Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, duke paralajmëruar se vendi i tij do të përgjigjet ushtarakisht nëse SHBA ndërmerr një sulm ndaj Kolumbisë. Deklarata e Petro-s erdhi pas veprimeve të fundit ushtarake amerikane në Venezuelë dhe arrestimit të presidentit Nicolás Maduro, si dhe pas komenteve të Trump se Kolumbia mund të jetë objektivi i radhës në luftën e tij kundër drogës. “Ndonëse nuk kam qenë kurrë ushtarak, e njoh luftën dhe fshehtësinë e saj. U betova që nga Pakti i Paqes i vitit 1989 të mos prek më armë, por për Atdheun do t’i marr sërish, edhe pse nuk e dua,” shkroi Petro në një postim në rrjetin social X. Presidenti kolumbian hodhi poshtë gjithashtu akuzat e Trump se ai ka lidhje me trafikun e drogës, duke i quajtur të pavërteta dhe shpifëse. Ai deklaroi se pasuria e tij e vetme është shtëpia familjare, të cilën ende e shlyen me pagën e tij, dhe se të gjitha llogaritë bankare janë publike. Reagimi i Petro-s vjen pasi Trump, duke folur për gazetarët në bordin e Air Force One, e përshkroi Kolumbinë si një vend “shumë të sëmurë”, duke akuzuar presidentin e saj se prodhon dhe shet kokainë drejt Shteteve të Bashkuara. Trump pretendoi gjithashtu se Petro zotëron “fabrika kokaine”. I pyetur drejtpërdrejt nëse SHBA do të ndërmerrte një operacion ushtarak në Kolumbi, Trump u përgjigj: “Më tingëllon mirë”, duke shtuar më pas komente të tjera për politikën e jashtme amerikane. Trump e ka etiketuar më herët Petro-n si “trafikant droge” dhe “të çmendur”, ndërsa presidenti kolumbian ka qenë një nga kritikët më të fortë të Trump në rajon. Petro ka dënuar sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe, duke pretenduar se shumë prej viktimave ishin peshkatarë të varfër, të detyruar të përfshiheshin në trafik. Në nëntor, Petro e quajti Trump një “barbar” dhe pezulloi përkohësisht shkëmbimin e informacionit të inteligjencës me Uashingtonin. Presidenti kolumbian paralajmëroi gjithashtu se çdo bombardim amerikan do të radikalizonte zonat rurale të vendit, duke shtuar se fshatarët do të ktheheshin në “mijëra guerrilas në male”.
41.1K views