Normal view

Kriza e strehimit në Spanjë: Pse të rinjtë po lënë qytetet për fshatrat

25 August 2026 at 16:49

13% e personave që synojnë të blejnë një banesë planifikojnë të zhvendosen në zona me më pak se 10 mijë banorë. Mes tyre mbizotërojnë të rinjtë rreth 35 vjeç, me të ardhura mesatare, të cilët po i shohin zonat rurale të Spanjës si një rrugëdalje nga një treg banesash që është bërë i papërballueshëm.

 

Spanja po përballet prej vitesh me një krizë strehimi që sa vjen e thellohet dhe që tashmë po ndryshon mënyrën se si të rinjtë mendojnë për të ardhmen e tyre.

Për shumicën e personave nën 40 vjeç, blerja e një apartamenti në Madrid, Barcelonë apo Malaga është bërë thuajse e pamundur. As qiraja nuk ofron më një alternativë të përballueshme. Të rinjtë që largohen nga shtëpia e prindërve për të jetuar më vete shpenzojnë mesatarisht 98.7% të pagës për strehimin.

Pasojat janë të dukshme. Vetëm 14.5% e të rinjve të moshës 16-29 vjeç kanë arritur të jetojnë të pavarur nga familja, ndërsa mosha mesatare e largimit nga shtëpia e prindërve është rritur në 30 vjeç, kundrejt 26 vjeç në Bashkimin Europian.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave të Spanjës (INE), në vitin 2025, 44.3% e personave të moshës 26-34 vjeç vazhdonin të jetonin në shtëpinë e familjes.

Brezi i mëparshëm mund të blinte një apartament, një makinë dhe në disa raste edhe një shtëpi të dytë me një pagë mesatare. Për shumë të rinj sot, kjo është kthyer në një perspektivë pothuajse të paarritshme.

Mungesa e banesave dhe kërkesa e lartë kanë shtyrë më tej çmimet. Sipas Bankinter, çmimet e shitjes janë rritur me 14.7% gjatë vitit të fundit, ndërsa qiratë me 10.9%. Në të njëjtën kohë, pagat e personave nën 35 vjeç kanë shënuar shumë pak rritje në terma realë.

Presionit financiar i shtohet edhe cilësia e jetës në qytetet e mëdha, ku dendësia e lartë e popullsisë, ndotja dhe ritmi i jetesës po i shtyjnë disa të rinj të kërkojnë alternativa më të qeta dhe më të përballueshme.

Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë prej tyre po shohin drejt fshatrave dhe qytezave që kanë humbur banorë gjatë dekadave të fundit, ku blerja e një shtëpie nuk është kthyer ende në një luks të paarritshëm.

 

Fshati po kthehet në alternativë

Në Spanjë ka qenë prej kohësh traditë që familjet të kthehen në fshat gjatë verës.

Shumë fëmijë kishin një fshat ku shkonin për pushime dhe ata që nuk e kishin, shpesh udhëtonin me miqtë drejt vendlindjeve të gjyshërve të tyre. Për ta, fshati lidhej me ditët larg rrëmujës së qytetit, me notin në lumë, lojërat dhe kohën e kaluar me kushërinjtë.

Ata fëmijë janë sot të rritur dhe po përballen me një realitet ku blerja e një banese në një qytet të madh kërkon një përpjekje financiare gjithnjë e më të madhe.

Si rrjedhojë, po shfaqet një lëvizje në drejtim të kundërt me atë të prindërve dhe gjyshërve të tyre: të rinjtë po kthejnë sytë nga bashkitë e vogla, ku një shtëpi mund të blihet ende me një çmim të përballueshëm.

Një pjesë e brezit që normalisht do të ishte në fazën e blerjes së apartamentit të parë në qytet po kërkon tashmë mundësi të tjera.

Sipas një studimi të Fotocasa Research, të zhvilluar në gjysmën e parë të vitit 2026, 13% e personave që kërkojnë një banesë në Spanjë planifikojnë të zhvendosen gjatë muajve të ardhshëm në një bashki me më pak se 10 mijë banorë.

Nuk bëhet fjalë kryesisht për pensionistë në kërkim të qetësisë, por për njerëz të rinj dhe në moshë aktive pune.

Profili që del nga studimi është i qartë: personat që po përballen me kostot gjithnjë e më të larta të strehimit janë mesatarisht 35 vjeç, kanë të ardhura mujore nga 1,000 deri në 3,000 euro dhe, në shumë raste, vazhdojnë të jetojnë me prindërit.

Pjesa më e madhe vjen nga Katalonja (22%), Andaluzia (19%) dhe Madridi (18%). Por një element tjetër është edhe më domethënës: shumica nuk jeton aktualisht në kryeqytetet më të mëdha. Rreth 44% banojnë në bashki me më shumë se 50 mijë banorë që nuk janë kryeqendra provincash.

Pra, shumë prej tyre tashmë janë larg qyteteve më të mëdha dhe tani janë të gatshëm të bëjnë një hap tjetër drejt zonave më të vogla.

 

Një ndryshim brezash, jo një modë kalimtare

“Po ndryshon imazhi tradicional i rikthimit të popullsisë në zonat rurale. Sot, ata që duan të vendosen në një fshat janë kryesisht të rinj, në moshë pune dhe me një projekt jete ende për t’u ndërtuar”, tha María Matos, drejtuese e kërkimeve dhe zëdhënëse e Fotocasa.

Sipas saj, tendenca po e kthen zonën rurale në një alternativë reale për banim. Por që kjo të shndërrohet në një rikthim të qëndrueshëm të popullsisë, duhen më shumë vende pune, shërbime, lidhje të mirë me internetin dhe infrastrukturë që t’i bindë njerëzit jo vetëm të zhvendosen, por edhe të qëndrojnë.

Edhe mosha e personave të interesuar e përforcon tendencën. Të rinjtë 18-24 vjeç përbëjnë 23% të atyre që planifikojnë të zhvendosen në zona rurale, ndërsa grupmosha 25-34 vjeç zë 38%.

Janë pikërisht grupmoshat që tradicionalisht do të kërkonin apartamentin e parë në qytet. Sot, një pjesë e tyre po heq dorë nga kjo mundësi.

Mes atyre që planifikojnë të zhvendosen, 31% jetojnë me partnerin dhe fëmijët, ndërsa 30% vazhdojnë të jetojnë me prindërit. Kjo e bën të qartë se për shumë prej tyre lëvizja nuk lidhet vetëm me dëshirën për një mënyrë tjetër jetese, por edhe me vështirësinë për të siguruar një banesë të përshtatshme në qytet.

 

“Spanja e zbrazur” si rrugëdalje

Ajo që për dekada është konsideruar një nga problemet e Spanjës – largimi i banorëve nga fshatrat dhe zhvendosja e të rinjve drejt qyteteve – po kthehet paradoksalisht në një mundësi.

Në shumë fshatra dhe qyteza ka ende banesa të lira dhe me çmime dukshëm më të ulëta se në qendrat urbane.

Por problemi është se pikërisht këto zona kanë humbur popullsi për vite me radhë dhe shpesh nuk ofrojnë vende pune të qëndrueshme, shërbime shëndetësore cilësore, shkolla, internet të shpejtë apo transport publik të mjaftueshëm.

Ky mbetet kushti kryesor që duhet të ndryshojë nëse zhvendosja e të rinjve drejt zonave rurale do të kalojë nga një prirje e përkohshme në një alternativë reale ndaj krizës së strehimit.

Për momentin, shifrat flasin për një brez që është i gatshëm ta provojë. Një brez i goditur nga kriza të njëpasnjëshme, që nuk kërkon luks, por mundësinë për të jetuar në mënyrë të pavarur, për të pasur një shtëpi të vetën dhe për të ndërtuar të ardhmen.

Në Spanjën e vitit 2026, për shumë të rinj, kjo po duket më e realizueshme në një fshat të Teruelit apo Cuencës sesa në një lagje të Madridit, Barcelonës apo qyteteve të tjera të mëdha./ Euronews

The post Kriza e strehimit në Spanjë: Pse të rinjtë po lënë qytetet për fshatrat appeared first on Revista Monitor.

Harta, Shqipëria mes vapës dhe zjarreve, Europa Perëndimore thyen rekordin e temperaturave

25 August 2026 at 06:03

Shqipëria u përfshi në zonën e temperaturave mbi mesataren gjatë periudhës qershor–korrik, ndërsa Europa Perëndimore regjistroi dy muajt më të nxehtë të kësaj periudhe që nga nisja e të dhënave të ERA5

Kështu raportoi Copernicus Climate Change Service pak ditë më parë në raportin e tij mujor.

Harta e publikuar, bazuar në të dhënat ERA5, e vendos Shqipërinë dhe një pjesë të Ballkanit Perëndimor mes zonave ku temperaturat e ajrit në sipërfaqe gjatë qershorit dhe korrikut 2026 ishin mbi mesataren e periudhës referuese 1991–2020.

Pamja në rajon ishte pjesë e një vere me kontraste të forta në kontinent, me anomalitë më të larta të përqendruara në Europën Perëndimore. Copernicus tha se kushtet e nxehta dhe të thata të zgjatura gjatë korrikut favorizuan gjithashtu përhapjen dhe intensifikimin e zjarreve në Europë.

Në Shqipëri, temperaturat e larta janë shoqëruar gjatë kësaj vere edhe me vatra zjarri. Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile tregojnë se gjatë korrikut 2026, zjarret me sipërfaqe mbi 1 hektar prekën gjithsej 476 hektarë.

AKMC identifikoi 21 vatra të kësaj madhësie gjatë muajit, me përqendrimin më të madh në Vlorë, ku tetë vatra prekën 306 hektarë, dhe në Shkodër, ku shtatë vatra përshkuan 98 hektarë.

Në Lezhë u regjistruan dy vatra me 40 hektarë të prekur, ndërsa raste të tjera u evidentuan në Berat, Dibër, Gjirokastër dhe Tiranë. Por muaji aktual u paraqit edhe më problematik me zjarre masive në zonën e Krujës, Lurës, Pukës, Dajtit ku nuk munguan përveç dëmeve në sipërfaqe pyjore edhe djegie e banesave apo bizneseve.

 

Rekord i ri për qershorin dhe korrikun në Europën Perëndimore

Të dhënat e Copernicus tregojnë se temperatura mesatare e ajrit mbi tokë në Europën Perëndimore arriti 21.62°C për periudhën qershor–korrik, ose 2.79°C mbi mesataren e viteve 1991–2020.

Kjo ishte temperatura më e lartë e regjistruar për kombinimin e këtyre dy muajve në rajon dhe tejkaloi me rreth 0.89°C rekordin e mëparshëm, të vendosur në vitin 2022.

Grafiku i Copernicus që shoqëron publikimin tregon një ndryshim të dukshëm në dekadat e fundit.

Ndërsa një pjesë e madhe e viteve të viteve 1980 dhe 1990 paraqiten me anomali negative kundrejt mesatares 1991–2020, vitet e fundit dominohen nga anomali pozitive. Qershor–korrik 2026 qëndron në skajin më të lartë të serisë, me anomalitetin prej 2.79°C.

Shifra i referohet zonës që Copernicus klasifikon si Europë Perëndimore, e përcaktuar nga koordinatat 11°Ë–15°E dhe 37°–55°N. Për këtë arsye, ajo nuk përfaqëson një matje specifike për Shqipërinë, edhe pse Shqipëria përfshihet në hartën më të gjerë europiane të anomalive të temperaturës.

Për vetëm muajin korrik, temperatura mesatare në këtë rajon të Europës Perëndimore ishte 22.48°C, ose 2.53°C mbi mesataren 1991–2020. Korriku 2026 u rendit si korriku i dytë më i nxehtë për rajonin, pas korrikut të vitit 2006.

Copernicus tha se temperaturat jashtëzakonisht të larta në Europën Perëndimore vazhduan nga gjysma e dytë e majit dhe u shoqëruan me disa valë të njëpasnjëshme të të nxehtit. Franca, Spanja, Anglia, Irlanda, Gjermania, Zvicra dhe pjesë të Italisë ishin ndër zonat ku u regjistruan anomalitë më të forta.

Në Francë, Gjermani, verilindje të Spanjës, Angli, Zvicër dhe në pjesën perëndimore të Italisë, temperaturat e korrikut ishin përgjithësisht 3°C deri në 5°C mbi mesataren, sipas Copernicus. Europa si e tërë ishte më pak ekstreme se pjesa perëndimore

Pamja për të gjithë kontinentin ishte më e moderuar për shkak të kontrastit mes perëndimit të nxehtë dhe temperaturave më të ulëta në lindje. Temperatura mesatare mbi tokën europiane në korrik ishte 20.49°C, ose 0.66°C mbi mesataren 1991–2020. Kjo e renditi korrikun 2026 si të 11-in më të ngrohtë në serinë e të dhënave ERA5.

Copernicus evidentoi një ndarje të qartë perëndim-lindje: pjesa perëndimore e kontinentit regjistroi temperatura shumë mbi mesataren, ndërsa pjesë të Europës Lindore dhe Skandinavisë kishin temperatura më të ulëta se norma.

Kushtet në perëndim u lidhën me sisteme të qëndrueshme të presionit të lartë, të cilat favorizuan mot të kthjellët dhe të thatë dhe mbajtën ajrin e nxehtë mbi të njëjtat zona për periudha të zgjatura.

 

Korriku 2026, i dyti më i nxehtë globalisht, rekord në oqeane

Në nivel global, temperatura mesatare e ajrit në sipërfaqe gjatë korrikut ishte 16.90°C. Kjo ishte 0.67°C mbi mesataren e korrikut për periudhën 1991–2020 dhe 1.47°C mbi nivelin e vlerësuar paraindustrial të viteve 1850–1900.

Korriku 2026 u rendit, së bashku me korrikun 2024, si korriku i dytë më i ngrohtë i regjistruar globalisht, pas rekordit të korrikut 2023. Diferenca mes korrikut 2026 dhe atij të vitit 2024 ishte vetëm 0.01°C, ndaj Copernicus i konsideron të dy muajt në të njëjtën pozitë.

Mesatarja globale për 12 muajt nga gushti 2025 deri në korrik 2026 ishte 1.45°C mbi nivelin paraindustrial, sipas të dhënave të shërbimit europian të klimës. Nxehtësia nuk u kufizua në sipërfaqen tokësore.

Temperatura mesatare e sipërfaqes së oqeaneve jashtë zonave polare, midis 60° në jug dhe 60° në veri, arriti 20.96°C në korrik, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë muaj.

Rekordi i mëparshëm, prej 20.89°C, ishte vendosur në korrik 2023. Që nga 19 qershori, temperatura mesatare ditore e këtyre ujërave kishte qenë më e larta e regjistruar për secilën ditë përkatëse të vitit, sipas Copernicus. Temperatura rekord u regjistruan edhe në detet përreth Europës, veçanërisht përgjatë Atlantikut dhe në Mesdheun Perëndimor.

Copernicus tha se një pjesë e nxehtësisë së oqeaneve ishte e lidhur edhe me zhvillimin e kushteve El Niño në Paqësorin ekuatorial./ N.Maho

 

The post Harta, Shqipëria mes vapës dhe zjarreve, Europa Perëndimore thyen rekordin e temperaturave appeared first on Revista Monitor.

❌