Çdo 6 janar, fshati Polenë në qarkun e Korçës ringjall një nga traditat më të vjetra pagane të zonës, karnavalet e njohura si “Arapët e Polenës”. Ky r...
Çdo 6 janar, fshati Polenë në qarkun e Korçës ringjall një nga traditat më të vjetra pagane të zonës, karnavalet e njohura si “Arapët e Polenës”. Ky ritual, me histori mbi tre shekuj, zhvillohet përmes daljeve në rrugë të banorëve të veshur me maska dhe kostume të frikshme, të punuara kryesisht nga lëkura kafshësh, duke krijuar një atmosferë të veçantë rituale. Sipas traditës popullore, maskat, zhurmat dhe lëvizjet simbolizojnë përballjen me të keqen, largimin e forcave negative dhe nisjen e një cikli të ri vjetor me mbarësi për komunitetin. Edhe pse rituali ka ngjashmëri me rite të tjera ballkanike, “Arapët e Polenës” dallohen për identitetin e tyre unik lokal dhe për mënyrën se si janë ruajtur ndër breza. Tradita u ndërpre për disa dekada gjatë periudhës së komunizmit, por u rikthye pas vitit 1991 dhe që prej asaj kohe organizohet çdo vit pa ndërprerje. Organizatorët bëjnë të ditur se ekzistojnë edhe arkiva fotografike që dokumentojnë zhvillimin e ritualit para viteve ’90, duke dëshmuar vazhdimësinë historike dhe rolin e rëndësishëm të komunitetit në ruajtjen e kësaj trashëgimie kulturore.
4146 views