Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 202627.al

Edhe unë kam faj, por… –

By: 27
8 January 2026 at 18:56

Duke pranuar fillimisht barrën e tij të fajit, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka bërë një analizë evidentuese të shkaqeve që shumë qytete të vendit përmbyten masivisht dhe lehtësisht sa herë që shtohen reshjet e shiut.

Postimi i plotë:

Kush është fajtori?!

Ka një çorbë prononcimesh në rastin e përmbytjeve, duke shfrytëzuar gjithë talentin e bojatisjes me bojë të kujtdo për situatat që vijnë herë pas here! Por kush është fajtori? Jam unë? Po, jam! Është një tjetër? Po, është! Jemi ne? Po, jeni të gjithë! Por ka një radhë kjo punë, si për çdo gjë!

E para është krimi i batërdise së urbanizimit pa pikë kriteri të pas ’92! Padija dhe mosfunksionimi i projekteve urbanistike bënë që të dynden në fusha me ndërtime mbi kolektorë, kanale kulluese e vaditëse e ku i tekej kujtdo që donte një shtëpi në fushë! Shteti ku ishte? Shkrihej me injorancën e vet, gjoja të përmirësimit të jetesës së atyre që u shpërngulën në hesap të vet! Po kanalet e ujërave të zeza, të bardha, rrugët, energjia, shkolla, ambulanca?! As se vrau njeri radaken për këto! Fut e bjer, ndërto ku të duash! Dy shtëpia këtu, një atje përtej, katër të tjera mbi kanale!

E dyta, kanalet kulluese u lanë në ditë të kiametit, 30 vite pa prekur! As s’u bë një vlerësim se sa janë të bllokuara për shkak të ndërtimeve e sa janë eficente që duheshin hapur! As u mor ndonjë iniciativë për të vendosur rregull urban dhe orientuar zhvillimin! S’e bëmë asnjëri, dmth, me themel siç duhet!

E treta, investimet u bënë sipas një trajektoreje jo studimore që të eliminonin vërshimin e përrenjve! Nuk u pa pothuaj fare si opsion disiplinimi i këtyre prurjeve malore, me prita dhe devijime rrjedhjesh larg qendrave të banuara!

E katërta, ekspertët e zotë i nisën për në shtëpi. Nuk i duheshin askujt! Ca vdiqën të pavlerësuar! Ca jetojnë të papërfillur! Ca që erdhën, bënë shkolla me lekë e ku e di unë me çfarë, dhe s’kanë idenë si zgjidhen këto gjëra! As nuk duan të mësojnë!

Të gjithë kemi faj! Banorët që derdhën lekët e nuk menduan çfarë i pret, por që as s’ua tregoi kush! Shteti rrumpallë që i la të bënin si të donin! Ne që s’e gjejmë dot si zgjidhet ky lemsh që do e kemi në fyt rast pas rasti! Ky ka faj e unë s’kam faj, është një tymnajë që duhet t’ua kursejmë qytetarëve të gjithë ne! Të ulim kokën e të mendojmë çfarë mund të zgjidhim, sepse të gjithë e kemi vënë nga një tullë në këtë batërdi!

Unë për vete ndihem fajtor!

gijotina.com/

Vdekja e punonjësit të bashkisë ka ndodhur jashtë orarit të punës –

By: 27
8 January 2026 at 18:42

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako, ka bërë me dije se 35 persona janë evakuar në Katund të Ri dhe 55 të tjerë në Sukth, për shkak të përmbytjeve.

Sako foli edhe për vdekjen e punonjësit të komunales, 54-vjeçari Astrit Hysenaj, i cili dyshohet se humbi jetën për shkak të motit të keq. Kryebashkiakja tha se sipas të dhënave paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur jashtë orarit të punës.

“Kemi qenë deri në orët e vona dje duke punuar në zonën e Durrësit të Ri dhe, gjatë mëngjesit, kemi marrë njoftimin që Erzeni po shkonte drejt kuotave maksimale; kemi dërguar grupet. Është rast i përsëritur si në 2021. Nuk kemi pasur prurje që të nxjerrë lumin nga shtrati, por mendojmë që mund të kenë ardhur prurje edhe nga qytetet e tjera. Evakuimi pak më herët në Katundin e Ri, 35 persona atje, 55 nga njësia administrative Sukth, janë akomoduar në 2 hotele, sepse kavalishenca dhe godina e ushtrisë janë ezauruar nga Durrësi i Ri. Pritet të evakuohen rreth 150 persona. Në këtë moment gjëja më e rëndësishme janë jetët e njerëzve dhe pastaj të mendojmë për dëmet.

Humbja e jetës: morëm informacionin nga policia për të ndjerin, që po pastronte. Personi ka qenë në datën 6, nga ora 6 e mëngjesit deri në 10:30, më tej është larguar. Pas kësaj, në orën 16:00 familjarët kanë telefonuar për të pyetur nëse ishte në punë. Me datën 7 kanë bërë denoncimin, pra ai nuk ka qenë në orar të punës sipas të dhënave paraprake”,- tha Sako.

gijotina.com/

Uji i Lumit Vjosa del në autostradën ‘100 Vjetori’ në Vlorë, mbulohet korsia e ngadalësimit të mjeteve –

By: 27
8 January 2026 at 18:34

Në autostradën 100 vjetori në afërsi të urës në Bishan në Vlorë dalja e lumit Vjosa ka arritur në autostradë ku është bërë dhe devijimi i korsisë së ngadalësimit me sinjalistikë nga firma Salillari pasi ka prezencë të lartë uji.

Nderkohe, eshte shembur argjinatura e kanalit të Martinës në Ferras, Fier. Uji ka hyrë në fshat duke rrezikuar gjithë banesat, ndërsa banorët janë evakuar.

gijotina.com/

‘Gati të mbështesim popullin shqiptar’, Delegacioni i BE-së reagon për përmbytjet në Shqipëri –

By: 27
8 January 2026 at 18:28

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë tha sot se po ndjek me shqetësim situatën e përmbytjeve në vendin tonë.

Në një postim në rrjetet sociale, Delegacioni njofton se” Drejtoria e Përgjithshme e BE-së për Mbrojtjen Civile dhe Ndihmën Humanitare (DG ECHO) është në kontakt të ngushtë me autoritetet shqiptare dhe po ndan informacionin dhe pamjet përkatëse nga sateliti Copernicus”.

“Së bashku me Shtetet Anëtare, Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë popullin shqiptar për përballimin e kushteve ekstreme atmosferike, përfshirë edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së”, thuhet në deklaratë.

gijotina.com/

“Do përballemi…”, e Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë u sjell mesazhin e Trump krerëve të SPAK dhe BKH: Luftë korrupsionit dhe karteleve

By: 27
8 January 2026 at 18:20

E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn është takuar ditën e sotme me Kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK Klodjan Braho, dhe Kreun e BKH Joni Keta.

E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn përgëzoi Kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK Klodjan Braho, dhe Kreun e BKH Joni Keta për rolet e tyre të reja drejtuese, duke ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.

“Ne do të përballemi me kartelet e drogës kudo që ndodhen dhe kudo që veprojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. Detyrimi kryesor i presidentit është të sigurojë interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të popullit tonë”, është shpreh më herët Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio sipas postimit të Ambasadës Amerikane në Tiranë.

gijotina.com/

The post “Do përballemi…”, e Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë u sjell mesazhin e Trump krerëve të SPAK dhe BKH: Luftë korrupsionit dhe karteleve appeared first on 27.

Alarm në Ferras/ Çahet argjinatura e kanalit të Martinës, uji pushton fshatin

By: 27
8 January 2026 at 18:12

Çahet argjinatura e kanalit të Martinës në Ferras. Uji ka hyrë në fshat duke rrezikuar gjithë banesat.

Aktualisht po merren masa për evakuimin e banorëve, ndërsa situata paraqitet alarmante.

gijotina.com/

The post Alarm në Ferras/ Çahet argjinatura e kanalit të Martinës, uji pushton fshatin appeared first on 27.

Babai i Selin nuk kursehet ndaj Mirit: Është pervers –

By: 27
8 January 2026 at 18:00

Babai i Selin ka qenë ditën e sotme në një lidhje telefonike me emisionin “Shqipëria Live”, ku ka shpërthyer ashpër ndaj banorit të “Big Brother VIP 5”, Miri.

“Kam shumë mendime po nuk mund ti them. Nuk dua të degradoj motrën, nënën, nusen dhe vajzën e Mirit. Siç kanë bërë të tjerët me mua, që kanë vënë në pikëpyetje a njoh vajzën time.  Do ja them nëse do kem mundësi për ta takuar ndonjëherë.

Një sugjerim për produksionin, duhet të merrni dy tre psikologë për të parë nivelin e persivitetit. Atje me nder jush s’ka ça të bëjë, po për lekë i errën sytë, është i gatshëm të bëjë çdo gjë”, tha ai.

Kujtojmë se Miri dhe Selin janë shumë të afërt me njëri-tjetrin, që ditën e parë që janë bërë pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Ishte një avantazh që pati Kristi dhe i la ata që të flinin në një krevat, që i bëri ata që të afroheshin me njëri-tjetrin.

Edhe pse Miri ka thënë se e sheh Selin si vajzën e tij, publiku jashtë nuk e konsideron si të tillë raportin e tyre.

Protestë në Durrës, qytetarët dhe dy deputetë tentojnë të futen me forcë në Bashki –

By: 27
8 January 2026 at 17:58

Është tensionuar situata në Durrës, teksa një grup protestuesish, mes tyre dhe deputetët e PD Oerd Bylykbashi dhe Arjan Ndoja, kanë tentuar të futen me forcë në Bashkinë e qytetit.

Protesta nisi pasditen e sotme, nën thirrjet “Durrësi, skenë e krimit”, “shpallni gjendjen e emergjencës”, në lidhje me situatën e shkaktuar nga përmbytjet.

Ata e kanë nisur protestën e tyre nga rrethrrotullimi pranë burgut për të vijuar marshimin drejt bashkisë së Durrësit.

Sipas protestuesve, përmbytjet janë pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimeve me fondet dhe jo fatkeqësi natyrore.

gijotina.com/

Po luan rolin e ‘princeshës’ –

By: 27
8 January 2026 at 17:46

Ish-banorja e Big Brother VIP Albania 1, aktorja Arjola Demiri, ka reaguar hapur ndaj konkurrentit të këtij edicioni, Mateo Borri, pas deklaratave të tij të vazhdueshme për Brikenën. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Arjola ka publikuar një video ku Mateo fliste sërish për raportin e tij me Brikenën, duke theksuar njohjen jashtë shtëpisë, çka nxiti reagimin e fortë të aktores tropojane.

Arjola e ka kritikuar Mateon për mënyrën se si ka përfituar nga raporti i mëparshëm me Brikenën për të fituar vëmendje në këtë edicion. Ajo ka theksuar se fama e tij është bazuar vetëm në këtë lidhje të kaluar dhe jo tek vetë personaliteti i tij. Sipas saj, hyrja në shtëpi si ish-i i Brikenës dhe sjellja ndaj saj gjatë spektakleve nuk i ka dhënë asnjë meritë të vërtetë, ndërsa Mateo është fshehur pas komenteve të të tjerëve.

Arjola ka shtuar se Brikena nuk ka nevojë të identifikohet përmes Mateos, pasi heshtja e saj ka më shumë peshë sesa çdo deklaratë publike. “Ajo nuk do të njihet përmes teje. Nuk ka nevojë të thotë gjë, mjafton që nuk të dëgjon më. Flet pa zë dhe pa figurë”, ka shpjeguar ajo.

Në fund të reagimit, aktorja i ka bërë thirrje Mateos të mbyllë këtë temë, duke theksuar se raporti mes tyre ka përfunduar që në fillim dhe nuk ka asnjë arsye për ta rikthyer në vëmendje. Ky reagim ka rikthyer debatet për raportin Mateo-Brikena dhe ka nxitur diskutime të shumta në rrjetet sociale, duke vënë sërish në qendër të vëmendjes një nga temat më të ndjekura të këtij edicioni të Big Brother VIP Albania.

FOTO/ Arjola Demiri e ashpër ndaj Mateos: Po luan rolin e

Berati nën ujë, 95 hektarë tokë bujqësore dhe 15 banesa të përmbytura –

By: 27
8 January 2026 at 17:45

Reshjet e dendura kanë shkaktuar situatë problematike edhe në qarkun e Beratit. Rritja e nivelit të ujit në Lumin Osum ka bërë që 95 hektarë tokë bujqësore të jenë plotësisht nën ujë.

Në lagjen 22 Tetori dhe Goricë në Berat po punohet për largimin e ujit nga pedonalja me pompa thithëse.

Në zonën e Velabishtit ku është dëmtuar një pjesë e argjinaturës, 4 banesa janë nën ujë, e po ashtu edhe një kopsht fëmijësh, 1 qendër shëndetësore, stalla e sera. Banorët ankohen për mungesë vëmendjeje nga bashkia.

“Kopshti është këtu, se shkolla jo. Edhe qendra shëndetësore. E treta herë që përmbytemi brenda muajit”, tha njëri prej banorëve.

“Katastrofë, 1 metër ujë në shtëpi. Janë prishur të gjitha. Ne për momentin jemi tek xhaxhai. Hera e dytë që përmbytemi brenda muajit. S’na kanë përfillur nga bashkia”, tha njëri prej banorëve.

Në bashkinë Dimal, janë përmbytur 15 banesa e po ashtu edhe gjimnazi “Muhamer Janina”.

“Ku e keni kryetarin e Bashkisë… sillni skafin këtu”, tha banori.

Përmbytje të tokave bujqësore raportohen edhe në bashkinë Kuçovë, në fshatin Tapi, për shkak të daljes nga shtrati të Lumit Devoll.

gijotina.com/

Moti i keq godet Stambollin, anulohen fluturimet dhe lundrimet me traget

By: 27
8 January 2026 at 17:00

Një stuhi e fortë me erëra të forta dhe shi të dendur ka goditur Stambollin, duke shkaktuar kaos dhe panik te qytetarët.

Sipas raportimeve, stuhia ka shkaktuar një situatë të vështirë për avionët që po hasin problematika veçanërisht teksa tentojnë të ulen në Aeroportin Ndërkombëtar Sabiha Gokcen, teksa janë anuluar dhjetëra fluturime.

Në të njëjtën kohë, stuhia ka çuar në pezullimin e të gjitha shërbimeve të trageteve bregdetare.

Sipas Qendrës së Koordinimit të Fatkeqësive të Komunës së Stambollit (ACOM), stuhia dhe reshjet ishin të dendura në të gjithë qytetin. Temperatura, e cila më herët kishte arritur në 17-18 gradë Celsius, pritej të bjerë me 10 gradë në mbrëmje.

Erërat e forta rrëzuan pemët në zona të ndryshme, duke dëmtuar makinat, ndërsa disa rrugë duhej të mbylleshin për shkak të rënies së pemëve.

Në Bahçelevler, një person u plagos pasi u zu poshtë nga një pemë që u rrëzua, thanë autoritetet. Shpejtësia e erës tejkaloi 70 kilometra në orë (43 mph) në disa zona. Probleme ka edhe në Dardanele, ku transporti është ndërprerë totalisht.

The post Moti i keq godet Stambollin, anulohen fluturimet dhe lundrimet me traget appeared first on 27.

Përmbytje tragjike në Durrës, 1 viktimë/ Prokuroria heton për 3 vepra penale, dyshime edhe për hidrovorin –

By: 27
8 January 2026 at 16:58

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetime kryesisht për të zbuluar shkaqet që çuan në përmbytjet masive në qytetin bregdetar. Hetimet kanë nisur për 3 vepra penale, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”. Një vendim i tillë, bëjnë të ditur burime nga Prokuroria e Durrësit, u mor fill pas dyshimeve se Astrit Hysenaj, punonjësi i Ndërmarrjes Komunale, vdiq pasi e mori rrjedha e kanalit pranë Repartit ushtarak në zonën e plepave.

“Regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të rreshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqënien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme”, informoi Prokuroria e Durrësit.

Organi i akuzës thotë se gjendja e krijuar 2 ditë më parë nga përmbytjet, pengoi “zhvillimin normal i aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun” dhe se në këto kushte ka të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal.

“Gjithashtu, nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend”, njofton Prokuroria e Durrësit.

Prokuroria e Durrësit thekson se do të jetë hetimi ai që do të përcaktojë nëse shkaqet e përmbytjes kanë qenë natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore.

Situata në qarkun e Durrësit mbetet kritike nga përmbytjet, sidomos në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku përmbytja erdhi edhe nga rritja e prurjeve të lumit Erzen, duke rënduar më tej situatën. Emergjencat civile urdhëruan evakuimin e detyrueshëm të banorëve.

Zona e ish-Kënetës, Shkozeti, Spitalla po vuajnë pasojat e përmbytje së dy ditëve më parë. Në terren, shihen kanalet kulluese të bllokuara nga inertet, dherat dhe mbetje urbane, një shkak që dyshohet se ka çuar edhe në përmbytjet. Në vend që të përcjellin ujin drejt detit ato janë kthyer në barriera pritëse.

Ka dyshime të forta se hidrovori i ri i ndërtuar në 2022 në Porto Romano nuk ka funksionuar me kapacitet të plotë. Sipas opozitës ai është ndërtuar mbi nivel dhe nuk garanton thithjen dhe evakuimin e ujit në kohë reale.  Këto pretendime mbeten për t’u faktuar përmes ekspertizave teknike.

gijotina.com/

Del nga shtrati lumi Vjosë, bllokohet rruga e vjetër Fier-Vlorë –

By: 27
8 January 2026 at 16:46

Dalja nga shtrati i lumit Vjosë në disa pjesë të tij ka bllokuar edhe aksin e vjetër rrugor Fier-Vlorë. Policia ka ngritur një postbllok për të pezulluar kalimin e automjeteve.

Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet strukturës së saj të posaçme për emergjencat civile, ka urdhëruar evakuime të menjëhershme të banorëve në të paktën tre zona të vendit, ku rrezikoheshin jetët e tyre si pasojë e prurjeve të larta të lumenjve.

Alarmi i parë i evakuimit u dha për banorët e Novoselës, pasi lumi Vjosa kishte nivele të larta prurjesh dhe, në afërsi të urës së Mifolit, nisën përmbytjet e tokave bujqësore dhe të banesave.

Qeveria të japë llogari për përmbytjet –

By: 27
8 January 2026 at 16:30

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është drejtuar me një kërkesë zyrtare qeverisë që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore për qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, si dhe për të bërë vlerësimin e plotë dhe objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur.

Gjithashtu, grupi parlamentar i PD i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit që të marrë masat që Këshilli i Ministrave të informojë Kuvendin për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten dhe masat e marra për menaxhimin e situates.

Letra e plotë:

Prej disa ditës rajone të caktuara të vendit, kryesisht në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, janë duke vuajtur pasojat e rënda të fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, të cilat për fat të keq kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, prona, dhe biznese të qytetarëve shqiptarë. Gjatë ditës së sotme, është raportuar gjithashtu që një qytetarë nga Durrësi ka humbur jetën për këtë shkak.

Nga vlerësimi i përgjithshëm i situatës rezulton se gjendja është e rëndë dhe se strukturat e shtetit deri në këtë moment nuk po veprojnë në të gjithë territorin e vendit, të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, me kapacitet të plotë dhe se nuk po i gjenden pranë banorëve të prekur.

Sipas nenit 4, të ligjit nr. 45/2019, “Çdo person ka të drejtën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. 2. Në rastet e fatkeqësive natyrore dhe të fatkeqësive të tjera, mbrojtja dhe shpëtimi i jetës së njerëzve kanë prioritet mbi çdo aktivitet tjetër të mbrojtjes civile”. Po kështu, sipas nenit 41 të ligjit nr. 45/2019, shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie. Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit, dhe se masa e kompensimit të dëmeve, procedurat, afatet, strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve, si dhe pasuritë dhe subjektet që kompensohen miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në këtë kushte, ne deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë vlerësojmë se janë përmbushur kushtet dhe rrethanat sipas ligjit nr. 45/2019 dhe vendimit nr. 158, datë 17.03.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kritereve dhe procedurave për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura dhe konkretisht në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier. Është e pakuptueshme arsyet se përse Këshilli i Ministrave nuk e ka ndërmarrë ende një procedurë të tillë, duke krijuar pasiguri tek qytetarët për përballimin e kësaj fatkeqësie natyrore. Mosshpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të pamundësonte dëmshpërblimin e plotë të banorëve të prekur nga kjo situatë dhe do të ishte një akt i rëndë papërgjegjshmërie institucionale.

Për këtë arsye, në përputhje me shkronjën “b” të nenit 17 të ligjit nr. 45/2019, ku përcaktohet se “Kuvendi ushtron kontroll parlamentar për çështje që kanë lidhje me mbrojtjen civile”, si dhe shkronjës “ç” të nenit 18, nenit 39, pika 1 dhe 41 të ligjit nr. 45/2019, ku specifikohet se: “Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit”, kërkojmë:

1.      Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore rajonale, vetëm për qarqet e prekura nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, konkretisht qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.

2.      Gjendja e emergjencës dhe shpallja e fatkeqësisë natyrore të klasifikohet “për përmbytjet dhe vërshimet e ujit, që vijnë si rezultat i rritjes në nivele kritike të ujit, nga faktorë gjeologjikë, atmosferikë apo njerëzorë, në shtratin e lumenjve, në nivelin e liqeneve apo në batica bregdetare, që kanë mbuluar përkohësisht me ujë sipërfaqe toke në atë nivel që përbëjnë rrezik për njerëzit, banesat dhe infrastrukturën”.

3.      Vlerësimin e plotë dhe objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur, sipas të drejtës që i njeh neni 41 i ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”. Masa e dëmshpërblimit të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave pa vonesa dhe të mbulohet nga fondet e Buxhetit të Shtetit.

Përsa më lart, ne deputetët e opozitës kërkojmë nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen civile dhe nga Këshilli i Ministrave, zbatimin e menjëhershëm të ligjit nr. 45/2019 dhe vendimit nr. 158/2021 të Këshillit të Ministrave. Mosveprimi në kohë nga ana juaj, do të ishte një papërgjegjshmëri kriminale, me pasoja të rënda për qytetarët shqiptarë.

Gjithashtu, në përputhje me shkronjën “d”, të nenit 18 të ligjit nr. 45/2019, kërkojmë që Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë të marrë masat që Kuvendi i Shqipërisë të informohet menjëherë nga Këshilli i Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës, për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten dhe masat e marra për menaxhimin e situates.

Përmbytjet janë pasojë e paaftësisë shtetërore –

By: 27
8 January 2026 at 16:16

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për dështim të plotë në menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të shiut gjatë ditëve të fundit, duke e cilësuar gjendjen në disa qytete të vendit si alarmante dhe katastrofike.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, u shpreh se mbledhja e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, e thirrur dy ditë më parë nga Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret në terren.

PD akuzon qeverinë se ka zëvendësuar veprimet konkrete me propagandë, duke organizuar, sipas saj, “pseudo-inspektime”, ndërkohë që infrastruktura për ujërat e bardha vijon të jetë jashtë funksionit. Sipas deklaratës, kanalet dhe pusetat janë të bllokuara, ndërsa investimet milionëshe në hidrovorë rezultojnë të pafrytshme përballë situatës aktuale.

Në këtë kontekst, Partia Demokratike kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e përmbytura dhe marrjen e përgjegjësisë së plotë nga shteti për dëmshpërblimin e banorëve dhe bizneseve të prekura.

PD gjithashtu i bën thirrje Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, të japë dorëheqjen, ndërsa kërkon që organet e hetimit të nisin procedurat për përgjegjësit e kësaj situate, të cilën e cilëson si të paralajmëruar dhe me pasoja të rënda, deri në rrezikimin e jetëve njerëzore.

“Shqipëria nuk qeveriset me propagandë, por me veprime konkrete,” përfundon Vangjeli.

Deklarata e plotë:

Dy ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mblodhi Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të diskutuar situatën e krijuar nga reshjet intensive të shiut gjatë ditëve të fundit.

Por cili është rezultati konkret i kësaj mbledhjeje?

Gjendja e qytetarëve të përmbytur në Tiranë, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë, Cërrik, Elbasan,  Pogradec e jo vetëm është alarmante dhe tejet e mjerueshme. Banorët raportojnë se janë të izoluar në banesat e tyre, të përmbytura dhe me dëme të mëdha materiale, duke u shkatërruar mundi dhe sakrificat e shumë viteve pune.

Mbi të gjitha, instancat shtetërore nuk u përgjigjen telefonatave për ndihmë. Askush, përveç gazetarëve, nuk shkon për t’u interesuar për gjendjen e tyre.

Prej disa ditësh, qytetet e Shqipërisë ndodhen nën pushtetin e ujit. Vetëm tre muaj më parë ndodhi një tjetër përmbytje dhe, edhe këtë herë, asnjë masë parandaluese nuk u mor, ndonëse reshjet e dendura ishin paralajmëruar.

Si çdo herë, pushtetarët e kësaj qeverie, sapo bie shi, veshin çizmet e propagandës dhe shëtisin nëpër pseudo-inspektime, ndërkohë që realiteti për qytetarët është katastrofik. Masat parandaluese munguan plotësisht dhe reagimi erdhi vetëm pasi dëmi ishte bërë.

Kanale dhe pusetat vijojnë të jenë të bllokuara, si pasojë e mungesës së investimeve serioze për ujërat e bardha, pavarësisht se miliona euro janë shpenzuar për hidrovorë që sot rezultojnë të paaftë për të përballuar situatën.

Në fund, fatura e kësaj paaftësie dhe papërgjegjshmërie i shkon gjithmonë qytetarëve.

Ligji është i qartë prandaj Partia Demokratike kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e përmbytura.

Shteti duhet të marrë përgjegjësi të plotë për dëmshpërblimin e banorëve dhe bizneseve të prekura.

Shqipëria nuk qeveriset me propagandë, por me veprime konkrete.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, duhet të japë dorëheqjen, ndërsa organet e hetimit duhet të nisin hetimet për penalizimin e gjithë përgjegjësve të kësaj situate të paralajmëruar, të cilët me veprimet apo mosveprimet lejuan krijimin e kësaj gjendjeje katastrofike, me pasoja të rënda deri në humbjen e jetëve njerëzore nga përmbytjet.

Yzberishtit/ Hyn i maskuar në market, shtetasi kërcënon kasieren, punonjësja përfundon në spital –

By: 27
8 January 2026 at 15:58

Rreth orës 13:30, në Yzberisht, një shtetas ende i paidentifikuar dyshohet se në kërcënimin e një mjeti prerës, ka vjedhur një shumë parash në një market.

Gjatë tentativës për të ndaluar autorin, është dëmtuar lehtë në dorë, nga mjeti prerës, punonjësja e marketit, e cila u dërgua në spital, për mjekim.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Përmbytjet në vend/ Mblidhet nesër Komiteti i Emergjencave, çfarë pritet –

By: 27
8 January 2026 at 15:40

Komiteti i Emergjenca pritet të mblidhet mëngjesin e së premtes (9 janar 2026), pas përmbytjeve masive që kanë përfshirë vendin.

Mbledhja pritet të nisë në orën 8:30, ndërsa sipas raportimeve do të drejtohet nga Edi Rama.

Mësohet se në të do të diskutohet situata e përmbytjeve masive në vend dhe masat që mund të merren për dhjetëra evakuime që janë bërë dhe dëmet e shkaktuara.

Prej tre ditësh disa qarqe në vend po përballen me situatë alarmante sa i përket përmbytjeve, ku dhjetëra shtëpi, rrugë, biznese dhe stalla bagëtish janë fundosur nën ujë. Po ashtu ditën e sotme ka pasur edhe urdhra evakuimi për banorët në Novoselë, Vlorë dhe Fier.

Grabisnin banesa e dyqane, arrestohen dy hajdutët në Tiranë dhe Krujë –

By: 27
8 January 2026 at 15:20

Dy persona janë arrestuar nga Policia në Tiranë dhe Krujë, pasi akuzohen për grabitje.

Në Tiranë është arrestuar 46-vjeçari E.M, pasi sipas policisë, dyshohet se ka kryer vjedhje në 2 muajit e fundit.

Dyshohet se ai vodhi pajisje me vlerë 6 mijë euro në një dyqan, si dhe sende me vlerë dhe shuma parash në një banesë.

Ndërkaq, në Krujë u arrestua një 20-vjeçar, pasi dyshohet se gjatë kësaj jave, ka tentuar të vjedhë kasafortën në supermarketin e një qendre tregtare, si dhe se ka vjedhur në 2 banesa.

“-në kuadër të operacionit “Tracking”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 vunë në pranga shtetasin E. M., 46 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur gjatë 2 muajve të fundit, pajisje (me vlerë 6000 euro) në një subjekt, 1 biçikletë, si dhe sende me vlerë dhe shuma parash në një banesë;

-në kuadër të operacionit “Midnight”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin M. F., 20 vjeç, pasi dyshohet se gjatë kësaj jave, ka tentuar të vjedhë kasafortën në supermarketin e një qendre tregtare, si dhe se ka vjedhur në 2 banesa”,- thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Si u përball Shqipëria me pasojat e ndryshimeve klimatike në 2025 –

By: 27
8 January 2026 at 15:00

Viti 2025 rezultoi si një vit jashtëzakonisht i vështirë për Shqipërinë. Rreth 60,000 hektarë tokë u dogjën nga zjarret, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa përmbytjet sollën dy viktima dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturë. Vendi u godit nga valë të zgjatura të nxehti, thatësira kronike dhe reshje intensive në periudha të shkurtra, duke rrezikuar bujqësinë dhe burimet ujore.

Sipas të dhënave të programit Copernicus, viti 2025 u rendit si viti i dytë ose i tretë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, në të njëjtin nivel me vitin 2023 dhe menjëherë pas vitit rekord 2024. Fakti që tre vite radhazi  2023, 2024 dhe 2025  përbëjnë periudhën trevjeçare më të ngrohtë në historinë e matjeve klimatike, tregon qartë se nuk kemi më të bëjmë me  luhatje afatshkurtra, por me një ndryshim të qëndrueshëm të gjendjes së klimës globale.

Janari 2025 u regjistrua si muaji më i ngrohtë në nivel global, duke vijuar serinë e rekordeve të dy viteve të fundit. Ai ishte rreth 1.75°C më i ngrohtë se mesatarja e janarit në periudhën para-industriale (1850–1900). Edhe në Shqipëri, temperaturat mesatare të ajrit gjatë janarit 2025 ishin 3–4°C mbi normalen, sipas të dhënave të Copernicus.

Figura 1. Anomalia e temperaturës së ajrit në sipërfaqe për janarin 2025, në krahasim me mesataren e janarit për periudhën 1991–2020. (Burimi i të dhënave: ERA5)

Prej më shumë se një dekade, komuniteti shkencor ka paralajmëruar se pragu 1.5°C përfaqëson një kufi kritik, përtej të cilit dëmet klimatike rriten ndjeshëm. Fakti që bota ka qenë rreth ose mbi këtë vlerë për tre vite me radhë sugjeron se ky prag nuk është më një objektiv teorik, por realiteti në të cilin jetojmë.

Pavarësisht ndikimit të fenomenit La Niña, i cili zakonisht shoqërohet me temperatura më të ulëta, dimri 2024–2025 në Shqipëri rezultoi më i ngrohtë se zakonisht. Në verilindje dhe juglindje në periudhën e dimrit, temperaturat mesatare u rritën me 2,1–2,7°C, duke qenë pothuajse të njëjta me ato të vitit 2024.

Në rajonet malore të Ballkanit, rritja e temperaturave ka qenë 0,3–0,5°C për dekadë, një normë dukshëm më e lartë se mesatarja globale. Kjo ka sjellë pasoja të dukshme, si zvogëlimi i mbulesës së dëborës dhe ndryshimi i ciklit të reshjeve.,

Në periudhën maj 2024 – maj 2025, në Shqipëri u regjistruan 76 ditë me temperatura jashtëzakonisht të larta, duke e renditur vendin të dytin në Evropë pas Greqisë për numrin e ditëve me nxehtësi ekstreme. Studimet tregojnë se 29 nga këto ditë janë pasojë direkte e ndryshimeve klimatike, çka do të thotë se pothuajse një muaj i tërë me temperatura ekstreme nuk do të kishte ekzistuar pa ndikimin e klimës së ndryshuar.

Muajt qershor dhe korrik u shoqëruan me valë të forta të nxehtit, me temperatura 8–10°C mbi normalen në shumë zona të vendit. Në korrik 2025, Evropa u përball me një kombinim ekstrem të valëve të nxehtit, përmbytjeve dhe zjarreve. Sipas Copernicus (C3S), korriku 2025 ishte muaji i tretë më i nxehtë globalisht. Tirana u rendit e para në Ballkan për devijimin e temperaturave nga mesatarja historike para-industriale, me rreth +1,9°C.

Figura 2. Devijimet e temperaturave (28/06–03/07) në Evropë, në krahasim me mesataren e periudhës 1991–2020. (Burimi i të dhënave: ERA5 – Copernicus. Përpunimi dhe vizualizimi: climatebook.gr)

Temperaturat e larta dhe thatësirat e zgjatura e bënë vitin 2025 një nga më të vështirët për sa i përket zjarreve në Shqipëri pas vitit 2008, kur u dogjën rreth 60,000 hektarë. Sipërfaqja e djegur në vitin 2025 ishte 20% më e lartë se në 2024 dhe 90% më e madhe se në 2023.

Shtatori 2025 u rendit si shtatori i tretë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në nivel global. Temperatura mesatare në Evropë arriti 15,95°C, me një anomali prej +1,23°C mbi mesataren 1991–2020. Ballkani, përfshirë Shqipërinë, vijoi të përjetojë temperatura mbi normale dhe reshje nën mesatare, duke përkeqësuar kushtet e thatësirës dhe duke rrezikuar bujqësinë dhe burimet ujore.

Një aspekt veçanërisht shqetësues ishte rritja e temperaturës së sipërfaqes së detit në Mesdhe. Në shtator 2025, temperaturat e ujit ishin shumë mbi mesatare, veçanërisht në pjesët perëndimore dhe qendrore të pellgut, ku u shënuan edhe rekorde maksimale.

Sektori bujqësor në Shqipëri u prek rëndë. Sipas të dhënave nga AREB-të, prodhimi i grurit në Lushnjë pësoi një rënie prej rreth 30%, ndërsa prodhimi i ullirit ra me 30–50%, duke çuar në rritje të ndjeshme të çmimit të vajit të ullirit.

Tetori solli një valë të pazakontë të ftohti në Ballkan, me temperatura 4–6°C nën normalen sezonale për periudhën 1–4 tetor, si dhe reshje të hershme bore në zonat malore. Ky ndryshim i menjëhershëm ilustroi fenomenin e njohur si “kamxhiku klimatik”, ku kalimet e shpejta nga një ekstrem në tjetrin po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Figura 3. Devijimet e temperaturave (01–04/10/2025) në Evropë, në krahasim me mesataren e periudhës 1991–2020. (Burimi i të dhënave: ERA5 – Copernicus. Përpunimi dhe vizualizimi: climatebook.gr)

Në nëntor, reshjet intensive pasuan një periudhë të gjatë thatësire. Në Shqipëri, për periudhën 3–9 nëntor, reshjet arritën 80–150 mm, ndërsa në jug mbi 200 mm, duke shkaktuar përmbytje, dëme infrastrukturore dhe humbje jete. Situata u përkeqësua gjatë stuhisë Adel (24–30 nëntor), kur në disa zona jugore u regjistruan deri në 300 mm shi brenda një jave.

Viti 2025 duhej të na “ftohte” pas një El Niño-je të fortë, falë fenomenit La Niña. Por kjo ftohje e pritshme nuk ndodhi. Temperaturat globale mbetën ekstremisht të larta, duke treguar dominimin e ngrohjes së shkaktuar nga aktiviteti njerëzor dhe efektin e “jastëkut termik” të gazeve serë.

Për Shqipërinë, kjo nuk është statistikë abstrakte. Valë të nxehtit gjithnjë e më të shpeshta, thatësira kronike dhe reshje ekstreme po ndikojnë drejtpërdrejt në bujqësi, burimet ujore dhe sigurinë ushqimore. Prodhimi bujqësor u reduktua deri në 50%, ndërsa zjarret dhe përmbytjet po bëhen më të zakonshme./ Klimasot

Artan Xhori merr 100 MLN lekë nga Gonxhe me tender fiktiv, biznesmeni nën hetim për aspiratorët dhe 12 MLN Euro kontrata me Karçanajn –

By: 27
8 January 2026 at 14:56

Artan Xhori është mjeshtër i tenderave fiktivë. Biznesmeni është i raportuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, nën hetim nga Prokuroria, i denoncuar nga media, por vazhdon i pashqetësuar biznesin e mashtrimeve në tendera. Së fundmi, Xhori është shfaqur në një prokurim të organizuar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Ky institucion drejtohet nga Arlinda Pogaj, krahu i djathtë i ministrit Blendi Gonxhe.

Më konkretisht, kompania e Artan Xhorit “T B S 96” shpk ka përfituar tenderin e OPB me objekt “Blerje pjesë këmbimi për infrastrukturën e sistemit të transmetimit DataCom”. Fondi limit i caktuar për këtë furnizim është 9,995,500 lekë pa tvsh.

Sic mësojmë, kontrata është bërë publike më 2 Dhjetor 2025 pasi është shpallur fituese kompania “T B S 96” shpk.

Sipas dokumenteve të tenderit duhet të fitonte oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim. Në tender kanë marrë pjesë dy operatorë konkurrues. Njëra është kompania  “T B S 96”shpk me ofertë pa tvsh 9,635,850 lek pa TVSH.

Operatori ekonomik “NAOL” shpk ka marrë pjesë vetëm fiktivisht, pasi ka ofertën 0 (zero) lekë pa TVSH.

Është një stil që përdoret për të mos u regjistruar tenderi me vetëm një pjesëmarrës. Në fakt, ky operator në aktivitetin e regjistruar nuk ka lidhje me objektin e tenderit. Madje nuk ka ngarkuar në SPE asnjë dokument për plotësimin e kritereve për kualifikim në këtë procedurë prokurimi.

Pra, mund të themi se Artan Xhori konkurronte në këtë tender me një pjesëmarrës fiktiv. Nëse fituesi nuk do të ishte i paracaktuar, komisioni i vlerësimit të ofertave do ta kishte anuluar tenderin. Megjithatë nuk ka komision që e rrëzon “ofertën” e Xhorit, prandaj është proceduar me shpalljen e fituesit.

Kush është Artan Xhori?

Prokuroria e Posaçme SPAK, ka regjistrur një dosje penale me Nr.81, për të hetuar veprimtarinë e ish-ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, për blerjet emergjente përmes procedurës sekrete në periudhën e pandemisë “Covid-19”, një çështje tjetër mjaft sensitive dhe me shumë interes për publikun, qe u shmang nga hetimi i SPAK, duke ia kaluar për kopetencë Prokurorisë së Tiranës.

Bëhet fjalë për një dosje penale të regjistruar me shumë urgjencë në SPAK, në dhjetor 2020, ku në qëndër të verifikimeve ishin anëtarët e dy komisioneve të Vlerësimit të Ofertave, të ngritura nga Ogerta Manastirliu dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë kohës së pandemisë “Covid 19”.

Qëllimi ishte blerja dhe vendosja e 54 respiratorëve me dy modalitete dhe e dyta ishte blerja e mijëra kiteve, ku këtë tender e ka fituar me negocim të drejtpërdrejtë kompania “O.E.S Distrimed” sh.p.k, e cila ka lidhur kontratën në 30 mars 2020.

Kjo kontratë është miratuar me V.K.M nr.272, datë 3 prill 2020.

Një nga këto kompani që u hetua fillimisht në SPAK dhe më pas hetimi ju dërgua prokurorisë së Tiranës, ka shpallur fitues dhe kompaninë private “T.B.S 96 SH.P.K”.

Kompania e themeluar në 21 prill 2006, administrohet nga biznesmeni Artan Xhori, i cili ka fituar tenderin me vlerë prej 760 milion lekë të vjetra për furniz dhe vendosje të 54 respiratorëve me dy modalitete.

Artan Xhori, rezulton të jetë shpallur fitues dhe ka lidhur kontratën në datën 27 mars 2020. Por siç rezultoi në vitin 2020 e në vijim, ai nuk u hetua thuajse asnjë moment nga SPAK por dhe nga prokuroria e Tiranës.

Në hetimin e këtij rasti, SPAK ishte përpara një konflikti interesi, pasi Artan Xhori përmes kompanisë së tij “T.B.S 96 SH.P.K”, rezulton të ketë krijuar monopolin e një tenderi shumë të rëndësishëm brenda prokurorisë së posaçme.

Bëhet fjalë për një tender konfidencial që lidhet me shërbimin dhe mirëmbajtjen e aparaturave të qëndrës së përgjimeve brenda SPAK.

“T.B.S 96 SH.P.K”, rezulton të ketë fituar 550 milion lekë të vjetra nga kontrata konfidenciale e lidhur me prokurorinë e Posaçme SPAK, për mirëmbajtjen e sistemit të përgjimit të kësaj prokurorie.

Shuma prej 550 milion lekë nga kompania e Artan Xhorit është tërhequr përmes 8 transaksioneve bankare.

Ndërkohë prezenca ekonomike e kompanisë “T.B.S 96 SH.P.K”, nga 18 janari 2023 e në vijim ka hyrë dhe tek Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, duke fituar 152 milion lekë të vjetra për shërbimin support dhe teknik të paisjeve dhe aparaturave përgjuese të punës së kësaj drejtorie të rëndësishme në Policinë e Shtetit.

Me kontrata sekrete, Artan Xhori ka përfituar edhe nga AKSHI, me firmën e drejtoreshës Mirlinda Karçanaj.

TBS 96 shpk ka marrë kontrata me vlerë 11.8 milionë euro nga AKSHI me pa asnjë njoftim publik, pa transparencë, pa publikuar të dhëna apo drafte kontratash dhe përmes kontraktimeve të mbyllura pa garë.

Më herë, Artan Xhori ka qenë i përfshirë në skandalet e tenderave të Televizionit Publik.

Institucioni që paguhet nga gjithë familjet shqiptare, ka zhvilluar vazhdimisht tendera pa garë, duke ngritur dyshimet për paracaktimin e fituesit. Në 2018, televizioni publik ka hapur një tender me vlerë mbi 700 milionë lekë dhe fituese ka qënë firma “TBS 96”, e denoncuar në atë kohë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit se merr shumicën e tenderëve pa garë nga RTSH.

Në tender ka marrë pjesë edhe një firmë tjetër, por çuditërisht nuk ka dorëzuar vlerë financiare, apo dokumentet shoqëruese. Pra, ka qenë garuese vetëm formalisht.

Në datën 1 gusht 2018, në Agjencinë e Prokurimit Publik u shpall fituesi i tenderit nga RTSH. Në këtë document, thuhet se njoftohet operatori ekonomik “TBS 96” se është fitues i tenderit me objekt “blerje paisje për Studiot e prodhimit për ndryshimin e teknologjisë së Transmetimit nga SD në HD”.

“Njoftojmë se kanë qenë pjesëmarrës në procedurë, 2 ofertues me vlerat përkatëse të ofruara si më poshtë: 1- Operatori Ekonomik “TBS 96” me ofertë: 70,583,000 lekë pa tvsh. 2- Operatori Ekonomik “MUCA”, nuk ka paraqitur ofertë ekonomike” thuhet në këtë dokument.

Ndërkohë, Xhori përmendet në një raport të KLSH-së, për periudhën nga viti 2010 deri në gjysmën e parë të vitit 2013, kur RTSH zhvilloi 12 tenderë për pajisje dhe kontrata shërbimi me vlerë të përgjithshme prej 168.2 milionë lekësh (1.2 milionë euro).

Sipas raportit, të gjithë tenderët u karakterizuan nga mosmbajtja e procedurave standard të prokurimit pasi mungonin dokumentet kyçe.

“Dy kompani, TBS96 dhe Eurokontakt, fituan shumicën e tenderëve për pajisjet televizive. Shpesh ato qenë kompanitë e vetme konkurruese” – thotë KLSH.

Sipas KLSH-së, në së paku njërin prej tenderëve, “TBS 96” dukej se kishte njohuri paraprake se ajo do të zgjidhej si fituese. “Në një tender më 2012, audituesit vërejtën se një nga konkurrentët, TBS96 sh.p.k, qe aq i sigurtë se do ta fitonte tenderin sa vendosi të sigurojë kontratën në të njëjtën ditë kur u hapën ofertat – pra para se ato të vlerësoheshin, duke shkelur gjithashtu ligjin” – vijon më tej raporti.

Ndërkohë, për tenderët në RTSH ka folur dhe ish-kryeministri Berisha. Në një status në Facebook, ai shprehet se:“Në prag të Vitit të ri Edi Rama i bëri dhuratë vetes duke ndarë paratë me Bolinon. Bëjnë tender fiktiv për blerje dekoderash dhe i jepet kompanisë që e kap tenderin me 99.99% të vlerës (169,666,596 lekë nga 170 milionë lekë që ishte vlera limit). Nga ana tjetër, KLSH ka gjetur se në RTSH Xhori ka shitur pajisje të vjetra për të reja dhe kineze për evropiane.

©️Copyright Gijotina.com

Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

❌
❌