BYD, prodhuesi më i madh i mjeteve elektrike, hyn zyrtarisht në Shqipëri
Kompania BYD (Build Your Dreams), prodhuesi më i madh i automjeteve elektrike dhe baterive, ka njoftuar hyrjen zyrtare në tregun shqiptar.
Sipas informacionit ekskluziv për “Monitor”, kjo hyrje është bërë e mundur përmes “Dream Auto CG”, një sipërmarrje e përbashkët mes shoqërisë shqiptare “AutoMaster” dhe kompanisë shumëkombëshe “CG Corp Global”. Ky partneritet shënon praninë e parë zyrtare të BYD në tregun shqiptar dhe zgjeron bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Ky zhvillim përbën një hap të rëndësisshëm në strategjinë e investimeve afatgjata të “AutoMaster” në sektorin e automobilave në Shqipëri dhe në rajon.
Përmes “Dream Auto CG”, palët partnere themelojnë strukturën zyrtare të autorizuar të BYD në Shqipëri, duke garantuar një përvojë të plotë për klientët, që përfshin shitjen e automjeteve, trajtimin e mjeteve në garanci të ofruar nga prodhuesi, furnizimin me pjesë këmbimi origjinale dhe shërbimet e pas shitjes me servis të dedikuar sipas standardit BYD.
BYD është një nga kompanitë kryesore në botë për automjetet elektrike, që prodhon makina plotësisht elektrike dhe hibride (PHEV), të mbështetura nga teknologji të avancuara të baterive dhe sistemeve të fuqisë.
Në Shqipëri, BYD do të funksionojë përmes “Dream Auto CG Sh.a.”, e cila do të shërbejë si importuesi zyrtar i markës. Hyrja në treg do të bëhet në faza, duke nisur me modele prioritare të përzgjedhura sipas kërkesës vendase dhe kushteve specifike në vendin tonë. Detajet mbi modelet e para, hapjen e salloneve të ekspozimit, testimet e drejtimit dhe afatet e prezantimit do të bëhen publike në javët në vijim.
Showroom i parë BYD në Shqipëri do të jetë në një strukturë krejtësisht të re të pozicionuar jo rastësisht në Vorë, në një nga nyjet më të rëndësishme kombëtare, për të ofruar aksesin më të mirë për të gjithë trevat në Shqipëri. Organizmi në këtë vendndodhje të re do jetë 4S (Showroom, Service, Spare Parts and Survey) sipas standardit ndërkombëtar BYD.
![]()
Nirvana Chaudhary, Drejtor Menaxhues i Chaudhary Group (CG Corp Global), u shpreh se: “Hyrja zyrtare e BYD në Shqipëri përmes ‘Dream Auto CG’, së bashku me “AutoMaster, pasqyron angazhimin tonë për të sjellë inovacion të nivelit botëror me gatishmëri operacionale afatgjatë dhe shtrirje globale. Njëkohësisht, jemi të përqendruar në zgjerimin në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut për të mbështetur lëvizshmëri më të pastër në të gjithë rajonin.”
Eno Zeneli, CEO i “AutoMaster”, shtoi se: “Ky prezantim përmes ‘Dream Auto CG’, në bashkëpunim me CG Corp Global, vijon investimin tonë afatgjatë në sektorin e automobilave – tashmë të fokusuar në përshpejtimin e një të ardhmeje më të gjelbër përmes teknologjive të avancuara të elektrifikimit. Përmes këtij investimi, të realizuar nga ‘Arch Investor sh.p.k.’, do të sigurojmë gatishmëri të plotë të shërbimeve pas shitjes dhe një përvojë të besueshme për klientët që nga dita e parë në Shqipëri, ndërsa zgjerohemi edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.”
“Dream Auto CG” është një sipërmarrje e përbashkët mes AutoMaster dhe CG Corp Global, e krijuar për të zhvilluar dhe operuar partneritete zyrtare me marka automobilistike, si dhe për të ofruar shitje dhe shërbime pas shitjes sipas standardeve ndërkombëtare në rajon. Në Shqipëri, aktiviteti i BYD do të realizohet përmes Dream Auto CG Sh.a., importuesi zyrtar i markës.
“AutoMaster” është një kompani e sektorit të automobilave, e fokusuar në shitjen e automjeteve, përvojën e klientit dhe shërbimet pas shitjes në Shqipëri. AutoMaster është importuesi zyrtar për Fiat, Alfa Romeo, Jeep, si dhe Mazda në Shqipëri. Në vitin 2024, kompania shiti mbi 1,000 automjete dhe renditet ndër aktorët kryesorë në segmentin e makinave të reja në vend.
“CG Corp Global” (Chaudhary Group) është një grup shumëkombësh i diversifikuar me seli në Katmandu, Nepal, me aktivitete në sektorë të ndryshëm, përfshirë mallrat e konsumit të përditshëm (ushqime dhe pije), hotelerinë, arsimin, pasuritë e paluajtshme, shërbimet financiare, elektronikën, çimenton, hidroenergjinë dhe projektet inxhinierike.
_____________________________________________________________________________________________________________
Rreth BYD
BYD është një kompani shumëkombëshe e teknologjisë së avancuar, e fokusuar në përdorimin e inovacionit për të përmirësuar jetën. E themeluar në vitin 1995 si prodhues baterish të rikarikueshme, sot BYD ka një gamë të gjerë aktivitetesh që përfshijnë automobilat, transportin hekurudhor, energjinë e re dhe elektronikën, me mbi 30 parqe industriale në Kinë, SHBA, Kanada, Japoni, Brazil, Hungari dhe Indi. Nga prodhimi dhe ruajtja e energjisë te aplikimet e saj, kompania synon të ofrojë zgjidhje energjie me zero emetime, duke reduktuar varësinë globale nga lëndët djegëse fosile. Automjetet me energji të re të BYD janë të pranishme në 6 kontinente, në mbi 110 vende dhe më shumë se 400 qytete. E listuar në bursat e Hong Kongut dhe Shenzhenit, kompania u rendit në vendin e 91-të në listën Fortune 500 dhe regjistroi të ardhura mbi 100 miliardë euro në vitin 2024. BYD investon fuqishëm në teknologjitë e së ardhmes, me më shumë se 10% të rreth një milion punonjësve të angazhuar në kërkim-zhvillim dhe me rreth 45 patenta të reja çdo ditë pune.
Rreth BYD Auto
E themeluar në vitin 2003, BYD Auto është divizioni i automobilave i BYD dhe fokusohet në përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër në transportin global, duke zhvilluar automjete plotësisht elektrike dhe hibride me karikim nga priza. Kompania zotëron teknologjitë kryesore të gjithë zinxhirit të automjeteve me energji të re, përfshirë bateritë, motorët elektrikë dhe kontrollorët elektronikë. Ndër risitë kryesore përfshihen Blade Battery, teknologjia hibride DM-i, platforma e Platform 3.0, teknologjia CTB, platforma e⁴, sistemi inteligjent i kontrollit të trupit DiSus dhe sistemi super hibrid DMO. BYD ishte prodhuesi i parë i automjeteve në botë që ndaloi prodhimin e makinave me motorë tradicionalë me karburant dhe ka mbajtur vendin e parë në shitjet e automjeteve me energji të re në Kinë për 13 vite radhazi.
The post BYD, prodhuesi më i madh i mjeteve elektrike, hyn zyrtarisht në Shqipëri appeared first on Revista Monitor.