Normal view

Jugu i vendit probleme me rrjetin celular; Ndërprerje e përkohshme nga punimet në rrugë

By: Ornela
24 August 2026 at 17:10

Shumë përdorues kanë raportuar sot se kanë pasur probleme me telefonanat përmes rrjetit celular gjatë ditës së sotme në jug të vendit, kryesisht në zonën nga Dhërmiu në Sarandë. Problematika është hasur për përdoruesit e rrjetit Vodafone.

Burime zyrtare nga Vodafone thanë se problematika është e lidhur me dëmtimet që janë bërë në rrjetin transmetues nga punimet në rrugë.

“Vodafone Albania njofton se më 24 gusht 2026, duke filluar nga ora 14:08, janë evidentuar ndërprerje të përkohshme të shërbimeve celulare dhe fikse në disa zona përgjatë bregdetit, nga Dhërmiu deri në Sarandë.

Sipas informacionit paraprak që disponojmë, ndërprerja është shkaktuar nga punime civile në rrugë, në linjën primare dhe atë backup të fibrës optike në segmentet Cukë–Gjirokastër dhe Radhimë–Orikum, që ofrohet nga ATU.

Ekipet teknike janë angazhuar menjëherë dhe po punojnë me prioritet maksimal bashkë me ofruesin përkatës të shërbimit dark fiber në rrugët kombëtare për rikthimin e plotë të shërbimeve sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundon njoftimi i Vodafone.

Operatori tjetër celular, One Albania, pohoi për “Monitor” se ata nuk kanë pasur ndërprerje të shërbimit.

The post Jugu i vendit probleme me rrjetin celular; Ndërprerje e përkohshme nga punimet në rrugë appeared first on Revista Monitor.

Kuvendi kërkoi publikimin e masave administrative, Bordi i AMF-së sërish nuk reagoi

By: Ornela
24 August 2026 at 10:00

Kuvendi i Shqipërisë, në rekomandimet për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për vitin 2026, kërkoi zyrtarisht përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies publike në vendimet e Bordit.

Në rezolutën e miratuar nga Kuvendi në muajin korrik, rekomandohet që ky institucion të publikojë aktet rregullatore të miratuara dhe ndryshimet përkatëse, si dhe vendimet për marrjen e masave administrative dhe korrigjuese, me evidentimin e votimit individual të anëtarëve të Bordit dhe të rasteve të përjashtimit nga vendimmarrja për shkak të konfliktit të interesit.

Sipas rekomandimeve, publikimi duhet të kryhet në përputhje me parimin e proporcionalitetit, duke garantuar mbrojtjen vetëm të atyre elementeve që përbëjnë informacion konfidencial sipas nenit 24 të ligjit nr. 9572/2006, nëpërmjet anonimizimit ose redaktimit të pjesshëm, pa cenuar publikimin e vetë aktit, bazës ligjore, arsyetimit dhe elementeve thelbësore të vendimmarrjes.

Megjithatë, një rekomandim i tillë nuk është zbatuar as në vijim të mbledhjes së radhës, të fundit të muajit korrik. Në listën e vendimeve, të publikuara gjatë muajit gusht, përsëri dy vendime, që lidhen përkatësisht me marrjen e masave ndaj një subjekti të mbikëqyrur dhe me refuzimin për rishikimin e një vendimi të mëparshëm për marrje masash, nuk janë publikuar.

Mospublikimi i një pjesë të madhe të vendimeve të Bordit të AMF-së ka qenë disa herë objekt debatesh dhe kritikash nga deputetët gjatë diskutimeve në Kuvend.

Praktika e AMF-së pothuajse në të gjitha rastet ka qenë që vendimet korrigjuese ose masat administrative ndaj subjekteve të mbikëqyrura të mos publikohen.

Megjithatë, në disa raste veçanta është bërë përjashtim nga ky rregull. Në vitin 2021, Bordi i AMF-së bëri publike disa masa korrigjuese ndaj shoqërive administruese të fondeve të pensionit. Ndërkohë, një praktikë e tillë nuk është ndjekur në asnjë rast ndaj shoqërive të sigurimit.

Aplikimi i një standardi të dyfishtë shkaktoi pakënaqësi te shoqëritë që ishin subjekt i këtyre masave.

Në fakt, publikimi ose jo i vendimeve është një çështje që varet nga gjykimi ose diskrecioni i vetë Bordit. Kjo e drejtë shfrytëzohet jo vetëm për të mos bërë publike masat ndaj subjekteve të mbikëqyrura, por edhe në rastin e vendimmarrjeve të tjera që nuk lidhet me këto marrëdhënie. Rezoluta e Kuvendit tenton të eliminojë subjektivizmin apo keqpërdorimin eventual të së drejtës për të mos i bërë publike vendimet.

Gjithashtu, në rezolutën e këtij viti Kuvendi kërkon nga AMF-ja kërkohet të konsolidojë mekanizmat e transparencës institucionale, duke forcuar funksionin e koordinatorit për të drejtën e informimit dhe duke garantuar publikimin e informacionit sipas standardeve të të dhënave të hapura dhe ripërdorimit të informacionit të sektorit publik.”

 

AMF mori më pak masa ndaj subjekteve të mbikëqyrura në vitin 2025

 

Masat administrative dhe korrektuese të AMF-së ndaj subjekteve të mbikëqyrura pësuan rënie vitin e kaluar. Sipas raportimit të këtij institucioni në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë vitit 2025, Bordi i Autoritetit ka marrë 13 vendime, si masa administrative e korrigjuese ndaj subjekteve të mbikëqyrura, të bazuara kryesisht në gjetjet e analizave financiare, inspektimeve në vend dhe rasteve të pezullimit të licencave për ushtrimin e veprimtarisë.

Numri i masave ndaj subjekteve të mbikëqyrura ka pësuar ulje për të dytin vit radhazi. Për vitin 2024, Bordi i AMF-së pati marrë 15 masa, ndërsa për vitin 2023 raportonte 28 masa administrative dhe korrigjuese.

Në tregun e sigurimeve gjatë vitit 2025 u morën nëntë vendime, përkatësisht, tetë vendime për marrje masash dhe urdhër për eliminimin e shkeljeve ndaj shoqërive të sigurimit dhe një vendim për heqje licence ndaj një vlerësuesi dëmesh.

Nga këto, gjashtë vendime përfshinë sanksione me gjobë në vlerën totale 7.4 milionë lekë, të cilat janë likuiduar. Vlera e gjobave të vendosura ndaj shoqërive të sigurimeve është rritur me 37% krahasuar me një vit më parë.

Sipas ligjit “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, AMF mund të vendosë ndaj shoqërive të sigurimit gjoba që mund të arrijnë deri në tre milionë lekë, në varësi të shkeljes së konstatuar. Subjekte të gjobave mund të jenë edhe administratorët e shoqërive të sigurimit, për shuma nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë, si edhe anëtarët e këshillit mbikëqyrës, në intervalin mes 300 mijë lekë dhe 500 mijë lekë. / E.Shehu

The post Kuvendi kërkoi publikimin e masave administrative, Bordi i AMF-së sërish nuk reagoi appeared first on Revista Monitor.

Gati 32% të shqiptarëve në pasiguri ushqimore, katër herë mbi mesataren europiane

By: Ornela
24 August 2026 at 06:11

Rreth 31.8% e shqiptarëve përballen me pasiguri ushqimore të moderuar ose të rëndë në periudhën 2023-2025, vlerëson FAO.

Ndonëse treguesi ka shënuar përmirësim të lehtë, ai mbetet shumë më i lartë në Europë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

Në harkun e një viti, treguesi është ulur me 1.2 pikë përqindjeje. Pavarësisht përmirësimit, niveli në Shqipëri është rreth 4.3 herë më i lartë se mesatarja europiane prej 7.4% dhe rreth 5.5 herë mbi mesataren e Europës Jugore, prej 5.8%.

Shqipëria paraqitet gjithashtu shumë më keq se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për periudhën 2023–2025, pasiguria ushqimore e moderuar ose e rëndë vlerësohet në 9.2% në Maqedoninë e Veriut, 9% në Malin e Zi, 8.7% në Bosnjë-Hercegovinë dhe 6.7% në Serbi.

Brenda grupit të përgjithshëm, 8.3% e popullsisë së Shqipërisë klasifikohet në pasiguri të rëndë ushqimore.

Pasiguria e rëndë lidhet me situata kur familjet mbeten pa ushqim, konsumojnë më pak sesa u nevojitet, përjetojnë uri ose kalojnë një ditë të plotë pa ngrënë për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera.

Treguesit për fëmijët kanë shënuar përmirësim. Përqindja e fëmijëve nën pesë vjeç me zhvillim të vonuar fizik ra nga 16.5% në vitin 2012 në 7.4% në vitin 2024. Edhe mbipesha te fëmijët u reduktua nga 20.9% në 16.7%.

Në kahun e kundërt ka lëvizur obeziteti te të rriturit. Në vitin 2024, ai prekte 24.1% të popullsisë mbi 18 vjeç, nga 17.8% në vitin 2012. Numri i të rriturve obezë vlerësohej në rreth 500 mijë.

Edhe anemia te gratë e moshës 15–49 vjeç është përkeqësuar, duke u rritur nga 20.1% në vitin 2012 në 24.7% në vitin 2023.

 

Dieta ditore e shqiptarëve, 70% më e shtrenjtë se në 2017-n dhe 30% mbi mesataren europiane

Në vitin 2025, kostoja minimale e një diete të shëndetshme në Shqipëri arriti në 5.16 dollarë ndërkombëtarë, sipas barazisë së fuqisë blerëse, për person në ditë.

Kostoja është rritur nga 3.04 dollarë në vitin 2017, duke u shtrenjtuar me rreth 70% deri vitin e kaluar, sipas raportit më të fundit “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes në Botë 2026”.

Dieta e shëndetshme në Shqipëri rezulton rreth 30% më e shtrenjtë se mesatarja europiane prej 3.97 dollarësh dhe 12% mbi mesataren e Europës Jugore prej 4.62 dollarësh. Sipas metodologjisë së FAO Vlera prej 5.16 dollarësh është kostoja minimale ditore e një diete të shëndetshme për një person në Shqipëri.

Ajo llogaritet duke zgjedhur ushqimet më të lira që sigurojnë energjinë dhe larminë e nevojshme ushqimore dhe tregon pragun minimal ekonomik për një ushqyerje të ekuilibruar.

Pavarësisht shtrenjtimit, përqindja e shqiptarëve që nuk mund ta përballojnë financiarisht një dietë të shëndetshme ka rënë ndjeshëm. Në vitin 2025, ajo vlerësohej në 11.9% të popullsisë./B.Hoxha

 

The post Gati 32% të shqiptarëve në pasiguri ushqimore, katër herë mbi mesataren europiane appeared first on Revista Monitor.

Francezët zbulojnë Pogradecin, çmimet e lira dhe ushqimi tradicional tërheqin turistët

By: Ornela
24 August 2026 at 06:02

Gjergji prej vitesh në qytetin e Pogradecit drejton një biznes të vogël për dhënien me qira të varkave për turistët buzë liqenit.

Ai thotë se për këtë vit klientët kryesore që marrin varka me qira për vozitje në liqen janë shtetas të huaj, kryesuar nga francezët, amerikanët dhe italianët. Ndërsa numri i turistëve vendas sipas tij është në rënie, krahasuar me vjet.

Vendasit kryesohen nga turistët nga Maliqi, Përrenjasi dhe Korça.

Tendenca e frekuentimit në rritje nga shtetasit e huaj, veçanërisht nga Franca pohohet edhe nga drejtues të strukturave të akomodimit, bareve dhe restoranteve.

Por numri i turistëve francezë këtë vit nuk ka qenë në rritje vetëm për qytetet juglindore, por në tërësi për të gjithë vendin.

Sipas të dhënave të marra nga Monitor nga AirDNA (platforma analitike që jep të dhënat për rezervimet në AirBnb, pjesërisht edhe për Booking dhe Expedia) rreth 17.7% të net-qëndrimeve te qiratë afatshkurta deri në qershor 2026 janë rezervuar nga vizitorët francezë, duke e pozicionuar Francën në vendin e parë me rritjen më të lartë vjetore të turistëve të huaj.

Francezët zgjerojnë epërsinë në Airbnb-të shqiptare, gjermanët të dytët por pesha e tyre në rënie

Po pse është rritur numri i turistëve francezë në Shqipëri?

Shtetasja franceze Ofelia Pamla, duke folur për “Monitor”

Për turistët francezë, natyra, siguria, ushqimi tradicional dhe kostot më të ulëta janë ndër arsyet që po e bëjnë Shqipërinë një destinacion gjithnjë e më tërheqës.

Në fshatin turistik Tushemisht të Pogradecit, Monitor bisedoi me shtetasen franceze Ofelia Pamla, e cila kishte zgjedhur të kalonte pushimet 2 jave në Juglindjen e Shqipërisë.

27 vjeçarja nga Franca me profesion mësuese për arsimin fillor pohoi se fillimisht për Shqipërinë kishte dëgjuar nga koleget e saj shqiptare.

“Opinioni për Shqipërinë nuk ka qenë i mirë për shumë shtetas nga Franca, të cilët mendojnë se vendi ka shumë pasiguri për turistët. Edhe për mua këto opinione fillimisht shkaktuan stepje nëse do ta vizitoja Shqipërinë.

Por ishte mikesha dhe kolegia ime shqiptare që prej 15 vitesh jeton në Francë që më bindi ta vizitoja vendin tuaj. Tashmë kam vendosur të qëndroj 2 javë me pushime në juglindje, përfshirë qytetet Pogradec, Korçë dhe Përmet.

Nga qëndrimi im në këto qytete jam suprizuar nga natyra e bukur dhe ushqimi tradicional, por edhe siguria. Më pëlqen shumë të konsumoj byrekun në saç dhe petullat e fshira, ushqim tradicional i zonës.

Veçanërisht byreku në saç është shumë i veçantë si ushqim. Në total kam parashikuar të shpenzoj një buxhet prej 2 mijë euro në Shqipëri, të njëjtin buxhet që do të shpenzoja edhe nëse do të pushoja në Francë.

Por kuptohet atje do të pushoja më pak ditë, pasi çmimet më të lira këtu te ju të mundësojnë qëndrim më afatgjatë për pushime”, pohon ajo.

Po ashtu sipas të dhënave të AirDNA deri në muajin qershor 2026, Gjermania mbeti tregu i dytë, por pesha e saj zbriti në 13.39%, nga 13.7% në periudhën e mëparshme.

Menjëherë pas saj renditen Shtetet e Bashkuara, që siguruan 12.99% të netëve të qëndrimit, nga 11.7% një vit më parë./ D.Azo

The post Francezët zbulojnë Pogradecin, çmimet e lira dhe ushqimi tradicional tërheqin turistët appeared first on Revista Monitor.

Turizmi nuk është “industri të fortësh”, as nuk bëhet vetëm duke numëruar të huajt që hyjnë në vend

By: Ornela
24 August 2026 at 06:00

EDITORIAL  MONITOR – Shqipëria po përjeton prej disa vitesh një rritje shumë të fortë të turizmit. Nga rreth 6.4 milionë hyrje të shtetasve të huaj në vitin 2019, sot vendi pret mbi 12 milionë. Ky ndryshim nuk ka ardhur rastësisht.

Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm imazhin e saj, është promovuar më shumë jashtë vendit, ka përfituar nga bukuritë natyrore, bregdeti, malet, kultura, por edhe nga perceptimi si një destinacion më i lirë se shumë vende të tjera europiane.

Rritja ka sjellë efekte të dukshme në ekonomi. Ka shtuar kërkesën për akomodim, restorante, transport, tregti dhe shërbime.

Ka nxitur investime dhe ka hapur vende pune. Por 12 milionë hyrje nuk janë vetëm një shifër për t’u festuar. Janë edhe 12 milionë njerëz që duhet të lëvizin, të ushqehen, të akomodohen, të marrin shërbime dhe, kur është e nevojshme, të kenë akses në polici, urgjencë mjekësore dhe struktura shpëtimi.

Pikërisht këtu fillon përgjegjësia e shtetit. Vera e këtij viti solli një sërë ngjarjesh që e rikthyen në vëmendje sigurinë e turistëve në Shqipëri dhe që zbuluan dobësi të ndryshme, jo një të vetme: nga mungesa e kontrollit të standardeve të sigurisë (zjarri në një hotel në Vlorë), te pasiguria e mjeteve lundruese (përplasjet mes varkave në Koman, apo humbja e jetës së një 25 vjeçari), siguria e transportit tokësor (djegia e një autobusi me turistë në Berat), dhe dobësia e rendit publik (konfliktet me pushues të huaj në Velipojë).

Një tjetër mangësi është ndihma e shpejtë dhe rojet e plazhit, që gjithmonë nuk merren seriozisht. Në disa raste, pasojat shkuan deri te humbja e jetës së një turisti të huaj – kujtese se kur sistemi dështon në një zonë turistike, çmimi nuk paguhet në statistika, por në jetë njerëzish.

Në një vend që pret miliona vizitorë, incidentet nuk mund të zhduken plotësisht. Asnjë destinacion turistik nuk është imun ndaj aksidenteve, konflikteve apo fatkeqësive. Pyetja nuk është nëse do të ketë incidente. Pyetja është sa është përgatitur sistemi për t’i parandaluar ato dhe, kur ndodhin, për t’iu përgjigjur.

Në rastin e zjarrit në hotelin në Vlorë u ngritën pikëpyetje serioze mbi respektimin e standardeve të mbrojtjes nga zjarri. Në shumë zona rojet bregdetare apo vrojtuesit mungojnë.

Mjetet motorike lundruese vazhdojnë të lëvizin pranë pushuesve, megjithëse rreziku që krijojnë është evident dhe po vijojnë të shënohen raste fatale.

Turizmi nuk mund të trajtohet si një “industri të fortësh”, ku secili vepron sipas mundësive dhe rregullave të veta dhe ku shteti shfaqet kryesisht për të numëruar vizitorët në fund të muajit.

Kur një vend vendos ta kthejë turizmin në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë, duhet të zhvillojë paralelisht edhe të gjithë infrastrukturën që e mban atë në këmbë: kontrollin e standardeve të hoteleve, sigurinë ushqimore, rendin publik, urgjencën mjekësore, shpëtimin në det dhe në mal, kontrollin e mjeteve lundruese, sinjalistikën, transportin dhe rrugët.

Deri tani, debati publik shpesh reduktohet te numri i turistëve. Qeveria u mburr para pak kohësh se ishte ndër vendet e para në botë, ku turistët e kalonin me disa herë popullsinë. Kur shifrat rriten, institucionet nxitojnë të marrin meritën dhe të gjejnë arsyet e suksesit, qoftë edhe duke ia atribuar një pjese të rritjes një koncerti apo një aktiviteti të caktuar.

Kur shifrat bien, siç ndodhi në qershor, kërkohen shpejt faktorë të jashtëm apo fajtorë, si protestuesit. Por detyra e qeverisë nuk është vetëm të numërojë turistët. Detyra kryesore është të krijojë kushtet që, pasi kanë ardhur, ata të jenë të sigurt dhe të marrin shërbimin që presin.

Përgjegjësia nuk është vetëm e qeverisë. Edhe bizneset duhet të kuptojnë se në turizëm klienti është në qendër të aktivitetit. Në Shqipëri, ku ende bizneset i bëjnë të fortët, haset shpesh një kulturë shërbimi ku klienti trajtohet sikur biznesi po i bën një nder, edhe pse është ai që po paguan.

Ky mentalitet është veçanërisht i rrezikshëm në turizëm. Turisti nuk blen vetëm një dhomë hoteli apo një vakt. Ai blen një përvojë. Dhe një eksperiencë e keqe nuk mbetet më mes tij dhe biznesit ku ndodhi.

Brenda pak minutash mund të publikohet në Google, Booking, TripAdvisor, TikTok apo media ndërkombëtare dhe të shihet nga qindra mijë njerëz.

Për të krijuar një imazh pozitiv duhen vite. Shqipërisë i janë dashur të paktën pesë vite që të ndryshojë perceptimin e një pjese të madhe të turistëve të huaj dhe të hyjë në hartën e destinacioneve të reja europiane dhe të sigurta.

Por një imazh i ndërtuar për pesë vite mund të dëmtohet brenda pesë orësh. Rasti i një turisteje australiane që nuk mori shërbim të shpejtë nga urgjenca pasi e kafshoi gjarpri u trajtua me hollësi në mediat australiane. Vrasja e një turistë portugez po ashtu. Ky është rreziku më i madh për një destinacion që është ende duke ndërtuar emrin e tij.

Prandaj, nuk duhet të presim zjarrin tjetër që të kontrollojmë standardet e hoteleve, aksidentin tjetër që të kujtohemi për sigurinë në plazhe, apo incidentin tjetër me skafe që të zbatojmë rregullat për mjetet lundruese.

Nëse turizmi do të jetë vërtet një industri strategjike, menaxhimi i tij duhet të ecë po aq shpejt sa numri i turistëve.

The post Turizmi nuk është “industri të fortësh”, as nuk bëhet vetëm duke numëruar të huajt që hyjnë në vend appeared first on Revista Monitor.

❌