Një anije transporti ka mbetur e bllokuar në det, pranë brigjeve të Tales në Lezhë. Sipas burimeve, mjeti lundrues ishte ndalur për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe detit të trazuar, ndërsa gjatë manovrimit ka prekur cekëtinën, duke mbetur i bllokuar. Anija mban flamurin e Tanzanisë dhe kishte nisur lundrimin nga porti i Durrësit. Burimet konfirmojnë se anija quhet “BESART”. Aktualisht, ajo ndodhet në një pozicion të vështirë dhe, nëse nuk ndërhyhet në kohë nga autoritetet përkatëse, ekziston rreziku që të mbetet e bllokuar për një periudhë të gjatë. Situata po monitorohet nga strukturat përgjegjëse, ndërsa pritet ndërhyrja për zhbllokimin e anijes.
Një mjet borëpastrues e firmës Gjoka Konstruksion e Rrok Gjokës ka shkaktuar një aksident të trefishtë në rrugën e Arbrit, pranë tunelit të Murrizit, në anën e Klosit. Ngjarja ka ndodhur teksa mjeti po pastronte dëborën nga rruga. Sipas informacionit paraprak, borëpastruesja ka goditur një automjet tip Volkswagen që po lëvizte në drejtim të Tiranës, duke bërë që ky mjet të përplasej më pas edhe me dy automjete të tjera. Përplasja ka qenë e fortë dhe ka shkaktuar dëme materiale. Si pasojë e aksidentit janë lënduar disa persona, ndërsa drejtuesi i mjetit Volkswagen është transportuar në spital për ndihmë të specializuar mjekësore. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Një shembje masive dheu ka ndodhur në zonën e Shëngjergjit në Tiranë, duke bllokuar plotësisht rrugën kryesore që lidh fshatin me kryeqytetin. Si pasojë, i gjithë fshati ka mbetur i izoluar, në kushte të vështira atmosferike dhe pa mundësi lëvizjeje. Sipas banorëve, pavarësisht situatës së rëndë, autoritetet përkatëse nuk kanë shkuar as për të verifikuar nga afër gjendjen dhe nuk kanë nisur asnjë ndërhyrje për hapjen e rrugës. Banorët shprehen të shqetësuar për mungesën e reagimit institucional, ndërsa izolimi i zonës po krijon vështirësi serioze për furnizimin, lëvizjen dhe rastet e emergjencës. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit normal, duke theksuar se situata bëhet edhe më e rrezikshme për shkak të motit të keq.
Reshjet e dendura të borës kanë mbuluar qytetin e Dibrës, duke sjellë vështirësi të mëdha në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Rrugët janë bërë të rrëshqitshme dhe në shumë segmente të pakalueshme, ndërsa qytetarët raportojnë probleme serioze për lëvizjen e përditshme. Sipas banorëve, pavarësisht kushteve të rënduara atmosferike, nuk është marrë asnjë masë konkrete nga autoritetet përgjegjëse për pastrimin e rrugëve apo hedhjen e kripës, duke e lënë qytetin të përballet i vetëm me situatën. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për normalizimin e qarkullimit dhe garantimin e sigurisë, veçanërisht për mjetet e emergjencës dhe shërbimet bazë.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar daljen nga shtrati të lumit Erzen në disa pika, duke sjellë përmbytje të konsiderueshme në zonën e Durrësit. Situata paraqitet problematike në Katund të Ri, ku dhjetëra hektarë tokë janë përmbytur dhe banesat janë rrethuar nga uji, duke rritur ndjeshëm shqetësimin e banorëve. Sipas denoncimeve të mbërritura në redaksi, lumi ka dalë mbi argjinaturë edhe në zonën e Sukthit, ndërsa qytetarët shprehen se ndihen të rrezikuar nga rritja e nivelit të ujit. Banorët raportojnë se situata po minimizohet nga autoritetet, ndërkohë që uji vijon të përhapet në toka bujqësore dhe pranë zonave të banuara. Qytetarët kërkojnë monitorim dhe ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar përkeqësimin e situatës dhe për të garantuar sigurinë e familjeve që jetojnë pranë lumit Erzen.
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Durrësin gjatë orëve të fundit kanë sjellë probleme në disa zona të qytetit, duke krijuar vështirësi në qarkullim dhe rrezik për infrastrukturën elektrike, veçanërisht në lagjet pranë bregdetit. Në pamjet e mbërritura në redaksinë tonë nga zona e Plazhit, shihen punonjës të shërbimit elektrik duke ndërhyrë në mjediset e përmbytura për të mbajtur nën kontroll situatën në disa pika të rrjetit. Ata shfaqen duke përdorur pompa dhe mjete rrethanore për të shmangur dëmtimin e pajisjeve dhe ndërprerjet e energjisë. Një qytetar, i cili ka filmuar momentet e punës në terren, ka përcjellë edhe një mesazh falënderimi për punonjësit që ndodheshin në zonë: “Një falënderim i madh për këta çunat e OSHEE-së së Plazhit në Durrës, që kanë punuar me shpirt në këto ditë të vështira për qytetin tonë. Ju lutem publikojeni, se realisht kanë dhënë shpirtin në punë.” Ndërkohë, qyteti vijon të përballet me pasojat e motit të keq, ndërsa situata e përmbytjeve mbetet një problem i përsëritur për infrastrukturën në disa zona të Durrësit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kritikuar politikat që lejojnë pjesëmarrjen e sportistëve transgjinorë në sportet e grave, gjatë një fjalimi të mbajtur për anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve. Trump foli në një takim të mbyllur të Partisë Republikane, të zhvilluar në Qendrën Kennedy në Uashington, ku përdori shembuj nga sporte të ndryshme si atletika, peshëngritja, boksi dhe noti për të argumentuar kundër përfshirjes së grave transgjinore në garat sportive për femra. Gjatë fjalës së tij, Trump u shpreh se demokratët mbështesin fuqishëm këto politika dhe se çështja e sporteve mbetet, sipas tij, një temë me ndikim të fortë politik. Ai e përshkroi pjesëmarrjen e sportistëve transgjinorë në sportet e grave si “fyese për gratë” dhe “të padrejtë”, duke theksuar se kjo çështje ka mbështetje të gjerë elektorale në favor të qëndrimit të tij. Presidenti deklaroi gjithashtu se e përdor këtë temë si pjesë të strategjisë së tij politike, duke shtuar se shmang diskutimin e saj të vazhdueshëm për të mos i dhënë kundërshtarëve kohë për të ndryshuar qëndrim para zgjedhjeve. Fjalimi u mbajt në një periudhë simbolike, në përvjetorin e ngjarjeve të 6 janarit 2021 në Kapitol, ndërsa në Uashington u zhvilluan edhe grumbullime mbështetësish të Trump, disa prej të cilëve ishin përfshirë në ngjarjet e asaj dite dhe janë falur prej tij pas rikthimit në presidencë në janar 2025. Gjatë viteve të fundit, Trump e ka përfshirë vazhdimisht temën e personave transgjinorë në fjalimet e tij publike, duke e konsideruar atë pjesë të debatit më të gjerë mbi politikat sociale dhe kulturore në SHBA, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme.
Aksi rrugor Qukës–Qafë Plloçë, një nga investimet më të shtrenjta infrastrukturore të viteve të fundit me vlerë rreth 260 milionë euro, ka dalë jashtë funksionit, pasi është mbyllur për shkak të shembjeve masive të gurëve dhe dherave mbi karrexhatë. Sipas denoncimeve të qytetarëve, në këtë segment janë konstatuar sasi të mëdha inertesh dhe dherash, të cilat kanë krijuar rrezik serioz për qarkullimin e automjeteve, duke detyruar autoritetet të ndërpresin përkohësisht trafikun. Mbyllja e aksit vjen vetëm pak kohë pas inaugurimeve dhe propagandës për “rrugë moderne dhe të sigurta”. Policia e Qarkullimit Rrugor në Korçë dhe Elbasan ka vendosur patrulla në hyrje të Qafë Plloçës dhe Qukësit, duke orientuar mjetet drejt rrugës së vjetër, për të shmangur aksidente të tjera, pas një rasti të ndodhur paraditen e sotme. Sipas njoftimit, aksi do të qëndrojë i mbyllur deri në momentin që firma kontraktore të pastrojë plotësisht dherat dhe inertet dhe derisa të vlerësohet se nuk ekziston më rrezik për përdoruesit e rrugës. Rasti ka ngritur sërish pikëpyetje të forta mbi cilësinë e punimeve, sigurinë teknike dhe përgjegjësinë institucionale për një projekt që ka kushtuar qindra miliona euro nga paratë publike dhe që sot, në kushtet e para problematike, rezulton i pakalueshëm. Ndërkohë, qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve përballen me devijime, vonesa dhe rrezik, ndërsa mbetet e paqartë se kush do të mbajë përgjegjësi për një aks rrugor që, në vend të lehtësojë lëvizjen, është kthyer në burim pasigurie dhe bllokimi.
Prokuroria e Përgjithshme e Bambergut në Gjermani ka ngritur zyrtarisht aktakuzë ndaj një 50-vjeçari, të identifikuar si Mikheil B., i dyshuar si drejtuesi i rrjetit ndërkombëtar të mashtrimit online “Milton Group”, një skemë gjigante investimesh të rreme që ka shkaktuar një dëm financiar prej rreth 230 milionë eurosh. Lajmi raportohet nga media gjermane Frankenpost, sipas së cilës rrjeti ka operuar për vite me radhë përmes mashtrimeve me investime digjitale, duke përdorur call center-a në disa shtete, përfshirë edhe Shqipërinë. Vetëm në hapësirën gjermanofolëse, mbi 1 000 persona dyshohet se kanë rënë viktimë e skemës. Autoritetet gjermane rikujtojnë se më 8–9 nëntor 2022, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, SPAK bastisi 6 call center-a në Shqipëri të lidhur me “Milton Group”, duke arrestuar 4 persona. Hetimet zbuluan se këto qendra ishin në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi, ish-këshilltar politik i Olta Xhaçkës gjatë kohës që ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas Prokurorisë së Bambergut, Mikheil B., shtetas izraelit dhe gjeorgjian, u arrestua në gusht 2023 në Armeni dhe në maj 2024 u ekstradua në Gjermani, ku ndodhet aktualisht në paraburgim. Procesi gjyqësor do të zhvillohet në Gjykatën Rajonale të Bambergut, ndërsa seanca e parë publike është planifikuar për 15 janar, me gjithsej 12 seanca të parashikuara. Nga viti 2014 deri në nëntor 2022, i akuzuari dyshohet se ka qenë pjesë kyçe e një grupi kriminal që operonte call center-a në Shqipëri, Gjeorgji, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainë. Viktimave u ofroheshin platforma të rreme për tregtim financiar online, ku paratë e investuara humbisnin pothuajse plotësisht. Vetëm një call center në Tiranë, i drejtuar prej tij, me rreth 600 punonjës, dyshohet se ka dëmtuar qindra qytetarë nga Gjermania, Austria dhe Zvicra. Autoritetet theksojnë se dëmi real është shumë më i madh se ai i dokumentuar deri më tani, ndërsa Mikheil B. dyshohet se ka përfituar personalisht rreth 29 milionë euro. Zyra Qendrore për Krimin Kibernetik të Bavarisë e cilëson “Milton Group” si një nga rrjetet më të mëdha ndërkombëtare të mashtrimit online, ndërsa hetimet vijojnë edhe ndaj anëtarëve të tjerë të grupit, në bashkëpunim me autoritetet e ndjekjes penale në Shqipëri, Gjeorgji dhe vende të tjera evropiane.
Çdo 6 janar, fshati Polenë në qarkun e Korçës ringjall një nga traditat më të vjetra pagane të zonës, karnavalet e njohura si “Arapët e Polenës”. Ky ritual, me histori mbi tre shekuj, zhvillohet përmes daljeve në rrugë të banorëve të veshur me maska dhe kostume të frikshme, të punuara kryesisht nga lëkura kafshësh, duke krijuar një atmosferë të veçantë rituale. Sipas traditës popullore, maskat, zhurmat dhe lëvizjet simbolizojnë përballjen me të keqen, largimin e forcave negative dhe nisjen e një cikli të ri vjetor me mbarësi për komunitetin. Edhe pse rituali ka ngjashmëri me rite të tjera ballkanike, “Arapët e Polenës” dallohen për identitetin e tyre unik lokal dhe për mënyrën se si janë ruajtur ndër breza. Tradita u ndërpre për disa dekada gjatë periudhës së komunizmit, por u rikthye pas vitit 1991 dhe që prej asaj kohe organizohet çdo vit pa ndërprerje. Organizatorët bëjnë të ditur se ekzistojnë edhe arkiva fotografike që dokumentojnë zhvillimin e ritualit para viteve ’90, duke dëshmuar vazhdimësinë historike dhe rolin e rëndësishëm të komunitetit në ruajtjen e kësaj trashëgimie kulturore.
Banorët e zonës së Kirit në Dukagjin, Shkodër, po përballen me një situatë shumë të vështirë për shkak të rrëshqitjeve të dheut që kanë bllokuar rrugën kryesore. Sipas banorëve, rruga është kthyer në një rrezik serioz edhe për këmbësorët, pasi rrëshqitjet janë të vazhdueshme dhe kalimi është pothuajse i pamundur. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga bashkia Shkodër me kryetar Benet Becin, apo institucionet tjera përkatëse për të inspektuar apo stabilizuar situatën. Si pasojë, banorët janë të izoluar totalisht, pa energji elektrike, pa rrugë të aksesueshme dhe pa shërbime shëndetësore, duke përfshirë mungesën e një infermieri në zonë. Ata bëjnë thirrje urgjente për ndihmë dhe ndërhyrje të menjëhershme, pasi situata paraqet rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e tyre, veçanërisht në kushtet e motit të paqëndrueshëm. "Përshëndetje, doja t’ju dërgoja disa pamje nga rruga e Dukagjinit, Shkodër. Kjo situatë ndodhet në Kir dhe deri më tani nuk ka ardhur asnjë person për ta parë nga afër apo për të ndërhyrë. Rruga është shumë e rrezikshme për t’u kaluar, madje edhe për këmbësorët, pasi ka rrëshqitje në çdo moment. Jemi të bllokuar totalisht dhe nuk kemi as drita, as rrugë funksionale, as infermier apo ndihmë mjekësore. Situata është shumë e vështirë dhe kërkon ndërhyrje urgjente", shkuhet në denoncim.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në autostradën Tiranë Elbasan, në zonën e Mulletit, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve. Pamjet e mbërritura tregojnë praninë e madhe të ujit në rrugë, çka rrit rrezikun për drejtuesit e mjeteve dhe krijon situata të rrezikshme për aksidente. Qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë aks rrugor, të ulin shpejtësinë dhe, nëse është e mundur, të shmangin kalimin në zonat e përmbytura deri në përmirësimin e situatës.
Dhjetëra pasagjerë të kompanisë ajrore Wizz Air denoncojnë një situatë kaotike dhe të paprecedentë gjatë fluturimeve të mbrëmshme drejt Shqipërisë, të cilat përfunduan me devijim në Itali dhe braktisje totale të udhëtarëve nga kompania. Sipas denoncimeve të mbërritura në redaksi, fluturimet nga Bergamo dhe Bolonja drejt Tiranës janë shtyrë disa herë, janë mbajtur për orë të tëra në ajër dhe më pas janë devijuar drejt Brindisit për shkak të motit të keq. Pasagjerët tregojnë se fillimisht u është komunikuar se do të uleshin në Bari, por më pas destinacioni është ndryshuar sërish në Brindisi, me arsyetimin se aeroporti i Barit ishte i mbingarkuar. Shumë prej tyre shprehen se gjatë qëndrimit të zgjatur në avion, kushtet janë përkeqësuar ndjeshëm, ajri është bërë i padurueshëm, kondicionerët janë ndezur me vonesë dhe një pasagjere raportohet se ka humbur ndjenjat. Në fund, pasagjerët janë detyruar të zbresin në Brindisi, ndërsa avioni dhe ekuipazhi janë larguar, duke i lënë udhëtarët pa asnjë zgjidhje për kthimin drejt Shqipërisë. Sipas tyre, kompania ka refuzuar të marrë përgjegjësi, duke ua faturuar situatën vetë pasagjerëve dhe duke ofruar vetëm rimbursimin e biletës së avionit. Familje me fëmijë të vegjël, të moshuar dhe persona në kushte të vështira kanë mbetur për orë të tëra në terminal, pa informacion, pa akomodim dhe pa mbështetje. Disa prej pasagjerëve janë detyruar të blejnë bileta treni për t’u kthyer drejt Shqipërisë, me kosto që shkojnë deri në qindra euro dhe udhëtime që zgjasin mbi 10 orë. Pasagjerët e indinjuar e cilësojnë situatën të papranueshme dhe kërkojnë reagim institucional, duke theksuar se nuk janë raste të izoluara dhe se Wizz Air po shmang përgjegjësinë ndaj klientëve të saj, duke i lënë ata në mëshirë të fatit në aeroporte të huaja.
Një qytetare nga Korça i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të ngritur një shqetësim serioz që lidhet me sigurinë ushqimore, pas një përvoje shqetësuese me një produkt lëng frutash që ajo thotë se e kishte blerë për fëmijën e saj. Sipas saj, bëhet fjalë për produktin Eko Frut Mollë, i cili supozohet të jetë lëng molle. Qytetarja ka dërguar një video, ku tregon se pas hapjes së paketimit ka vënë re praninë e një lënde të pazakontë brenda lëngut, duke e bërë atë të papërdorshëm. Ajo shprehet se kjo nuk ka qenë hera e parë që i ka ndodhur diçka e tillë. Sipas pretendimit të saj, më herët kishte blerë të njëjtin produkt dhe e kishte hedhur për shkak të së njëjtës situatë. Për kuriozitet dhe për të qenë e sigurt, ajo thotë se e ka blerë sërish produktin, por edhe këtë herë ka konstatuar të njëjtën gjë brenda paketimit. Në videon e dërguar në redaksi, qytetarja shihet teksa hedh lëngun në gotë dhe shpreh shqetësimin e saj për atë që ndodhet brenda produktit, duke theksuar se nuk e di se çfarë lënde është dhe se situata është alarmante, veçanërisht duke qenë se lëngu ishte blerë për konsum nga një fëmijë. “Nuk e dimë se çfarë po konsumojnë fëmijët tanë. Këtë lëng e kemi blerë sepse djali e preferon shumë, por ajo që pamë brenda na shqetësoi jashtëzakonisht”, shprehet ajo në video. Qytetarja kërkon që rasti të bëhet publik dhe të ketë një reagim nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të verifikohet siguria e produktit dhe të shmangen rreziqe të mundshme për konsumatorët, veçanërisht për fëmijët.
Situata në Durrës vijon të jetë shqetësuese pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura. Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e rënduar në lagjen nr. 15, në rrugën “Aleksandër Goga”, ku niveli i ujit vijon të mbetet në nivele alarmante, duke krijuar rrezik serioz për banorët dhe drejtuesit e mjeteve. Sipas qytetarit, zona ndodhet pranë një kanali të madh kullues, por aktualisht uji është bërë njësh me rrugën, duke e bërë të pamundur dallimin nëse po lëvizin në rrugë apo rrezikojnë të përfundojnë në kanal. Ai thekson se situata është kthyer në një rrezik real, ndërsa frika mes banorëve është e madhe. Në mesazhin e dërguar, qytetari shprehet se qarkullimi me automjete është i pamundur dhe se banorët janë të bllokuar prej orëve të mëngjesit. Sipas tij, pavarësisht situatës, nuk është marrë asnjë masë nga Bashkia e Durrësit apo strukturat e emergjencave. “Uji është kudo. Nuk dihet më nëse jemi në rrugë apo në kanal. Jemi të bllokuar që në mëngjes dhe nuk ka ardhur askush. As nga bashkia, as nga emergjencat, as nga qeveria. Nuk kemi marrë asnjë lloj ndihme”, shprehet ai. Qytetari apelon për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se çdo vonesë mund të sjellë pasoja të rënda, pasi niveli i ujit vijon të rritet dhe rreziku mbetet konstant për banorët e zonës.
Çmimet e banesave në Tiranë kanë hyrë në një fazë alarmante, duke u shkëputur ndjeshëm nga ritmi i rritjes së të ardhurave. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se çmimet janë rritur shumë më shpejt sesa pagat, duke e bërë blerjen e një shtëpie gjithnjë e më të pamundur për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë. Në kryeqytet, çmimet variojnë nga rreth 2,000 euro për metër katror në zonat periferike, deri në mbi 5,000 euro/m² në zonat më të kërkuara. Në lagjen e Blokut, çmimi arrin deri në 5,500 euro/m², ndërsa në komplekset e reja në periferi apartamentet tregtohen nga 1,400 deri në 2,000 euro/m². Sipas Indeksit Fisher të Bankës së Shqipërisë, çmimet e banesave u rritën me 40% në gjysmën e parë të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në qershor, çmimi mesatar i kërkuar për një metër katror në një ndërtesë ekzistuese në Tiranë ishte 1,830 euro. Kundrejt këtyre çmimeve, një shqiptar me pagë mesatare prej rreth 770 eurosh e ka pothuajse të pamundur të blejë një shtëpi. Të ardhurat mesatare në Shqipëri janë rreth 30% më të ulëta se në vendet e tjera të Ballkanit, ndërsa çmimet e pronave po ecin në drejtim të kundërt. Për të blerë një apartament 70 metra katrorë në Tiranë, nevojiten rreth 19 vite pagë mesatare bruto. Kjo e rendit Tiranën ndër kryeqytetet më të paarritshme në Europë për blerjen e banesave, në të njëjtin nivel me Athinën dhe Amsterdamin. Për krahasim, në vendet e Bashkimit Europian nevojiten mesatarisht 10–12 vite pagë për të shlyer një banesë. Rritja më e shpejtë e çmimeve është regjistruar në zonat e Porcelanit, Parkut Olimpik dhe Liqenit Artificial, ku brenda pak muajsh çmimet janë rritur me përqindje dyshifrore. Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se emigracioni masiv ka arritur pikën kulmore dhe se sektori i ndërtimit mund të përballet me një krizë në të ardhmen e afërt. Sipas specialistëve, për ta bërë strehimin më të përballueshëm nevojiten dy hapa kyç: rritja reale e të ardhurave të popullsisë dhe hartimi e zbatimi i politikave të synuara të strehimit, që do të ndihmonin qytetarët vendas të sigurojnë një banesë në tregun gjithnjë e më të shtrenjtë të Tiranës.
Tenderi me vlerën më të lartë për vitin 2025 në rang lokal është dhënë nga Emiriana Sako e bashkisë së Durrësit, mbi 6 MILIARD LEKË pa TVSH për Klodian Zoton për pastrim plehrash. Një tender i dhënë përmes procedurës me negocim të drejtpërdrejtë dhe pa konkurrencë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe ligjshmërinë. Tenderi është shpallur më 29 shtator 2025 dhe është mbyllur më 3 tetor vetëm 4 ditë kohë, një afat i pazakontë për një kontratë 6 MILIARDËSHE. Kompania Integrated Energy BV SPV, e Klodian Zotos, është aktualisht në qendër të hetimeve për aferën e inceneratorëve. Ajo administron inceneratorin e Tiranës, projekt që ndodhet në sekuestro dhe është nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash. Megjithatë, pavarësisht këtyre rrethanave, kompania ka vijuar të përfitojë fonde publike masive. Pagesa rekord në vitin 2024 Sipas të dhënave nga Drejtoria e Thesarit dhe Open Data Albania, vetëm gjatë vitit 2024 kjo kompani ka përfituar mbi 15 miliard lekë pagesa nga buxheti i shtetit, 21% më shumë se plani fillestar i buxhetit. Integrated Energy BV SPV është pjesë e një kontrate PPP dhe vijon të ketë paqartësi mbi pronarët përfitues finalë, një tjetër sinjal alarmi për institucionet e kontrollit dhe organet e drejtësisë. Pse Bashkia Durrës zgjodhi procedurën me negocim për një tender kaq të madh?! Si mund të përfitojë fonde publike një kompani në sekuestro dhe nën hetim nga SPAK? Ky tender është tashmë një tjetër provë alarmante se skema e inceneratorëve, pavarësisht hetimeve, vazhdon të ushqehet me para publike, këtë herë nga Bashkia Durrës.
Reshjet intensive të orëve të fundit kanë vendosur qytetin e Gjirokastrës në një situatë të vështirë. Përroi i Cullos ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje të konsiderueshme dhe duke bllokuar qarkullimin në disa prej akseve kryesore të qytetit. Qytetarët raportojnë se lëvizja është bërë tepër e vështirë, pasi uji ka pushtuar rrugë, trotuare dhe zona pranë banesave e bizneseve. Në disa lagje, situata paraqitet e rrezikshme si për këmbësorët, ashtu edhe për automjetet, ndërsa shqetësimi për dëme më të mëdha mbetet i lartë. Banorët shprehen se përmbytjet në Gjirokastër janë kthyer në një problem të përsëritur sa herë ka reshje të dendura, çka sipas tyre tregon mungesë masash parandaluese dhe zvarritje të zgjidhjeve afatgjata. Në qendër të kritikave është Bashkia e Gjirokastrës, e drejtuar nga Flamur Golemi, e cila akuzohet për menaxhim të dobët të infrastrukturës, pastrim të pamjaftueshëm të përrenjve dhe kanaleve kulluese, si dhe mungesë investimesh serioze për të shmangur situata të tilla. Për qytetarët, përmbytjet nuk mund të justifikohen më si “fenomen natyror”, por shihen si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës institucionale. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente, transparencë dhe mbajtje përgjegjësie nga autoritetet lokale. Në një qytet me vlera historike dhe potencial të rëndësishëm turistik, përsëritja e këtyre situatave dhe heshtja institucionale konsiderohen një problem serioz që kërkon zgjidhje konkrete dhe veprime të menjëhershme, jo premtime që mbeten në letër.
Ndonëse Durrësi po kalon orë të vështira nën pushtetin e ujit, kjo video e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania dëshmon anën tjetër të situatës: atë të sakrificës njerëzore. Mes kaosit të përmbytjeve dhe rrugëve të kthyera në lumenj, një punonjës policie ka qëndruar në krye të detyrës, duke u bërë mburojë për qytetarët. Ai shfaqet duke orientuar drejtuesit e mjeteve, duke u dhënë udhëzime për të kaluar zonën e përmbytur dhe duke ndihmuar konkretisht në lëvizjen e një furgoni që kishte mbetur i bllokuar. Pamjet tregojnë qartë se polici ndodhet në mes të rrugës së përmbytur, pa u tërhequr, duke garantuar sa të mundet qarkullimin dhe sigurinë e qytetarëve, në një moment kur shumë segmente ishin praktikisht të pakalueshme. Në një ditë të vështirë për qytetin bregdetar, veprime të tilla flasin më shumë se fjalët. Pa bujë dhe pa kamera zyrtare, punonjësi i Policisë ka kryer detyrën e tij në shërbim të qytetarëve, edhe në kushte që rrezikonin sigurinë personale. Në fund të ditës, janë pikërisht këto akte njerëzore që na kujtojnë se heronjtë e vërtetë janë ata që nuk kërkojnë vëmendje, por zgjedhin të jenë aty ku vështirësia është më e madhe, duke i dhënë kuptimin më të lartë uniformës që mbajnë veshur.