Champions League/ Interi tre humbje radhazi, Arsenali fiton 1-3 në ‘San Siro’, dështojnë PSG dhe Napoli –
Këtë të martë u zhvilluan nëntë ndeshjet e para të vlefshme për raundin e shtatë në fazën e ligës së Champions League. Arsenali siguroi fitoren e shtatë në po kaq takime, duke mposhtur 1-3 Interin në Milano, teksa merr të drejtën për të kaluar më tej.
Tri pikë edhe për Club Brugge, Bodo/Glimt, Olympiacos, Real Madrid, Ajax dhe Tottenham. Dështim për PSG e Napolin dhe turpërim për Manchester Cityn e Pep Guardiolës.
‘Qytetarët’ pësuan disfatë 3-1 kundër Bodo/Glimt në udhëtim. Norevegjezët shënuan dy herë në pjesën e parë me Hogh, duke befasuar gjigantët e Evropës. Hauge thelloi shifrat me golin e tij në minutën e 58-të. Anglezët ngushtuan shifrat me Cherki në minutën e 60-të, por pa mundur dot të futen në lojë. Rodri doli me karton të kuq te City.
Në Milano, Interi pësoi humbjen e tretë radhazi duke u mposhtur 1-3 nga Arsenali. Gabriel Jesus shënoi dy gola në pjesën e parë për ‘Topçinjtë’, ndërsa Sucic barazoi përkohësisht. Në fundin e sfidës, Gyokeres ‘vulosi’ ndeshjen për 1-3. Me këtë sukses Arsenali kryeson me 21 pikë të plota dhe ka siguruar fazën me eliminim direkt.
Në ‘Bernabeu’ Real Madridi fitoi 6-1 kundër Monacos. Kylian Mbappe shënoi dy gola dhe kërkoi falje pasi karrierën e ka nisur te Monaco. Mastantuono, autogoli i Kehrer, Vinicius dhe Bellingham ishin autorët e golave për vendasit, ndërsa Teze shkurtoi për Monacon.
Në Lisbonë, vendasit e Sporting mposhtën 2-1 kampionët në fuqi të PSG-së me dopietën e Luis Suarez, teksa Kvaratskhelia barazoi përkohësisht te francezët.
Hap fals për Napolin, me kampionët në fuqi të Serie A në Itali që barazuan 1-1 kundër FC Copenhagen në udhëtim dhe rrezikojnë pozitën e 24-t që të dërgon në play-off.
Të mërkurën luhen nëntë ndeshjet e radhës që do tregojnë panoramën e plotë të renditjes, vetëm një raund nga fundi i fazës së ligës.
Champions League, raundi 7-të:
E martë, 20 janar 2026
16:30 Kairat Almaty 1-4 Club Brugge
18:45 Bodo/Glimt 3-1 Manchester City
21:00
FC Copenhagen 1-1 Napoli
Inter 1-3 Arsenal
Olympiacos 2-0 Bayer Leverkusen
Real Madrid 6-1 Monaco
Sporting Lisbone 2-1 PSG
Tottenham 2-0 Dortmund
Villarreal 1-2 Ajax
gijotina.com/