Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 202627.al

Apeli i GJKKO konfirmon dënimin me 10 vite burg për Robert Myftarin akuzohen për trafik droge dhe grup kriminal –

By: 27
22 January 2026 at 14:58

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli sot, vendimin për çështjen penale ndaj të pandehurit Robert Myftari.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara (kryesues), Daniela Shirka dhe Tereza Merkaj vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.

Myftari u shpall fajtor për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim dhe në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, mbetur në tentativë. Për këtë akuzë, ai u dënua me 10 vite burgim.

Gjithashtu, ai u shpall fajtor për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, për të cilën iu caktua një dënim prej 2 vitesh burgim. Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, gjykata vendosi një dënim të vetëm prej 10 vitesh burgim.

Gjykata urdhëroi që Myftari ta vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë, duke nisur nga dita e arrestimit.

Po ashtu, u vendos konfiskimi i mjetit lundrues tip gomone, i sekuestruar në nëntor 2015 me ngarkesë rreth 800 kg lëndë narkotike, i cili do të kalojë në favor të shtetit.

Prisnit gjyqin tim në SHBA, por erdhi ftesë për Bordin e Paqes –

By: 27
22 January 2026 at 14:46

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij në Kuvend duke iu përgjigjur akuzave të opozitës me një dozë të lartë sarkazme.

Ai foli për ftesën që ka marrë për t’u bërë pjesë e një organizmi të ri ndërkombëtar, të cilin e quajti ‘Bordi i Paqes’, një referencë e qartë ndaj zhvillimeve të fundit me administratën amerikane.

Rama u tall me narrativën e opozitës, e cila sipas tij, kishte bindur mbështetësit se Kryeministri do të thirrej nga prokuroria federale amerikane.

Ai e cilësoi këtë si një fitore imagjinare të ‘humbësve kronikë’, duke theksuar se ndërsa ata prisnin prangosjen e tij ose rrëmbimin nga ushtria amerikane si ‘Maduro’, ai po shkonte për të rritur profilin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Rama nuk i kurseu as krahasimet letrare, duke i quajtur protestuesit e opozitës si ‘qindra Romeo të dëshpëruar për një Xhulietë të vetme’.

Fjala e Ramës:

“Kur bota është trazuar keq dhe paqja është vënë nën një presion të paparë nga të katër anët, Shqipëria e çmuar ndërkombëtarisht prej disa vitesh, ftohet nga personalisht Presidenti i Shteteve të Bashkuara për t’u bërë anëtar themelues i një organizmi të ri ndërkombëtar të krijuar prej tij me emrin, kuptimplotë, Bordi i Paqes.

Ky është një nder i veçantë.

Dhe kjo është një tjetër mundësi për të dhënë kontribut për paqen.

Jo se ne jemi të mëdhenj, apo se pa ne nuk zgjidhen dot konfliktet në zona të tjera të botës.

Por sepse na jepet mundësia të vazhdojmë të rritemi si shtet, duke zgjeruar dijen dhe forcuar vetëdijen tonë si zëdhënës dhe si punëtorë të paqes, siç edhe njihemi botërisht, si vend dhe si popull, për atë që duam të jemi në këtë botë, ku kur nuk je në tryezë, je në menu.

Tani, më e mira do të kishte qenë që këtu sot, për një herë të vetme, të pushonte avazi i të gjitha herëve, edhe pse kjo e sotmja është një herë e ndryshme nga shumë herë për këtë vend dhe për këtë Kuvend. Po si duket, humbësit kronikë nuk duan ta humbasin as këtë rast, për të bërë të vetmen gjë që dinë të bëjnë më mirë se kushdo tjetër në botë: të humbin.

Të humbin përsëri rastin, duke vazhduar t’i bindin shqiptarët se nuk vlejnë për asgjë tjetër përveçse për të përfaqësuar dhe mishëruar humbjen në të gjitha format dhe në të gjitha dimensionet e saj. 

Dhe është e vërtetë për t’u ardhur keq. Po të mendosh se sot në fakt, ju kishit mundësinë të deklaronit fitore. Fitoren tuaj më domethënëse.

Sepse në fakt, si gjithmonë, ju prapë fituat. Ju fituat sepse për muaj me radhë thatë që Amerika do më bënte mua gjyqin, e dhuruar prej jush, për t’ju kthyer ju në ato karrige ku nuk do ktheheni kurrë, po s’do lëvizni as nga poshtë karriges ku qëndrojnë hijerënda të ndënjurat e stërgjyshit tuaj.

Ju fituat, sepse e paralajmëruat popullin që mua do më thërrisnin në Amerikë, në datën 20 janar, po ky ishte lapsus, për t’u paraqitur në prokurorinë federale.

Madje ju e vulosët fitoren kur festuat kërrimin me forcë të Maduros nga shtëpia e tij në Karakas dhe iu thatë shqiptarëve se ajo ishte vetëm një provë gjenerale e ushtrisë amerikane për rrëmbimin e Ramaduros nga ajo zyra në Kryeministri që e keni fiksim 12 vjet dhe mblidheni si qindra Romeo të dëshpëruar për një Zhuljetë të vetme. Tani, ju mund të mendoni se unë po tallem. Mund të tallen këtë me ju. Unë me ju nuk tallem.”

Mbyllet pas 6 orësh seanca në Kushtetuese për Belinda Ballukun, trupa tërhiqet për vendim –

By: 27
22 January 2026 at 14:30

Ka përfunduar seanca në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, vendim i marrë nga Gjykata e Posaçme.

Në seancën e sotme janë dëgjuar argumentet e Presidencës, SPAK dhe Qeverisë dhe në përfundim të tyre, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka deklaruar të mbyllur seancën.

“Deklarojmë mbylljen e shqyrtimit gjyqësor. Trupi gjyqësor tërhiqet për vendim, data dhe ora do t’u komunikohet sipas parashikimeve ligjore” ,tha kryetarja e Gjykatës Kushtetues.

Seanca u mbajt pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama, i cili pretendon se me vendimin e pezullimit të Ballukut, gjykata ka shkelur kompetencat e tij si kryeministër.

Rama e dorëzoi ankimin në Kushtetuese në nëntor të vitit të kaluar, ku kërkonte nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë nëse, masa e pezullimit të vendosur nga GJKKO për Ballukun, përbën cenim të kompetencave kushtetuese dhe balancës së pushteteve, duke justifikuar se një gjykatë speciale nuk ka juridiksion për të pezulluar një anëtar të Këshillit të Ministrave.

Gjykata e Posaçme vendosi më 20 nëntor të vitit të kaluar, që ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Balluku akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese, ndërsa akuzave u është shtuar edhe shkelje e barazisë me tendera në Unazën e Madhe.

Në vrazhdën e këtyre akuzave, Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për heqjen e imunitetit dhe autorizim për arrestimin e Ballukut. Mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve për imunitetin e saj pritet të mbahet më 28 janar, pas vendimit që pritet të japë Kushtetuesja.

Mbështesim iniciativën e Trump, askush nuk e ka përcaktuar më shumë lirinë e shqiptarëve se SHBA –

By: 27
22 January 2026 at 14:16

Të nderuar qytetare dhe qytetarë që ndiqni këtë seancë, e cila del jashtë të gjitha kritereve të seancave që thërret një parlament, por mazhoranca e krimit nuk ka ligj, nuk ka Kushtetutë, nuk ka rregullore.
Por pavarësisht nga kjo, ne jemi këtu për të dëshmuar mbështetjen tonë të plotë dhe të palëkundshme në politikat e sigurisë të SHBA.
Në qëndrimin tonë pa ekuivok në mbështetje të këtyre politikave pasi SHBA janë aksionari më kryesor i paqes dhe sigurisë në botë.
Ne mbështesim plotësisht këtë iniciativë të presidentit Donald Trump edhe për faktin se në dallim nga shumë kombe të tjera, askush nuk e ka përcaktuar më shumë lirinë e shqiptarëve se sa SHBA, veçanërisht në dekadat e fundit me çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj dhe mbështetjen e saj.
Në këtë kohë, për sa kohë SHBA qëndrojnë në zotimet e tyre për Aleancën e Atlantikut të Veriut, ne qëndrojmë në çdo problem sigurie pa mëdyshje në anën e SHBA.
Kjo, përveç tyre, dua të them këtu se Bordi i Paqes ngrihet për një nga aktet më të jashtëzakonshme, ndërprerjen e luftës në Gaza dhe këtu presidenti i SHBA ka një meritë historike, jashtëzakonisht të rëndësishme.
Bordi, që nuk e thotë kjo se ia ka marrë Belinda mendtë edhe asaj, është i mbështetur në dokumentin e OKB.
Pra, nuk e nxjerrin këta.
Bordi ka mbështetje në rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe është një hap tjetër drejt konsolidimit të paqes në atë rajon.

19 shtetet, kush mori pjesë në ceremoninë e Bordit të Paqes (LISTA) –

By: 27
22 January 2026 at 13:58

Është zbardhur lista e plotë me emrat e 19 shteteve që morën pjesë në ceremoninë nënshkruese të Bordit të Paqes, të mbajtur këtë të enjte në Davos, nën drejtimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në mbledhjen morën pjesë presidentë dhe kryeministra nga vende të ndryshme, përfshirë Azerbajxhanin, Argjentinën, Kazakistanin, Indonezinë dhe Kosovën, ndërsa munguan Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko dhe kryetari i Partisë Komuniste të Vietnamit, To Lam.

Lista e plotë me vendet pjesmarrëse:

Arabia Saudite — ministri i Jashtëm Faisal bin Farhan Al‑Saud
Argjentina — presidenti Javier Milei
Armenia — kryeministri Nikol Pashinyan
Azerbajxhani — presidenti Ilham Aliyev
Bahrejni — sheiku Isa bin Salman Al Khalifa
Bullgaria — kryeministri Rosen Zhelyazkov
Emiratet e Bashkuara Arabe — kryetari i Autoritetit të Çështjeve Ekzekutive Khaldoon Al Mubarak
Hungaria — kryeministri Viktor Orban
Indonezia — presidenti Prabowo Subianto
Jordania — zëvendëskryeministri Ayman Safadi
Katari — kryeministri Sheiku Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani
Kazakistani — presidenti Kassym‑Jomart Tokayev
Kosova — presidentja Vjosa Osmani
Mongolia — kryeministri Gombojavyn Zandanshatar
Maroku — ministri i Jashtëm Nasser Bourita
Pakistani — kryeministri Shehbaz Sharif
Paraguai — presidenti Santiago Pena
Turqia — ministri i Jashtëm Hakan Fidan
Uzbekistani — presidenti Shavkat Miromonovich Mirziyoyev

Me 13 vota pro, Komisioni i Jashtëm kalon projektligjin për Bordin e Paqes –

By: 27
22 January 2026 at 13:20

Është miratuar me 13 vota pro projektligji për Bordin e Paqes për Gazën, në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit.

Projektligji i kaloi Komisionit të Jashtëm, pasi mazhoranca miratoi me 80 vota pro, shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë bord.

Tashmë marrëveshja përfundimtare do të miratohet në seancën plenare në Kuvend.

Ndërkohë, janë rrëzuar edhe 3 amendimet e propozuara nga PD, të cilët kërkuan që të hiqej emri i Edi Ramës dhe të zëvendësohej nga Presidenti Bajram Begaj.

E pranishme në komision, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali tha se ky projektligj është në përputhje me dispozitat e kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare.

Sipas Siropalit, ky partneritet mbetet garanci për orientimin euroatlantik të vendit.

Komisioni i Reformës Territoriale ndryshon rregullat, opozita jashtë loje –

By: 27
22 January 2026 at 13:04

Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale u mblodh dhe vendosi t’i propozojë seancës plenare ndryshimin e projektvendimit për mënyrën e funksionimit të komisionit.

Sipas propozimit, parashikohet që të hiqet pariteti i numrave në përfaqësimit politik dhe e drejta e vetos.

Sipas maxhorancës, me këtë vendimmarrje zhbllokohet veprimtaria e komisionit, e cila kishte mbetur pezull për shkak të bojkotit të opozitës.

Kësisoj, porosia e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së po zbatohet nga të tijët, të cilët kanë zgjedhur që ta realizojnë duke ndryshuar mënyrën e funksionimit të këtij komisioni bipartizan.

Manziku: “Opozita nëse ka propozime le t’i sjellë”!

Palloshi i jep nuanca kësaj seance, çfarë do thoni kur Lubia ta marrë me vete? –

By: 27
22 January 2026 at 12:56

Kreu i PD Sali Berisha nisi fjalën e tij në seancën e sotme në Parlament duke vlerësuar anëtarësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, por më pas ai iu drejtua kryeministrit Rama, duke e cilësuar si “palloshi i Belindës’.

Në këtë moment kryeparlamentari Peleshi e ka paralajmëruar Berishën për të liruar foltoren ose do të merren masa ndaj tij.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare! Kjo seancë sot, në vend se të dëshmojë atë që duhet të dëshmojë, qëndrimin tonë luajal në çështjet e sigurisë ndaj SHBA, vlerësimin tonë maksimal për njërën nga paqet më të vështira në historinë e paqes, siç ishte ta quajmë armëpushimi, ndërprerja e luftimeve në Gaza, figurat butaforike, Palloshi i Belindës, i jep kësaj seance nuanca… të lutem, nxirre jashtë Belindën se ajo i ka thënë Pallosh, nuk i kam thënë unë Pallosh.

Pyetja ime është çfarë do të thuash kur Belinda ta marrë Palloshin me vete?”, tha Berisha.

FSHF prezanton strategjinë, vizion i ri për zhvillimin e futbollit shqiptar –

By: 27
22 January 2026 at 12:52

Federata e Futbollit do të prezantojë ditën e hënë, më 26 janar në “Shtëpinë e Futbollit”, strategjinë 2026-2030 “Vision To Victory”, dokumenti strategjik që përcakton drejtimin, prioritetet dhe objektivat e zhvillimit të futbollit shqiptar për 4 vitet e ardhshme.

Kjo strategji përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një modeli të qëndrueshëm dhe afatgjatë, duke synuar forcimin e futbollit në të gjitha nivelet, nga baza dhe edukimi, garat e ekipet kombëtare, futbolli i vajzave, tek infrastruktura, qeverisja, marrëdhëniet me publikun dhe përgjegjësia sociale.

Në një periudhë ku futbolli shqiptar ka njohur zhvillime të mëdha e të rëndësishme dhe ka fituar eksperienca mjaft të vlefshme në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, FSHF ka vendosur të konsolidojë këtë rrugëtim përmes një vizioni të qartë dhe të strukturuar, në përputhje me standardet dhe politikat e UEFA-s dhe FIFA-s.

Gjatë prezantimit të strategjisë “Vision To Victory”do të bëhen publike objektivat kryesore, shtyllat strategjike dhe prioritetet që do të udhëheqin zhvillimin e futbollit shqiptar në katër vitet e ardhshme.

Kjo strategji nuk është thjesht një dokument orientues por është një angazhim për të zhvilluar futbollin shqiptar mbi baza të forta, të planifikuara dhe të qëndrueshme.

Pse lideri juaj global nuk firmosi “Bordin e Paqes” në Davos? –

By: 27
22 January 2026 at 12:46

Pas rifillimit të seancës plenare, kryeministriRama mbërriti në sallën e parlamentit për të mbajtur fjalën e tij mbi Bordin e Paqes dhe rolin e Shqipërisë në këtë strukturë ndërkombëtare.

Para se të merrte fjalën, disa deputetë ngritën pyetje nga vendi, duke kërkuar sqarime mbi pjesëmarrjen e tij në këtë seancë, ndërkohë që në Davos po firmosej një marrëveshje e rëndësishme me presidentin amerikan Donald Trump.

Deputeti Gazmend Bardhi iu drejtua ministrit Niko Peleshi, duke pyetur pse kryeministri Rama ndodhej në Tiranë dhe jo në Davos, ku liderët rajonalë po nënshkruanin marrëveshjen.

Bardhi theksoi se, sipas Kushtetutës, miratimi në parim i marrëveshjes është bërë dhe presidenti i Republikës ka autorizuar kryeministrin për ta nënshkruar.

“Pyetja ime konsiston: A e ka nënshkruar marrëveshjen Kryeministri? Sepse Kuvendi hyn në procedurë miratimi pasi Kryeministri të ketë nënshkruar këtë marrëveshje. Në dokumentacionin që ju na keni sjellë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk rezulton që Kryeministri ta ketë nënshkruar marrëveshjen.

Marrëveshjen e ka nënshkruar Vjosa Osmani, Presidentja e Republikës së Kosovës, sot në Davos me Presidentin Trump, dhe e kanë nënshkruar edhe vendet themeluese, sot në Davos, në prezencë të Presidentit Trump.

A mund ta dimë pse Kryeministri i Republikës së Shqipërisë është sot këtu dhe nuk është në Davos për të nënshkruar marrëveshjen me Presidentin Trump? Që më pas t’i jepte mundësi Kuvendit të Shqipërisë që të ratifikonte marrëveshjen e nënshkruar. Dhe ku bazohet procedura që po ndjek ky Kuvend? Tani ne e kuptojmë që s’shkonte dot ta nënshkruante se nuk e kanë pranuar, por ku bazohet procedura që po ndjekim? Procedura sot që po ndjekim në Kushtetutë dhe në ligj. \Dhe pse Kosova është sot në Davos, me iniciuesin e bordit të paqes, pra Presidentja Osmani është atje, ndërsa lideri juaj famoz global, Edi Rama, është sot këtu?

Nuk shkova në Davos se isha me Ivankën, vajzën e Trump –

By: 27
22 January 2026 at 12:36

Edi Rama ka reaguar pas themelimit të Bordit të Paqes, mesditën e kësaj të enjte në Davos, në të cilin nuk ishte i pranishëm. Nga seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, Rama u shpreh se nuk ishte i pranishëm pasi ishte me vajzën e Donald Trump, Ivanka Trump, në Vlorë.

Sipas Ramës, nuk shkoi në Davos sepse duhet të qëndronte pranë vajzës së Trumpit.

“E kuptoj që jeni të shqetësuar pse nuk isha atje. Ishte një pikëpyetje: duhet të pranoja ftesën e babait apo të qëndroja pranë vajzës. Zgjodha vajzën, edhe me lejen e babait,” tha Rama në Kuvend.

Bordi i Paqes u themelua pak më herët në Davos, me pjesmarrjen e rreth 20 krerëve të shteteve, ndërsa  vëmendjen e mediave e tërhoqi fakti se nga lista e liderëve botërorë mungonin vetëm tre emra: kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko dhe kryetari i Partisë Komuniste të Vietnamit, To Lam.

Ka 2-3 liderë në këtë grup që nuk i duroj dot… –

By: 27
22 January 2026 at 12:24

Këtë të enjte, Presidenti i 47-të i SHBA, Donald Trump po mban fjalimin në Forumin Ekonomik në Davos, në mbledhjen themeluese të Bordit të Paqes, duke e vlerësuar maksimalisht këtë inisiativë që sipas tij është një nga mekanizmat dhe instrumentet më të rëndësishme të cilat janë krijuar.

Ai nuk i ka kursyer batutat, kur tha se liderët e ftuar për të qenë pjesë e këtij grupit i pëlqen të gjithë, megjithatë janë 2 ose 3 prej tyre që nuk i duron fare.

Pjesë e panelit, duke firmosur dhe marrëveshjen në prani të Presidentit të ShBA, Donald Trump, ishte Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kujtojmë se kryeministri i Shqipërisë, i cili e propagandoi me të madhe se kishte marrë ftesë me emër nominal nga presidenti Trump, për të qënë shtet përfaqësues në Bordin e Paqes, sot nuk ishte ftuar në mbledhjen themeluese në Davos,

Putin më ka thënë se nuk do ta kishte nisur kurrë luftën nëse unë do të isha president i SHBA.

Bordi i Paqes është një nga mekanizmat dhe instrumentet më të rëndësishme të cilat janë krijuar.

Thuajse çdo vend dëshiron që të jetë pjesë e këtij grupi. Kam dërguar ftesa dhe liderit e këtyre shteteve janë në Davos.

Janë disa që i pëlqej disa jo, por në këtë grup i pëlqej të gjithë përveç 2-3 që nuk i duroj dot.

Kemi një grup të madh të rinj që e udhëheqin. Çdo vend dëshiron të jetë pjesë. Dërguam letra disa ditë më parëm, dhe i thamë këtu në Davos vendeve që do ishim të kënaqur që të jeni pjesë tani. Tani janë këtu dhe i pëlqej të gjithë.

Jared dhe Steve kanë punuar fort. Kam qenë i qartë se Hamasi duhet të dorëzojë dhe pengun e fundit të vdekur.  Do jetë një plan i madh për rindërtimin. Do jemi të suksesshëm. Do jetë gjë e madhe për tu parë. Do bëjmë me lodhje me OKB. OKB ka potencial të jashtëzakonshme,. Por nuk e përdorin. Në 8 luftëra që i dhashë fund, nuk fola me OKB. Nuk e bënë, u përpoqën por nuk e bënë. Kombinimi i Bordit me OKB do jetë e jashtëzakonshme për botën. Së bashku jemi në një shans të fundit urrejtje të dekadave, derdhjen e gjakut, për atë rajon dhe për gjithë botën. Do kemi paqe në botë. Do jetë trashëgimi për të gjithë. Është një arsye pse jeni këtu. Jeni nga njerëzit më të fuqishëm në botë. Kur e përdorni talentin tuaj për paqen, e kundërta e paqes nuk ka asnjë shans. E rëndësishme, po prisja të isha këtu”, u shpreh Trump.

Ankimimi në Kushtetuese për Ballukun, përfaqësuesi i qeverisë: Ministrin e mbron imuniteti

By: 27
22 January 2026 at 12:10

Përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave, Herald Jonuzaj ka deklaruar se Ministri njësoj si deputeti gëzon imunitet. Gjatë seancës në Kushtetuese, Jonuzaj ka deklaruar se ministri nuk mund të mund të ndalohet gjatë ushtrimit të detyrave të tij, pa autorizim nga Kuvendi.

Sipas Jonuzajt, shkalla e barazisë mes deputetit dhe Ministrit është e e vendosur në Kushtetutë dhe vendimi i GJKKO-së cënon pushtetin ekzekutiv.

“Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Ligjore, neni 22 parashikon se deputeti gëzon imunitet dhe nuk mund të ndalohet gjatë ushtrimit të detyrave të tij. Kushtetuta vendos një barazi mes statusit të deputetit dhe ministrit: ministri gëzon imunitet për detyrat e tij dhe për sigurinë personale gjatë ushtrimit të funksionit.

Nëse shikojmë bazën e Kodit të Procedurës Ligjore, neni 22 i dispozitave kryesore thotë se deputeti gëzon imunitet dhe nuk mund të ndalohet gjatë ushtrimit të detyrave të tij. Shkalla e barazisë mes deputetit dhe ministrit është e vendosur në Kushtetutë.

Deputeti gëzon imunitet për detyrat e tij dhe për sigurinë personale gjatë ushtrimit të funksionit. Ne kemi ardhur para Gjykatës Kushtetuese për shkak të cënimit të pushtetit ekzekutiv. Këtë çështje e kemi trajtuar gjerësisht, duke evidentuar cënimin e kompetencave të Këshillit të Ministrave. Masat e sigurisë, a janë të pakufizuara? A mund të vendosen ndaj kujtdo, apo kanë kufizime?”, tha Jonuzaj.

The post Ankimimi në Kushtetuese për Ballukun, përfaqësuesi i qeverisë: Ministrin e mbron imuniteti appeared first on 27.

Osmani shtrëngon duart me Trump, Kosova nënshkruan pjesëmarrjen në Bordin e Paqes –

By: 27
22 January 2026 at 11:58

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani nën pranin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka nënshkruar marrëveshjen për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes në Davos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Osmani u pa duke shkëmbyer edhe një bisedë të shkurtë me presidentin Trump, ku më pas nënshkroi marrëveshjen e cila u prit me duartrokitje nga të pranishmit e tjerë.

Presidenti amerikan Donald Trump ka zyrtarizuar në Davos krijimin e Bordit të Paqes, një nismë që sipas tij synon të bashkojë liderë botërorë për të ndalur konfliktet dhe për të promovuar stabilitetin global.

Në fjalën e tij në Forumin Ekonomik Botëror, Trump deklaroi se gjatë qeverisjes së tij ka arritur të ndalojë tetë luftëra dhe se kjo ditë shënon një hap të madh drejt bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në mbledhjen e Davosit morën pjesë presidentë dhe kryeministra nga vende të ndryshme, përfshirë Azerbajxhanin, Argjentinën, Kazakistanin, Indonezinë dhe Kosovën. Nga Bashkimi Evropian, të pranishëm ishin vetëm kryeministri hungarez Viktor Orban dhe ai bullgar.

Megjithatë, vëmendjen e mediave e tërhoqi fakti se nga lista e liderëve botërorë mungonin vetëm dy emra: kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko.

Nëse mungesa e Lukoshenkos shihet si pasojë e izolimit ndërkombëtar të regjimit të tij, mungesa e Ramës ngre dyshime për pozicionimin e Shqipërisë në arenën globale dhe marrëdhëniet përtej atlantikut.

Në një kohë kur Kosova ishte e pranishme  dhe e përfaqësuar në nivel presidencial, mungesa e Ramës krijon kontrast të fortë duke sfumuar propagandën e fortë të Ramës prej së shtunës së kaluar kur mori ftesën e Trump.

E rëndë në Tiranë! 30-vjeçarja hidhet nga kati i tretë i një pallati dhe humb jetën –

By: 27
22 January 2026 at 11:46

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të enjte në rrugën “Ilia Dilo Sheperi” në Tiranë.

Një 30-vjeçare dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i një pallati dhe për pasojë ka humbur jetën.

Sipas policisë, familjarët kanë deklaruar se e reja vuante nga depresioni.

“Dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i një pallati në rrugën ‘Ilia Dilo Sheperi’, shtetasja E. Sh., 30 vjeçe, e cila si pasojë ka humbur jetën. Familjarët e saj kanë deklaruar se vuante nga depresioni”, thuhet në njoftimin e Policisë.

I pandehur për shkelje të barazisë në tendera! Kreu i Prokurimeve, Jonaid Myzyri paraqitet në SPAK –

By: 27
22 January 2026 at 11:32

Kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri është paraqitur këtë të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Jonaid Myzyri është i marrë i pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike.

Më 5 tetor 2025, Gjykata e Posaçme e pezulloi Myzyrin nga detyra, ndërsa ai u rikthye në detyrë 3 muaj më pas, më 30 qershor, ditë kur edhe iu komunikuan akuzat.

SPAK e akuzon Myzyrin për një tender me vlerë rreth 2.2 milionë euro në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit rrugor rreth 59 kilometra Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit. Tenderi është zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar më 18 shtator 2020, proces në të cilin janë konstatuar shkelje të mëdha ligjore, të cilat KPP me kryetar Myzyrin i ka shpërfillur.

Sipas SPAK, ky Komision, në kundërshtim me ligjin ka favorizuar bashkimin e kompanive AEK MUNELLA dhe DRINI-1, të cilat e kanë fituar tenderin 2.2 milionë eurosh me dokumente të falsifikuara.

Në këtë proces ka pasur ankesa nga operatorë të tjerë, si “KTHELLA”, i cili është skualifikuar nga KPP me arsyetimin se oferta me vlerë më të ulët që kishte paraqitur ishte anormale.

Në vendimin për skualifikim, thuhej se autoriteti kontraktor duhej ta refuzonte këtë operator për shkak të “riskut të lartë për mospërmbushjen e detyrimeve kontraktore”.

Ishullin e Sazanit ia ofrova dhe unë Berlusconit, por Rama e bëri për influencë politike –

By: 27
22 January 2026 at 11:24

Kreu i Partisë Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama, për përdorimin e ishullit të Sazanit si mjet për të fituar influencë politike, veçanërisht në lidhje me marrëveshjet e lidhura me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.

Berisha tha se Sazani ishte një projekt i ofruar edhe gjatë kohës së qeverisjes së tij, duke përmendur një marrëveshje të mundshme me ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi. Sipas tij, Rama ka dështuar të firmosë marrëveshjen përpara zgjedhjeve të Trump, duke përdorur kështu Sazanin për të përfituar vetëm nga imazhi dhe influenca politike.

Deklarat e plotë e Berishës:

Po falja e Sazanit dhe Zvërnecit a është një përpjekje e kryeministrit Edi Rama për të korruptuar familjen Trump dhe pse nuk e denoncon opozita këtë?

Berisha:Jo, janë të ndryshme .
Për sa i përket Zvërnecit është një çështje private. Unë nuk di të jetë dhënë tokë publike aty, por do ta shohim.
Për sa i përket Sazanit, e kam deklaruar,deklarata ime është kjo: ne mbështesim investimet amerikane, por natyrisht ky e bëri atë për influencë politike.
I sigurt që dështoi, sepse po të mos dështonte, nuk merrte përsipër të përpiqej të bënte gazi i dheut presidentin e SHBA në një samit që u bë kryelajm i atij samiti.
Ndaj dhe këtu duhet t’i ndajmë gjërat.
Zvërneci është investim publik. Sazanin ai e dha, por po të më çosh pak më tutje, mund të them disa gjëra të tjera, të palidhura me këtë.

Si rregull a nuk duhet opozita t’i kërkojë kryeministrit Edi Rama se mbi ç’baza po e negocion këtë marrëveshje? Pak a shumë siç keni bërë me Portin e Durrësit. Pse për Sazanin keni një lloj menefregizmi?

Berisha: A doni të jemi i sinqertë? Sazanin edhe qeveria ime e ka ofruar. Unë nuk mund të mos jem ai që jam.
E kemi ofruar, sepse në kohën kur ne kemi bërë vlerësimin, ai ka qenë një ishull aspak i lakmuar.
E ofroi Fatos Nano para meje. E ofrova unë, ra kriza. Ia ofrova mikut të shquar të kombit shqiptar, Silvio Berluskoni.
E pranoi dhe bëri projektin. Bëri një projekt shumë të mirë, por erdhi kriza financiare.
Aty janë dokumentet.
Pse e ofruam? Sepse nuk është i lehtë për t’u zhvilluar.
Tani fondet janë shumë të mëdha sepse sipas asaj që kam dëgjuar janë dy miliardë euro të fondit sovran arab.
Në qoftë se bëhet, unë nuk kam asnjë kundërshtim.

Por çfarë marrin shqiptarët sepse po falim diçka për llogari politike dhe akses tek presidenti Trump?

Berisha: Sazanin e ka ofruar Fatos Nano. E ka ofruar Sali Berisha dhe janë bërë projektet nga i ndjeri Silvio Berluskoni.
Sazanin e ofroi ky. Dhe ky gjeti Xhared Kushner, i cili erdhi me një fond shumë të madh.
Por çfarë bëri ky? Në qoftë se marrëveshja ishte që ta firmoste para zgjedhjes së presidentit Trump, ky mashtroi. Ky nuk e firmosi para zgjedhjes së presidentit dhe ky u përpoq gjer në fund ta përdorë atë për të paktën edhe një fotografi me Lindën.
A e dëgjuat atë që tha mbrëmë se i rrodhi ajo? Të paktën një fotografi me Lindën të kemi. Ajo nuk ndodhi.

A fiton kapital politik Edi Rama nga kjo marrëveshje?
Nuk ka gjë në botë që t’i japë më kapital Edi Ramës. Në qoftë se ka një figurë të nxirë. A e di kur ishte mirë Edi Rama? Kur ishte Maduro në pushtet. Se thoshin është Ramduro, por është edhe Maduro. Maduro iku, tani ky ka mbetur i vetëm

E quajti Trumpin ‘turpi i njerëzimit’, sot bën propagandë –

By: 27
22 January 2026 at 10:50

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi drejtuesin e seancës dhe mazhorancën për shkelje të hapur të rregullores parlamentare dhe mungesë respekti ndaj Kushtetutës, ligjit dhe procedurave.

Bardhi theksoi se mbledhja e Kuvendit është thirrur në kundërshtim me rregulloren, pa njoftimin e detyrueshëm paraprak, ndërsa sipas tij, kjo bëhet për interesa propagandistike të Kryeministrit dhe për të zhurmuar çështjet që lidhen me Gjykatën Kushtetuese dhe aferat korruptive të Belinda Ballukut.

Ai deklaroi se opozita është kundër shqyrtimit të përshpejtuar të projektligjit për ratifikimin e ‘Bordit të Paqes’ duke e cilësuar këtë proces si një tjetër shkelje flagrante të rregullave themelore të shtetit të së drejtës.

Pse do duhet ju të shkelni rregulloren? Pse nuk e nisët ju, zoti kryetar, me një ndjesë për deputetët që keni shkelur rregulloren e Kuvendit? Sepse keni detyrimin ta njoftoni seancën plenare të paktën dy ditë përpara se Kuvendi të mblidhet. Një njeri i përgjegjshëm, që e ndjen respektin ndaj Kushtetutës, ndaj ligjit dhe ndaj rregullores së Kuvendit, momentin e parë që hap mikrofonin thotë: ‘Po, unë kam bërë këtë shkelje të rregullores, se ma dikton kjo situatë e jashtëzakonshme ta shkel rregulloren e Kuvendit’, dhe kërkoj mirëkuptimin e kolegëve deputetë për këtë shkelje të rregullores që kam bërë.

Po ju nuk doni t’ja dini as për Kushtetutë, as për ligj, as për procedurë. Ju merrni një komandë: i duhet shefit tuaj sot, se në vend që të ishte… për ta firmosur marrëveshjen atje ku po e firmosin liderët e dëshiruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do vijë këtu të flasim me Taulantin edhe shokët e Taulantit. Keni marrë komandën e tij, i duhet kjo propagandë sot, i duhet për të zhurmuar zonjën që duhet të ishte në Gjykatë Kushtetuese sot, s’duhet të ishte këtu. Duhet të ishte në burg sipas kërkesës së prokurorisë, nuk duhet të ishte këtu.

Pra doni të zhurmoni intimidimin që i keni bërë Gjykatës Kushtetuese për rastin dhe aferat korruptive të Belinda Ballukut dhe o burra të shkelim çdo ligj, çdo rregull, çdo procedurë të këtij parlamenti. Prandaj dhe ne jemi kundër kërkesës tuaj për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji, pa respektuar asnjë rregull minimal të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të rregullores së Kuvendit”, u shpreh Bardhi.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla ka deklaruar se vendi ynë do të ketë një rol aktiv në Bordin e Paqes. Gjatë fjalës në Kuvend, Balla e quajti ftesën si një vlerësim historik për Shqipërinë dhe i kërkoi opozitës që t’i bashkohet mazhorancës në votim.

“Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme do të bëjë prezantimin e plotë të kësaj karte dhe përfaqësimin e Shqipërisë nga Kryeministri Edi Rama, duhet ta dimë rëndësinë e fillimit sa më parë të punës së këtij Bordi, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga Kryeministri Edi Rama. Pikërisht në këtë frymë, Shqipëria jonë është ftuar të jetë, jo më si dikur, si një vëzhguese, por si një bashkë-arkitekte themeluese të një organizmi të ri ndërkombëtar për paqe.

Vota sot do të jetë një test tjetër i konfirmimit të marrëdhënieve me SHBA-në dhe që ne nuk kemi ndasi me njëri-tjetrin. Shpresoj të jetë një votë unanime e të gjithë deputetëve të Kuvendit. Fakti që Shqipëria ftohet si anëtare themeluese, i jep vendit ton një rol aktiv në Bordin e Paqes. Ky besim nuk është i rastësishëm, por i një udhëheqje të një politike të jashtme të suksesshme. Opozita nuk ftohet për të votuar një parti, nuk po votojmë një mazhorancë apo opozitë, por votohet për Shqipërinë,” tha Balla.

Duam 100 vjet për t’u bërë si BE, ndërsa Rama feston me shampanjë ‘sukseset’ –

By: 27
22 January 2026 at 10:06

Ndërsa qeveria shqiptare vazhdon të mbajë gjallë retorikën e anëtarësimit të shpejtë në Bashkimin Europian, realiteti i shifrave dhe analizave ndërkombëtare tregon një panoramë krejtësisht tjetër, shumë më të zymtë. Deputetja Jorida Tabaku ka hedhur poshtë propagandën 13-vjeçare të qeverisë, duke e cilësuar situatën si një anije në mes të dallgëve që nuk po gjen breg.

Pavarësisht festimeve me shampanjë dhe ndarjes së medaljeve për sukseset imagjinare, të dhënat tregojnë se Shqipëria është ende shumë larg standardeve europiane. Tabaku solli në vëmendje një raport tronditës të Institutit të Vjenës, sipas të cilit, me ritmet aktuale, Shqipërisë do t’i duhen plot 100 vite për të arritur standardet e mjedisit të kërkuara nga BE.

Kjo shifër vjen në kontrast të thellë me pretendimet e qeverisë, e cila premton mbylljen e këtyre kapitujve brenda 15 viteve.

“Qeveria e Ramës është si ajo anija në mes të dallgëve që duket se nuk po del akoma, pavarësisht se kanë 12 vite që luftojnë. Shiko, kjo është një çështje që ndoshta për njerëzit, për qytetarët është pak e prekshme. Sepse u bë 13 vite me të njëjtat retorika, me të njëjtën propagandë, të njëjtat premtime… U dhanë pashaportat, u dhanë vulat…

Fatkeqësia më e madhe që po ndodh në këtë moment është që qeveria shqiptare po e kupton që nuk ka kohë. Që shumë gjëra duheshin bërë në këto 12 vite. Dhe unë nuk po merrem fare me kriteret politike, sepse ne e dimë si janë kriteret politike. Grup-kapitulli i parë: zgjedhjet, si është balanca e pushteteve, si është roli i parlamentit, gjykata kushtetuese, çështja e pronave. Janë të gjitha çështje politike këto që po flas unë. Ndërkohë që po merrem edhe me çështje teknike që ndoshta mund të prekin qytetarët. Dhe këtu përmend për shembull siguria ushqimore. Një çështje tjetër është infrastruktura, është ujësjellës-kanalizimet, është mjedisi…

Janë 15 fusha që qeveria shqiptare ka kërkuar një periudhë të ndërmjetme quajnë ato. Që do të thotë që edhe në momentin që t’i bëhesh vend anëtar, nuk i ke plotësuar kriteret. Sepse kërkon, jo vetëm investime financiare. Investime financiare janë sigurisht minimumi. Për shembull për infrastrukturën duhet buxheti i një viti, duhen mbi 8 deri në 10 miliardë euro, për të kryer të gjithë detyrimin minimal për infrastrukturën, për të lidhur rrjetin. E njëjta gjë është për ujësjellës-kanalizimet.

Për mjedisin, Instituti i Vjenës thotë që duhen 100 vite. Duhen 100 vite thotë Instituti i Vjenës. Qeveria shqiptare thotë që unë do ta plotësoj për 15 vjet. Për kriteret ekonomike qeveria shqiptare thotë që duhet një dekadë. Që do të thotë që një pension i një shqiptari këtu të barazohet me pensionin e një europiani, që ndihma sociale këtu të barazohet me atë të një europiani, qeveria shqiptare mendon që i duhen 10 vite. Po tani këto 12 vite çfarë bënë? Ne duhet të kemi parasysh që sot Shqipëria është e fundit në rajon për këto tregues. Është e fundit pavarësisht se ne themi që është në grupin e parë Shqipëria dhe Mali i Zi, është sepse së pari procesi i integrimit një mbështetje të të gjitha forcave politike dhe ky është një aset për Shqipërinë. Edhe opozita e mbështet. Se ti ke parasysh që në vendet e tjera këtë proces nuk e mbështesin të gjitha partitë politike.

Në rastin e Shqipërisë, qytetarët e mbështesin mbi 90%. Ndërkohë që në Serbi ti e ke 28%. Pra ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë. Dhe në qoftë se qeveria shqiptare do ta kishte marrë seriozisht këtë proces, do kishte punuar çdo ditë që këto tregues ekonomikë që ne po bisedojmë sot dhe që flasim, që i kemi thënë sepse këto janë çështje të përditshmërisë së shqiptarëve, nuk po flasim për gjëra të cilat janë një luks, si mjedisi për shembull, se mjedisin unë e konsideroj luks. Po flasim për çështje kritere bazë, të cilat duhet të ishte punuar çdo ditë. Tani këto kujtohen dhe thonë për dy vite ne do t’i plotësojmë të gjitha. Për dy vite, në letër ligjet edhe mund t’i miratojnë. Por puna është që të zbatohen”, u shpreh Tabaku.

Nuk do marrim pjesë në seancën e Gjykatës Kushtetuese –

By: 27
22 January 2026 at 09:38

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën publike që zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me çështjen Balluku.

Gjykata argumenton se nuk do të jetë pjesë, pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

“Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor”,- thuhet ndër të tjera në njoftim.

Njoftimi i plotë

Nisur nga pyetjet e vazhdueshme nga ana e gazetarëve dhe interesi i lartë që ka në media dhe në publik seanca plenare publike që do të zhvillohet ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me:

Kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë.

Subjekte të Interesuara: Presidenti i Republikës, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Objekti: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave…,

Ju informojmë se GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.

❌
❌