Në një prononcim për mediat ai ka deklaruar se ndasitë politike janë shumë herë më të vogla se synimi i përbashkët që është, largimi i Edi Ramës. Ai shtoi do të marrë pjesë në çdo protestë kundër Edi Ramës dhe bandës së hajdutëve dhe trafikantëve.
Xhaferri ka deklaruar se i është bashkuar protestës me konfirmimin e Sali Berishës, edhe pse në tryezën që ky i fundit thirri me aleatët politikë, Lapaj nuk ishte prezent.
“Patjetër që zoti Sali Berisha konfirmoi që ne, nëse kemi dëshirë, mund t’i bashkohemi protestës. Në këtë fazë ku ne jemi, në një fazë primitive të bashkimit, është një fazë ku ne duhet të kemi kushtet e qarta të bashkimit, që kërkohet qeveria tranzitore, që kërkohet një reformë e re elektorale që ndihmon të gjithë spektrin opozitar, kërkon një Reformë Territoriale.
Patjetër që kjo mjafton për të na bashkuar në këtë gjë. Nuk do të thotë se është një koalicion politik, as një koalicion zgjedhor, as programet tona kryqëzohen apo mendimet tona janë të njëjta, por e sigurt që dasitë tona janë shumë herë më të vogla se gjëja e përbashkët që kërkojmë, largimin e Edi Ramës.
Unë jam i bindur që ne duhet të zaptojmë këtë bulevard, të gjithë forcat opozitare, të gjithë organizatat qytetare, të gjithë kërkesat që kjo situatë duhet të ndalojë së qëni, se kjo qeveri s’ka më legjitimitet, ky bulevard patjetër që nuk duhet liruar deri në largimin e Edi Ramës.
Ashtu si aktivistë të kësaj force politike janë bërë pjesë e protestave tona, ashtu edhe unë sot zgjodha të jem në shesh për të treguar se Partia Demokratike është e hapur për forcat e reja që kanë vendosur të mos i bëjnë opozitës opozitë, por t’i bëjnë opozitë një regjimi që mbahet në këmbë nga kartelet e drogës, të cilat investojnë që në këtë vend të mos ndodhë rrotacioni.Nuk e ka luksin opozita shqiptare të luftojë e përçarë përballë një regjimi, largimi i të cilit është emergjencë kombëtare.
Nga kjo protestë e sotme u bëj thirrje shqiptarëve që më 10 shkurt të dalin masivisht në protestën kombëtare, e cila do të shënojë fillimin e fundit të narkoregjimit!”, u shpreh ai.
Punimet për rrugën Kombinat–Ndroq–Plepa po ecin “me ritme të qëndrueshme”, ndërsa autoritetet raportojnë se është realizuar 86% e punimeve në vetëm 30% të pjesës së parë të lotit të parë të projektit.
Sipas të dhënave zyrtare, loti i parë ka një gjatësi prej 4.85 kilometrash dhe përbën rreth 16.7% të gjithë distancës totale të rrugës. Kjo do të thotë se, pas 18 muajsh punë, është përfunduar realisht rreth 4.3% e gjithë rrugës.
Me këto ritme, projekti parashikohet të përfundojë në vitin 2059, gjatë mandatit të 13-të qeverisës të kryeministrit Edi Rama.
Një pritje modeste, vetëm 33 vjet larg, për një nga akset që pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin mes Kombinatit, Ndroqit dhe zonës së Plepave.
Pak orë pas incidentit të rëndë në qytetin e Durrësit, ku është dhunuar një famlije e tërë, ka reaguar një nga të dëmtuarit, duke rrëfyer tmerrin dhe panikun që kanë përjetuar.
‘Kemi frikë të dalim nga shtëpia se mos na rrahin sërish. Nuk kam dalë as për të blerë bukë për fëmijët!’, shprehet V. Meçani, e cila gjithashtu është sulmuar nga autorët që tashmë janë shpallur në kërkim nga policia. Një tjetër person, 44-vjeçar, është nën procedim penal.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e së premtes në lagjen nr.14, Nishtulla, ku disa persona kanë goditur brenda makinës një familje. Sipas Meçanit, i pari që u sulmua ishte 55-vjeçari Fatmir Meçani. Më pas, makina e familjes, e drejtuar nga vëllai Lulzimi, bashkëshortja e Fatmirit dhe kunata e tij, është sulmuar përsëri nga po i njëjti grup.
Familja Meçani ndjehet e kërcënuar dhe e pambrojtur, pasi autorët janë ende të lirë. Ata thonë se nuk është hera e parë që sulmohen dhe se të njëjtët individë kanë dhunuar edhe familje dhe persona të tjerë në zonë.
‘Kalova aty, u turrën me na gjujt. Ndaloi makina prapë tek shtëpia e vet, na shau… po na bën të zeza të mëdha. Pak minuta më parë u turrën të qëllonin nusen e turit. Çfarë të bëjmë tani, kur nuk merren masa?’, rrëfen gruaja e familjes në dëshminë e saj.
Pas sulmit, katër persona kanë shkuar në policinë e Durrësit për të bërë denoncimin përkatës. Motivet mbeten ende të paqarta, por paraprakisht bëhet fjalë për një konflikt të çastit dhe për motive të dobëta.
Në njoftimin për shtyp, policia bën të ditur se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale ‘Plagosje e lehtë me dashje’ dhe ‘Shkatërrimi i pronës’, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasit A. Z., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit S. Z., 46 vjeç, dhe V. R., 37 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës.
Po sipas policisë, pas hetimeve të kryera nga ekspertët e kriminalistikës, ka rezultuar se ‘më datë 30.01.2026, rreth orës 17:30, në lagjen nr. 14, Nishtulla, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte shtetasit F. M., 55 vjeç, dhe L. M., 55 vjeçe, si dhe kanë dëmtuar automjetin tip ‘Ford Focus’, duke thyer xhamat e derës së shoferit dhe pasagjerit, në pronësi të shtetasit L. M., 47 vjeç’.
Ka nisur protesta para Kryeministrisë, e thirrur pasditen e kësaj të shtune, nga “Shqipëria Bëhet”.
Qytetarë të shumtë janë mbledhur në shesh, për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, pas skandaleve dhe aferave korruptive që përfshinë qeverinë.
Kjo është protesta e katërt kombëtare e thirrur nga Adriatik Lapaj, ndërsa ky i fundit prej vitit të kaluar ka nisur fillimisht i vetëm protestat para kryeministrisë, ndërsa më pas i janë bashkuar edhe qytetarët.
Ndërkohë raportohet se protestës së sotme, i janë bashkuar edhe emigrantë shqiptarë të diasporës, të cilët kanë ardhur enkas për protestën dhe pritet të largohen sërish nga Shqipëria.
Kësaj proteste i është bashkuar edhe deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri.
Kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj ka deklaruar këtë të shtunë se Edi Rama, është simbol i korrupsionit.
Nga protesta te Kryeministria, Lapaj ka deklaruar se Rama po sfidon hapur drejtësinë dhe SHBA, me rastin e Belinda Ballukut, ndërsa shton se ka ardhur koha që populli ti japë ndëshkimin që meriton.
“Dy ditë më parë ishtë në Divjakë me në krah Belinda Ballukun duke i thënë shoqërisë tonë, që nuk ka problem se ju vjedhin se unë i mbaj në krah. Ai i bënte karshillëk drejtësisë, sfidë SHBA të cilat i kanë shpallur luftë krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shiqipëri. Kundër Kuvendit që mban në krahë Belindën.
Ata që na vjedhin po rreshtohen në një front, ne populli po rreshtohemi në frontin përballë. Të gjithë në shesh në javët që vijnë përballë regjimit. Edi Rama sot është simbol i korruspionit dhe i tillë do të mbahet mend gjatë”,- është shprehur Lapaj.
Partizani dhe Elbasani kanë ndarë pikët pas një dueli me drithërima deri në sekondat e tij, ku ndodhi pothuajse gjithçka, në këtë takim të vlefshëm për javën e 22-të të Abissnet Superiores, por gjithçka u mbyll në barazim 2-2.
Të kuqtë krijuan më shumë raste për shënim, por ishin miqtë ata të cilët gjetën avantazhin me Lajthinë. Pak minuta më vonë, Janaçek u ndëshkua me të kuq duke lënë Elbasanin me 10 lojtarë, ndërsa Tsague shpërdoroi një penallti dhe mundësinë për të dyfishuar rezultatin. Pjesa e parë u mbyll me barazimin e Skukës, që e bëri më të ndezur fraksionin e dytë të lojës.
Aty Partizani luajti me 4 sulmues, duke kërkuar golin të cilin e gjeti me Isgandarli. Më pas kishte momente paniku në fushë kur Sembene ra në tokë pa ndjenja në mënyrë të papritur, duke krijuar frikë në kampin e kuq dhe jo vetëm.
I menjëhershëm ishte reagimi nga stafet mjekësore të të dy ekipeve, të cilët i erdhën në ndihmë lojtari. Edhe ambulanca u fut në fushë, por dalja e lojtarit u bë me anë të barelës, i cili u përmend dhe i qetësoi të gjithë.
Me rifillimin e lojës, Elbasani sulmoi me shumë forca dhe ia doli që të gjente barazimin në shtesë me Lajthinë, për të marrë të paktën një pikë në këtë duel.
Rey Manaj nuk humbi kohë dhe u kthye menjëherë në Turqi pas mbylljes së aventurës me skuadrën e Al Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar që ditën e premte, sulmuesi i kombëtares do të bashkohet sërish me Sivassporin, nga ku u largua për të provuar eksperiencën arabe.
Pasditen e kësaj të shtune ai mbërriti në qytetin e Sivas për t’iu bashkuar skuadrës së tij dhe tifozët i kishin rezervuar sulmuesit kuqezi një pritje të zjarrtë. Manaj i qeshur në fytyrë u ndal për t’i përshëndetur tifozët e madje dha autografë e bëri edhe foto selfie me ta.
Sivasspor ndodhet në Ligën e Parë të kampionatit turk, por kjo skuadër dëshiron që të kthehet në Super Lig, aty ku ka qenë dikur dhe Rey Manaj shihet si një armë më shumë për arritjen e këtij objektivi.
Një restaurim brenda njërës prej bazilikave më të vjetra në Romë ka shkaktuar një debat të nxehtë politik.
Incidenti ka të bëjë me Bazilikën e San Lorenzos në Lucina në Romë, ku, pas punimeve në njërën nga faltoret anësore, një nga engjëjt e skalitur pranë bustit të Umberto II të Savojës duket se ka marrë tipare që disa vëzhgues i kanë konsideruar të ngjashme me ato të kryeministres italiane Giorgia Meloni.
Sipas raportimeve, para punimeve, engjëlli kishte tipare të përgjithshme dhe asnjë tipar dallues. Restaurimi nuk u krye nga restauruesit e porositur zyrtarisht nga bazilika, por nga një vullnetar. Vetë Meloni komentoi incidentin në mediat sociale, duke postuar një foto të restaurimit dhe duke shkruar: “Jo, unë definitivisht nuk i ngjaj një engjëlli”.
Mbikëqyrja e Romës ka dhënë dritën jeshile për një inspektim për të verifikuar punën dhe për të konstatuar çdo parregullsi. Partia Demokratike (PD) e Italisë ndërhyri menjëherë në këtë çështje, duke implikuar drejtpërdrejt Ministrinë e Kulturës.
“Ne kërkojmë që Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, të kontaktojë menjëherë Mbikëqyrjen e Romës për të sqaruar raportin në la Repubblica në lidhje me restaurimin e Bazilikës së San Lorenzo në Lucina. Ajo që ka dalë në pah është e papranueshme”, deklaroi partia.
Autori i restaurimit reagoi duke thënë se: “Ngjashmëria me fytyrën e Kryeministrit Giorgia Meloni? Po e sajoni. Unë nuk shoh asnjë ngjashmëri, thjesht bëra atë që ishte aty më parë dhe kaq. Unë isha ai që bëra restaurimin dhe puna përfundoi disa muaj më parë.
Megjithatë, ajo që shihni ishte aty 25 vjet më parë sepse unë restaurova një vepër të 25 viteve më parë. A e dini se çfarë do të thotë restaurim? Do të thotë të ribësh atë që ishte aty më parë, pra 25 vjet më parë, ajo që shihni sot ishte aty“, u shpreh ai.
Në vitin 2018, Miroslav Lajçak, i cili në atë kohë mbante detyrën e ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, i dërgoi Jeffrey Epstein një mesazh nga Kievi, duke shkruar ‘Përshëndetje nga Kievi. Thjesht dua ta konfirmoj se vajzat janë të mrekullueshme si gjithmonë’.
Më pas, Lajçak i dërgoi Epsteinit edhe një ‘përshëndetje nga Kievi’, bashkë me një fotografi, e cila ishte e censuruar, shkruajnë mediat sllovake.
Ky komunikim është pjesë e mbi tre milion faqe dokumentesh që lidhen me hetimin ndaj Jeffrey Epsteinit, të cilat Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara publikoi ditën e djeshme (e premte).
Sipas mediave sllovake, emri i Lajçak, i cili ka shërbyer gjithashtu si i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, shfaqet 346 herë në këto dokumente.
Pas publikimit të emaileve të tij, Lajçak mësohet se ka dhënë dorëheqjen, të cilën kishte refuzuar ta jepte më herët kishin kishi dalë fjalë për këto emaile, por nuk ishin bërë publike.
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, njoftoi se do ta pranojë dorëheqjen e Lajçak-ut, por lidhur me kritikët e këtij të fundit tha se prej kohësh nuk kishte parë ‘kaq shumë hipokrizi’, raporton portali Dnevnik N.
‘Miro edhe një herë ka dëshmuar se është një diplomat i shkëlqyer dhe unë e pranoj ofertën e tij për t’i dhënë fund bashkëpunimit tonë, edhe pse të gjithë ne – jo vetëm unë – po humbasim një burim të jashtëzakonshëm përvoje në diplomaci dhe politikë të jashtme. Është e çuditshme që një simbiozë e ngjashme e mediave, opozitës dhe partive qeverisëse nuk e ka shënjestruar liderin e opozitës Šimeček, i cili, përmes mashtrimeve me grante si në nivel sllovak ashtu edhe në atë të BE-së, përfaqëson një rrezik shumë më të madh për reputacionin e vendit tonë sesa këshilltari i kryeministrit, Miroslav Lajčák’, thuhet në deklaratën e Ficos.
Materialet e publikuara tregojnë për një sërë takimesh midis Lajçak dhe Epsteinit, si dhe për biseda miqësore që lidhen me ‘vajzat’. Më tej, emri ‘Miro’, siç e thërriste shpesh Epstein Lajçakun, shfaqet mbi 700 herë, shkruan Politico.
Në kohën kur Lajçak i dërgonte këto mesazhe nga Kievi, ai po merrte pjesë në një takim në Ukrainë me ish-presidentin, Petro Poroshenko dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.
Në mesazhe të tjera, Lajçak i dërgoi Epsteinit një fotografi nga Moska – e censuruar – dhe Epstein i shkroi më pas se do të preferonte ‘një pamje nga brenda’.
Lajçak iu përgjigj duke thënë se ‘vajzat janë të jashtëzakonshme’, ndërsa Epstein vazhdoi bisedën duke i përshkruar këto vajza si ‘eksporti më i mirë rus’.
Në një tjetër mesazh, Lajçak i shkruan Epsteinit se nuk kishte asnjë vajzë me vete në atë moment. Epstein i përgjigjet se ishte me dy vajza, dhe kjo gjë Lajçakut i duket ‘padrejtësi’.
‘Por unë nuk do të jem president’, i thotë më tej Epstein.
Ka ndërruar jetë 45-vjeçari Denis Çumani, i cili mbrëmjen e së martës, 27 janar, u plagos me armë zjarri në derë të shtëpisë.
Burime eskluzive për JOQ ALBANIA bëjnë me dije se 45-vjeçari ka ndërruar jetë në spital, për shkak të plagëve të marra.
Mbrëmjen e së martës, dy kushërinjtë Dorian dhe Indrit Ferra i kanë shkuar në shtëpi Çumanit dhe pasi e kanë dhunuar fizikisht kanë qëlluar me armë drejt tij dhe plumbi i ka përshkuar trupin tejpërtej, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Mësohet se shkak i konfliktit ka qenë një vajzë. Çumani i kishte dërguar mesazhe asaj, ndërkohë që ajo ishte në një lidhje me Dorian Ferrën. Pak ditë më parë, vajza ishte takuar me Dorianin dhe kishin frekuentuar një lokal, ku gjatë kësaj kohe ajo ka marrë sërish mesazhe nga Çumani, të cilat janë vënë re nga Ferra.
Pas shoqërimit të vajzës në banesë, Dorian Ferra ka marrë kushëririn e tij, Indritin, dhe së bashku kanë shkuar tek banesa e Çumanit.
Dy kushërinjtë janë shpallur në kërkim nga policia vetëm për plagosjen e 45-vjeçarit pasi për vdekjen e tij policia s’është bërë ende e gjallë edhe pse ditën e nesërme Denisi përcillet për në banesën e fundit.
Belind Këlliçi, nëpërmjet një reagimi në Facebook, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama pas kërcënimeve publike ndaj SPAK ka kaluar në akte mafioze. Ai shprehet se vendimi për shtimin e masave të sigurisë për prokurorët e SPAK tregon se organizata më e madhe kriminale në vend, ajo e rilindjes, po vepron tashmë me metodat e saj mafioze.
Më tej, Këlliçi shprehet se shtimi i masave të sigurisë në veçanti për Prokurorin Dritan Prençi që ka dosjen Balluku, është një kambanë alarmi për situatën e rëndë ku ndodhet vendi.
Reagimi i plotë:
Nga kërcënimet publike ndaj SPAK, Rama tani ka kaluar në akte mafioze! Vendimi për shtimin e masave të sigurisë për prokurorët e SPAK pas një fushate sulmesh që ka ndërmarrë Edi Rama ndaj tyre, tregon edhe një herë se organizata më e madhe kriminale në vend, ajo e rilindjes, po vepron tashmë me metodat e saj mafioze.
Sa kohë që këta prokurorë hetuan dhe ndoqën penalisht (madje politikisht) drejtuesit e opozitës në vend, nuk patën asnjë shqetësim me sigurinë e tyre.
Problemet nisën kur u morën me korrupsionin galopant dhe lidhjet e qeverisë me krimin. Kërcënimet nisën me Veliajn dhe po kulmojnë sot që është shpallur e pandehur Belinda Balluku dhe hetimet tanimë përfshijnë dhe Edi Ramën.
Kryeministri po bën gjithçka për të penguar drejtësinë dhe po mbron aferat e tij, duke refuzuar kërkesat e SPAK. Por nga ana tjetër, siç konfirmohet sot me vendimin që ka marrë KLP, ai ka shkuar dhe në kanosje mafioze.
Shtimi i masave të sigurisë për prokurorët, e në veçanti për Prokurorin Dritan Prençi që ka dosjen Balluku, është një kambanë alarmi për situatën e rëndë ku ndodhet vendi.
Çdo shqiptar e di sot se prokurorët e SPAK dhe ata të Ballukut, të aferave të tunelit, e të tenderave qindra mlionë euroshe, janë të kërcënuar nga Edi Rama.
Eshtë një moment vendimtar për Shqipërinë. Ky bandit duhet ndalur. Dhe vetëm qytetarët e kanë në dorë zgjidhjen.
Me 10 shkurt është dita për ta treguar këtë. Bashkimi ynë në shesh, qendresa jonë, është fundi i tij.
Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeç aktori i njohur Fitim Makashi, babai i Redon Makashit.
Fitim Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër. Në vitin 1963 nisi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ku përfundoi degën e aktorit në vitin 1967. Pas përfundimit të studimeve, ai punoi për një kohë të gjatë si pedagog në të njëjtin institut, ndërkohë që angazhimet e tij në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) ishin të herëpashershme. Zyrtarisht, emërimi i tij si aktor në këtë teatër ndodhi në vitin 1978, ku vazhdoi të interpretojë për rreth 12 vjet, deri në mesin e viteve ’90.
Gjatë karrierës së tij në skenën teatrale, Makashi realizoi role të paharrueshme. Disa nga më të njohurat përfshijnë Pedagogun në “Pas provimit të dytë”, Drejtorin e fermës në “Ata që duhen”, Benin tek “Vdekja e një komisioneri”, Bedriun tek “Dritat e skenës”, Telhain në “Besa” dhe Filipoviçin në “Inspektori”, ky i fundit duke u konsideruar edhe roli i tij i fundit në teatër.
Në kinematografi, Fitim Makashi debutoi në vitin 1967 me një rol episodik si marinar në filmin “Dueli i heshtur”. Pas kësaj, ai luajti në një sërë filmash të tjerë, mes të cilëve: “Prita” (1968), “Njësiti gueril” (1969), “Ndërgjegja” (1972), “Rugicat që kërkonin diell” (1975), “Në fillim të verës” (1975), “Ilegalët” (1976), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Intendenti” (1980), “Gjurmë në kaltërsi” (1981), “Tre njerëz me guna” (1985), “Shpella e piratëve” (1991) dhe “Vdekja e kalit”.
Një sherr që ka degraduar në përplasje fizike raportohet të ketë ndodhur në Nishtullë të Durrësit.
Sipas policisë, 44 vjeçari A.Z, së bashku me shtetasit S. Z., 46 vjeç, dhe V. R., 37 vjeç, në datën 30 janar, rreth orës 17:30, në lagjen nr. 14, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasit F. M., 55 vjeç, dhe L. M., 55 vjeçe, si dhe kanë dëmtuar automjetin tip “Ford Focus”, duke thyer xhamat e derës së shoferit dhe pasagjerit.
Për pasojë policia thotë se ka nisur procedimi penal për shtetasin A.Z, ndërsa janë shpallur në kërkim shtetasit S. Z. dhe V. R, pasi akuzohen për ‘Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.
Kristjan Asllani zgjodhi të kalonte te ekipi turk Beshiktash, për të vijuar karrierën e tij. Mesfushori i kombëtares u shpreh entuziast, në fjalët e tij të para si lojtar i skuadrës turke.
“Kam lindur shqiponjë dhe është në gjakun tim. Një shqiponjë nuk tërhiqet kurrë mbrapa dhe unë do e tregoj. I lindur për të fluturuar dhe i krijuar për të luftuar. Asnjë frikë, asnjë justifikim. Vetëm zemër. Përqendrim maksimal. I lindur shqiponjë, gjithmonë shqiponjë”- tha Asllani në italisht.
Sa i takon marrëveshjes, bëhet fjalë për një huazim deri në verën e 2026, ndërsa klubi turk ka të drejtën e blerjes së kartonit.
Vora dhe Flamurtari u ndalën në një barazim 0-0 në ndeshjen që hapi javën e 22-të të Superiores. Sfida nuk prodhoi gola, por jo mungesë emocionesh, sidomos nga ana e vendasve.
Skuadra e Vorës ishte më kërkuese gjatë gjithë takimit dhe krijoi rastet më të pastra për shënim. Në një moment, vendasit iu afruan shumë avantazhit, teksa topi u ndal në traversën e portës së Flamurtarit, por pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës.
Në fund, ekipi i drejtuar nga Bellaj u detyrua të kënaqej me vetëm një pikë, ndërsa edhe Flamurtari largohet nga kjo transfertë me një rezultat pozitiv. Ky barazim u shërben vlonjatëve për të ruajtur përkohësisht distancën nga dy vendet e fundit të renditjes.
Ish kreu i SPAK, Altin Dumani dhe disa prokurorë të tjerë të posaçëm do të kenë mbrojtje të shtuar. Kërkesa, e cila ishte bërë nga kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, u miratua nga Komisioni i Mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Kërkesa për shtimin e sigurisë vjen pas presionit në rritje ndaj Dumanit lidhur me hetime të shumta që mbajnë firmën e tij në kohën kur ishte drejtues i SPAK, si dhe dosjet e tjera të “nxehta” që mbajnë prokurorët e strukturës së posaçme.
Përveç Dumanit, mbrojtja shtesë do të ketë edhe për disa prokurorë të tjerë të Prokurorisë së Posaçme, mes të cilëve edhe Dritan Prençi, i cili po heton zëvendës kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.
Prençi gjithashtu kërkoi caktimin e dy masave “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë territorit të vendit” ndaj zv. Kryeministres së marrë të pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për procedura të tjera.
Pas përmbytjeve të fillimit të vitit në qytetin bregdetar u raportuan dëmtime serioze në disa segmente rrugore, ndërsa Bashkia e Durrësit, në postime publike, e paraqiti situatën si pasojë të drejtpërdrejtë të reshjeve të shiut.
“Rruga e Currilave është dëmtuar si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit”, shkroi Bashkia e Durrësit në një postim në rrjetet sociale më 10 janar. Në të njëjtin postim, institucioni bëri të ditur se ishin ndërmarrë masa për rikthimin e situatës në normalitet.
“Ekipet kanë nisur punën për rikthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme brenda pak ditësh”, shkroi bashkia katër ditë pasi qyteti ishte përmbytur, duke e shoqëruar postimin edhe me disa foto nga terreni, ku dukej qartë asfalti i rrugës.
Kryetarja e Bashkisë Emiriana Sako, duke insektuar rrugën e dëmtuar në Currila. Foto: Bashkia Durrës
Në komunikimin zyrtar, reshjet u paraqitën si shkaku i dëmtimit. Por, sipas ekspertëve të ndërtimit, ekziston një dallim i qartë mes përmbytjes së përkohshme të një rruge dhe dëmtimit strukturor të saj, pasi për ndërtimin e rrugëve ekzistojnë standarde të miratuara teknike që, nëse respektohen, garantojnë qëndrueshmëri edhe në kushte reshjesh intensive.
“Nëse respektohen standardet teknike të ndërtimit, nuk ka arsye pse rrugët të prishen nga reshjet e shiut apo përmbytjet afatshkurtra”, u shpreh Romeo Nazarko, inxhinier ndërtimi, për Median Amfora.
Raste të ngjashme janë raportuar edhe në zona të tjera të qytetit gjatë dhe pas reshjeve, ku segmente rrugore dhe investime publike janë dëmtuar pak kohë pas përfundimit të punimeve, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e ndërtimit dhe respektimin e standardeve teknike.
Në zonën e Plazhit të Madh, shëtitorja bregdetare u dëmtua vetëm disa muaj pas përfundimit të një investimi me vlerë miliona euro, ndërsa në lagjen nr. 8 një rrugë e asfaltuar në fund të dhjetorit u degradua pas reshjeve të janarit.
Qytetarë të shumtë reaguan në rrjete sociale, duke publikuar pamje dhe video nga rrugë të sapo asfaltuara që u dëmtuan pas përmbytjeve. Këto episode treguan se përmbytja nuk ishte vetëm një ngjarje natyrore, por edhe një test për qëndrueshmërinë e infrastrukturës urbane të qytetit.
Eksperti thekson se rastet kur shfaqen çarje, gropa apo shkëputje të shtresave të asfaltit lidhen kryesisht me probleme gjatë procesit të ndërtimit, si mungesa e shtresave sipas projektit, ngjeshja e pamjaftueshme e tabanit përpara asfaltimit, trashësia e asfaltit nën parametrat teknikë ose ndërtimi mbi taban problematik pa studime gjeologjike të plota.
“Dëmtimet ndodhin kur mungojnë shtresat e duhura, nuk është bërë ngjeshja sipas rregullave ose rruga ndërtohet mbi taban problematik pa studime gjeologjike”, shpjegoi Nazarko.
Sipas tij, rastet kur një rrugë e re dëmtohet pak ditë ose javë pas shtrimit të asfaltit tregojnë probleme serioze në cilësinë e punimeve, dhe jo ndikimin e shiut si shkak kryesor.
“Nëse një rrugë e re dëmtohet menjëherë pas shtrimit, kjo tregon probleme në ndërtim, si ujëra nëntokësore të patrajtuara ose anashkalim të rregullave të shtresëzimit dhe ngjeshjes”, theksoi ai.
Edhe përfaqësues të shoqërisë civile në Durrës e shohin problematikën përtej faktorëve natyrorë. Abdulla Deliallisi, përfaqësues i shoqatës “Durrësi Autokton”, theksoi se qyteti nuk ka kushte natyrore që ta bëjnë të pashmangshme përmbytjen në këtë formë, duke qenë se nuk përshkohet nga lumenj.
“Durrësi nuk ka lum dhe nuk ka arsye natyrore pse të përmbytet në këtë mënyrë”, tha ai për Median Amfora.
Sipas Deliallisit, përmbytjet dhe pasojat e tyre lidhen me projektimin, zbatimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës urbane, për të cilat duhet të ketë përgjegjësi institucionale.
“Problemi lidhet me projektimin, zbatimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës, për të cilat duhet të ketë përgjegjësi”, shtoi ai.
Edhe të dhënat zyrtare mbi reshjet e shiut sugjerojnë se problemet infrastrukturore nuk lidhen vetëm me intensitetin e reshjeve. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, më 11 shtator janë regjistruar 24.8 mm reshje, më 29 janar po të vitit të kaluar 70.5 mm, ndërsa më 6 janar të këtij viti 98.0 mm. Këto të dhëna tregojnë se përmbytje dhe probleme infrastrukturore janë shënuar edhe në ditë me reshje mesatare, duke e zhvendosur fokusin te kapaciteti i sistemit të kullimit dhe qëndrueshmëria e infrastrukturës urbane.
Një tjetër problem, sipas ekspertëve, lidhet me praktikat e asfaltimit mbi asfalt ekzistues, pa përgatitjen e duhur të sipërfaqes dhe pa respektuar trashësinë minimale teknike, çka e bën dëmtimin të pashmangshëm.
“Kur asfalti i ri hidhet mbi asfalt ekzistues pa u gërryer dhe pastruar sipërfaqja, ose kur trashësia është nën 4 centimetra, dëmtimi është i pashmangshëm”, theksoi Nazarko.
Shoqëria civile thekson se kostoja reale e këtyre dëmtimeve bie mbi qytetarët, të cilët paguajnë si për riparimet publike, ashtu edhe për dëmet në banesa dhe biznese private.
“Dëmet do të paguhen nga taksat e qytetarëve, ndërsa njerëzit përballen me pasoja të drejtpërdrejta në jetën e përditshme”, përfundoi Deliallisi.
Në këtë kuadër, shpjegimet publike që ia atribuojnë dëmtimin e rrugëve reshjeve të shiut nuk pasqyrojnë të gjithë realitetin. Përmbytja mund të jetë një fenomen natyror, por dëmtimi i rrugëve lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si infrastruktura është projektuar, ndërtuar dhe mirëmbajtur.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet pse nuk fton në protesta figura që u cilësuan si intelektualë, si Lulzim Basha dhe Bamir Topi. Në përgjigjen e tij, Berisha i cilësoi ata si pseudointelektualë
“Po flet për intelektualë apo pseudointelektualë? Po ta them me sinqeritet: kthehu pak në vitin 1990 dhe lexo çfarë kam thënë në revistën ‘Drita’, ku kam bërë dallimin mes intelektualëve dhe pseudointelektualëve. Pseudointelektualët janë fatkeqësia e kombit. Më mirë të mos i ngatërrojmë”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se Partia Demokratike u ka dhënë atyre çdo mundësi për t’u angazhuar politikisht, por sipas tij, këto figura e kanë përdorur partinë për interesa personale.
“A nuk u dha kjo parti çdo mundësi? Dhe për çfarë e përdorën? Mirësitë e Bamir Topit ishin pronat e tij. Të Lulzim Bashës, pasurimi i tij”, deklaroi Berisha.
Partia e Lirise përmes zv/sekretares së Përgjithshme, Brunilda Haxhiu, denoncoi se mbrojtja e grave shqiptare nga dhuna nuk duhet të ndalet vetëm në ndëshkimin e keqtrajtuesit, por edhe në mundësitë ekonomike dhe sociale që gruaja t’ia dalë e vetme. Kjo mbështetje thotë Haxhiu – duhet garantuar nga shteti.
Reagimi i Partisë së Lirisë
Shqipëria ka ligje per denimin e dhunes ndaj gruas, por ato nuk funksionojnë në praktikë. Urdhrat e mbrojtjes shpesh nuk zbatohen, ndërsa institucionet reagojnë me vonesë, edhe kur rreziku është i qarte.
Policia, shërbimet sociale, prokuroria dhe bashkitë nuk veprojnë si zinxhir i koordinuar. Raste të përsëritura dhune janë trajtuar si “konflikte familjare”, duke minimizuar rrezikun real për jetën e grave. Strehëzat për gratë e dhunuara janë të pakta, të nënfinancuara dhe të mbështetura kryesisht nga donatorë, jo nga buxheti i shtetit. Mbështetja ekonomike për gratë që largohen nga dhuna është pothuajse inekzistente.
Proceset janë të ngadalta, masat shpesh të buta dhe ndëshkimi jo proporcional me rrezikun. Në disa raste, dhunuesit janë lënë të lirë, duke u kthyer në kërcënim të drejtpërdrejtë për viktimat. Politikat shtetërore fokusohen te reagimi, jo te parandalimi. Nuk ka programe serioze edukuese në shkolla, komunitete dhe media për të luftuar kulturën e dhunës dhe kontrollit ndaj grave.
Shumë gra qëndrojnë në marrëdhënie të dhunshme për shkak të varfërisë, mungesës së strehimit dhe pamundësisë për të siguruar jetesën për fëmijët.
Dhuna brenda familjes nuk duhet të shihet e shkëputur nga realiteti shoqëror dhe ekonomik në të cilin jetojmë. Dhuna eshte pasojë e një shoqërie nën presion të vazhdueshëm, e familjeve të lëna pa mbeshtetje , e një jete që është bërë më e pasigurt se kurrë.
Sot kemi familje shumë të varfra. Prindër të papunë ose të keqpaguar. Prindër që punojnë me orare të zgjatura dhe sërish nuk arrijnë të mbyllin muajin. Sot familjet e reja nuk arrijnë dot të blejnë një shtëpi. Me rrogat që marrin, kjo është e pamundur. Jetojnë me ankth, me borxhe, me pasiguri për të ardhmen.
Ky stres i përditshëm, kjo ndjenjë pafuqie dhe frike,qe i jep varferia, grumbullohet dhe shpesh shpërthen në formën më të keqe: dhunë brenda familjes. Në një shoqëri të kriminalizuar, ku modeli që jep shteti shpesh është modeli i forcës, i pandëshkueshmërisë, i arrogancës, dhuna normalizohet.
Dhuna nuk është vetëm brenda mureve të shtëpisë. Ate e shohim shpesh në institucione shtetërore, ne konflikte mes femijeve ne shkolla. Ne rruge. Jeta jonë është bërë më e pasigurt, me e dhunshme dhe kjo ka nje marredhenie dinamike familje- shoqeri.
Statistikat janë alarmante. Një në pesë gra në Shqipëri ka përjetuar dhunë fizike ose seksuale gjatë jetës së saj. Vetëm në një vit, denoncohen mbi një mijë raste dhune në familje. Dhe ne e dimë të gjithë se shifrat reale janë shumë më të larta se ato qe denoncohen.
Kjo do të thotë se dhuna ne familje nuk eshte nje problem i vecuar por eshte strukturor. dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet vetëm me masa ndëshkuese. Po, ndëshkimi është i domosdoshëm. Por nuk mjafton.Përpara se të ndëshkojmë, duhet të pyesim veten: çfarë kemi bërë për ta mbrojtur familjen, për ta shëndoshur atë, për t’i dhënë garanci jetese?
Një grua e fortë financiarisht, e realizuar në profesionin e saj, e edukuar për të jetuar me dinjitet, është një grua më e pavarur dhe më e aftë të reagojë ndaj dhunës. Varësia ekonomike nxit nenshtrimin e gruas ndaj dhunes. Një grua pa të ardhura, pa strehë, pa mbështetje, është e detyruar të zgjedhë mes dhunës dhe mbijetesës.
Ky eshte kurthi social ne te cilin gjendet sot shume gra. Dhuna nuk është fenomen privat, ku shteti nuk duhet të ndërhyjë.
Shteti është drejtpërdrejt përgjegjës: për garantimin e kushteve bazike të mirëqenies brenda familjes, për arsimin dhe shëndetësinë, për mbështetjen financiare të prindërimit, për ndërhyrjen e menjëhershme kur ka dhunë.
Një grua e dhunuar nuk mund të vazhdojë të jetojë në të njëjtën shtëpi me dhunuesin, pasi e ka denoncuar atë. Nuk mund të jetojë me 100 mijë lekë të vjetra në muaj; Nuk mund të mbijetojë pa strehë, pa ndihmë reale, pa mbrojtje efektive. Megjithatë, kjo është situata e nje gruaje te dhunuar ne Shqiperi. Shumë gra, pasi ndahen nga burrat dhunues, gjenden në det të hapur. Të paragjykuara nga shoqëria.
Të braktisura nga familja. Të pambështetura nga shteti. Ato kanë fëmijë për të rritur. Dhe askush nuk pyet si ia dalin?Me çfarë jetojnë? Ku strehohen? Kur urdhri mbrojtjejes vonon,kur streha sociale nuk ekziston, kur nuk ka ndihme te mjaftueshme financiare eshte deshtim i shtetit, jo rezultat i paaftesise se grave per tia dale.
Çmimet e arit, pasi u rritën vazhdimisht për rreth dhjetë javë, shënuan një rënie të fortë të premten.
Rreth orës 18:30 GMT, çmimi i arit për ons ra në nivelin 4.775 dollarë, me rreth 11 për qind rënie në bazë ditore.
Megjithatë, ari është rritur me rreth 88 për qind gjatë 12 muajve të fundit dhe rreth 19 për qind që nga fillimi i vitit, i mbështetur nga tensionet e shtuara tregtare dhe gjeopolitike, si dhe nga uljet e normave të interesit nga bankat kryesore qendrore.
Edhe çmimet e argjendit pësuan një rënie të fortë, duke u ulur me mbi 33 për qind në 76,1 dollarë për ons. Rritja e tij gjatë 12 muajve ishte 255,6 për qind.
Vendimi i Rezervës Federale (Fed) të mërkurën për të mbajtur normat e interesit të pandryshuara ndihmoi dollarin të rikuperohej nga nivelet më të ulëta të shumë viteve, megjithëse ai mbeti pranë një rënieje të dytë radhazi javore.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi sot se ka zgjedhur ish-guvernatorin e Rezervës Federale, Kevin Warsh, si kandidat për postin e kryetarit të ardhshëm të Fed-it, duke thënë se ai do të jetë “një nga kryetarët më të mëdhenj të Fed-it, ndoshta më i miri”.
Megjithatë, procesi i konfirmimit mund të rezultojë i vështirë, pasi disa senatorë republikanë janë zotuar të bllokojnë çdo nominim për Fed-in derisa Departamenti amerikan i Drejtësisë të përfundojë hetimin mbi rinovimin e selisë së bankës qendrore në Washington.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në minierat e Bulqizës, ku një punonjës 57-vjeçar, Bashkim Keta, ka ndërruar jetë gjatë ushtrimit të detyrës së tij si roje.
Sipas dyshimeve paraprake, 57-vjeçari dyshohet të ketë pësuar arrest kardiak, duke rënë në stogun e kromit në minierë.
Autoritetet lokale dhe shërbimet e emergjencës janë nisur menjëherë në vendngjarje për të konstatuar rrethanat e ngjarjes dhe për të nisur hetimet.
Ngjarja ngre shqetësime për sigurinë në miniera, veçanërisht për punonjësit që operojnë në zona me rrezik të lartë dhe kushtet e vështira të punës.