Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 January 202627.al

“Vizitë monitoruese”, SPAK i thotë “jo” komisionit Xhafa, alarmon për cenim të pavarësisë –

By: 27
30 January 2026 at 18:34

Pikërisht ditën kur Klodian Braho mori detyrën e kryeprokurorit në mënyrën më aktive të mundshme duke behur në Këshillin e Mandateve në Kuvend, komisioni i Përhershëm Parlamentar Xhafaj kërkonte të futej në axhendën e SPAK.

Kërkesa lidhej me një vizitë monitoruese mbi rezultatet e SPAK për pastrimin e parave. Në këtë shkresë politika e mbështet kërkesën tek një shkresë e Agjencisë së Inteligjencës Financiare  drejtuar  kuvendit dhe disa institucioneve për disponimin e të dhënave rreth pastrimit të parave.

Por SPAK i thotë ‘jo” takimit me komisionin Xhafaj, që ishte sugjeruar të mbahej në 6 shkurt 2026. SPAK në këtë dokument, të bërë publik fillimisht nga lapsi.al, e cilëson takimin monitorues në kapërcim të ligjit dhe pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme.

Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme. Kjo pavarësi nuk është vetëm një kërkesë formale ligjore, por edhe një kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase, në mbrojtje të interesit publik dhe të sundimit të ligjit.”

Megjithatë SPAK lë një dritë jeshile për bashkëpunim me komisionin, kur i kujton se mund ta informojë sipas ligjit, por jo ta monitorojë.

Në vijim të dialogut dhe bashkëpunimit ndër institucional me komisionin, Prokuroria e Posaçme mbetet e angazhuar për të kontribuar në përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj kushtetuese.”

Megjithatë siç rendit edhe në shkresë, SPAK e ka kryer më herët raportimin mbi përmbushjen e rekomandimeve të Task forcës. Ky informim kryhet në kuadër të procesit të Shqipërisë nga Moneyval, Organizata Ndërkombëtare e Monitoritimit kundër pastrimit të parave.

gijotina.com/

Beu i Belshit Arif Tafani puqet me Giovanni Pascale-n e Peqinit, 1 miliard lekë për personazhin e dosjes së Ballukut –

By: 27
30 January 2026 at 18:10

Në një shtet ku kryeministri lufton me SPAK-un për të mbrojtur nga arrestimi zëvendësen e tij, është e shpjegueshme situata ku zyrtarët e tenderave të mos kenë respekt për drejtësinë. Një autoritet prej tyre është edhe “Beu” Belshit, Arif Tafani. Me firmën e tij ia jep tenderin 1.1 miliard lekë një kompanie ndërtimi që është nën hetim nga SPAK në dosjen e Belinda Ballukut për korrupsion.

Dhe shqetësimi ynë nuk është vetëm për mungesën e etikës dhe të shkujdesjes në zbatimin e rregullave dhe ligjeve antikorrupsion! Ky tender ka fakte që ulërijnë se fituesi është i paracaktuar.

Tenderi me “flamur” korrupsioni

“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues perveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e përshkruan tenderin Open Data Albania. Për të treguar riskun e korrupsionit, procedura është shënuar me “Flamur të kuq”.

Më konkretisht, bëhet fjalë për tenderin e Bashkisë Belsh me objekt “Rikonstruksion, i disa rrugëve të brendshme të Bashkisë Belsh, Faza III”. Prokurimi i financuar nga buxheti i bashkisë është çelur më 2 dhjetor 2025 dhe është mbajtur më 5 janar 2026.

Fondi Limit caktuar për këtë projekt është 113 802 153,00 lekë pa TVSH dhe siç do ta shohim nga ofertat është shumë lart mesatares së tregut për këto punime dhe çmimet e materialeve.

Nuk po flasim për autostradë, por për një rrugë fshati me gjatësia totale 5.6 km me gjerësi që nuk i kalon 2.5 metra. Pa ndriçim, trotuare apo gjelbërim.

 

Për t’i hapur rrugën kompanisë “EUROTEOREMA PEQIN ”, me pronar italianin Giovanni Pascale,  “Beu” i Belshit skualifikoi 22 kompani mes të cilave të gjitha ofertat që ishin më të ulëta dhe ekonomike.

Kompania e Giovanni Pascale e kishte ofertën 73 365 325.67 leke pa TVSH. Po kjo nuk ishte vlera më e ulët e ofruar, sepse kishte kompani të tjera që kishin propozime më ekonomike.

Për shembull: Operatori ekonomik “SHKELQIMI 07” prezantoi ofertën 70,700,741.17 lekë pa TVSH.

Ndërkaq, kompania “2 N” shpk kishte ofertë akoma më të ulët, 65,692,648 lekë pa TVSH. Në këtë nivel është edhe oferta e kompanisë “ERGI” shpk me vlerë 67,889,602.05 lekë pa TVSH. Edhe propozimi i bashkimit të firmave “FLED” Shpk & “S.M.O Union” shpk me vlerë 69 796 924,53 lekë pa TVSH është më i leverdishëm se sa kompania italiane.

Ndërsa “L.T.E CONSTRUCTION” shpk e kishte ofertën 65,982,791 lekë pa TVSH. Një propozim ekonomik vjen edhe nga “SALILLARI” shpk me vlerën 70 500 000 lekë pa TVSH.

Por “Shendelli” shpk befason me propozimin që ta bëjë këtë punë me çmimin 60,440,307 leke pa TVSH.

Të gjitha këto oferta u hodhën në kosh nga “Beu” i Belshit, i cili më 26 janar 2026 shpalli fituese kompaninë e Giovanni Pascale-t.

Firma e Giovanni Pascale në dosjen e SPAK për Ballukun

Hetimet e SPAK kanë gjetur të dhëna se edhe tender i Unazës së Madhe Loti IV është diktuar nga Belinda Balluku dhe është i paracaktuar. Ndaj saj është ngritur pikërisht akuza e re gjithashtu për shkelje të barazisë në tendera për rastin e Unazës së Madhe.

Kriteret për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe dyshohet sipas SPAK të jenë vendosur specifikisht për të favorizuar kompanitë e ndërtimit “Euroteorema Peqin”, “Pevlaku” dhe “NOVA Construction”.

Për këtë tender, dhe 6 lotet e tjera po të Unazës së Madhe në Tiranë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku është person nën hetim.  Loti 4, u përmend për herë të parë nga SPAK-u kur ndaj Ballukut u vendos masa e pezullimit nga detyra.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ajo dyshohet të ketë “ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga institucioni në varësi të kësaj ministrie, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në fazën përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave” dhe se së bashku me drejtorin e ARRSH dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit “kanë paracaktuar fituesin”.

Kompania “Euroteorema”, një nga 3 operatorët që fituan garën te Unaza e Madhe, rezulton se ka marrë shumë tenderë edhe në kohën e qeverisjes së Berishës, kur merrte konsulenca juridike nga Argita Berisha. Ndërsa “Nova Construction – 2012” sh.p.k është në pronësi të Ilir Shtufit, i cili është ortak i një kuote në masën e 91% të vlerës së kapitalit të kësaj kompanie dhe i lidhur ngushtë me familjen Berisha. Po ashtu, pronari i “PE-VLA-KU” shpk ka pronar Vladimir Pjetërgjokajn, njeri i afërt me Berishën.

Dosja që SPAK ka dërguar së bashku me kërkesën për arrestimin e Ballukut, ofron elementë të rinj, se si Ilir Shtufi u bë një ndër fituesit e garës.

 

“Prite pak Ilir Shtufin e Nova dhe bëja të qartë që shkon me EUT-në dhe mos ta shoh në vend tjetër. Punët i ke me Gimin thuaj jo me mua”. Ky është një mesazh që Balluku i dërgon në telefon vartësit të saj, kreut të ARRSH-së në atë kohë, Evis Berberi. Me këtë komunikim të datës 10 shtator 2021, vetëm pak javë para se të shpallej fituesi, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku jo vetëm që sipas SPAK e paracaktonte fituesin e tenderit të lotit 4 të Unazës së Madhe, por i impononte edhe ortakun biznesmenit Ilir Shtufi.

Vetëm pak minuta pas urdhrit të ministres, kreu i ARRSH atëherë komunikon me biznesmenin Shtufi dhe menjëherë ia konfirmon eprores se porosia u çua në vend, duke i çuar këtë mesazh: “E takova, ok”.

Tenderi për Lotin IV të Unazës së Madhe u hap më 16 gusht të vitit 2021, fituesi u shpall më 6 tetor dhe kontrata u lidh më 21 nëntor 2021.

Biznesmeni Ilir Shtufi, është marrë në pyetje për rastin në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Sipas dosjes së SPAK-ut, ai ka deklaruar ndër të tjera se “stafi i tij kishte hyrë në diskutime dhe me inxhnierët e shoqërisë ‘Euroteorema Peqin’, por përfaqësuesit e kësaj shoqërie kishin kërkuar maxhorancën e punimeve dhe ai nuk ishte entuziast për këtë bashkëpunim. Gjatë kësaj kohe, kur ende nuk ishte vendosur bashkëpunimi me shoqërinë ‘Euroteorema Peqin’, është njoftuar nga inxhinieri i shoqërisë së tij ‘Nova construction’, që të takonte Evis Berberin, i cili e kishte kërkuar disa herë për ta takuar. Ai deklaron se duke qenë se Evis Berberi ishte titullari i autoritetit kontraktor në tenderin që shoqëria e tij donte të konkurronte, e ka takuar atë. Pas këtij takimi me Evis Berberin, ka vendosur për të bashkëpunuar me shoqërinë ‘Euroteorema Peqin”.

Në vitin 2021, ish-drejtori Evis Berberi firmosi fituesin e tenderit të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Sipas dokumenteve, fituesi i lotit 4 ishte një bashkim operatorësh “EUROTEOREMA PEQIN” & “PE-VLA-KU” dhe “NOVA Construction 2012”.

Fondi Limit ishte 2 miliardë lekë të reja (20 milionë euro). Fituesi ofruan 1.991.017.847 lekë (20 milionë euro), ose shumë afër fondit limit, teksa në garë në atë kohë ka pasur oferta deri në 4 milionë euro më pak.

Por nuk ka fund korrupsioni! Kontrata e Lotit IV është modifikuar dhe i janë shtuar edhe 1.5 milionë euro.

Kështu, pas më shumë se 10 vitesh dhe mbi 400 milionë eurove të investuara, u dhanë të tjera para shtesë, pavarësisht se Balluku dhe Rama bën një ceremoni të hapjes së këtij aksi.

“Beu” i Belshit ha gjithë paratë e bashkisë

Tafani është mësuar që të shpërdorojë buxhetin e bashkisë Belsh në favor të biznesmenëve që u jep tendera pa garë. Dëmet e shkaktuara janë bërë pjesë e disa raporteve të auditimeve të KLSH. Gjithsesi, Tafani është në krye të bashkisë prej disa mandatesh. Ai është zgjedhur kryetar i Bashkisë Belsh në vitin 2000, 2003 dhe 2007. Kryetari u rrëzua nga votuesit në vitin 2011, kur ata zgjodhën një kryebashkiak demokrat, Asqeri Kuqjan. Në vitin 2015, Tafani u rikthye si kandidat dhe fitoi sërish. Ai u emërua kryebashkiak në 2019, pasi opozita nuk mori pjesë në zgjedhje dhe në maj të vitit 2023 fitoi mandatin e gjashtë. Kështu vazhdon të abuzojë me detyrën dhe të pasurohet.\

Bashkëshortja e Tafanit, Eli është drejtoreshë pranë kopshtit nr. 1 në Elbasan, ndërsa e bija Alessia Tafani punon pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit me në krye Dritan Agollin, një nga drejtorët më të lakuar për afera korruptive.

Alessia është punësuar pranë FSHZH si arkitekte, falë lidhjeve të babait, qysh kur ishte vetëm 20 vjeçe. E gjithë familja i shijon tashmë të mirat e punës në administratë!

©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Putin pranon ndalimin e sulmeve ndaj qyteteve ukrainase deri më 1 shkurt –

By: 27
30 January 2026 at 18:00

Kremlini njofton se presidenti rus, Vladimir Putin, ka pranuar të ndalojë sulmet ndaj qyteteve ukrainase deri më 1 shkurt.

Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, tha se “mund të them se presidenti Trump i kërkoi personalisht presidentit Putin të ndalojë sulmet ndaj Kievit për një javë, për të krijuar kushte të favorshme për negociata. Kjo është çfarë mund të them për këtë çështje”.

Zelensky: S’ka marrëveshje zyrtare për armëpushim në energji

Kur u pyet nëse Putin kishte pranuar këtë propozim, Peskov shtoi se “Po, sigurisht. Ishte një kërkesë personale nga presidenti Trump”, raporton skynews.

Sipas Trump, gjatë një takimi të kabinetit, ai i kishte kërkuar Putinit të ndalojë sulmet që ndërpresin energjinë elektrike dhe ngrohjen në Ukrainë, ku temperaturat mund të bien deri në -30°C.

Trump thotë se Putini pranoi të mos e sulmojë Kievin dhe qytete të tjera ukrainase ‘për një javë’

Presidenti amerikan tha se Putin “kishte pranuar të bëjë këtë”.

Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se nuk ka asgjë të miratuar zyrtarisht.

Ksamil/Përmbytet varka që shëtiste pushuesit, dyshimet e para të pronarit

By: 27
30 January 2026 at 17:46

Një varkë, e cila përdorej gjatë sezonit turistik për të shëtitur pushuesit, është mbytur gjatë natës në zonën e Ksamilit. Bëhet me dije se mjeti lundrues ka qenë i ankoruar në breg të detit.

Mëngjesin e sotëm, pronari e ka konstatuar varkën të mbytur dhe, me ndihmën e një vinçi, ajo është nxjerrë nga uji.

Pas nxjerrjes, është vënë re se varkës i ishin hequr qëllimisht tapat, ç’ka ngre dyshime për një akt të qëllimshëm.

Pronari dyshon se ngjarja mund të jetë e lidhur me konkurrencën në sektorin e shërbimeve turistike, ndërsa pritet që autoritetet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e plota të këtij rasti.

The post Ksamil/Përmbytet varka që shëtiste pushuesit, dyshimet e para të pronarit appeared first on 27.

“Më lini të dal!”/ Suanita tensionohet në dhomën e rrëfimit dhe kërkon të largohet nga BBVK, Ulerimat… (VIDEO) –

By: 27
30 January 2026 at 17:30

Një situatë e pazakontë dhe mjaft tensionuese është regjistruar në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova, ku banorja Suanita ka shprehur hapur dëshirën për t’u larguar nga gara.

Sipas pamjeve momenti kritik ka ndodhur gjatë qëndrimit të saj në dhomën e rrëfimit.

Aty, Suanita është dëgjuar duke bërtitur me zë të lartë fjalët “më lini të dal”, çka ka ngritur dyshime për një përplasje të mundshme mes saj dhe produksionit.

Tensioni nuk ka kaluar pa u vënë re nga banorët e tjerë.

Zërat dhe të bërtiturat janë dëgjuar edhe në ambientet e përbashkëta, duke shkaktuar shqetësim dhe konfuzion.

Në oborrin e shtëpisë, Londrimi, Dolçe dhe Benita kanë nisur ta komentojnë situatën, duke shprehur habi dhe pasiguri për atë që po ndodhte pas dyerve të mbyllura të dhomës së rrëfimit.

Për disa çaste, bisedat e tyre janë transmetuar drejtpërdrejt, por situata është ndërprerë papritur.

Menjëherë pas ndërprerjes së transmetimit të bisedave, produksioni ka vendosur muzikë në sfond, duke mbuluar çdo koment apo reagim të mëtejshëm të banorëve lidhur me këtë moment delikat.

Ky veprim ka nxitur reagime të shumta nga publiku, i cili në rrjetet sociale ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe natyrën e incidentit.

Deri në këto momente, produksioni i Big Brother VIP Kosova nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare lidhur me situatën, arsyet e kërkesës së Suanitës për t’u larguar, apo nëse ajo do të vazhdojë të jetë pjesë e garës.

Nis qarkullimi i kamionëve nga Kosova drejt Serbisë pas përfundimit të bllokadës –

By: 27
30 January 2026 at 17:16

Qarkullimi i kamionëve dhe mjeteve transportuese nga Kosova drejt kufirit me Serbinë ka filluar të premten pasdite, pasi transportuesit serbë i dhanë fund bllokadës disaditore, njoftoi Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar i Kosovës.

Shoferët e kamionëve nga Serbia thanë në një deklaratë se po i heqin bllokadat pas pesë ditësh sepse Komisioni Evropian “ka njoftuar qartë për herë të parë se shoferët profesionistë janë një kategori e veçantë punëtorësh që kërkojnë një qëndrim më të gjatë në territorin e Bashkimit Evropian se 90 ditë”.

Tani për tani bllokadën janë duke e mbajtur vetëm transportuesit nga Bosnja.

Më herët, kolegët e tyre nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut hoqën dorë prej këtyre masave të enjten, pasi Komisioni Evropian bëri të ditur se po punon në një strategji të re për viza që parasheh zgjidhjen e problemit të ditëve të kufizuara për punëtorët e vendeve të treta që duhet të hyjnë në Zonën Schengen.

Terminalet për mallra u bllokuan për katër ditë në 22 pika dalëse dhe 19 pika hyrëse vetëm në Serbi.

Transportuesit e mallrave kanë protestuar kundër atyre që i konsiderojnë procedura të ashpra për të hyrë në Zonën Schengen, të cilat, sipas tyre, ua kanë shkurtuar kohën e qëndrimit në shtetet e Bashkimit Evropian.

Ata kërkojnë që periudha e qëndrimit të zgjatet nga tre në katër muaj brenda një periudhe gjashtëmujore.

Paralajmërimet fillestare ishin që bllokadat të zgjasnin për të paktën shtatë ditë, në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje.

Presidenti i Dhomës së Tregtisë në Serbi, Marko Çadezh, ka thënë në ditën e parë të bllokadave se dëmi direkt ditor që u shkaktohet ekonomive të Ballkanit Perëndimor shkon në rreth 100 milionë euro.

Strategjia e re e vizave, që është miratuar nga Komisioni Evropian më 29 janar parasheh që institucioni të punojë nga afër me vendet anëtare për të gjetur “zgjidhje pragmatike” dhe të miratojë zgjatje të qëndrimit për disa kategori të shtetasve që vijnë nga shtetet e treta.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka thënë të premten se mirëpret heqjen e bllokadave nga kompanitë transportuese të rajonit, referencë për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ky është një hap pozitiv drejt normalizimit të qarkullimit të mallrave dhe funksionimit të zinxhirëve të furnizimit për bizneset kosovare, pasi këto bllokada shkaktuan vonesa të konsiderueshme në import dhe eksport, rritje të kostove operative për kompanitë dhe pasiguri për sektorë të tërë ekonomikë në vend”, ka thënë mes tjerash Dhoma e Tregtisë e Kosovës përmes një komunikate për media.

Kosova nuk ka marrë pjesë në protestë, mirëpo i ka vërejtur pasojat e saj, pasi pjesën më të madhe të importit dhe eksportit e realizon përmes transiteve nëpër këto vende.

Disa biznese kosovare me të cilat ka biseduar Radio Evropa e Lirë kanë thënë se ditëve të fundit janë përballur me vonesa, rrezikim kontratash dhe dëme financiare./REL

Është shumë e rrezikshme –

By: 27
30 January 2026 at 17:00

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Mbretërinë e Bashkuar se do të ishte “shumë e rrezikshme” të forconte marrëdhëniet ekonomike me Kinën, në një kohë kur Londra dhe Pekini kanë ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e lidhjeve dypalëshe.

Paralajmërimi i Trump vjen pas takimit të nivelit të lartë mes presidentit kinez Xi Jinping dhe kryeministrit britanik Keir Starmer, ku palët sinjalizuan synimin për të ndërtuar një partneritet strategjik afatgjatë.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se Starmer ndodhet në një vizitë katërditore në Kinë, e para nga një kryeministër britanik pas tetë vitesh, duke shënuar një përpjekje të re për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve.

Gjatë kësaj vizite, Kina ka rënë dakord të përgjysmojë tarifat e importit për uiskin britanik nga 10% në 5% dhe të lejojë udhëtimet pa viza për shtetasit britanikë që qëndrojnë në Kinë deri në 30 ditë.

Ndërkohë, kompania farmaceutike britanike AstraZeneca ka njoftuar se do të investojë 15 miliardë dollarë në Kinë deri në vitin 2030 për zgjerimin e prodhimit dhe zhvillimin e kërkimit shkencor.

Starmer është shoqëruar në këtë udhëtim nga një delegacion prej rreth 60 drejtuesish biznesi dhe përfaqësues organizatash britanike.

Trump e krahasoi këtë lëvizje diplomatike të Mbretërisë së Bashkuar me marrëveshjen tregtare që Kanadaja nënshkroi me Kinën në fillim të këtij muaji, duke shprehur shqetësime të forta edhe për Otavën.

Veliaj sërish në dyer e GJKKO/ Kryebashkiaku kërkon zëvendësim të masës së arrestit në burg –

By: 27
30 January 2026 at 16:46

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj  ka depozituar në  GJKKO kërkesë për zëvëndësim të masës së sigurisë “arrest në burg”.

Gjyqtarja që do shqyrtojë kërkesën e Veliajt është Etleva Deda.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet më 10 shtator 2025 dhe ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar që në 8 shkurt 2025.

Po kështu, për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri të tjera, pjesë e dosjes “Veliaj”.

SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitiprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.

Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.

Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.

Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste.

Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe ku të ketë nevojë –

By: 27
30 January 2026 at 16:30

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten para mediave se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe në botë kudo ku ka nevojë, teksa e ka komentuar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, nismë e presidentit amerikan, Donald Trump në kuadër të planit për të rindërtuar Gazën e shkatërruar nga lufta.

Përmes këtij bordi, Shtetet e Bashkuara synojnë zgjidhjen e konflikteve globale.

Duke folur për herë të parë për Bordin e Paqes, Kurti ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në të është vazhdimësi e kontributit të Kosovës për Gazën, duke nisur me pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kurti i është referuar pjesëmarrjes së FSK-së në një konferencë të organizuar në dhjetor të vitit 2025 në Doha të Katarit nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara për të diskutuar për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Prandaj kemi qenë të interesuar të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Sipas tij, njëra prej arsyeve pse Kosova merr pjesë në iniciativa të tilla është për shkak se edhe ajo vetë ka qenë përfituese e paqes përmes ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare.

“Sa i përket Gazës, ju e dini që ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro si Qeveri dhe ky është proces i cili do të vazhdojë edhe në vijim”.

Bordi i Paqes është themeluar më 22 janar në Davos të Zvicës, në prezencë të presidentit Trump. Kosova është përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.

Ky mekanizëm do të mbikëqyrë udhëheqjen e Rripit të Gazës, pasi Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian.

Në këtë video shpjegojmë më shumë për Bordin.

Profesori i studimeve për paqe dhe konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, Gëzim Visoka, i ka thënë ditë më parë Radios Evropa e Lirë se pjesëmarrja e Kosovës në këtë bord, mund t’i sjellë vendit përfitime të rëndësishme në politikën e jashtme, pavarësisht kostove të mundshme.

Sipas tij për sa kohë Kosova mbetet jashtë organizatave të mëdha ndërkombëtare si NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, nisma të tilla mund t’i shërbejnë forcimit të pozicionit të saj diplomatik.

“Kjo platformë mund t’i ofrojë Kosovës një hapësirë për lobim dhe për të kërkuar njohje të reja nga shtete si Maroku apo vende të tjera që ende nuk e kanë njohur Kosovën…Deri më tani, sistemi i OKB-së nuk i ka ofruar Kosovës barazi, qasje të duhur, nuk ka qenë në shërbim të së drejtës së Kosovës për vetëvendosje, për anëtarësim në sistemin ndërkombëtar dhe për njohje ndërkombëtare. Në një farë mënyre, kjo është edhe një protestë ndaj rendit të OKB-së, i cili ka përfunduar duke u bërë vegël e fuqive të mëdha”, ka thënë mes tjerash ai.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi vrau mbi 1.200 njerëz në Izrael dhe mori qindra pengje.

Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mijëra të vrarë, krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore.

Të shpallen nul provat e nxjerra nga celulari i tij –

By: 27
30 January 2026 at 16:16

Rrugët e zëvendës kryeministres Belinda Balluku dhe ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj janë bashkuar në SPAK.

Siç mëson TCH rekursin e depozituar në gjykatën e lartë avokatët e funksionares së lartë kanë përdorur si armë mbrojtëse një vendim të gjykatës kushtetuese në të cilin gjykata tha se nuk mund të sekuestrohet telefoni pa një vendim gjykate.

Telefoni në fakt i përkiste Onejda Ymerit, e cila ditën që u thirr në kuadër të hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj iu bllokua dhe telefoni.

Ky precedent është marrë si shembull nga mbrojtja e zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku, të dhënat për të cilën u përftuan nga telefoni i Ervis Berberit, që është bërë shkak për hapjen e disa fraksioneve hetimore një ndër to edhe tenderat ku Balluku ka marrë statusin e të pandehurës dhe mbahet në masën ndalim për të dalë jashtë vendit.

Me shpjegimin e tyre avokatët thonë se në respekt të gjykatës kushtetuese dhe precedentit Ymeraj, duhen cilësuar si  të papërdorshme provat.

Në verën e 2025 gjykata i vendosi kufi SPAK për mënyrën si sekuestrohen telefonat, me arsyetimin se ju prek komunikimi i postës dhe komunikimeve elektronike.

Momenti i dytë që ndalen avokatët e Ballukut është arsyetimi se nuk ka asnjë rrezik që Belinda Balluku të arratiset nga Shqipëria dhe ndaj duhet hequr masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit.

Si provë sillen tre udhëtimet mbas muajit tetor 2025 kur Belinda ishte thirrur për tu pyetur nga SPAK dhe ku ju komunikua akuzë . Një ndër këto udhëtime është edhe udhëtimi në Zvicër.

Por në pritje për një vendim nga gjykata kushtetuese dhe nga këshilli i mandateve, SPAK ka kryer sekuestro dhe këqyrje të shumta mes tyre edhe biznesmenësh të përmendur në tendera.

Derisa gjykata kushtetuese të japë vendim në themel për çështjen masa tjetër e gjykatës së posaçme, është pezulluar prej gjyqtarëve kushtetues që e kanë rikthyer në detyrë./ Top Channel/

Vlorë/ Bashkia krijon tregje të përkohshme ambulante, tregtarët ende pa reagim –

By: 27
30 January 2026 at 16:00

Këshilli Bashkiak i Vlorës, në mbledhjen e zhvilluar sot, me shumicë votash, miratoi vendimin për krijimin e tregjeve të përkohshme ambulante dhe autorizimin për lidhjen e kontratave të qirasë, në kuadër të zhvendosjes së përkohshme të Tregut Industrial.

Sipas vendimit, tregtarët e Tregut Industrial do të zhvendosen përkohësisht në dy zona të përcaktuara nga Bashkia, deri në ndërtimin e tregut të ri.

“Vendimi parashikon:

Krijimin e një tregu të përkohshëm ambulant me sipërfaqe 520 m², në lagjen “24 Maji”, zona kadastrale nr. 8604.

Krijimin e një tregu të përkohshëm ambulant në zonën industriale të Vlorës, zona kadastrale nr. 8605.

Vendimi synon të garantojë vazhdimësinë e aktivitetit për tregtarët, gjatë periudhës së punimeve për tregun e ri”,- thuhet në njoftim.

Kujtojmë se mbyllja e Tregut Industrial u prit me protesta dhe kundërshtime nga tregtarët e Vlorës. Ata u paraqitën mëngjesin e sotëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku kërkuan një zgjidhje alternative duke paralajmëruar se nuk do të lëviznin nga tregu nëse nuk u jepej një zgjidhje konkrete.

Arrestohet pronari i dyqanit në Tiranë, tregtonte mallra kontrabandë me logo false (EMRI) –

By: 27
30 January 2026 at 15:46

Policia e Tiranës ka zbuluar një subjekt, ku shiteshin produkte me logo false, për të cilat nuk posedoheshin fatura blerjeje dhe nuk lëshoheshin fatura shitjeje.

Në kuadër të operacionit të koduar “Etiketa”, u zbulua në këtë paligjshmëri, një dyqan në rrugën “Sulejman Delvina” ku u arrestua pronari i dyqanit, shtetasi Hysen Ramaj, 29 vjeç, banues në Tiranë.

“Në këtë subjekt, gjatë kontrolleve, u gjetën mallra të ndryshme (veshje, çanta, syze dhe ora) me logo të markave ndërkombëtare, të dyshuara false. 29-vjeçari nuk kishte fatura mbi origjinën e mallrave. Gjithashtu, dyshohet se nuk lëshonte kuponë për shitjen e tyre, me qëllim shmangen e detyrimeve tatimore”, bëri me dije policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, arrestohet në Turqi vëllai i “Visit të Pojës” –

By: 27
30 January 2026 at 15:32

Vëllai i Elvis Doçit, i njohur ndryshe si Visi i Pojës, Bledi Doçi, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, është arrestuar ditën e sotme në Turqi.

Bledi Doçi ishte shpallur në kërkim në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga autoritetet italiane, ku u godit grupi i Visit të Pojës.

Organizata kriminale me bazë në Durrës dhe në Puglia, trafikonte sasi të mëdha të kokainës dhe heroinës drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Europës.

Në krye të grupit dyshohet se qëndronte Xhevdet Troplini, i njohur si “Poja”, edhe pse ndaj tij nuk ka asnjë masë sigurie, ku duket se drejtimin e grupit vitet e fundit ia kishte lënë nipit të tij, Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”.

Në total u lëshuan 52 masa sigurie, ku 40 prej tyre janë për shtetas shqiptarë dhe 12 të tjera për shtetas italianë, teksa disa prej tyre arritën të arratiseshin, duke përfshirë edhe kreun e grupit Elvis Doçi.

Performancë e dobët, shkarkohet drejtoresha e Tatimeve në Durrës –

By: 27
30 January 2026 at 15:10

Drejtoresha e Tatimeve të Durrësit, Ina Bello, është shkarkuar nga detyra.

Vendimi është marrë pas një vlerësimi të performancës së saj, e cila është konsideruar e dobët në drejtimin e institucionit.

Pas largimit nga pozicioni në Durrës, Bello është emëruar inspektore tatimesh në Tiranë.

Ndërkohë, në krye të Drejtorisë së Tatimeve të Durrësit sipas infomacioneve është emëruar Agron Nuredinaj.

U provuan gënjeshtrat për të zgjatur paraburgimin! –

By: 27
30 January 2026 at 15:00

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar  pasi Apeli i GJKKO e la atë sërish në qeli, duke mos shprehur asnjë çudi nga “drejtësia me regji”, siç e quan ai.

Meta thotë se gjykata iu shmang gjykimit të ankesës të avokatëve të tij kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit për të mos marrë përgjegjësi.

Sipas tij u provuan me fakte gënjeshtrat e prokurorëve për të manipuluar gjykatën me qëllim zgjatjen e paraburgimin.

“Asnjë çudi nga drejtësia me regji. Sot gjykata ju shmang gjykimit të ankesës të avokatëve të mi kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit për të mos marrë përgjegjësi.

U provuan qartë dhe me fakte gënjeshtrat e prokurorëve për të manipuluar gjykatën për të zgjatur në mënyrë tërësisht të paligjshme paraburgimin tim”, shkruan Meta, i cili paralajmeron: “Për më shumë komunikojmë nesër”. 

 

Kapet në Greqi 65-vjeçari shqiptar i dënuar për vrasjen e të miturit në Gramsh –

By: 27
30 January 2026 at 14:46

Një 65-vjeçar i identifikuar si Kostandin Nishku alias Baki Duzha, është arrestuar nga Policia në Greqi, pasi akuzohet për vrasjen e një të mituri në Gramsh.

Sipas raportimeve, Nishku, është arrestuar me qëllim ekstradimi, pasi është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi më 19 mars te vitit 1997 ka vrarë me armë zjarri një djalë 9 vjeçar në Gramsh.

Sipas raportimeve, Nishku ka shkuar në shtëpinë e të miturit qe të kërkonte vëllain e të tij dhe e ka kërcënuar të miturin se do ta vriste në rast se nuk tregonte.

Kur 9-vjecari nuk ka treguar ai e ka qëlluar për vdekje. Me 10 shtator te vitit 1998 është dënuar në burgim të përjetshëm.

Ai akuzohet për veprën penale “vrasje për shkak të cilësive të veçanta”.

Jep dorëheqjen drejtori i Policisë së Dibrës, ja kush e zëvendëson –

By: 27
30 January 2026 at 14:30

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Artion Duka, ka dhënë dorëheqjen nga detyra.

Siç mësohet vendimi i tij është marrë për arsye familjare.

Pas largimit të Dukës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur urdhrin për emërimin e një drejtuesi të ri të përkohshëm.

Në krye të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër është caktuar Armir Gjikolaj, i cili do të mbajë këtë detyrë deri në një vendim të mëtejshëm.

T’u japim leksionin e merituar organizatës kriminale në pushtet –

By: 27
30 January 2026 at 14:10

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për mobilizim qytetar, duke ftuar shqiptarët që më 10 shkurt, në orën 17:00, të mblidhen në Tiranë për një protestë kundër qeverisë.

Në një deklaratë të ashpër, Berisha theksoi se vetëm reagimi i qytetarëve mund të sjellë ndryshimin, duke e cilësuar çdo përpjekje tjetër si “humbje kohe”.

“Është fjala juaj, është guximi juaj, është revolta dhe zemërimi juaj ndaj padrejtësisë, vjedhjes, narkoshtetit, varfërimit dhe mjerimit nga plaçkitja e kësaj qeverie, që duhet dhe do ta shpëtojë Shqipërinë”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për arrogancë dhe përbuzje ndaj qytetarëve, duke thënë se në vend të dorëheqjes, Rama “sfidon dhe ofendon shqiptarët”, ndërsa drejtësia, sipas tij, funksionon vetëm për një rreth të ngushtë pushteti.

“Unë ju kam plaçkitur dhe do ju plaçkis – ky është mesazhi që u jep shqiptarëve Edi Rama, duke u tallur me ligjin dhe drejtësinë”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, largimi i qeverisë aktuale mund të vijë vetëm përmes presionit qytetar dhe revoltës popullore, që do të detyrojë, siç tha, “këtë organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama të largohet nga pushteti dhe t’i hapë rrugë një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të ndershme”.

Berisha nënvizoi se protestat janë të pritura jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga diaspora shqiptare, duke e cilësuar 24 janarin si një datë që “është e gjallë çdo ditë”.

Në përfundim, ai u bëri thirrje të rinjve, grave, burrave dhe të moshuarve që të bashkohen më 10 shkurt në Tiranë.

“Ftoj të gjithë shqiptarët të bashkohemi më 10 shkurt në orën 5 për t’i dhënë leksionin e merituar kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën”, përfundoi Berisha.

450 mln euro të vjedhura për një tunel të çarë, të pakolauduar dhe të rrezikshëm për jetën –

By: 27
30 January 2026 at 14:08

Drejtuesi i Departamentit te Infrastruktures ne PD Besnik Dervishi i cili ka denoncuar abuzimet de vjedhjet qe jane bere ne Tunelin e Murrizit. Gjate deklarates se tij ai tha se Tuneli i Murrizit, i cili u hap për qytetarët pak përpara zgjedhjeve të vitit 2025, me nxitim elektoral, propagandë dhe ceremoni festive, sot, pa kaluar as një vit nga hapja e tij, ka pësuar krisje dhe çarje, duke rikonfirmuar në mënyrën më kriminale se kemi të bëjmë me një vepër të realizuar jashtë standardeve teknike dhe atyre të sigurisë.

Kjo që ka ndodhur nuk ishte e paparashikueshme, pasi këmbanat e alarmit kanë rënë shumë më herët, si gjatë ndërtimit të tunelit ashtu edhe pas hapjes së tij, kur inxhinierët e Departamentit të Infrastrukturës në Partinë Demokratike kanë deklaruar se kjo rrugë, dhe ky tunel në veçanti, ishte jashtë standardit dhe përbënte rrezik serioz për jetën e qytetarëve.

Ky alarm profesional u injorua.

Sot, faktet janë mbi tokë: Tuneli rrezikon të shembet.

Deputetët e Partisë Demokratike i janë drejtuar zyrtarisht Autoritetit Rrugor Shqiptar për informacion mbi Rrugën e Arbërit dhe përgjigjja zyrtare ka qenë:

“Tuneli i Murrizit, pjesë e segmentit nr. 3 të territorit të Rrugës së Arbërit, është segment që nuk është dorëzuar ende pranë ARRSH për ndjekjen e procedurave të kolaudimit.”

Pra, Tuneli i Murrizit dhe Rruga e Arbërit janë hapur për përdoruesit e rrugës të papërfunduara, të pakolauduara dhe të pamarra në dorëzim.

Ndërtimi i Rrugës së Arbërit, me gjatësi prej 74 km, ka nisur në vitin 2005, me një studim fizibiliteti të kryer para vitit 2005, dhe deri në vitin 2013 kanë qenë të përfunduara plotësisht 25 km të saj, ndërsa 15 km të tjera ishin të përfunduara në masën 80%.

Projekti për përfundimin e saj parashikonte një kosto totale prej 170 milionë euro.

Pas vitit 2013, punimet u ndërprenë, pasi ndërtimi i rrugës duhej të jepej me PPP, ku përfituesi i PPP-së kishte detyrimin që:

Ndërtimi i kësaj rruge, kontrata e së cilës parashikonte përfundimin e saj “me çelësa në dorë” me një vlerë prej 267 milionë euro, me shtesat e realizuara ndër vite, u kushtoi qytetarëve shqiptarë 450 milionë euro.

Përfituesi i PPP-së është i njëjti subjekt që realizoi edhe tunelin e dështuar dhe famëkeq të Llogarasë.

Përse dy tunele strategjike, të ndërtuara nga i njëjti oligark i lidhur me qeverinë, çahen, dështojnë dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve?

Kjo është një skemë e mirëorganizuar për vjedhje dhe e keqorganizuar për qytetarët.

Tuneli i Murrizit nuk është një incident teknik, por pasojë e:

Është pasqyra e një modeli qeverisjeje që ndërton për fushatë dhe shemb për qytetarët.

Për këtë model duhet përgjegjësi politike dhe penale, jo justifikime të ricikluara dhe fajësim i së shkuarës.

3.6 mln euro për 17 parti politike, KQZ shpërndan fondin vjetor, PS dhe PD marrin pjesën më të madhe –

By: 27
30 January 2026 at 13:52

Komisioni Qendror Zgjedhor ka shpërndarë për 17 partitë politike fondin vjetor 2026 me një total prej 3.580.228 euro. Pjesën më të madhe e ka marrë Partia Socialiste, 1.720.377 euro.

Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike ka marrë 841.059 euro ndërsa partia që ka marrë më pak është Nisma Thurje, 42.121 euro.

Nr.       Emërtimi i Partisë Politike                               Fondi në Euro

1          Partia Socialiste e Shqipërisë (PS)                       1,720,377 €

2          Partia Demokratike (PD)                                        841,059 €

3          Partia e Lirisë (PL)                                                 113,809 €

4          Partia Socialdemokrate Shqiptare (PSD)              106,986 €

5          Partia Mundësia (MUNDËSIA)                              88,884 €

6          Partia Lëvizja Shqipëria Bëhet (SHB)                     74,363 €

7          Lëvizja Bashkë (BASHKË)                                     65,520 €

8          Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU)            60,042 €

9          Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ)   60,042 €

10        Partia Republikane Shqiptare (PR)                           60,042 €

11        Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë (PAA        60,042 €

12        Partia Demokristiane e Shqipërisë (PDK)                60,042 €

13        Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL)                             60,042 €

14        Fryma e Re Demokratike (FRD)                              60,042 €

15        Partia Balli Kombëtar Demokrat (PBKD)                60,042 €

16        Koalicioni Euroatlantik (KEA)                                46,775 €

17        Nisma Thurje (NISMA)                                            42,121 €

            TOTALI                                                               3,580,228 €

 

❌
❌