvetiu: nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, a kemi të bëjmë me “qylin” e radhës të Presidentit Begaj? Një “qyl” luksoz, me vila në vend të fushave sportive. Kujtojmë se kjo nuk do të ishte hera e parë që emri i Presidentit lidhet me histori “qyl”. Vetëm pak javë më parë, JOQ Albania publikoi një denoncim ku pretendohej se Begaj kishte detyrime të papaguara në kompleksin “Rezidenca Diell” në Qerret. Pa harruar as episodet e tjera të përfolura publikisht, nga rroga si mjek në privat, te “lëmosha” e famshme ndaj Erdoganit. Në këtë panoramë, pyetja që shtrohet me ironi, por edhe me shqetësim qytetar, është kjo: Nëse Presidenti i Republikës dyshohet se përfiton gjithçka “qyl”, çfarë mesazhi u jep kjo qytetarëve të zakonshëm? Topi tani është në fushën e institucioneve, të cilat, nëse pretendojnë seriozitet, duhet të sqarojnë publikisht nëse kemi apo jo një tjetër “qyl” presidencial nën hijen e “padronit” Edi Rama dhe “Rilindjes”.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) mbi dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kanë zbuluar materiale të reja komprometuese, përfshirë regjistrime audio të realizuara fshehurazi në ambientet e biznesmenit Ergys Agasi. Nga bisedat mes Agasit dhe ortakut të tij, Ermal Beqiri, sipas SPAK, dalin dyshime për ndërhyrje dhe manipulim të procedurave të tenderimit në favor të kompanisë së tyre, si dhe referenca për veprimtari të paligjshme. Në kuadër të hetimit, GJKKO ka caktuar masa sigurie për disa persona, “arrest shtëpie” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe “arrest me burg” për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin. Më 16 dhjetor, agjentë të BKH-së, të shoqëruar nga Policia e Shtetit, zhvilluan kontrolle në disa banesa dhe biznese në pronësi të Agasit në Tiranë dhe Durrës.
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja voluminoze e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku përfshihet zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Në materialet e administruara nga hetimi përfshihen edhe komunikime elektronike mes saj dhe drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi. Sipas aktit të ekspertimit nr. 195, datë 26.09.2024, të një aparati celular “BlackBerry” model BBF100-6, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, janë konstatuar komunikime në aplikacionin “Signal Private Messenger” ndërmjet tij dhe shtetases Belinda Balluku. Në këto komunikime, të datës 15 qershor 2021, referohen takime, zhvillime dhe pritshmëri që, sipas hetimit, lidhen me projektin rrugor Thumanë–Kashar. Në një nga mesazhet, Balluku citohet të ketë shkruar: “Unë po i bëj nderin e jetës me Thumanë-Kasharin…”, frazë e cila në dosje interpretohet si referencë ndaj rëndësisë së projektit dhe ndikimit të tij te palë të treta. Nga hetimi rezulton se në biseda përmendet edhe shtetasi Bashkim Ulaj, pronar i shoqërisë “Gener 2” sh.p.k., e cila është shpallur fituese e procedurës koncesionare (PPP) për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Thumanë–Fushë Krujë–Vorë–Kashar. Kontrata e koncesionit, me vlerë të parashikuar rreth 245 milionë euro, është lidhur në maj të vitit 2022 ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërive “Gener 2” sh.p.k. dhe “G2 Infra” sh.p.k. Por edhe pse sipas dokumenteve zyrtare, ndërtimi fillestar kapte 245 milionë euro, vendime të mëvonshme të ARRSH-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës e çuan këtë shifër në 330 milionë euro, duke krijuar një diferencë prej 60 milionë eurosh që shërben për përfitime të padrejta. Koncesionari pritet të arkëtojë gjatë 35 viteve rreth 1.3 miliardë euro, gjysmë miliardi më shumë se projekti fillestar, duke ngritur pyetje serioze mbi avantazhet që i janë dhënë familjes Ulaj në kurriz të buxhetit të shtetit dhe përdoruesve të rrugës. Kjo autostradë me pagesë, është një nga katër autostradat më të shtrenjta në Europë sa i përket tarifës, ndërsa e krahasuar me fuqinë blerëse është më e shtrenjta në Europë. Në një listë ku janë renditur tarifat për kilometër të 59 autostradave me pagesë në të gjithë Europën, Thumanë-Kashar renditet në vendin e katërt. Kjo autostradë ka një gjatësi 21 kilometër, me një tarifë 2.1 euro pa TVSH ose 2.53 euro me TVSH ose 0.12 euro për kilometër. Autoritetet hetimore theksojnë se këto materiale janë pjesë e një procesi në vijim dhe se çdo konkluzion përfundimtar do t’i takojë drejtësisë, në përfundim të hetimeve dhe shqyrtimit gjyqësor të çështjes.
Skandali i asaj kohe ngriti dyshime të forta për kontrolle fiktive, certifikime vetëm në letra dhe përjashtimin real të AKU-së nga roli i saj ligjor. Sipas denoncimeve, bashkëpunimi mes biznesit të Vullnet Sinajt dhe laboratorit privat të Petrit Mahos, nën hijen e mbështetjes politike të mazhorancës socialiste, krijonte një situatë ku siguria ushqimore sakrifikohej, ndërsa konsumatorët rrezikonin shëndetin e tyre, në një periudhë pandemie dhe krize të rëndë për vendin. Sot, më 25 dhjetor 2025, pesë vite më pas, ky skandal rikujtohet si një problem që vijon. JOQ Albania vazhdon edhe sot të publikojë denoncime për produkte të skaduara apo të mykura në rrjetin e supermarketeve Big Market, duke treguar se shqetësimet e qytetarëve për sigurinë ushqimore dhe mungesën e përgjegjësisë mbeten ende aktuale. Me këto raste të shumta denoncimesh të përsëritura ndër vite, institucione si AKU, Prokuroria, Kuvendi i Shqipërisë dhe strukturat kundër korrupsionit kanë detyrimin ligjor dhe moral të reagojnë pa vonesa dhe pa ndikime politike. Heshtja apo mosveprimi përballë skandaleve të tilla jo vetëm që dëmton besimin e qytetarëve, por rrezikon drejtpërdrejt shëndetin publik. Kontrolli real, hetimi i plotë dhe ndëshkimi i përgjegjësve janë masa të domosdoshme për të garantuar që siguria ushqimore të mos mbetet vetëm në letra, por të zbatohet realisht në mbrojtje të konsumatorëve.
Festat e fundvitit kanë shtuar fluksin e automjeteve që qarkullojnë në vendin tonë, por bashkë me to është shtuar edhe trafiku, në shumë zona i rënduar dhe i papërballueshëm. Për shkak të mungesës së Bypass-eve, semaforëve dhe patrullave të Policisë Rrugore, shumë drejtues mjetesh shkelin rregullat e qarkullimit rrugor duke u bërë burim aksidenti për të tjerët. Në pamje mund të shihni se si disa shoferë, në qytete të ndryshme, kryejnë manovra të rrezikshme që përkthehen në rrezik real aksidentesh. Por për të shmangur incidente të tilla, drejtuesit e mjeteve duhet të respektojnë Kodin Rrugor dhe pse jo të dalin më herët nga shtëpitë e tyre për të mbërritur në kohë në destinacionet që synojnë.