Normal view

Hapen më 27 Gusht aplikimet për kredi shtëpie me 0% interes për 300 punonjës

By: Ornela
25 August 2026 at 15:29

300 punonjësve të administratës u jepet mundësia të përfitojnë kredi me 0% interes për blerje apartamenti.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit njoftoi hapjen e thirrjes për aplikim për 300 kredi me 0% interes për blerjen e një banese për punonjësit e administratës publike.

Aplikimet nisin nga 27 Gushti 2026 dhe përfundojnë më 25 Shtator 2026.

Financim sipas çmimit të referencës dhe sipërfaqes sipas certifikatës familjare

Në aplikime do të përfshihen punonjësit e 5 institucioneve me kuota nga 20 deri në 70 aplikime.

Konkretisht, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale – 70 kuota; Ministria e Mbrojtjes – 70 kuota; Ministria e Arsimit – 70 kuota; Ministria e Punëve të Brendshme – 70 kuota dhe Policia e Burgjeve / Ministria e Drejtësisë – 20 kuota.

Aplikimet do të kryhen nëpërmjet e-Albania.

Kriteret kryesore përfshijnë nga mospasja e një prone në pronësi, të mos jenë përfitues nga programe të tjera sociale etj.

Të jeni i punësuar në administratën publike, sipas përcaktimeve të ligjit “Për strehimin social”;

-Të mos keni banesë në pronësi ose në proces legalizimi, ose të keni një banesë nën normat e strehimit;

-Të mos zotëroni pasuri të paluajtshme apo të luajtshme me vlerë mbi gjysmën e vlerës së banesës që do të blihet me kredi të lehtësuar;

-Të mos jeni përfitues nga programe të tjera të strehimit social.

 

The post Hapen më 27 Gusht aplikimet për kredi shtëpie me 0% interes për 300 punonjës appeared first on Revista Monitor.

Kompensimi i naftës te Transporti Publik, Financat të gatshme për 3 muaj shtesë, pritet propozimi

By: Ornela
25 August 2026 at 06:35

Kompensimi i naftës te Transporti Publik, Financat të gatshme për 3 muaj shtesë, pritet propozimi i Infrastrukturë

Shtrenjtimi i çmimit të naftës jo vetëm që po vështirëson koston e operimit te transporti publik privat, por ka rikthyer edhe një herë debatin mes ministrisë së Financave dhe asaj së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE).

Që prej muajit maj shoqatat e transportit publik vijojnë të përsërisin shqetësimin për mospërballimin e kostove nga shtrenjtimi i çmimit të naftës dhe për kohëzgjatjen e periudhës për të përfituar 50 lekë për litër kompensim për naftën.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas vetëm gjatë muajit gusht ka përsëritur 2 herë kërkesën se kostoja e operimet mbetet e papërballueshme dhe se kjo shumë shpejt do të sjellë reduktim të mjeteve për lëvizjen e qytetarëve.

Shoqatat e Transportit kërkojnë zgjatje të kompensimit, paralajmërojnë rishikim të numrit të mjeteve

Alarmi i transportit, kërkohet kompensimi i naftës deri në shtator ose do të reduktojnë qarkullimin

Por shtyrja e afatit të kompensimit të naftës te transporti, duket se ka shkaktuar sërish debat mes ministrive, të Financave dhe Infrastrukturës dhe Energjisë.

Përsëri Ministria e Financave i është përgjigjur kërkesës së Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas për zgjatjen e afatit të kompensimit për transportin publik. Shoqata ka kërkuar që masa e përcaktuar në VKM nr. 341 të vijojë edhe për tre muaj, nga qershori deri në gusht 2026.

Ministria e Financave ia ka përcjellë kërkesën Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për trajtim dhe vlerësim. Në shkresë thuhet se Ministria e Financave është e gatshme të shqyrtojë çdo propozim që mund të paraqitet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, me shkresën datë 06.08.2026, ka paraqitur kërkesën për zgjatjen e afatit të zbatimit të VKM-së nr. 341, datë 13.05.2026, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së kompensimit për shoqëritë e linjave të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës në kushtet e situatës së veçantë në tregun hidrokarbur” edhe për një periudhë shtesë prej 3 (tre) muajsh (Qershor-Korrik-Gusht).

Në vijim të sa më sipër, lutem trajtimin e kërkesës dhe vlerësimin e situatës brenda fushës së përgjegjësisë së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ministria e Financave shpreh gatishmërinë për të shqyrtuar çdo propozim që mund të paraqitet nga ana juaj”, theksohet në letrën e Ministrisë së financave drejtuar Ministrisë së ekonomisë.

Por nuk është hera e para që Ministria e Financave shprehet e gatshme për të shqyrtuar mundësinë për shtyrjen e afatit edhe me 3 muaj të kompensimit të naftës.

Edhe më një shkresë të 21 Maj 2026, Ministria e Financave i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke kërkuar shqyrtimin e kërkesës sonë brenda fushës së përgjegjësisë suaj institucionale dhe duke shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar çdo propozim që mund të paraqitet nga ana juaj.

Shtyrja e kompensimit të naftës për transportin fut në “debat” Financat me Infrastrukturën

Edhe në komunikimin e fundit më 20 Gusht 2026 mes ministrive, Ministria e Financave shpreh sërish gatishmërinë për shqyrtimin e çdo propozimi që do të paraqitet nga Ministria e Infrastrukturës. Pra kërkon propozimet për shqyrtim.

Sakaq vendimi për dhënien e kompensimit në masën 50 lekë për litër, për një periudhë 3 mujore, më pak sesa u kërkua nga shoqatat e transportit nga qeveria u miratua në mesin e muajit Maj.

Vendimi përcakton se kompensimi do të llogaritet mbi shumën e konsumit të karburantit për periudhën mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën nga shoqëritë.

Efektet financiare llogariten në vlerën e 250 mln lekëve apo rreth 2.6 mln euro që do të përballohen në masën e 120 mln lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe 130 mln lekë nga buxheti i Bashkisë së Tiranës.

Më 1 gusht përfundoi afati për aplikimet për subvencionimin e naftës për operatorët e transportit publik. Për shkak të rritjes së çmimit të naftës e ndikuar nga konflikti në Lindjen e Mesme, operatorët përfituan kompensim në masën 50 lekë për litër për naftën e periudhës, mars-prill dhe maj. Por interesi për aplikim ka qenë i ulët.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban të bërë më herët publike për Monitor nga rreth 140 operatorë në të gjithë vendin (110 operatorë kryejnë aktivitet për linjat ndërqytetase dhe 30 për transportin urban në Tiranë) vetëm 35 kanë dorëzuar aplikimin apo rreth 25% e totalit.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj më herët tha se operatorët më të vegjël, të cilët disponojnë vetëm një ose dy mjete, nuk kanë mundur të aplikojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit që provon shpenzimet për karburant. D.zo

25% e operatorëve aplikuan për subvencionin e naftës, pengesë informaliteti i të vegjëlve

 

The post Kompensimi i naftës te Transporti Publik, Financat të gatshme për 3 muaj shtesë, pritet propozimi appeared first on Revista Monitor.

Jugu i vendit probleme me rrjetin celular; Ndërprerje e përkohshme nga punimet në rrugë

By: Ornela
24 August 2026 at 17:10

Shumë përdorues kanë raportuar sot se kanë pasur probleme me telefonanat përmes rrjetit celular gjatë ditës së sotme në jug të vendit, kryesisht në zonën nga Dhërmiu në Sarandë. Problematika është hasur për përdoruesit e rrjetit Vodafone.

Burime zyrtare nga Vodafone thanë se problematika është e lidhur me dëmtimet që janë bërë në rrjetin transmetues nga punimet në rrugë.

“Vodafone Albania njofton se më 24 gusht 2026, duke filluar nga ora 14:08, janë evidentuar ndërprerje të përkohshme të shërbimeve celulare dhe fikse në disa zona përgjatë bregdetit, nga Dhërmiu deri në Sarandë.

Sipas informacionit paraprak që disponojmë, ndërprerja është shkaktuar nga punime civile në rrugë, në linjën primare dhe atë backup të fibrës optike në segmentet Cukë–Gjirokastër dhe Radhimë–Orikum, që ofrohet nga ATU.

Ekipet teknike janë angazhuar menjëherë dhe po punojnë me prioritet maksimal bashkë me ofruesin përkatës të shërbimit dark fiber në rrugët kombëtare për rikthimin e plotë të shërbimeve sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundon njoftimi i Vodafone.

Operatori tjetër celular, One Albania, pohoi për “Monitor” se ata nuk kanë pasur ndërprerje të shërbimit.

The post Jugu i vendit probleme me rrjetin celular; Ndërprerje e përkohshme nga punimet në rrugë appeared first on Revista Monitor.

Kuvendi kërkoi publikimin e masave administrative, Bordi i AMF-së sërish nuk reagoi

By: Ornela
24 August 2026 at 10:00

Kuvendi i Shqipërisë, në rekomandimet për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për vitin 2026, kërkoi zyrtarisht përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies publike në vendimet e Bordit.

Në rezolutën e miratuar nga Kuvendi në muajin korrik, rekomandohet që ky institucion të publikojë aktet rregullatore të miratuara dhe ndryshimet përkatëse, si dhe vendimet për marrjen e masave administrative dhe korrigjuese, me evidentimin e votimit individual të anëtarëve të Bordit dhe të rasteve të përjashtimit nga vendimmarrja për shkak të konfliktit të interesit.

Sipas rekomandimeve, publikimi duhet të kryhet në përputhje me parimin e proporcionalitetit, duke garantuar mbrojtjen vetëm të atyre elementeve që përbëjnë informacion konfidencial sipas nenit 24 të ligjit nr. 9572/2006, nëpërmjet anonimizimit ose redaktimit të pjesshëm, pa cenuar publikimin e vetë aktit, bazës ligjore, arsyetimit dhe elementeve thelbësore të vendimmarrjes.

Megjithatë, një rekomandim i tillë nuk është zbatuar as në vijim të mbledhjes së radhës, të fundit të muajit korrik. Në listën e vendimeve, të publikuara gjatë muajit gusht, përsëri dy vendime, që lidhen përkatësisht me marrjen e masave ndaj një subjekti të mbikëqyrur dhe me refuzimin për rishikimin e një vendimi të mëparshëm për marrje masash, nuk janë publikuar.

Mospublikimi i një pjesë të madhe të vendimeve të Bordit të AMF-së ka qenë disa herë objekt debatesh dhe kritikash nga deputetët gjatë diskutimeve në Kuvend.

Praktika e AMF-së pothuajse në të gjitha rastet ka qenë që vendimet korrigjuese ose masat administrative ndaj subjekteve të mbikëqyrura të mos publikohen.

Megjithatë, në disa raste veçanta është bërë përjashtim nga ky rregull. Në vitin 2021, Bordi i AMF-së bëri publike disa masa korrigjuese ndaj shoqërive administruese të fondeve të pensionit. Ndërkohë, një praktikë e tillë nuk është ndjekur në asnjë rast ndaj shoqërive të sigurimit.

Aplikimi i një standardi të dyfishtë shkaktoi pakënaqësi te shoqëritë që ishin subjekt i këtyre masave.

Në fakt, publikimi ose jo i vendimeve është një çështje që varet nga gjykimi ose diskrecioni i vetë Bordit. Kjo e drejtë shfrytëzohet jo vetëm për të mos bërë publike masat ndaj subjekteve të mbikëqyrura, por edhe në rastin e vendimmarrjeve të tjera që nuk lidhet me këto marrëdhënie. Rezoluta e Kuvendit tenton të eliminojë subjektivizmin apo keqpërdorimin eventual të së drejtës për të mos i bërë publike vendimet.

Gjithashtu, në rezolutën e këtij viti Kuvendi kërkon nga AMF-ja kërkohet të konsolidojë mekanizmat e transparencës institucionale, duke forcuar funksionin e koordinatorit për të drejtën e informimit dhe duke garantuar publikimin e informacionit sipas standardeve të të dhënave të hapura dhe ripërdorimit të informacionit të sektorit publik.”

 

AMF mori më pak masa ndaj subjekteve të mbikëqyrura në vitin 2025

 

Masat administrative dhe korrektuese të AMF-së ndaj subjekteve të mbikëqyrura pësuan rënie vitin e kaluar. Sipas raportimit të këtij institucioni në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë vitit 2025, Bordi i Autoritetit ka marrë 13 vendime, si masa administrative e korrigjuese ndaj subjekteve të mbikëqyrura, të bazuara kryesisht në gjetjet e analizave financiare, inspektimeve në vend dhe rasteve të pezullimit të licencave për ushtrimin e veprimtarisë.

Numri i masave ndaj subjekteve të mbikëqyrura ka pësuar ulje për të dytin vit radhazi. Për vitin 2024, Bordi i AMF-së pati marrë 15 masa, ndërsa për vitin 2023 raportonte 28 masa administrative dhe korrigjuese.

Në tregun e sigurimeve gjatë vitit 2025 u morën nëntë vendime, përkatësisht, tetë vendime për marrje masash dhe urdhër për eliminimin e shkeljeve ndaj shoqërive të sigurimit dhe një vendim për heqje licence ndaj një vlerësuesi dëmesh.

Nga këto, gjashtë vendime përfshinë sanksione me gjobë në vlerën totale 7.4 milionë lekë, të cilat janë likuiduar. Vlera e gjobave të vendosura ndaj shoqërive të sigurimeve është rritur me 37% krahasuar me një vit më parë.

Sipas ligjit “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, AMF mund të vendosë ndaj shoqërive të sigurimit gjoba që mund të arrijnë deri në tre milionë lekë, në varësi të shkeljes së konstatuar. Subjekte të gjobave mund të jenë edhe administratorët e shoqërive të sigurimit, për shuma nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë, si edhe anëtarët e këshillit mbikëqyrës, në intervalin mes 300 mijë lekë dhe 500 mijë lekë. / E.Shehu

The post Kuvendi kërkoi publikimin e masave administrative, Bordi i AMF-së sërish nuk reagoi appeared first on Revista Monitor.

Gati 32% të shqiptarëve në pasiguri ushqimore, katër herë mbi mesataren europiane

By: Ornela
24 August 2026 at 06:11

Rreth 31.8% e shqiptarëve përballen me pasiguri ushqimore të moderuar ose të rëndë në periudhën 2023-2025, vlerëson FAO.

Ndonëse treguesi ka shënuar përmirësim të lehtë, ai mbetet shumë më i lartë në Europë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

Në harkun e një viti, treguesi është ulur me 1.2 pikë përqindjeje. Pavarësisht përmirësimit, niveli në Shqipëri është rreth 4.3 herë më i lartë se mesatarja europiane prej 7.4% dhe rreth 5.5 herë mbi mesataren e Europës Jugore, prej 5.8%.

Shqipëria paraqitet gjithashtu shumë më keq se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për periudhën 2023–2025, pasiguria ushqimore e moderuar ose e rëndë vlerësohet në 9.2% në Maqedoninë e Veriut, 9% në Malin e Zi, 8.7% në Bosnjë-Hercegovinë dhe 6.7% në Serbi.

Brenda grupit të përgjithshëm, 8.3% e popullsisë së Shqipërisë klasifikohet në pasiguri të rëndë ushqimore.

Pasiguria e rëndë lidhet me situata kur familjet mbeten pa ushqim, konsumojnë më pak sesa u nevojitet, përjetojnë uri ose kalojnë një ditë të plotë pa ngrënë për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera.

Treguesit për fëmijët kanë shënuar përmirësim. Përqindja e fëmijëve nën pesë vjeç me zhvillim të vonuar fizik ra nga 16.5% në vitin 2012 në 7.4% në vitin 2024. Edhe mbipesha te fëmijët u reduktua nga 20.9% në 16.7%.

Në kahun e kundërt ka lëvizur obeziteti te të rriturit. Në vitin 2024, ai prekte 24.1% të popullsisë mbi 18 vjeç, nga 17.8% në vitin 2012. Numri i të rriturve obezë vlerësohej në rreth 500 mijë.

Edhe anemia te gratë e moshës 15–49 vjeç është përkeqësuar, duke u rritur nga 20.1% në vitin 2012 në 24.7% në vitin 2023.

 

Dieta ditore e shqiptarëve, 70% më e shtrenjtë se në 2017-n dhe 30% mbi mesataren europiane

Në vitin 2025, kostoja minimale e një diete të shëndetshme në Shqipëri arriti në 5.16 dollarë ndërkombëtarë, sipas barazisë së fuqisë blerëse, për person në ditë.

Kostoja është rritur nga 3.04 dollarë në vitin 2017, duke u shtrenjtuar me rreth 70% deri vitin e kaluar, sipas raportit më të fundit “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes në Botë 2026”.

Dieta e shëndetshme në Shqipëri rezulton rreth 30% më e shtrenjtë se mesatarja europiane prej 3.97 dollarësh dhe 12% mbi mesataren e Europës Jugore prej 4.62 dollarësh. Sipas metodologjisë së FAO Vlera prej 5.16 dollarësh është kostoja minimale ditore e një diete të shëndetshme për një person në Shqipëri.

Ajo llogaritet duke zgjedhur ushqimet më të lira që sigurojnë energjinë dhe larminë e nevojshme ushqimore dhe tregon pragun minimal ekonomik për një ushqyerje të ekuilibruar.

Pavarësisht shtrenjtimit, përqindja e shqiptarëve që nuk mund ta përballojnë financiarisht një dietë të shëndetshme ka rënë ndjeshëm. Në vitin 2025, ajo vlerësohej në 11.9% të popullsisë./B.Hoxha

 

The post Gati 32% të shqiptarëve në pasiguri ushqimore, katër herë mbi mesataren europiane appeared first on Revista Monitor.

Francezët zbulojnë Pogradecin, çmimet e lira dhe ushqimi tradicional tërheqin turistët

By: Ornela
24 August 2026 at 06:02

Gjergji prej vitesh në qytetin e Pogradecit drejton një biznes të vogël për dhënien me qira të varkave për turistët buzë liqenit.

Ai thotë se për këtë vit klientët kryesore që marrin varka me qira për vozitje në liqen janë shtetas të huaj, kryesuar nga francezët, amerikanët dhe italianët. Ndërsa numri i turistëve vendas sipas tij është në rënie, krahasuar me vjet.

Vendasit kryesohen nga turistët nga Maliqi, Përrenjasi dhe Korça.

Tendenca e frekuentimit në rritje nga shtetasit e huaj, veçanërisht nga Franca pohohet edhe nga drejtues të strukturave të akomodimit, bareve dhe restoranteve.

Por numri i turistëve francezë këtë vit nuk ka qenë në rritje vetëm për qytetet juglindore, por në tërësi për të gjithë vendin.

Sipas të dhënave të marra nga Monitor nga AirDNA (platforma analitike që jep të dhënat për rezervimet në AirBnb, pjesërisht edhe për Booking dhe Expedia) rreth 17.7% të net-qëndrimeve te qiratë afatshkurta deri në qershor 2026 janë rezervuar nga vizitorët francezë, duke e pozicionuar Francën në vendin e parë me rritjen më të lartë vjetore të turistëve të huaj.

Francezët zgjerojnë epërsinë në Airbnb-të shqiptare, gjermanët të dytët por pesha e tyre në rënie

Po pse është rritur numri i turistëve francezë në Shqipëri?

Shtetasja franceze Ofelia Pamla, duke folur për “Monitor”

Për turistët francezë, natyra, siguria, ushqimi tradicional dhe kostot më të ulëta janë ndër arsyet që po e bëjnë Shqipërinë një destinacion gjithnjë e më tërheqës.

Në fshatin turistik Tushemisht të Pogradecit, Monitor bisedoi me shtetasen franceze Ofelia Pamla, e cila kishte zgjedhur të kalonte pushimet 2 jave në Juglindjen e Shqipërisë.

27 vjeçarja nga Franca me profesion mësuese për arsimin fillor pohoi se fillimisht për Shqipërinë kishte dëgjuar nga koleget e saj shqiptare.

“Opinioni për Shqipërinë nuk ka qenë i mirë për shumë shtetas nga Franca, të cilët mendojnë se vendi ka shumë pasiguri për turistët. Edhe për mua këto opinione fillimisht shkaktuan stepje nëse do ta vizitoja Shqipërinë.

Por ishte mikesha dhe kolegia ime shqiptare që prej 15 vitesh jeton në Francë që më bindi ta vizitoja vendin tuaj. Tashmë kam vendosur të qëndroj 2 javë me pushime në juglindje, përfshirë qytetet Pogradec, Korçë dhe Përmet.

Nga qëndrimi im në këto qytete jam suprizuar nga natyra e bukur dhe ushqimi tradicional, por edhe siguria. Më pëlqen shumë të konsumoj byrekun në saç dhe petullat e fshira, ushqim tradicional i zonës.

Veçanërisht byreku në saç është shumë i veçantë si ushqim. Në total kam parashikuar të shpenzoj një buxhet prej 2 mijë euro në Shqipëri, të njëjtin buxhet që do të shpenzoja edhe nëse do të pushoja në Francë.

Por kuptohet atje do të pushoja më pak ditë, pasi çmimet më të lira këtu te ju të mundësojnë qëndrim më afatgjatë për pushime”, pohon ajo.

Po ashtu sipas të dhënave të AirDNA deri në muajin qershor 2026, Gjermania mbeti tregu i dytë, por pesha e saj zbriti në 13.39%, nga 13.7% në periudhën e mëparshme.

Menjëherë pas saj renditen Shtetet e Bashkuara, që siguruan 12.99% të netëve të qëndrimit, nga 11.7% një vit më parë./ D.Azo

The post Francezët zbulojnë Pogradecin, çmimet e lira dhe ushqimi tradicional tërheqin turistët appeared first on Revista Monitor.

Turizmi nuk është “industri të fortësh”, as nuk bëhet vetëm duke numëruar të huajt që hyjnë në vend

By: Ornela
24 August 2026 at 06:00

EDITORIAL  MONITOR – Shqipëria po përjeton prej disa vitesh një rritje shumë të fortë të turizmit. Nga rreth 6.4 milionë hyrje të shtetasve të huaj në vitin 2019, sot vendi pret mbi 12 milionë. Ky ndryshim nuk ka ardhur rastësisht.

Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm imazhin e saj, është promovuar më shumë jashtë vendit, ka përfituar nga bukuritë natyrore, bregdeti, malet, kultura, por edhe nga perceptimi si një destinacion më i lirë se shumë vende të tjera europiane.

Rritja ka sjellë efekte të dukshme në ekonomi. Ka shtuar kërkesën për akomodim, restorante, transport, tregti dhe shërbime.

Ka nxitur investime dhe ka hapur vende pune. Por 12 milionë hyrje nuk janë vetëm një shifër për t’u festuar. Janë edhe 12 milionë njerëz që duhet të lëvizin, të ushqehen, të akomodohen, të marrin shërbime dhe, kur është e nevojshme, të kenë akses në polici, urgjencë mjekësore dhe struktura shpëtimi.

Pikërisht këtu fillon përgjegjësia e shtetit. Vera e këtij viti solli një sërë ngjarjesh që e rikthyen në vëmendje sigurinë e turistëve në Shqipëri dhe që zbuluan dobësi të ndryshme, jo një të vetme: nga mungesa e kontrollit të standardeve të sigurisë (zjarri në një hotel në Vlorë), te pasiguria e mjeteve lundruese (përplasjet mes varkave në Koman, apo humbja e jetës së një 25 vjeçari), siguria e transportit tokësor (djegia e një autobusi me turistë në Berat), dhe dobësia e rendit publik (konfliktet me pushues të huaj në Velipojë).

Një tjetër mangësi është ndihma e shpejtë dhe rojet e plazhit, që gjithmonë nuk merren seriozisht. Në disa raste, pasojat shkuan deri te humbja e jetës së një turisti të huaj – kujtese se kur sistemi dështon në një zonë turistike, çmimi nuk paguhet në statistika, por në jetë njerëzish.

Në një vend që pret miliona vizitorë, incidentet nuk mund të zhduken plotësisht. Asnjë destinacion turistik nuk është imun ndaj aksidenteve, konflikteve apo fatkeqësive. Pyetja nuk është nëse do të ketë incidente. Pyetja është sa është përgatitur sistemi për t’i parandaluar ato dhe, kur ndodhin, për t’iu përgjigjur.

Në rastin e zjarrit në hotelin në Vlorë u ngritën pikëpyetje serioze mbi respektimin e standardeve të mbrojtjes nga zjarri. Në shumë zona rojet bregdetare apo vrojtuesit mungojnë.

Mjetet motorike lundruese vazhdojnë të lëvizin pranë pushuesve, megjithëse rreziku që krijojnë është evident dhe po vijojnë të shënohen raste fatale.

Turizmi nuk mund të trajtohet si një “industri të fortësh”, ku secili vepron sipas mundësive dhe rregullave të veta dhe ku shteti shfaqet kryesisht për të numëruar vizitorët në fund të muajit.

Kur një vend vendos ta kthejë turizmin në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë, duhet të zhvillojë paralelisht edhe të gjithë infrastrukturën që e mban atë në këmbë: kontrollin e standardeve të hoteleve, sigurinë ushqimore, rendin publik, urgjencën mjekësore, shpëtimin në det dhe në mal, kontrollin e mjeteve lundruese, sinjalistikën, transportin dhe rrugët.

Deri tani, debati publik shpesh reduktohet te numri i turistëve. Qeveria u mburr para pak kohësh se ishte ndër vendet e para në botë, ku turistët e kalonin me disa herë popullsinë. Kur shifrat rriten, institucionet nxitojnë të marrin meritën dhe të gjejnë arsyet e suksesit, qoftë edhe duke ia atribuar një pjese të rritjes një koncerti apo një aktiviteti të caktuar.

Kur shifrat bien, siç ndodhi në qershor, kërkohen shpejt faktorë të jashtëm apo fajtorë, si protestuesit. Por detyra e qeverisë nuk është vetëm të numërojë turistët. Detyra kryesore është të krijojë kushtet që, pasi kanë ardhur, ata të jenë të sigurt dhe të marrin shërbimin që presin.

Përgjegjësia nuk është vetëm e qeverisë. Edhe bizneset duhet të kuptojnë se në turizëm klienti është në qendër të aktivitetit. Në Shqipëri, ku ende bizneset i bëjnë të fortët, haset shpesh një kulturë shërbimi ku klienti trajtohet sikur biznesi po i bën një nder, edhe pse është ai që po paguan.

Ky mentalitet është veçanërisht i rrezikshëm në turizëm. Turisti nuk blen vetëm një dhomë hoteli apo një vakt. Ai blen një përvojë. Dhe një eksperiencë e keqe nuk mbetet më mes tij dhe biznesit ku ndodhi.

Brenda pak minutash mund të publikohet në Google, Booking, TripAdvisor, TikTok apo media ndërkombëtare dhe të shihet nga qindra mijë njerëz.

Për të krijuar një imazh pozitiv duhen vite. Shqipërisë i janë dashur të paktën pesë vite që të ndryshojë perceptimin e një pjese të madhe të turistëve të huaj dhe të hyjë në hartën e destinacioneve të reja europiane dhe të sigurta.

Por një imazh i ndërtuar për pesë vite mund të dëmtohet brenda pesë orësh. Rasti i një turisteje australiane që nuk mori shërbim të shpejtë nga urgjenca pasi e kafshoi gjarpri u trajtua me hollësi në mediat australiane. Vrasja e një turistë portugez po ashtu. Ky është rreziku më i madh për një destinacion që është ende duke ndërtuar emrin e tij.

Prandaj, nuk duhet të presim zjarrin tjetër që të kontrollojmë standardet e hoteleve, aksidentin tjetër që të kujtohemi për sigurinë në plazhe, apo incidentin tjetër me skafe që të zbatojmë rregullat për mjetet lundruese.

Nëse turizmi do të jetë vërtet një industri strategjike, menaxhimi i tij duhet të ecë po aq shpejt sa numri i turistëve.

The post Turizmi nuk është “industri të fortësh”, as nuk bëhet vetëm duke numëruar të huajt që hyjnë në vend appeared first on Revista Monitor.

Plakja e popullsisë nuk do të thotë domosdoshmërisht ekonomi më e dobët

By: Ornela
21 August 2026 at 14:45

Nga Andrew J. Scott, Project Syndicate

 

Tranzicioni demografik global, i karakterizuar nga ulja e shkallës së lindjeve dhe rritja e pritshmërisë së jetës, ka qenë një nga transformimet më me pasoja të shekullit të kaluar, me plakjen e popullsisë që ushqen një rrjedhë të vazhdueshme parashikimesh të zymta ekonomike. Nëse ekonomistët akademikë, organizatat ndërkombëtare dhe qeveritë kombëtare bien dakord për vetëm një gjë, është se një shoqëri në plakje çon pashmangshmërisht në sklerozë ekonomike.

Megjithatë, përvoja e 70 viteve të fundit ofron shumë pak mbështetje për këtë këndvështrim pesimist. Gjatë kësaj periudhe, rënia e lindshmërisë nuk e ka ngadalësuar rritjen e përgjithshme të PBB-së. Popullsia mund të jetë plakur dhe ritmet e shtimit të saj të jenë ngadalësuar, por ekonomitë nuk kanë ndjekur domosdoshmërisht të njëjtën trajektore.

Batuta e famshme e legjendës së bejsbollit Lawrence “Yogi” Berra — “Është e vështirë të bësh parashikime, sidomos për të ardhmen” — ia vlen të mbahet parasysh sa herë që shqyrtohen parashikime ekonomike afatgjata.

Për shembull, parashikimi i ndikimit të inteligjencës artificiale në rritjen ekonomike apo në borxhin publik shoqërohet me shumë pasiguri, duke qenë se kjo teknologji është shfaqur relativisht vonë dhe po evoluon me ritme shumë të shpejta.

Me ndryshimet demografike, situata është tjetër, sepse kemi një bazë të pasur të dhënash historike që na ndihmon të vlerësojmë pasojat e tyre ekonomike.

Në një studim të fundit me ekonomistin fitues të çmimit Nobel Daron Acemoglu dhe kolegët e tij në MIT, David Autor dhe Keelan Beirne, kemi analizuar dekada të tëra të dhënash mbi ndryshimet demografike në vende dhe rajone të ndryshme, për të kuptuar se si ndryshimet në normat e lindshmërisë dhe në strukturën e moshës së popullsisë ndikojnë në ecurinë ekonomike.

Rezultatet janë domethënëse. Në vende të ndryshme dhe në zonat e punësimit në SHBA, territoret me norma më të ulëta lindshmërie kanë shënuar rritje më të shpejtë të PBB-së për frymë ose të të ardhurave për person, ndërsa rritja e përgjithshme e PBB-së dhe e të ardhurave totale ka mbetur kryesisht e pandryshuar.

Ekonomitë duket se reagojnë në mënyrë sistematike ndaj rënies së lindshmërisë dhe rritjes së raportit mes punëtorëve më të moshuar dhe atyre më të rinj: rritet produktiviteti dhe investimi në kapital, ndërsa aktiviteti zhvendoset nga sektorët që mbështeten shumë te fuqia punëtore drejt eksporteve me teknologji të lartë.

Në themel të këtyre tendencave qëndron një ndryshim në drejtimin e inovacionit dhe patentave, drejt teknologjive që kursejnë punë, përfshirë automatizimin dhe teknologjitë e informacionit dhe komunikimit. Me fjalë të tjera, ndërsa tranzicioni demografik sjell më pak punonjës dhe një rritje më të ngadaltë të popullsisë, përparimi teknologjik rrit produktivitetin e atyre që mbeten në tregun e punës, duke kompensuar tkurrjen e fuqisë punëtore dhe duke mbështetur rritjen e PBB-së.

Reagimi teknologjik ndaj rënies së lindshmërisë është i ndryshëm nga historia e njohur e të ashtuquajturit dividend demografik.

Sipas qasjes tradicionale, në fazat e para të tranzicionit demografik, vendet përfitojnë nga fakti se kanë më pak fëmijë, ndërsa pesha e të moshuarve mbetet ende relativisht e ulët. Kjo rrit peshën e popullsisë në moshë pune dhe nxit rritjen ekonomike. Lindshmëria më e ulët mund ta përforcojë më tej këtë efekt, duke nxitur më shumë gra të hyjnë në tregun e punës dhe duke rritur investimet në arsim për çdo fëmijë.

Por ky përfitim është i përkohshëm. Nëse lindshmëria mbetet e ulët dhe jetëgjatësia rritet, pesha e të moshuarve në popullsi shtohet gradualisht, duke rritur edhe barrën ekonomike që zakonisht shoqërohet me plakjen e popullsisë.

Mekanizmi që identifikojmë ne tregon në një drejtim tjetër. Mungesa e fuqisë punëtore, sipas gjetjeve tona, mund të nxisë ndryshimin teknologjik dhe të gjenerojë rritje të produktivitetit që vazhdojnë edhe shumë kohë pasi efekti fillestar i dividendit demografik është shuar.

Kina duket se është një shembull i qartë. Vendi po kalon një nga tranzicionet demografike më të shpejta dhe më të thella në histori, ndërsa popullsia në moshë pune, 15–64 vjeç, parashikohet të bjerë nga një kulm prej rreth 1 miliard personash në afërsisht 300 milionë deri në vitin 2100.

Është e vështirë të mos shihet një lidhje mes kësaj tendence dhe përqafimit të jashtëzakonshëm të robotikës nga Kina. Numri i robotëve industrialë në vend u dyfishua mes viteve 2021 dhe 2024 dhe sot përbën rreth gjysmën e totalit botëror.

Sigurisht, ka arsye të forta për të pyetur nëse e kaluara mund të shërbejë plotësisht si udhërrëfyes për të ardhmen. Disa vende, përfshirë Kinën, përballen me ndryshime demografike shumë më të shpejta dhe më të thella se çdo gjë që kemi parë gjatë 70 viteve të fundit. Përshtatja teknologjike mund të zbusë një pjesë të madhe të presionit ekonomik që krijon kjo situatë, por ndoshta jo të gjithë.

Megjithatë, të shpërfillësh përvojën e 70 viteve të fundit kur parashikon 70 vitet e ardhshme do të thotë të rrezikosh që intuita të zëvendësojë analizën.

Shpesh, pesimizmi për plakjen e popullsisë duket se ushqehet po aq nga ajo që na sugjeron vetë fjala “plakje”, sa edhe nga analiza e ftohtë ekonomike. Është sikur ekonomia të ishte e destinuar të plakej bashkë me popullsinë, duke kaluar nga energjia e rinisë drejt dobësisë së moshës së tretë dhe, në fund, drejt rënies së pashmangshme.

Është e vërtetë se po hyjmë në një territor demografik të panjohur. Për shembull, pesha e amerikanëve mbi 65 vjeç parashikohet të rritet nga 17% në 29% gjatë 75 viteve të ardhshme.

Por kjo peshë u rrit më shumë se dyfish, nga 8% në 17%, gjatë 75 viteve të mëparshme, pa ngadalësuar rritjen ekonomike. Atëherë, pse duhet të supozojmë automatikisht se këtë herë do të jetë ndryshe?

Qoftë përmes teknologjisë që reagon ndaj mungesës së fuqisë punëtore, institucioneve që përshtaten me rritjen e jetëgjatësisë apo investimeve më të mëdha në kapital njerëzor, ekonomitë kanë treguar vazhdimisht se janë në gjendje të përshtaten me ndryshimet demografike.

Kjo aftësi për t’u përshtatur ka të ngjarë të luajë një rol shumë më të madh në formësimin e së ardhmes sonë ekonomike sesa supozimi i vjetruar se një shoqëri që plaket duhet domosdoshmërisht të prodhojë edhe një ekonomi që plaket.

 

Andrew J. Scott është profesor i Ekonomisë në London Business School dhe shkencëtar kryesor për ekonominë në Ellison Institute of Technology.

 

Copyright: Project Syndicate, 2026.www.project-syndicate.org

The post Plakja e popullsisë nuk do të thotë domosdoshmërisht ekonomi më e dobët appeared first on Revista Monitor.

Reformat në energji, ministri Karakaçi: Mundësuan disbursimin e 61 mln eurove fonde nga BE

By: Ornela
21 August 2026 at 14:11

Shqipërisë i hapet rruga për disbursimin e 61 mln eurove fonde nga Bashkimi Europian, pas përmbushjes së një sërë reformash në sektorin e energjisë deri më 30 qershor 2026.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi deklaroi për mediat se masat e realizuara në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të BE-së kanë sjellë edhe rezultate konkrete në sektor.

Ndër arritjet kryesore ai veçoi instalimin e mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme, miratimin e ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike dhe masat për uljen e varfërisë energjetike.

“Gjatë kësaj periudhe kemi përmbushur një sërë masash kyçe, duke modernizuar kuadrin ligjor dhe duke e afruar Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian.

Kemi ngritur sistemin e garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, i cili u ofron konsumatorëve më shumë transparencë mbi burimin e energjisë që përdor.

Gjithashtu, kemi miratuar rregulla të reja për etiketimin e produkteve me ndikim në konsumin e energjisë, duke i ndihmuar qytetarët të bëjnë zgjedhje më të informuara dhe më efiçente, në përputhje me të gjitha standardet e Bashkimit Evropian.

Një nga hapat më të rëndësishëm ishte miratimi i Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike. Ky ligj forcon funksionimin e tregut të energjisë, rrit sigurinë e furnizimit dhe e afron vendin tonë me tregun evropian të energjisë.

Po ashtu, kemi harmonizuar legjislacionin për biokarburantet, kemi thjeshtuar procedurat për investimet në energjinë e rinovueshme dhe kemi avancuar zbatimin e paketës së integrimit të tregut të energjisë me Bashkimin Evropian.

Një tjetër arritje e rëndësishme është miratimi i Planit Kombëtar për adresimin e varfërisë energjetike, si dhe i kuadrit ligjor për komunitetet e energjisë, një masë e shumëpritur nga të gjithë vetëprodhuesit e energjisë. Këto masa krijojnë më shumë mundësi për qytetarët, bizneset dhe pushtetin vendor që të jenë pjesë aktive e tranzicionit energjetik.

Po aq domethënës është edhe fakti që ne kishim detyrim për të instaluar 600 mega kapacitete deri më datë 30 qershor 2026, kapacitete të energjisë së rinovueshme. Është fakt që tashmë ky kapacitet është instaluar dhe në Shqipëri kemi mbi 600 mega kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Kjo dëshmon qartë se reformat po shoqërohen me investime konkrete dhe rezultate të prekshme”.

Sipas ministrit Karakaçi, fondet do të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian. Ministri tha se puna do të vijojë për përmbushjen e reformave të mbetura dhe modernizimin e mëtejshëm të sektorit energjetik.

“Miratimi i këtyre masave deri më 30 qershor 2026 i hap rrugën disbursimit të 61 milionë eurove në Buxhetin e Shtetit, në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian. Këto fonde do të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian”, pohoi ai.

 

The post Reformat në energji, ministri Karakaçi: Mundësuan disbursimin e 61 mln eurove fonde nga BE appeared first on Revista Monitor.

Kursi i Euros e mbyll javën në rënie dhe me një minimum të ri pranë 92.5 lekëve

By: Ornela
21 August 2026 at 13:15

Kursi i këmbimit Euro-Lek e ka mbyllur edhe këtë javë në rënie, duke shënuar një rekord të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të premten me 92.53 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Rënia e kësaj jave e thellon tendencën e zhvlerësimit të Euros gjatë këtij viti. Që nga fillimi i vitit kalendarik, kursi Euro/Lek ka rënë me 4.4%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia e kursit ka arritur në 4.8%. Këto të dhëna tregojnë se rënia e kursit të Euros është shpëejtuar sidomos gjatë muajve të deritanishëm të këtij viti.

Rënia nisi që në tremujorin e parë, me një tendencë të pazakontë në raport me ecurinë historike të kursit në të këtë periudhë dhe u thellua me ritme më të shpejta gjatë sezonit veror, çka ishte pak a shumë e pritshme dhe në linjë me trajektoren sezonale.

Agjentët e këmbimit vlerësojnë se oferta e valutës në treg është e lartë dhe mund të hipotizohet se kjo i detyrohet kryesisht prurjeve nga turistët.

Në mungesë të statistikave për ecurinë aktuale, referenca në të dhënat e pjesës së parë të vitit në përgjithësi tregojnë një ofertë të lartë për valutë dhe rritje të këmbimeve valutore në tregun e brendshëm.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se vëllimi i tregtimit valutor në tregun e brendshëm arriti një rekord të ri historik në tremujorin e dytë të vitit. Vlera e këmbimeve valutore arriti në gati 4.5 miliardë euro, në rritje me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Volumi i këmbimeve valutore madje kaloi edhe vlerat e regjistruar në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Gjithashtu, statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe rrjedhimisht edhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut ngelet e lidhur ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave.

Sipas saj, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmoi lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë.

Burimi: BSH

 

 

 

The post Kursi i Euros e mbyll javën në rënie dhe me një minimum të ri pranë 92.5 lekëve appeared first on Revista Monitor.

Çmimet e gazit në Europë arrijnë nivelin më të lartë që nga marsi, situata mund të përkeqësohet

By: Ornela
21 August 2026 at 13:00

Çmimet e gazit në Europë janë rritur me 130% gjatë vitit 2026, ndërsa rezervat e ulëta dhe rreziqet në furnizim e bëjnë kontinentin të cenueshëm përballë një dimri të kushtueshëm.

Kontratat e së ardhmes për gazin në tregun holandez TTF, treguesi kryesor i çmimeve të gazit në Europë, u rritën të enjten mbi 65 euro për megavat-orë, niveli më i lartë që nga marsi. Kjo e çon rritjen e çmimeve në më shumë se 130% që nga fillimi i vitit.

Rritja po ndodh në mesin e një tjetër vale të nxehti në Europë dhe temperaturat e larta janë një nga arsyet pse dimri i ardhshëm pritet të jetë i kushtueshëm.

Temperaturat rekord po rrisin kërkesën për energji elektrike, ndërsa thatësira dhe nxehtësia po kufizojnë prodhimin hidroenergjetik dhe atë bërthamor. Si rezultat, centralet me gaz po përdoren më shumë për të mbuluar mungesën, pikërisht në një periudhë kur Europa duhet të rrisë rezervat e gazit për dimër.

Çmimet mbeten ende shumë poshtë kulmit prej rreth 350 euro/MWh të arritur gjatë krizës energjetike të vitit 2022, të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës. Megjithatë, Europa po i afrohet dimrit me rezerva të ulëta dhe me pak hapësirë për të përballuar një tjetër goditje në furnizim.

 

Pse po rriten sërish çmimet e gazit në Europë

Rritja e çmimeve është përshpejtuar pikërisht në një moment të pafavorshëm.

Europa zakonisht shfrytëzon muajt e verës për të rimbushur rezervat e gazit, përpara se familjet të fillojnë t’i përdorin ato për ngrohje gjatë dimrit.

Këtë vit, rimbushja e rezervave është përplasur me një seri problemesh.

Ngushtica e Hormuzit mbetet praktikisht e mbyllur, Norvegjia ka zgjatur ndërprerjet në disa fusha të prodhimit të gazit, ndërsa thatësira ka reduktuar prodhimin e energjisë hidroelektrike dhe bërthamore.

Ndërkohë, centralet me gaz po plotësojnë një pjesë të këtij hendeku, pasi kërkesa për energji elektrike është rritur gjatë valës së të nxehtit. Kjo po rrit kërkesën për të njëjtin burim energjie që Europa duhet ta ruajë për dimër.

Rezultati është një treg me shumë pak hapësirë sigurie.

“Janë materializuar disa rreziqe negative nga ana e ofertës dhe nivelet e rezervave të gazit janë historikisht të ulëta përpara sezonit të ngrohjes”, tha Daniel Kral, ekonomist në Oxford Economics.

Oxford Economics pret të rishikojë në rritje parashikimin për çmimet e gazit në Europë në shtator, potencialisht drejt një mesatareje afër 60 euro/MWh gjatë tremujorit të katërt të vitit 2026 dhe tremujorit të parë të vitit 2027.

 

Europa është më e qëndrueshme, por jo e mbrojtur nga moti

 

Europa e ka ulur konsumin e gazit me rreth 15–20% krahasuar me vitin 2021. Industria ka reduktuar përdorimin e gazit, energjia e rinovueshme është zgjeruar dhe pompat e nxehtësisë kanë zëvendësuar një pjesë të ngrohjes me gaz.

Edhe furnizimi global me gaz natyror të lëngshëm, LNG, është rritur. Europa ka më shumë terminale importi dhe mund të tërheqë ngarkesa shtesë kur çmimet rriten. Kjo e bën një mungesë fizike të gazit shumë më pak të mundshme sesa gjatë krizës së viteve 2021–2022.

Megjithatë, konsumi më i ulët nuk e eliminon dobësinë kryesore të Europës.

Sipas Oxford Economics, lidhja mes temperaturave dhe kërkesës për gaz mbetet pothuajse e drejtpërdrejtë. Dimrin e kaluar, kur temperaturat ranë përkohësisht nën mesataren afatgjatë, kursimet e gazit në Europë krahasuar me nivelet para vitit 2021 u ngushtuan në vetëm 5–10%.

Europa e ka ulur nevojën normale për gaz, por nuk e ka eliminuar varësinë prej tij kur dimri është jashtëzakonisht i ftohtë.

Pikërisht për këtë arsye rezervat janë kaq të rëndësishme.

Rezervat janë amortizatori mes një dimri normal dhe një goditjeje në furnizim. Kur nivelet janë të larta, tregtarët mund të përballojnë një valë të ftohti pa garuar agresivisht për ngarkesa të reja. Kur rezervat janë të ulëta, çdo javë më e ftohtë se parashikimet kthehet në një garë për furnizim.

 

Shifra që kanë më shumë rëndësi

Rezervat europiane të gazit ishin vetëm rreth 57% të mbushura në fillim të gushtit.

Të dhënat e Gas Infrastructure Europe treguan se niveli ishte 57.1% më 1 gusht, niveli më i ulët për këtë periudhë të vitit në serinë historike.

Rregullat e BE-së vijojnë të synojnë një nivel rezervash prej 90%, megjithëse vendet tashmë kanë më shumë fleksibilitet për afatin kur duhet ta arrijnë këtë objektiv. Niveli mund të përmbushet në periudhën nga 1 tetori deri më 1 dhjetor, ndërsa kushtet e vështira të tregut lejojnë edhe më shumë fleksibilitet.

Brukseli u ka kërkuar gjithashtu vendeve të shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të këtij fleksibiliteti për ta ulur objektivin në 80%, kur kushtet e tregut e bëjnë më të vështirë mbushjen e rezervave.

Rezervat janë “depoja e ushqimit” energjetik të Europës për dimrin.

Gazi mund të kthehet në problem edhe për BQE-në

Në këtë pikë, rritja e çmimeve të gazit nuk është më vetëm një çështje energjetike.

Ajo shndërrohet në një problem inflacioni dhe më pas edhe në një çështje për Bankën Qendrore Europiane (BQE).

 

Çmimet me shumicë të gazit lëvizin më shpejt sesa faturat e familjeve, sepse kompanitë e energjisë shpesh i sigurojnë blerjet disa muaj më parë. Oxford Economics vlerëson se ndikimi maksimal i çmimeve me shumicë te konsumatori zakonisht ndihet rreth gjashtë muaj pas rritjes fillestare.

Por kjo mbrojtje dobësohet nëse çmimet mbeten të larta. Me skadimin e kontratave dhe rinovimin e tyre, çmimet me pakicë fillojnë gradualisht t’u afrohen niveleve të tregut me shumicë.

Ndikimi ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin.

Në Gjermani dhe Austri, kontratat me çmim fiks priren të jenë më afatgjata, duke e ngadalësuar transmetimin e rritjes. Në Francë, Itali dhe Spanjë, reagimi është më i shpejtë. Në Holandë, ndikimi te konsumatorët është pothuajse i menjëhershëm.

Italia është ndryshe, sepse kombinon transmetimin relativisht të shpejtë të çmimeve me një varësi të lartë nga gazi. Për këtë arsye, Oxford Economics e konsideron Italinë ekonominë e madhe europiane më të ekspozuar ndaj një goditjeje të çmimeve të gazit.

Kjo e bën rritjen e gazit jo vetëm një çështje të tregjeve të energjisë, por potencialisht edhe një çështje të politikës monetare.

Oxford Economics vlerëson se inflacioni i përgjithshëm në Eurozonë mund të jetë pranë 3.5% në gjysmën e dytë të vitit 2026, bazuar në çmimet aktuale të gazit me shumicë, krahasuar me pak mbi 3% në skenarin e tij bazë.

BQE-ja i ka rritur tashmë normat e interesit si përgjigje ndaj një goditjeje inflacioniste të nxitur nga energjia.

Tregjet presin gjerësisht edhe një tjetër rritje prej 0.25 pikë përqindje në shtator.

Projeksionet e vetë BQE-së të publikuara në qershor tregonin se inflacioni do të mbetej i lartë për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, duke arritur rreth 3.4% në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2026.

Një dimër më i ftohtë mund të krijojë kështu një kombinim të pakëndshëm për ekonominë europiane: rënie të fuqisë blerëse të familjeve dhe norma më të larta interesi./ Euronews

The post Çmimet e gazit në Europë arrijnë nivelin më të lartë që nga marsi, situata mund të përkeqësohet appeared first on Revista Monitor.

Ari dhe argjendi shënojnë rritje të fortë në gusht, ndërsa borxhi i SHBA-së shqetëson tregjet

By: Ornela
21 August 2026 at 11:41

Ari dhe argjendi janë rritur ndjeshëm gjatë gushtit, të mbështetur nga dobësimi i dollarit, rritja e borxhit publik amerikan dhe zbehja e pritshmërive për një tjetër rritje të normave të interesit nga Rezerva Federale, ndërsa investitorët janë rikthyer te asetet e sigurta.

Metalet e çmuara janë kthyer në një nga investimet me ecurinë më të mirë të muajit, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve të pësuara më herët gjatë vitit. Rritja e argjendit ka qenë edhe më e fortë se ajo e arit.

Ari arriti një nivel rekord prej 5,598 dollarësh për ons më 28 janar, përpara se të pësonte një rënie të fortë gjatë vitit, duke zbritur në rreth 3,942 dollarë në fund të qershorit, ose rreth 30% më poshtë se kulmi.

Që prej atij niveli minimal, çmimi është rimëkëmbur, me pjesën më të madhe të rritjes të përqendruar në gusht. Në momentin e publikimit, ari tregtohej rreth 4,466 dollarë për ons. Çmimi është rritur me 11% vetëm gjatë gushtit dhe me 3.6% që nga fillimi i vitit.

Rritja e argjendit ka qenë edhe më e fortë.

Argjendi arriti një rekord historik prej 121.65 dollarësh për ons më 29 janar, përpara se të binte në rreth 54.7 dollarë në mes të korrikut, duke humbur rreth 55% nga niveli maksimal.

Që atëherë çmimi është rritur me rreth 20%, me pjesën më të madhe të rimëkëmbjes gjatë gushtit, dhe aktualisht tregtohet rreth 66 dollarë për ons. Argjendi është rritur me 16.5% këtë muaj, megjithëse vazhdon të jetë më shumë se 7% në rënie që nga fillimi i vitit.

Rritja e fundit e metaleve të çmuara u përshpejtua këtë javë, pasi Thesari amerikan dyfishoi madhësinë e riblerjeve të obligacioneve me maturim 10 deri në 30 vjet, në të paktën 4 miliardë dollarë për çdo operacion, duke filluar nga 9 shtatori, në përpjekje për të qetësuar tregun e tensionuar të obligacioneve.

Njoftimi erdhi vetëm pak orë përpara publikimit të të dhënave që konfirmuan se borxhi kombëtar i SHBA-së kishte kaluar për herë të parë 40 trilionë dollarë, rreth dy vjet më herët sesa parashikonte Zyra e Buxhetit e Kongresit Amerikan.

Norma e interesit e obligacioneve 30-vjeçare të Thesarit kishte arritur nivelin më të lartë që nga viti 2007, përpara se të binte pas lajmit për riblerjet. Dollari gjithashtu ra ndjeshëm, duke rikthyer në vëmendje të ashtuquajturin “debasement trade”, pra strategjinë e investimit që mbështetet te ideja se rritja e vazhdueshme e borxhit publik dobëson në kohë besimin te monedha.

Të dhënat e dobëta për punësimin dhe shitjet me pakicë në SHBA, së bashku me shifrat më të moderuara të inflacionit, i shtynë investitorët të ulin pritshmëritë për një rritje të normave të interesit në shtator.

Sipas të dhënave të CME FedWatch, probabiliteti i një rritjeje të normave në shtator ra nga mbi 50% në rreth një në tre./ Euronews

The post Ari dhe argjendi shënojnë rritje të fortë në gusht, ndërsa borxhi i SHBA-së shqetëson tregjet appeared first on Revista Monitor.

Mali i Zi ul sërish akcizën për naftën

By: Ornela
21 August 2026 at 11:28

Qeveria e Malit të Zi ka ulur sërish përkohësisht akcizën për karburantin diesel, me synimin për të frenuar rritjen e çmimeve me pakicë, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të ndikojnë zinxhirët globalë të furnizimit me naftë.

Nga 18 gushti, akciza për diesel-in ulet në 0.396 euro për litër, nga norma e zakonshme prej 0.440 euro për litër, bëri të ditur qeveria. Masa do të jetë në fuqi deri më 31 gusht.

Ministria e Energjisë njoftoi se, pavarësisht ndërhyrjes së qeverisë, çmimi me pakicë i diesel-it do të rritet me 0.06 euro, duke arritur në 1.88 euro për litër. Ndërkohë, çmimi i benzinës Eurosuper 98 do të rritet me 0.07 euro, në 1.80 euro për litër.

Këto çmime do të jenë në fuqi për periudhën 18–24 gusht. Për javën që nis më 25 gusht, çmimet do të përcaktohen mbi bazën e kuotimeve në bursat e mallrave për një periudhë shtatëditore dhe kursit të këmbimit dollar amerikan/euro.

Akciza e zakonshme për benzinën në Malin e Zi është 0.549 euro për litër.

Qeveria malazeze e uli për herë të parë përkohësisht akcizën e karburanteve në fund të marsit, për të zbutur efektin e rritjes së fortë të kostove globale të naftës pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit.

Në atë kohë, akciza për Eurodiesel u përgjysmua në 0.22 euro për litër, ndërsa akciza për benzinat Eurosuper 98 dhe Eurosuper 95 u ul me 25%, në 0.41 euro për litër.

Që prej atëherë, qeveria i ka rishikuar disa herë akcizat për diesel-in dhe benzinën, në përpjekje për t’iu përshtatur luhatjeve të tregut global të naftës.

Në mars, qeveria vendosi gjithashtu të ndryshojë përkohësisht mënyrën e përcaktimit të çmimeve me pakicë të karburanteve, duke e shkurtuar periudhën e rishikimit nga 14 në 7 ditë. Kjo synon që çmimet në tregun vendas të reflektojnë më shpejt ndryshimet në kostot ndërkombëtare të naftës.

Burimi: SeeNews

The post Mali i Zi ul sërish akcizën për naftën appeared first on Revista Monitor.

Serbia do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 18 ose 25 tetor

By: Ornela
21 August 2026 at 11:19

Serbia do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 18 ose 25 tetor, ndërsa data përfundimtare pritet të vendoset në ditët në vijim, tha presidenti Aleksandar Vuçiç.

“Sa i përket listës ku do të jem pjesë, do të luftojmë për të fituar shumicën e votave. E dimë se nuk do të kemi shumicë në parlament nëse nuk sigurojmë 126 mandate”, tha Vuçiç në një intervistë televizive për transmetuespublik RTS të enjten në mbrëmje.

Në një tubim proqeveritar në Beograd më 27 qershor, Vuçiç kishte deklaruar se do të jepte dorëheqjen nga posti i presidentit brenda disa javësh, pasi më herët kishte lënë të kuptohej se mund të kandidonte për kryeministër. Të enjten ai nuk dha një afat se kur mund të largohej nga posti i kreut të shtetit.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Serbi duhet të zhvillohen deri në fund të dhjetorit 2027, ndërsa mandati i dytë dhe i fundit presidencial i Vuçiç përfundon në maj 2027.

Presidenti serb është përballur me presion në rritje për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme pas aksidentit tragjik në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Ngjarja shkaktoi një valë protestash kundër qeverisë dhe korrupsionit, të udhëhequra nga studentët, me kërkesa për përgjegjësi institucionale dhe që kanë sfiduar dominimin politik të Vuçiç.

Lëvizja studentore ka njoftuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme dhe shihet si rivali kryesor i Partisë Progresive Serbe (SNS), forcës politike në pushtet.

Vuçiç ka një karrierë të gjatë politike. Ai shërbeu si ministër i Informacionit në periudhën 1998–2000, gjatë qeverisjes së Slobodan Millosheviçit, u bë ministër i Mbrojtjes në vitin 2012, kryeministër në vitin 2014 dhe president në vitin 2017.

Qeveria aktuale e Serbisë, e drejtuar nga endokrinologu Djuro Macut, mori votëbesimin e parlamentit në prill të vitit të kaluar, pasi Milos Vuçeviç, kryetar i SNS-së, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit mes protestave studentore.

Qeveria e Vuçeviçit ishte formuar në maj 2024, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të zhvilluara në dhjetor 2023.

SNS mban aktualisht 129 nga 250 vende në parlamentin serb dhe qeveris në koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), e cila ka 18 mandate.

Serbia synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndërkohë që ruan marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Për të avancuar në procesin e integrimit europian, i cili ka ngecur vitet e fundit, vendi duhet të përafrojë politikën e jashtme me BE-në dhe të bëjë progres të qëndrueshëm në shtetin e së drejtës, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e medias, sipas Parlamentit Europian.

Burimi: SeeNews

The post Serbia do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 18 ose 25 tetor appeared first on Revista Monitor.

Kroacia, Plinacro pranë përfundimit të projektit 533 milionë euro për gazsjellësit

By: Ornela
21 August 2026 at 11:14

Operatori kroat i sistemit të transmetimit të gazit, Plinacro, bëri të ditur se ndërtimi i dy gazsjellësve të fundit kryesorë, pjesë e projektit prej 533 milionë eurosh për zgjerimin e infrastrukturës kombëtare të gazit, po ecën sipas planit.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Plinacro, Ivica Arar, punimet në segmentin Kozarac–Sisak do të përfundojnë dhe gazsjellësi do të hyjë në operim provë më 25 shtator.

Arar tha gjithashtu se punimet në gazsjellësin Bosiljevo–Sisak, një nga pjesët më të vështira teknikisht të projektit, po vijojnë sipas afateve, pavarësisht terrenit të vështirë.

Projekti financohet në kuadër të Mekanizmit të Rimëkëmbjes të Bashkimit Europian dhe përfshin ndërtimin e katër gazsjellësve kryesorë me një gjatësi totale prej 216 kilometrash.

Dy segmentet e tjera, Zlobin–Bosiljevo, me gjatësi 58 kilometra, dhe Zabok–Lucko, me gjatësi 36 kilometra, janë përfunduar sipas planit dhe brenda buxhetit të përcaktuar. Gazsjellësi Zlobin–Bosiljevo përfundoi në fillim të vitit 2025, ndërsa ai Zabok–Lucko u përfundua në qershor 2026.

Gazsjellësi i ri Kozarac–Sisak pritet të rrisë ndjeshëm sigurinë e furnizimit me gaz për zonën e qytetit të Sisakut. Me hyrjen e tij në operim provë, zona do të mund të furnizohet me gaz si përmes gazsjellësit ekzistues me presion 50 bar, të ndërtuar 45 vite më parë, ashtu edhe përmes gazsjellësit të ri me presion 100 bar, të vendosur në të njëjtin korridor.

Një rritje e mëtejshme e sigurisë dhe fleksibilitetit të furnizimit pritet deri në fund të vitit 2026, kur zona e Sisakut do të mund të marrë gaz në të dy drejtimet përmes sistemit të ri Bosiljevo–Sisak–Kozarac, si nga drejtimi i ri përmes Bosiljevos, ashtu edhe nga drejtimi ekzistues përmes Kozaracit.

Sipas Plinacro, përfundimi i projektit do të rrisë gjithashtu mundësinë e shfrytëzimit të kapaciteteve të terminalit të gazit natyror të lëngshëm, LNG, në ishullin Krk, do të forcojë sigurinë e furnizimit për konsumatorët vendas dhe do të përmirësojë efikasitetin e sistemit kroat të transmetimit të gazit.

Kapaciteti i transportit të gazit drejt Sllovenisë pritet të rritet në 1.5 miliardë metra kub në vit, ndërsa drejt Hungarisë në 3.5 miliardë metra kub në vit, në varësi të kushteve të presionit në sistem.

Terminali LNG në Krk nisi funksionimin në janar 2021. Ai furnizon me gaz natyror rrjetin kombëtar kroat të transmetimit, i cili është i lidhur me rrjetet e Sllovenisë dhe Hungarisë.

Burimi: SeeNews / Plinacro

The post Kroacia, Plinacro pranë përfundimit të projektit 533 milionë euro për gazsjellësit appeared first on Revista Monitor.

Oferta e parasë po shënon rritjen më të lartë historike

By: Ornela
21 August 2026 at 11:00

Rritja vjetore e ofertës së Lekut arriti nivelin më të lartë historik në mesin e këtij viti.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit qershor, rritja vjetore e agregatit monetar M2 ishte 15.9%, me ritme më të larta edhe krahasuar me rritjen prej 13.4% të fundit të vitit të kaluar. Kjo është njëkohësisht rritja më e lartë historike e treguesit në fjalë me bazë vjetore krahasimi. Agregati M2 po rritet me ritme dyshifrore që prej muajit mars 2025.

Agregati monetar M2 përbëhet nga paraja jashtë bankave dhe depozitat bankare në Lekë, të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë. Një rritje më e shpejtë e agregatit M2 tregon se në ekonomi po injektohen më shumë para në monedhën kombëtare.

Rritja e lartë e ofertës së parasë mund të shpjegohet me dy faktorë kryesorë: kreditimin me ritme të larta të ekonomisë dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor, për të frenuar forcimin e monedhës vendase.

Në fund të qershorit, teprica e kredisë për ekonominë arriti në 993 miliardë lekë, në rritje me 15 miliardë lekë krahasuar me majin. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë për ekonominë është në rritje me 11.2%.

Normat e ulëta të interesit, ecuria e mirë e ekonomisë reale dhe e bilanceve të sektorit bankar kanë mbështetur rritjen me ritme të shpejta të kredisë, sidomos pas vitit 2024.

Ecuria pozitive ka vazhduar edhe në gjysmën e parë të këtij viti, pavarësisht disa masave frenuese të aplikuara nga Banka Qendrore mbi kreditë për pasuri të paluajtshme.

Ngadalësimi i rritjes së kredisë për shtëpi është kompensuar nga rritja e kredisë konsumatore dhe sidomos rritja më e shpejtë e kredisë për biznesin.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë po vazhdon ndërhyrjet në tregun valutor, me qëllim ngadalësimin e forcimit të Lekut.

Forcimi i Lekut po thellohet përsëri këtë vit, pasi u ngadalësua disi gjatë vitit 2025. Aktualisht, Euro këmbehet me 92.6 lekë, në nivelet më të ulëta të të gjitha kohërave. Kursi i Euros paraqitet në rënie me 4.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë rregullisht gjatë muajve të fundit, me qëllim për ta zbutur këtë tendencë. Për tremujorin e parë, blerjet arritën shifrën e 140 milionë eurove, ndërsa për tremujorin e dytë shifrat ende nuk janë bërë publike.

Ndërkohë, vitin e kaluar, sipas statistikave zyrtare, Banka Qendrore bleu shifrën rekord të 1 miliard e 27 milionë eurove në tregun e brendshëm valutor. Sasia e valutës së blerë është rritur me 10% krahasuar me një vit më parë. Vlera e përgjithshme e blerjeve përfshin ato të planifikuara, me qëllim rritjen e rezervës valutore, por edhe ato të lidhura me ndërhyrjet direkte në treg, me qëllim për të penguar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit.

Rritja e ofertës së parasë, nga ana tjetër, duket se më në fund është shoqëruar edhe me rritjen e inflacionit, që prej muajit qershor e ka kaluar  objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Rritja e muajve të fundit ka ardhur nga faktorë të ofertës, kryesisht rritjes së çmimit të karburanteve. Por, oferta e lartë e parasë mund të jetë një nga faktorët që po mbajnë të lartë inflacionin e brendshëm dhe inflacionin bazë, që ende dominon strukturën e inflacionit total në ekonomi.

Burimi: banka e Shqipërisë

The post Oferta e parasë po shënon rritjen më të lartë historike appeared first on Revista Monitor.

Kompensimi 10% i TVSH, Tatimet sqarojnë fermerët për paqartësitë në aplikim

By: Ornela
21 August 2026 at 10:25

Nga 1 korriku deri më deri më 31 dhjetor fermerët kanë afat të aplikojnë për kompensimin 10% të TVSH-së për furnizimet e kryera gjatë periudhës janar–qershor të vitit 2026.

Administrata tatimore ka sqaruar se si duhet të veprojnë fermerët nëse gjatë procesit të aplikimit hasin paqartësi apo problematika.

https://monitor.al/nisin-sot-aplikimet-ne-e-filing-per-kompensimin-e-tvsh-se-per-rreth-114-mije-fermere/

Një prej rasteve të ngritura lidhet me mosshfaqjen e faturave të muajit qershor 2026 në sistemin e e-Filing. Fermerët që kanë hasur këtë problem dhe kanë fshirë çështjen e krijuar më parë rrezikojnë të mos shohin më faturat në aplikimin e ri. Administrata Tatimore sqaron se për këto raste duhet t’i drejtohen Drejtorisë Rajonale Tatimore për verifikimet dhe ndërhyrjet e nevojshme. Ndërkohë fermerët kanë mundësi të aplikojnë sërish për faturat e pambuluara, nëse çështja e parë ka përfunduar dhe aplikimi i ri bëhet brenda afatit ligjor.

Për fermerët që nuk kanë përfshirë të gjitha faturat në aplikimin e parë, Tatimet sqarojnë se kërkesa e dorëzuar nuk mund të ndryshohet apo plotësohet më pas. Nëse çështja e parë ka statusin “Përfunduar”, ata mund të hapin një kërkesë të re dhe të përzgjedhin vetëm faturat për të cilat nuk kanë marrë kompensim. Ndërsa fermerët që përballen me probleme teknike në sistem duhet t’i drejtohen Drejtorisë Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar. Për të përfituar kompensimin, kërkesa duhet të shoqërohet me dokumentacionin përkatës dhe numrin e llogarisë bankare.

Afati për aplikimet për furnizimet e periudhës janar–qershor 2026 është deri më 31 dhjetor 2026, ndaj fermerët duhet të kujdesen që të mos e humbasin këtë afat.

 

Si do të bëhen aplikimet për kompensimin e fermerëve përmes autofaturës

Cilat janë kushtet për të përfituar nga skema e kompensimit 10% të vlerës mbi mallrat dhe shërbimet e shitura?

Prodhuesit bujqësorë përfitojnë të drejtën e kompensimit kur:

-qarkullimi vjetor i tyre nuk tejkalon kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në;

-furnizojnë mallra apo shërbime me prejardhje nga puna e tyre;

-furnizimet kryhen ndaj personave të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompensimit;

-janë pajisur me NIPT nga Administrata Tatimore, pa iu nënshtruar detyrimit për deklarim sipas nenit 106 të ligjit.

Çfarë është dhe si duhet ta kuptojmë vlerën e kompensimit?

Norma e kompensimit është 10% dhe aplikohet mbi çmimin pa TVSH të mallrave dhe shërbimeve të përcaktuara sipas shkronjës “dh” të nenit 145 të ligjit për TVSH-në.

Kompensimi mbulon TVSH-në e paguar prej prodhuesve bujqësorë, e përfshirë në çmimin e blerjes së mallrave dhe shërbimeve që u nevojiten për aktivitetin e tyre prodhues bujqësor.

Shuma e kompensimit llogaritet duke shumëzuar normën 10% me vlerën totale të produkteve dhe shërbimeve bujqësore të furnizuara nga prodhuesi bujqësor gjatë një periudhe gjashtëmujore.

Cila është mënyra e zbatimit të skemës së kompensimit?

Blerësi i produkteve bujqësore, personi i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar, sipas legjislacionit në fuqi për turizmin, lëshon një faturë tatimore për shitësin, prodhues bujqësor, për çdo furnizim mallrash dhe shërbimesh të marrë prej tij. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, mbi të cilën aplikohet norma e kompensimit, sipas ligjit për TVSH.

Kompensimi i akorduar i paguhet prodhuesit bujqësor nga Administrata Tatimore. Për të përfituar këtë kompensim, prodhuesi bujqësor duhet të dorëzojë në Administratën Tatimore, nëpërmjet shërbimit postar ose në rrugë elektronike, një kërkesë për kompensim, të shoqëruar me kopje të faturave të lëshuara nga blerësi i mallrave dhe shërbimeve bujqësore, si dhe numrin e llogarisë së tij bankare.

Kërkesa për kompensim paraqitet:

deri më 31 dhjetor, për furnizimet e kryera gjatë periudhës janar–qershor të vitit përkatës;

deri më 30 qershor të vitit pasardhës, për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik–dhjetor të vitit paraardhës.

Administrata Tatimore kryen kompensimin brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.

 

Jam fermer i regjistruar dhe, për të përfituar kompensimin në masën 10%, kam aplikuar online sipas udhëzimit të publikuar. Gjatë aplikimit nuk m’u shfaqën faturat e muajit qershor 2026. Më pas e fshiva çështjen dhe e hapa përsëri, por tani nuk më shfaqet më asnjë faturë. Si mund të zgjidhet kjo problematikë, në mënyrë që të mos humbas të drejtën për të përfituar kompensimin që më takon?

Problemi i mosshfaqjes së faturave ka ardhur si rezultat i fshirjes së çështjes së krijuar më parë në sistem. Për zgjidhjen e kësaj problematike teknike, ju lutemi t’i drejtoheni Drejtorisë Rajonale Tatimore ku jeni i regjistruar, e cila do të kryejë verifikimet dhe ndërhyrjet e nevojshme, në mënyrë që aplikimi juaj për rimbursim të vijojë normalisht.

 

A mund të përfitoj kompensim nëse produktet ua shes individëve që nuk janë tatimpagues?

Jo. Ju nuk mund t’ua shisni produktet tuaja individëve që nuk janë të regjistruar si tatimpagues, pasi kjo është jashtë skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë.

Theksojmë se prodhuesit bujqësorë nuk lëshojnë vetë fatura tatimore.

Kur një prodhues bujqësor kërkon të lëshojë vetë fatura për individë të paregjistruar apo konsumatorë finalë, ai ka detyrimin të regjistrohet pranë QKB-së si tatimpagues për ushtrimin e aktivitetit privat, duke zbatuar rregullat ligjore si çdo tatimpagues tjetër në Republikën e Shqipërisë.

 

Kam aplikuar për përfitimin e kompensimit 10% për fermerët, por nuk kam përfshirë të gjitha faturat. A mund të korrigjoj kërkesën ekzistuese ose të paraqes një kërkesë tjetër online për faturat e mbetura? Nëse kjo nuk është e mundur, si mund të përfitoj kompensim edhe për faturat që nuk janë përfshirë në aplikimin e parë?

 

Një çështje e dorëzuar dhe e regjistruar me numër unik identifikimi në e-Filing nuk mund të ndryshohet apo plotësohet më pas. Megjithatë, brenda afatit të aplikimit (31.12.2026) dhe pasi çështja e parë të jetë me status “Përfunduar”, fermeri mund të aplikojë përsëri duke hapur një çështje të re online dhe të përzgjedhë vetëm faturat për të cilat nuk ka përfituar kompensim.

 

The post Kompensimi 10% i TVSH, Tatimet sqarojnë fermerët për paqartësitë në aplikim appeared first on Revista Monitor.

Monte dei Paschi paraqet oferta për Banco BPM dhe Banca Generali

By: Ornela
21 August 2026 at 09:55

Banka italiane Monte dei Paschi di Siena (MPS) ka paraqitur oferta për blerjen e Banco BPM dhe Banca Generali, me një vlerë të kombinuar prej rreth 34 miliardë eurosh, në një përpjekje për të forcuar pozicionin e saj përballë ofertës prej rreth 36 miliardë eurosh që Intesa Sanpaolo ka paraqitur për blerjen e MPS-së.

Sipas Reuters, oferta për Banco BPM e vlerëson bankën në rreth 25.3 miliardë euro, ndërsa ajo për Banca Generali në rreth 8.7 miliardë euro. Të dyja marrëveshjet parashikojnë shkëmbim aksionesh dhe jo pagesë në para.

Me këtë lëvizje, Monte dei Paschi po përpiqet të kalojë nga pozicioni i një banke që është objekt i një oferte blerjeje, në atë të një grupi që synon zgjerimin përmes blerjeve të tjera.

Intesa Sanpaolo kishte paraqitur në qershor ofertën e saj për MPS-në, por drejtuesit e Monte dei Paschi nuk e kanë mbështetur operacionin dhe po kërkojnë alternativa që do t’i lejonin bankës të ruante pavarësinë dhe të forconte praninë në tregun italian.

Nëse blerja e Banco BPM dhe Banca Generali do të realizohej, MPS do të krijonte një grup shumë më të madh financiar. Sipas bankës, grupi i kombinuar do të kishte një bilanc prej rreth 466 miliardë eurosh dhe më shumë se 810 miliardë euro aktive financiare.

MPS vlerëson gjithashtu se kombinimi i aktiviteteve mund të sillte rreth 2.6 miliardë euro sinergji vjetore, përmes uljes së kostove dhe rritjes së të ardhurave.

Megjithatë, realizimi i operacioneve mbetet i ndërlikuar.

Crédit Agricole, që zotëron rreth 29.3% të Banco BPM, kishte shprehur më herët kundërshtime ndaj një bashkimi mes Banco BPM dhe Monte dei Paschi. Kjo e bën mbështetjen e aksionerit francez një element të rëndësishëm për suksesin e ofertës.

Edhe për Banca Generali, miratimi nuk është i garantuar. Shoqëria kontrollohet në masën mbi 50% nga Assicurazioni Generali, ndaj qëndrimi i këtij grupi do të jetë vendimtar.

Monte dei Paschi duhet gjithashtu të sigurojë mbështetjen e aksionerëve të saj për strategjinë e re. Ndër aksionerët kryesorë janë Delfin, biznesmeni Francesco Gaetano Caltagirone dhe Ministria italiane e Ekonomisë.

Sipas Reuters, aksionerët e MPS-së pritet të votojnë mbi planin më 29 tetor, ndërsa përfundimi i operacioneve, nëse merren miratimet e nevojshme nga autoritetet dhe aksionerët, synohet deri në mesin e shkurtit 2027.

Lëvizja e Monte dei Paschi është pjesë e valës së konsolidimit në sektorin bankar italian. Vetëm pak vite më parë, MPS ishte shpëtuar nga shteti, ndërsa sot banka po përpiqet të ruajë pavarësinë dhe të rrisë përmasat e saj në një treg ku konkurrenca mes grupeve të mëdha bankare është intensifikuar ndjeshëm.

Burimi: Reuters

The post Monte dei Paschi paraqet oferta për Banco BPM dhe Banca Generali appeared first on Revista Monitor.

Vendet më të mira në botë për të jetuar jashtë në 2026

By: Ornela
21 August 2026 at 09:46

Renditja e re globale zbulon vendet më të mira për të ndërtuar një jetë jashtë vendit, ndërsa njerëzit që janë zhvendosur atje tregojnë pse i kanë zgjedhur.

Sondazhi Expat Insider 2026 i InterNations ka renditur 31 destinacione sipas cilësisë së jetës, lehtësisë për t’u përshtatur, mundësive për të punuar jashtë vendit, financave personale dhe elementeve praktike si strehimi dhe shërbimet dixhitale.

Në vendet që kryesojnë renditjen këtë vit, faktorët që kanë bërë diferencën më të madhe janë mikpritja dhe kostot e përballueshme. Shtatë nga dhjetë destinacionet e para renditen ndër vendet ku është më e lehtë të përshtatesh, ndërsa pesë prej tyre janë ndër më të mirat në botë për financat personale.

BBC ka folur me njerëz që jetojnë në pesë vendet e para të renditjes për të kuptuar pse janë zhvendosur atje, si janë përshtatur dhe çfarë duhet të dinë ata që po mendojnë të bëjnë të njëjtën zgjedhje.

 

Dhjetë vendet më të mira për të jetuar jashtë në 2026

Panamaja

Meksika

Tajlanda

Emiratet e Bashkuara Arabe

Brazili

Spanja

Singapori

Portugalia

Malajzia

Luksemburgu

 

  1. Panamaja

Panamaja kryesoi renditjen për të tretin vit radhazi, duke zënë vendin e parë si për punën jashtë vendit, ashtu edhe për financat personale. Rreth 87% e të huajve që jetojnë atje deklarojnë se janë të kënaqur me jetën jashtë vendit të tyre, krahasuar me 70% në nivel global, ndërsa 90% thonë se është e lehtë të gjesh banesë.

Ariel Barrionuevo u zhvendos nga Argjentina në bregdetin karaibik të Panamasë tetë vjet më parë. Shumë shpejt vuri re se flinte më mirë, zgjohej më i çlodhur dhe ndihej më i pranishëm në përditshmëri.

“E kuptova se kjo nuk ndodhte sepse isha me pushime, por sepse ky vend ka ritmin e vet”, tha Barrionuevo, i cili sot është drejtor i hotelit La Coralina Island House, në Isla Colón.

Një ditë e zakonshme për Barrionuevo-n përfshin një ndalesë pranë oqeanit, një shëtitje në kopshtin tropikal dhe dëgjimin e zogjve.

“Është një ritual i thjeshtë, por çdo ditë më kujton pse zgjodha të jetoj këtu”, tha ai.

Ai e konsideron jetën në Panama më të përballueshme se në Argjentinë dhe vlerëson stabilitetin e ekonomisë, që e bën më të lehtë planifikimin e jetës dhe të biznesit.

Reza Motalebpour, e cila u zhvendos këtë vit nga Kanadaja në Panama City, thotë se puna në distancë është e thjeshtë, falë internetit të besueshëm si në shtëpi, ashtu edhe në hapësirat e përbashkëta të punës.

Ajo ka gjetur të lehtë edhe përdorimin e sistemit bankar, veçanërisht për shkak se ekonomia përdor dollarin. Ndonëse kursi i këmbimit mund t’i bëjë kostot fillimisht të duken të larta për kanadezët, ajo thotë se faturat relativisht të ulëta të shërbimeve, kostot e sigurimeve dhe taksat mbi pronën bëjnë që kostoja e përgjithshme e jetesës të mbetet e favorshme.

Jeta në Panama nuk është pa vështirësi. Barrionuevo përmend vonesat në dërgesa dhe motin që mund të prishë shpejt planet në Isla Colón.

Megjithatë, ai thotë se zgjedhja e një ritmi më të ngadaltë është një vendim për të cilin nuk është penduar dhe mendon se edhe vizitorët apo ata që po mendojnë të zhvendosen atje duhet ta përqafojnë këtë mënyrë jetese.

Ai rekomandon një vizitë në Bluff Beach, blerjen e frutave të freskëta në tezgat buzë rrugës dhe kalimin e pasdites duke parë sërfistët në Paunch Beach.

“Erdha duke menduar se po zhvendosesha në një destinacion të bukur”, tha ai. “Kur e shoh sot, në të vërtetë po shkoja drejt një mënyre tjetër jetese, ku koha vlerësohet më shumë se shpejtësia, përvojat më shumë se zotërimet dhe lidhjet njerëzore më shumë se aktiviteti i pandërprerë.”

 

  1. Meksika

Meksika renditet e para për lehtësinë e përshtatjes dhe e dyta në renditjen e përgjithshme. Ajo vazhdon të jetë vendi ku të huajt e kanë më të lehtë të ndihen si në shtëpi.

Rreth 73% e atyre që jetojnë në Meksikë thonë se është e lehtë të krijojnë miqësi me vendasit, krahasuar me 39% në nivel global. Ndërkohë, dyfishi i mesatares botërore deklarojnë se rrethi i tyre shoqëror përbëhet kryesisht nga vendas.

“Kam krijuar miqësi më të mira jashtë vendit sesa kam pasur ndonjëherë në Çikago”, tha Kirsten Raccuia, e cila shkruan blogun Sand in My Curls.

Ajo dhe bashkëshorti i saj u zhvendosën në Puerto Vallarta në vitin 2022 dhe thonë se ndjenja e komunitetit, së bashku me koston më të ulët të jetesës, i ka bindur të qëndrojnë.

 

Sipas saj, tacos të rrugës kushtojnë rreth 1 dollar, ndërsa një operacion urgjent për apendicit, së bashku me qëndrimin në spital, i kushtoi më pak se 4 mijë dollarë, një çmim që do të ishte i paimagjinueshëm në SHBA.

Për ta përjetuar më mirë qytetin, Raccuia rekomandon mëngjesin në tregjet lokale të ushqimit dhe një vizitë në plazh të dielën, kur mblidhen familjet.

“Po, është zonë turistike, por është gjithashtu ajo që bëjnë vendasit”, tha ajo.

Ka megjithatë edhe një pikë të dobët: Meksika renditet në vendin e 25-të nga 31 vende për sigurinë, me 68% të të huajve që e vlerësojnë pozitivisht sigurinë personale, krahasuar me 81% në nivel global.

 

  1. Tajlanda

E treta në renditjen e përgjithshme, Tajlanda është vendi ku të huajt që jetojnë atje raportojnë nivelin më të lartë të kënaqësisë: 86% thonë se janë të kënaqur me jetën e tyre jashtë vendit.

Vendi mori gjithashtu vlerësimin më të lartë në sondazh për koston e jetesës, me 85% që e konsiderojnë pozitive, më shumë se dyfishi i mesatares globale.

Për ata që janë të gatshëm të përqafojnë kulturën tajlandeze dhe të respektojnë normat e saj, Tajlanda mund të jetë një vend shumë i kënaqshëm për të jetuar, thotë Bethan Jeentipraphet.

“Katër veta hëngrëm për një shumë të barabartë me rreth 1 paund”, kujton ajo për vaktin e saj të parë me ushqim rruge në Bangkok.

Nëna britanike e dy fëmijëve u zhvendos nga Devon në vitin 2024 së bashku me bashkëshortin e saj tajlandez, me planin për të qëndruar vetëm një vit.

“Brenda dy javësh e dija se nuk do të kthehesha”, tha ajo.

Ajo vlerëson gjithashtu sistemin arsimor të Tajlandës, i cili, sipas saj, e ka ndryshuar shumë djalin e saj.

“Respekti ka një peshë të madhe në kulturën tajlandeze dhe nxënësit këtu duket qartë se kanë shumë respekt për arsimin”, tha ajo. “Ai është një fëmijë krejtësisht tjetër.”

Aaron Henry, i cili u zhvendos nga Los Angeles 11 vjet më parë, thotë se Bangkok është modernizuar pa humbur kulturën e vet.

“Ka ruajtur elementet unike të kulturës tajlandeze, ndërsa, veçanërisht gjatë dekadës së fundit, është zhvilluar jashtëzakonisht shumë në kuzhinën ndërkombëtare, parqet cilësore, galeritë e artit dhe qendrat tregtare luksoze.”

Ai rekomandon eksplorimin e lagjeve Ari dhe Phra Khanong, që janë më pak turistike dhe ku qyteti mund të përjetohet më shumë si një vendas.

 

Jeentipraphet këshillon të sapoardhurit të bëjnë përpjekje për të kuptuar dhe respektuar zakonet vendase, që nga heqja e këpucëve përpara hyrjes në shtëpi deri te qëndrimi në këmbë gjatë himnit kombëtar, i cili luhet çdo ditë në hapësirat publike në orën 08:00 dhe 18:00.

“Për ata që janë të gatshëm të përqafojnë kulturën tajlandeze dhe të respektojnë normat e saj, Tajlanda mund të jetë një vend jashtëzakonisht shpërblyes për të jetuar.”

 

  1. Emiratet e Bashkuara Arabe

Me vlerësime shumë të larta për perspektivat e karrierës dhe për kushtet praktike të jetesës, ku përfshihen vizat dhe gjuha, Emiratet e Bashkuara Arabe e bëjnë relativisht të lehtë për të huajt të vendosen dhe të ndërtojnë karrierën e tyre.

InterNations e zhvilloi sondazhin në shkurt dhe mars 2026, para dhe pas shpërthimit të konfliktit SHBA-Iran, ndaj rezultatet pasqyrojnë vetëm pjesërisht ndikimin e tij.

Megjithatë, të huajt që vazhdojnë të jetojnë në Emirate thonë se, pavarësisht disa përshtatjeve, jeta e përditshme ka vazhduar kryesisht pa ndryshime.

“Jeta e përditshme në Dubai duket normale”, tha Michelle Sterling, konsulente imazhi që e ndan kohën mes Dubait dhe SHBA-së, por aktualisht preferon Dubain.

“Për mua, Dubai ofron një mënyrë jetese që ndihet më e sigurt, më komode dhe më e përballueshme.”

Nikita Oruganty, e cila u zhvendos nga Londra në Dubai në fillim të këtij viti për të punuar në komunikim, thotë se klima mikpritëse vazhdon ta bëjë vendin tërheqës.

“Ndërsa vende të tjera po e bëjnë më të vështirë zhvendosjen përmes rregullave të emigracionit, Emiratet i kanë mirëpritur gjithmonë të huajt”, tha ajo.

Ajo vlerëson gjithashtu mënyrën se si autoritetet kanë menaxhuar sigurinë dhe komunikimin gjatë periudhave të pasigurta.

“Kjo ndjenjë stabiliteti ka shumë rëndësi kur jeton jashtë vendit dhe familjen nuk e ke pranë.”

Për të parë jetën reale të banorëve, Oruganty sugjeron të kalohet të paktën një ditë larg versionit luksoz të qytetit: të udhëtosh me metro në orarin e pikut, të shëtisësh në lagjet tradicionale Bur Dubai dhe Deira, të kalosh Dubai Creek me abra, tragetin tradicional prej druri, dhe të hash në një restorant të vogël indian, filipinas ose libanez.

“Aty sheh versionin e përditshëm të Dubait, shumë më të zakonshëm sesa sugjeron imazhi i tij ndërkombëtar”, tha ajo.

Jashtë Dubait, britanikja Sharon Mckernan jeton prej tetë vitesh në Ras Al Khaimah dhe thotë se nuk është penduar për zgjedhjen.

“Më pëlqen ritmi i qetë dhe i thjeshtë i jetës”, tha ajo. “Nuk ka atë nxitimin e vazhdueshëm, ka më pak trafik dhe përgjithësisht më pak shqetësime të përditshme, çka na jep më shumë kohë familjare për ta kaluar pranë pishinës, në plazh apo duke eksploruar malet.”

 

Ajo ka konstatuar gjithashtu se shërbimi shëndetësor është i shpejtë dhe efikas dhe se ka qenë e lehtë të krijojë miqësi me njerëz nga e gjithë bota.

Për vizitorët, ajo sugjeron të shohin perëndimin nga Jebel Jais, mali më i lartë i Emirateve, ose të eksplorojnë Al Jazirah Al Hamra Heritage Village.

“Ai të tregon një anë tjetër të Emirateve, të ndryshme dhe relativisht të panjohur për shumicën”, tha ajo.

 

  1. Brazili

 

Për herë të parë këtë vit, Brazili hyri në pesëshen e parë të renditjes.

Vendi mori vlerësime të larta për lumturinë, lehtësinë e përshtatjes, mikpritjen e vendasve dhe kulturën. Shumë nga të huajt që jetojnë atje thonë se pikërisht ngrohtësia e njerëzve i bën të ndihen si në shtëpi.

“Mund të takosh dikë për herë të parë të enjten dhe të shtunën të jesh në shtëpinë e tij duke ngrënë churrasco”, tha Clint Manning, i cili u zhvendos nga Barbadosi në São Paulo për të zhvilluar biznesin e tij.

“Duke qenë nga Barbadosi dhe duke pasur atje një mënyrë jetese të ngjashme, më dukej shumë si shtëpia ime, vetëm në një shkallë shumë më të madhe.”

Chris Kohl e përshkruan kështu:

“Në vend që të më bënin të ndihesha i huaj, brazilianët më bënë të ndihesha sikur i përkisja atij vendi.”

Manning vëren se anglishtja nuk flitet gjerësisht në Brazil, gjë që ai e konsideron një avantazh.

“Për dikë që është vërtet i interesuar të mësojë gjuhën, është një përvojë fantastike, sepse detyrohesh të komunikosh në portugalisht nga nevoja”, tha ai.

“E mësova gjuhën rrjedhshëm shumë më shpejt sesa do ta kisha mësuar danishten apo gjermanishten në Danimarkë apo Gjermani.”

Për ta përjetuar më mirë São Paulo-n, ai rekomandon baret dhe padarias në Vila Madalena dhe Bela Vista, sushi në Liberdade, lagjja japoneze e qytetit, si dhe aktivitet fizik në Ibirapuera Park, një nga parqet urbane më të mëdha në Amerikën Latine.

Por më shumë se peizazhet apo atraksionet, të huajt që kanë jetuar atje thonë se janë vendasit ata që krijojnë ndjenjën më të fortë të përkatësisë.

“Ata ishin vërtet të interesuar dhe kureshtarë të më njihnin dhe më bënë të ndihesha i përfshirë që në fillim”, tha Chris Kohl, i cili jetoi në São Paulo për 12 vjet.

“Në vend që të më bënin të ndihesha i huaj, brazilianët më bënë të ndihesha sikur i përkisja atij vendi.”

BBC

The post Vendet më të mira në botë për të jetuar jashtë në 2026 appeared first on Revista Monitor.

Ligji i faljes, shuhen 410 mln euro detyrime në Tatime, përfituan 204 mijë biznese

By: Ornela
18 August 2026 at 12:44

Vijon procesi i fshirjes automatike të detyrimeve tatimore për tatimpaguesit përfitues, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 86/2025.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) deri 31 korrik 2026 janë fshirë ose shuar detyrime në vlerën 410 milionë euro për 204,413 tatimpagues, ndërsa procesi vijon për të gjithë përfituesit sipas ligjit.

Administrata tatimore, kujton tatimpaguesit se procesi i faljes mbyllet në 31 dhjetor 2026.

Ligji për fshirjen e detyrimeve tatimore, doganore dhe të pushtetit vendor po zbatohet në disa faza.

Fillimisht, nga data 10 qershor deri më 30 qershor 2026 u zbatua edhe faza e pagesave për përfitimin nga falja me kusht e detyrimeve tatimore, gjobave dhe kamatëvonesave, sipas ligjit nr. 86/2025.

Për periudhën 2015–2019 përfitohet fshirje e 50% të detyrimit principal, si dhe fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse 50% e mbetur paguhej njëherësh nga 10.06.2026 deri më 30.06.2026.

Për periudhën 2015–2019 përfitohet fshirje e 25% të detyrimit principal, si dhe fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave. Afati për të paguar 75% të principalit, me kushtin që të fshihet pjesa e mbetur paguhet nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.

Për periudhën 2020–2024 përfitohet fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse paguhet 100% e detyrimit principal nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.

The post Ligji i faljes, shuhen 410 mln euro detyrime në Tatime, përfituan 204 mijë biznese appeared first on Revista Monitor.

❌