Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 January 202627.al

Skandali, Qeveria i dha 10.5 milionë euro izraelitit Yefetti dhe Ardi Veliut nga Buxheti i Shtetit –

By: 27
11 January 2026 at 15:30

Një histori që nis me qindarka dhe mbyllet me MILIONA € euro ngre pikëpyetje serioze për mënyrën si po derdhen paratë publike nga taksat e qytetarëve për sektorin e mbrojtjes në Shqipëri.

Në vetëm tre muaj, nga shtatori deri në nëntor 2025, buxheti i shtetit ka transferuar mbi 10.5 MLN € drejt kompanisë Timak Defence, një shoqëri e sapokrijuar mes kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve Kayo dhe një subjekti privat Timak pas së cilës qëndron izraeliti Ron Yeffet, mik personal i kryeministrit Edi Rama dhe një person nën hetim jashtë Shqipërisë nga struktura antikorrupsioni.

Më 29 shtator 2025, vetëm tre ditë pasi Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë vendosi instalimin e sistemit anti-dron C-UAS, Reparti Ushtarak 3001 transferon 6.1 MILION € në llogaritë e Timak Defence.

Asnjë informacion publik mbi procedurën e cila u mbajt e fshehtë, vlerën totale të kontratës apo kriteret e përzgjedhjes.

Vetëm një muaj më pas, më 29 tetor, lidhet një tjetër kontratë sekrete për blerjen e automjeteve taktike të transportit të lehtë. Dy ditë më vonë del fatura: 4.4 MILIONË €. Më 4 nëntor pagesa kryhet.

10.5 MILION € për një kompani që, deri në qershor, vlerësohej me 1000 €.

Skema e aksioneve: nga 490 euro në monopol shtetëror

Timak Defence është themeluar nga Kayo, kompani shtetërore e drejtuar nga ish-drejtori i Policisë, Ardi Veliu (20%) dhe Timak kompani private (80%). Brenda Timak, Ron Yeffet blen 49% të aksioneve për vetëm 490 € nga shtetasja Arjeta Puca, e cila deri më 17 qershor 2025 zotëronte 100% të kompanisë.

Kjo do të thotë se kompania private Timak është vlerësuar në 1000 €.

Por kjo kompani “prej 1000 eurosh”, sapo bashkohet me Kayo, përfiton 80% të aksioneve të një shoqërie që merr monopolin e furnizimit të ushtrisë, Gardës dhe Policisë. Sipas “rregullit të treshit”, kjo skemë nënkupton se kompania shtetërore e prodhimit të armëve është vlerësuar me 250 €.

Një absurd financiar që, në çdo vend normal, do të mjaftonte për një hetim penal.

gijotina.com/

Kush oligark shqiptar fshihet realisht pas koncesionit të “Lidl” në portin e Durrësit? –

By: 27
11 January 2026 at 15:22

Sipas dokumenteve zyrtare në QKB, kompania që sot operon si “Lidl Shqipëria” sh.p.k. ka funksionuar më parë me emrin “LVM Real Estate Investments”, me administratorë Ermir Bajramin dhe Gzim Sylën.

Por këta emra janë thjesht në letra për këtë kompani, pasi sipas zërave që qarkullojnë, pas koncesionit fshihet një oligark i fuqishëm shqiptar.

NË LETRA

Ermir Bajrami është nga viti 2022 zëvendëspresident i Lidl Kosova dhe Lidl Albania, si dhe anëtar bordi në Lidl International ndërsa Gzim Syla mban aktualisht postin e Drejtorit të Financave dhe Administratës në Lidl Kosova sh.p.k.

Kalimi nga “LVM Real Estate Investments” në “Lidl Shqipëria” është formalizuar në shkurt 2023, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Brenda një periudhe 3-vjeçare, kompania ka pësuar disa herë ndryshime në drejtim: Fillimisht administratorë kanë qenë Boris Lozic dhe Dalibor Bosnjak. Më pas, drejtimi kaloi te Nikolaos Dr. iur. Athanasiadis, MBA, Przemyslaw Robert Pakula, Adriatik Dedej, Dragos Ionescu dhe Marc. Në mars 2025, administrimi iu besua sërish Ermir Bajramit dhe Gzim Sylës. Në të njëjtën periudhë janë evidentuar edhe ndryshime të pronarëve indirektë dhe në përqindjet e pronësisë.

Koncesioni i “Lidl” ka sjellë shpronësime masive të pronarëve privatë, të cilat nuk i shërbejnë interesit publik, por përfitimit të drejtpërdrejtë të një subjekti privat.

gijotina.com/

Dita e gjashtë e përmbytjeve në Durrës, situatë e vështirë për banorët edhe pas ndërprerjes së reshjeve –

By: 27
11 January 2026 at 14:22

Edhe pse reshjet e shiut kanë pushuar, situata për banorët e zonës së ish-Kënetës vijon të mbetet e rënduar. Sot shënohet dita e gjashtë që kur përmbytjet përfshinë këtë zonë, ndërsa shumë banesa vazhdojnë të jenë ende nën ujë.

Uji është i pranishëm në një numër të madh shtëpish, kryesisht në katet e para, të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale. Sipas banorëve, do të nevojitet kohë e gjatë që këto ambiente të thahen dhe të rikthehen në kushte të banueshme.

Shenjat e lagështirës janë të dukshme në muret e banesave, ndërsa banorët po përpiqen të përballojnë situatën me mjetet që kanë në dispozicion.

Me pompa uji dhe fshesa, ata po tentojnë të largojnë ujin e mbetur nga ambientet e brendshme dhe oborret e shtëpive.

gijotina.com/

Shtëpi, toka dhe rrugë nën ujë/ Mbrojtja Civile: Situatë e rënduar nga Shkodra tek Durrësi, Berati dhe Gjirokastra

By: 27
11 January 2026 at 14:16

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka dalë me një njoftim zyrtar mbi situatën e krijuar në vend si pasojë e reshjeve intensive të shiut dhe dëborës gjatë orëve të fundit, të cilat kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të territorit dhe kanë shkaktuar problematika hidrologjike dhe infrastrukturore në disa qarqe.

Sipas njoftimit, situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Dibër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër. Në qarqet e tjera të vendit, problematikat kanë qenë më të kufizuara dhe të menaxhueshme. Strukturat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ndodhen në terren dhe po punojnë për përballimin e pasojave dhe stabilizimin e situatës.

Në Qarkun Shkodër, rritja e nivelit të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë shtim të prezencës së ujit në zonat e Obotit dhe Dajçit, si dhe përmbytje të tokave bujqësore në zonën Urrelat–Shirq. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore është i pakalueshëm për mjetet e ulëta. Nuk raportohen përmbytje banesash, ndërsa argjinaturat, kanalet kulluese dhe diga e rezervuarit të Shkodrës vijojnë të jenë funksionale. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat vendore.

Në Qarkun Durrës, situata po shkon drejt përmirësimit në zonat e përmbytura të Sukthit dhe Katundit të Ri. Megjithatë, vijon prezenca e ujit në rreth 1 800 hektarë tokë bujqësore dhe në disa banesa në zona të veçanta të Kënetës dhe Shkozetit. Janë kryer ndërhyrje për lirimin e akseve rrugore dhe funksionalizimin e shkarkuesve për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

Në Qarkun Dibër, reshjet e dëborës kanë shkaktuar bllokime rrugësh në disa njësi administrative, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Qarkullimi në akset kryesore po mbahet i kontrolluar, ndërsa në rrugët rurale po punohet për hapjen dhe garantimin e aksesit. Ndërkohë, vijon operacioni i kërkimit për një shtetas të humbur, me angazhimin e forcave të specializuara.

Në Qarkun Berat, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore, prezencë uji në disa banesa dhe objekte publike, si dhe evakuimin e disa familjeve për arsye sigurie. Situata po menaxhohet nga strukturat vendore me mbështetjen e forcave të emergjencës.

Në Qarkun Fier, lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë dalë nga shtrati në disa zona, duke përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore dhe duke prekur disa banesa. Strukturat e bashkive ndodhen në gatishmëri të plotë dhe po vlerësojnë nevojën për masa shtesë.

Ndërsa në qarqet Korçë dhe Gjirokastër, problematikat lidhen kryesisht me rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore, bllokime rrugësh dhe evakuime të kufizuara të disa familjeve në zona me rrezik. Puna në terren vijon për hapjen e akseve rrugore dhe eliminimin e rrezikut për banorët.

Forcat e Armatosura janë angazhuar në disa qarqe të vendit me efektivë dhe mjete të specializuara për ndërhyrje emergjente, lirimin e rrugëve të bllokuara, evakuimin e banorëve dhe mbështetjen e autoriteteve vendore.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje banorëve të zonave të prekura të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat me rrezik përmbytjeje apo rrëshqitjeje dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.

gijotina.com/

The post Shtëpi, toka dhe rrugë nën ujë/ Mbrojtja Civile: Situatë e rënduar nga Shkodra tek Durrësi, Berati dhe Gjirokastra appeared first on 27.

Qindra turistë të bllokuar në aksin Librazhd-Bulqizë, Autoriteti Rrugor dhe Policia në heshtje –

By: 27
11 January 2026 at 13:42

Një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore të viteve të fundit në zonën lindore të vendit, rruga e re Librazhd-Bulqizë, konkretisht aksi Zgosht–Ura e Çerenecit, është shndërruar këtë fundjavë në një problem serioz për qindra qytetarë dhe turistë. Segmenti që përshkon mes për mes fshatin turistik Fushë Studen, në Njësinë Administrative Steblevë të bashkisë Librazhd, deri në mesditën e së dielës ka qenë pothuajse i pakalueshëm, për shkak të mungesës totale të ndërhyrjes për pastrimin e dëborës dhe hedhjen e kripës.

Sipas burimeve nga terreni, firma kontraktore përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës nuk ka kryer asnjë ndërhyrje, pavarësisht reshjeve të dendura të dëborës dhe temperaturave të ulëta që kanë sjellë ngrica të rrezikshme. Si pasojë, me dhjetëra automjete dhe qindra turistë, të nisur drejt turizmit malor në Parkun Kombëtar të Shebenikut, kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në zonën e njohur si “Shkalla e Lunikut”.

Situata është bërë edhe më problematike nga vonesat e shumta në reagim, pasi kërkesat e vazhdueshme të drejtuesve të mjeteve dhe turistëve për ndërhyrje janë marrë parasysh vetëm pas një kohe të gjatë, duke lënë qytetarët në kushte të vështira, mes të ftohtit dhe rrezikut për aksidente.

Ironikisht, asfaltimi i këtij segmenti rrugor, që lidh Librazhdin me Bulqizën dhe Peshkopinë, është konsideruar si një nxitje e fortë për zhvillimin e turizmit malor dhe ekonomisë lokale. Por pikërisht në këtë fillim viti, kur reshjet e dëborës kanë qenë të shumta dhe fluksi i turistëve mjaft i lartë, është evidentuar qartë se mungon çdo plan serioz për mbajtjen funksionale të kësaj arterie rrugore malore, tashmë të asfaltuar me fonde publike.

Vetëm disa ditë më parë, rruga u hap përkohësisht falë ndërhyrjes së ASHP-së së bashkisë Librazhd, pasi qindra banorë të fshatrave të zonës mbetën të izoluar, duke dëshmuar se pa ndërhyrje emergjente institucionale, situata do të ishte edhe më dramatike.

Ky investim strategjik, që në letër synon jo vetëm përmirësimin e ndërlidhjes mes dy qarqeve, por edhe krijimin e një aksesi të qëndrueshëm drejt bukurive natyrore të zonës lindore, po rrezikon të humbasë vlerën e tij reale për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe përgjegjësisë. Malet, pyjet, kultura dhe mikpritja e komuniteteve vendase mbeten aty, por pa rrugë të hapura dhe të sigurta, turizmi malor rrezikon të mbetet vetëm një premtim i parealizuar.
Ngjarja e kësaj fundjave ngre pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e investimeve publike, rolin e firmave kontraktore dhe nevojën urgjente për një përgjegjësi më të madhe institucionale, për të mos e kthyer një rrugë strategjike në një tjetër simbol të dështimit në kushte dimërore.

gijotina.com/

Pas “pushtimit të Groenlandës” fshihet plani i fshehtë i MAGA-s ndaj NATO-s –

By: 27
11 January 2026 at 13:20

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka urdhëruar komandantëve të tij të lartë të hartojnë një plan për një pushtim të mundshëm të Grenlandës, një veprim që potencialisht mund të çojë në një krizë të NATO-s, raportoi Daily Mail të shtunën, duke cituar burime.

Presidenti amerikan ka kërkuar prej kohësh të marrë kontrollin e Groenlandës, një territor autonom nën sovranitetin danez, duke përmendur shqetësimet e sigurisë dhe nevojën për të penguar Rusinë dhe Kinën, ndërkohë që nuk përjashton një opsion ushtarak për të pushtuar ishullin. Ky qëndrim e ka vënë atë në konflikt me anëtarët evropianë të NATO-s, të cilët janë bashkuar pas Danimarkës.

Sipas Daily Mail, Trump i kërkoi Komandës së Përbashkët të Operacioneve Speciale të përgatiste plane pushtimi, por Shefat e Përbashkët të Shtabit po kundërshtojnë, duke argumentuar se ky veprim do të ishte i paligjshëm dhe do të mungonte mbështetja e Kongresit. Një burim i tha gazetës se gjeneralët e lartë “janë përpjekur ta shpërqendrojnë Trumpin duke folur për masa më pak të diskutueshme”, siç është një “sulm ndaj Iranit”.

Raporti tha se shtytja për të pushtuar Groenlandën u udhëhoq nga disa këshilltarë të Trump, përfshirë ndihmësin politik Stephen Miller, të cilët u inkurajuan nga sulmi i fundit i SHBA-së ndaj Venezuelës dhe tani duan të veprojnë shpejt për të siguruar ishullin përpara se Rusia ose Kina të mund të bëjnë një hap.

Një burim diplomatik paralajmëroi se pushtimi mund të çojë në “shkatërrimin e NATO-s nga brenda”. Ai shtoi se disa “zyrtarë evropianë dyshojnë se ky është qëllimi i vërtetë i fraksionit të linjës së ashpër MAGA rreth Trump… Pushtimi i Groenlandës mund t’i detyrojë evropianët të braktisin NATO-n. Nëse Trump dëshiron t’i japë fund NATO-s, kjo mund të jetë mënyra më e përshtatshme për ta bërë këtë”.

gijotina.com/

Arrestohet në Tiranë i dënuari në Itali me 6 vjet e gjysmë burg për trafik droge –

By: 27
11 January 2026 at 13:10

Një 38-vjeçar i dënuar në Itali për trafik droge dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga policia shqiptare.

Policia thotë se në pranga u vu shtetasi Alesjo Abdija, i cili pas procedurave pritet të ekstradohet në Itali.

Në vitin 2024, Gjykata e Perugias në Itali, e ka dënuar 38-vjeçarin me 6 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Njoftimi: 

Policia e Shtetit/Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e DPPSh-së, operacioni i koduar “Operacionalja 77”.

I dënuar nga autoritetet në Itali, me 6 vjet e gjysmë burgim, si bashkëpunëtor për trafikimin e lëndëve narkotike, kapet me qëllim ekstradimin, 38-vjeçari.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve operacionale, me partnerët italianë, realizuar nëpërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 77”.

Në kuadër të operacionit u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Alesjo Abdija, 38 vjeç.

Në vitin 2024, Gjykata e Perugias, Itali, e ka dënuar me 6 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.

gijotina.com/

Kapet autori, zbardhet seria e vjedhjeve të banesave në Korçë –

By: 27
11 January 2026 at 13:08

Policia e Korçës ka zbardhur dhe dokumentuar pesë raste të vjedhjes së banesave në qytet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë identifikuan, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 38 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari penale.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 38-vjeçari është autori i vjedhjes së banesës së shtetasit Gj. M., rezident në Greqi, ngjarje e ndodhur më datë 10.01.2026, në lagjen nr. 3 të qytetit të Korçës, ku janë vjedhur sende të ndryshme.

Po ashtu, nga hetimet e mëtejshme ka rezultuar se ky shtetas dyshohet se ka kryer edhe katër vjedhje të tjera banesash në qytetin e Korçës, të ndodhura në datat 28.09.2024, 20.03.2025, 01.01.2026 dhe 06.01.2026.

Gjatë këtyre vjedhjeve, ai dyshohet se ka marrë bizhuteri, shuma parash, orendi dhe sende të tjera me vlerë.

gijotina.com/

“Patriot…lider i të gjithë socialistëve të mashtruar” –

By: 27
11 January 2026 at 13:04

Presidenti i Partisë së Lirisë Iir Meta ka reaguar në lidhje me intervistën e fundit të dhënë nga ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj.

Sipas tij, edhe ata që dyshonin në vërtetësinë e deklaratave të Ahmetajt një vit më parë, tashmë kanë kuptuar që gjithçka është vërtetuar.

Postimi i plotë:
Intervista e fundit e Z. Arben Ahmetaj, dëshmoi seriozitetin dhe integritetin e tij politik, profesional dhe atdhetar për çmontimin e Organizatës Kriminale që ka marrë peng Shqipërinë.
Të gjithë ata që ngrinin dyshime mbi të vërtetat e tij një vit më parë, ka kohë që kanë mbyllur gojën, sepse gjithçka është provuar besnikërisht.
Të gjithë ata që vunë në diskutim çmimin 33.600 euro të shishes së verës që pinte Kreu i Organizatës, besoj se e kanë të qartë se zhdukja e kantinës provë të gjetur padashje, ishte një operacion shtetëror brenda natës dhe jo vepër e një kushëriri.
Përpjekja për sekuestrimin e tij (rrëmbimin) ilegal, është pjesë e manualit të rrëmbimeve që bën organizata, siç është provuar prej saj edhe nga rasti i Gerond Meçes dhe Daniel Shimës (dhe shumë raste të tjera).
Por ata gabojnë rëndë.
Duket qartë se Arben Ahmetaj nuk ka vendosur të jetë thjesht një dëshmitar e denoncues për çmontimin e organizatës kriminale.
Duket se ai ka bërë një hap të madh e cilësor përpara.
Ai ka vendosur të bëhet një lider i të gjithë socialistëve të mashtruar, të tradhëtuar dhe të shantazhuar nga organizata kriminale.
Ndaj dhe gjithmonë flet në emër të socialistëve, ndaj i ndan ata nga Organizata Kriminale dhe bashkia, depozita e parë dhe 26 vjeçare e Kreut të Organizatës.
Ahmetaj po flet si një socialist patriot, që e ndjen se regjimi që bazohet mbi trafikun e drogës po shkatërron shoqërinë në çdo aspekt ekonomik, social e politik.
Ai është i bindur se droga është nëna e të gjithë të këqijave (pasojave) për shoqërinë e çdo familje shqiptare.
Me 7 denoncimet e faktuara, Ahmetaj ka rimarrë lidershipin e luftës kundër korrupsionit dhe organizatës kriminale, por edhe ka fituar besimin e shumë njerëzve të ndershëm brenda PS e administratës se ai e ka seriozisht përmirësimin e qëndrueshëm të kujtesës.
Në veçanti, tronditëse janë dëshmitë e tij për kapacitetet e gjymtuara portuale të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve, që duhet të kthehet në një çështje madhore për të gjithë.
Këtë rradhë me koherencën, kthjelltësinë, vërtetësinë e tij, ai mua më kujtoi shumë politikanë të shquar grekë, të cilët në pamundësi për aktivitet politik në Greqi gjatë juntës ushtarake, u zhvendosën në Perëndim për të luftuar që andej për të ardhmen demokratike të Greqisë .
Dhe ata u bënë protagonistë të fuqishëm në Greqinë e re.

gijotina.com./

Pasi arrestoi Ilir Metën u bë drejtor policie, Vilson Bala transferohet nga DVP Durrës në Korçë –

By: 27
11 January 2026 at 12:04

Drejtori i Policisë së Durrësit, Vilson Bala, pritet të transferohet në qytetin e Korçës.

Mësohet se tashmë është bërë propozimi zyrtar për transferimin e Balës, ndërsa pritet firmosja e urdhrit përkatës nga autoritetet kompetente.

Vilson Bala aktualisht mban postin e drejtuesit të Policisë së Durrësit, ndërsa më herët, ai ka mbajtur edhe detyrën e shefit të Operacionales. Ne ate kohe, më 21 tetor 2024 drejtoi operacionin e arrestimit të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Për këtë shërbim Edi Rama e shpërbleu Vilson Balën me detyrën e lartë të Drejtorit të Policisë. Theksojme se Bala eshte kallezuar penalisht per shkeljen e ligjit gjate arrestimit.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi emrin e pasardhësit të tij në Durrës, ndërsa pritet që në ditët në vijim Policia e Shtetit të konfirmojë zyrtarisht transferimin dhe emërimet e reja.

gijotina.com/

Qarku Elbasan në errësirë, ndërprerje masive të energjisë elektrike në të shtatë bashkitë –

By: 27
11 January 2026 at 11:48

Situata e furnizimit me energji elektrike paraditen e kësaj të diele paraqitet mjaft problematike në të shtatë bashkitë e Qarkut të Elbasanit. Ndërprerjet e shpeshta dhe mungesa e energjisë kanë prekur zona të shumta urbane dhe rurale, duke shkaktuar vështirësi serioze për banorët dhe aktivitetet e përditshme.

Problemet më të theksuara raportohen në Zavalinë, në një pjesë të Mollagjeshit, si edhe në shumicën e fshatrave të Bashkisë Librazhd e Prrenjas . Pa energji elektrike kanë mbetur zona si Qarrishta ,Xhyra,Hotolishti,Dardha dhe Prrenjasi, ndërsa situatë e ngjashme paraqitet edhe në fshatin Bardhaj dhe rrethinat përreth Prrenjasit.

Banorët shprehen të shqetësuar, pasi mungesa e energjisë po ndikon drejtpërdrejt në ngrohje, furnizimin me ujë, komunikimin dhe ruajtjen e produkteve ushqimore, sidomos në kushtet e motit të përkeqësuar. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për rikthimin e energjisë dhe garantimin e një furnizimi të qëndrueshëm.

Nga operatori i shpërndarjes së energjisë konfirmohet se po punohet parreshtur për normalizimin e situatës në të gjithë Qarkun e Elbasanit por kushtet e vështira atmosferike po bëhen pengesë për ritmet e punës në terren.

gijotina.com/

 

Policia ‘mësyn’ në apartamentin e monitoruar prej javësh, 3 të reja arrestohen në Elbasan për prostitucion –

By: 27
11 January 2026 at 11:38

Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Transit”.

Arrestohen në flagrancë 3 shtetase kolumbiane që ushtronin prostitucion në 2 apartamente në qytetin e Elbasanit. Procedohet penalisht në gjendje të lirë pronarja e apartamentit.

Sekuestrohen shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, dokumente identifikimi dhe celularë.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale, si rezultat i hetimeve intensive të kryera me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan operacionin e koduar “Transit”.

Nga hetimet u provua se në dy apartamente në qytetin e Elbasanit ushtrohej prostitucion nga shtetase të huaja, të cilat kontaktonin klientët nëpërmjet faqeve në internet.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetaset:

D. P., 20 vjeçe, D. M., 18 vjeçe, J. D., 34 vjeçe, të treja shtetase kolumbiane, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen M. J., 34 vjeçe, pronare e apartamentit ku kryhej aktiviteti i paligjshëm, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.

Gjatë kontrollit në ambientet e ushtrimit të kësaj veprimtarie të paligjshme, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, celularë dhe dokumente të ndryshme.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

gijotina.com/

Nuk kemi drejtësi të paanshme… –

By: 27
11 January 2026 at 11:32

Kryeministri Edi Rama në hapje të sezonit të 6-të të podkastit “Flasim”, ka komentuar dhe samtimin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën.

Ndër të tjera Rama u shpreh se ende Shqipëria nuk ka një drejtësi të paanshme apo një drejtësi cilësore pavarësisht se është e pavarur.

“Kjo javë nisi me pjesëmarrjen në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, thirrur nga Presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Élysée, ku kisha nderin të isha edhe unë ndër të ftuarit për të përfaqësuar Shqipërinë.

Në tërësi, takimi shërbeu për të bërë një bilanc të gjithë përpjekjeve të njehsimit të pozicionit dhe të koordinimit të forcave e të ndarjes së detyrave mes Shteteve të Bashkuara, Koalicionit të Vullnetmirëve dhe Ukrainës, në kuadër të garancive të sigurisë së nevojshme për hapjen e rrugës drejt kompromisit dhe paqes pas një lufte që ka marrë vërtetë tejet shumë jetë njerëzish.

Por, gjatë qëndrimit tim në Paris, u takova edhe me Ministrin e Drejtësisë së Francës, me të cilin diskutuam mbi pjesëmarrjen e partnerëve francezë në grupin e reflektimit që kemi nisur për problematikat e politikës penale në Shqipëri, si dhe mbi konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, në harmoni të plotë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Siç e kam thënë na duhet një reflektim i madh, serioz dhe largpamës mbi politikën penale në Shqipëri, sepse duhet të adresojmë problematika të mprehta, por njëkohësisht të mbrojmë pavarësinë, të nxisim paanësinë dhe të rrisim cilësinë e drejtësisë në këtë vend, ku kemi më në fund një drejtësi të pavarur, falë lidershipit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mbështetjes bipartizane të popullit shqiptar, po nuk kemi ende as një drejtësi të paanshme e as një drejtësi cilësore. Nuk është e lehtë, por unë nuk i jam përkushtuar politikës për të bërë gjëra të lehta apo për t’i marrë lehtë gjërat e rënda. Përkundrazi”, tha Rama.

gijotina.com/

 

Situatë e vështirë në qarkun Korçë, 600 familje pa energji dhe vështirësi në akset rrugore –

By: 27
11 January 2026 at 10:00

Rreth 600 abonentë ruralë në qarkun e Korçës aktualisht janë pa energji elektrike pasi 6 fidera janë të stakuar, ndërsa nuk ka mungesë energjie në zonat urbane.

Konkretisht janë stakuar fidera në: 

Korçë: 1 fider

Maliq: 2 fidera

Pogradec: 2 fidera

Bilisht: situatë normale

Ersekë: 1 fider

Ekipet janë në gadishmëri për riparimin e defekteve që janë në terren. Të gjithë fiderat që furnizojnë me energji elektrike konsumatorët e rëndësisë së veçantë janë në gjendje pune.

Hidrovori Pogradec në fideri (8-18) Përpunim Druri N/St Pogradec është në punë normale.

Ndërkohë prefektura e Qarkut Korçë informon se sipas të dhënave nga strukturat përgjegjëse të bashkive, nuk raportohen problematika të reja për shkak të motit të keq.

Sipas autoriteteve vijojnë punimet për neutralizimin e plotë të situatave të krijuara gjatë ditës së djeshme.

Situata në rrugë (ARRSH – Rajoni Qendër–Lindje):

Segmenti Ersekë–Leskovik është i hapur dhe i kriposur.

Në aksin Maliq–Kufi Gramsh ka reshje të imëta dëbore. Problem mbeten aluvionet në zonën e Lozhanit.

Akset Libonik–Rëmbec–Plasë, Korçë–Voskopojë, Korçë–Ersekë dhe Zemblak–Dogorë–Goricë ka pasur reshje bore, po punohet për pastrim dhe kriposje, ndërsa qarkullimi vijon normal.

Bilisht–Miras qarkullimi kryhet me goma dimërore.

Segmentet K/Boboshticë–Dardhë dhe K/Lapidari Podgori–K/Podgori–Liqenas: vijojnë reshjet e borës, po kryhet pastrim dhe kriposje.

gijotina.com/

Humb kontrollin e mjetit dhe përplaset me bordurën, aksident në Novoselë –

By: 27
11 January 2026 at 09:28

Nje aksident rrugor është shënuar në orët e para të mëngjesit në zonën e Novoselës, ku një automjet ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës.

Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për pasoja në jetën e njerëzve, ndërsa drejtuesi i mjetit ka pësuar vetëm lëndime të lehta.

Menjëherë pas ngjarjes, policia ka mbërritur në vendin e aksidentit dhe po kryen veprimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave.

gijotina.com/

Situatë emergjente, evakuimi i banorëve në Kuçovë e Dimal vijoi edhe gjatë natës –

By: 27
11 January 2026 at 09:24

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ditën e sotme në përditësim të situatës në vend pas përmbytjeve. Evakuimi i banorëve në fshatrat buzë lumit të bashkive Kuçovë dhe Dimal ka vazhduar gjatë gjithë natës.

Forcat e Armatosura, në koordinim me Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, mbeten të angazhuara në terren, krah për krah me strukturat vendore, për menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. Shkruhet në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

gijotina.com/

Lumi Shkumbin del nga shtrati, rreth 20 banesa të përmbytura në Lushnje, përmbytje nga Semani në Fier –

By: 27
11 January 2026 at 09:16

Aktualisht në qarkun e Fierit reshjet e shiut kanë ndaluar ndërsa nuk raportohet për akse të bllokuara.

Ndërkohë prurjet në lumin e Semanit janë në kuota të larta. Semani ka dalë nga shtrati në fshatin Murriz e rrjedhimisht ka prezencë të ujit në oborret e banesave. Lumi Seman ka përmbytur me qindra hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave në Roskovec–Patos dhe Fier.

Ndërkohë dhe lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati dhe në fshatin Thanasaj ka kaluar nivelin e argjinaturës dhe ka prekur rreth 20 banesa. Ne terren ndodhen strukturat e Bashkisë Lushnjë dhe po shqyrtojnë mundësinë e evakuimit të këtyre banorëve.

gijotina.com/

Bllokohet Dibra nga dëbora, 40 cm borë dhe ndërprerje energjie në disa zona –

By: 27
11 January 2026 at 09:08

Reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar probleme të shumta në disa njësi administrative të Qarkut Dibër. Prej ditës së djeshme, në shumë zona mungon energjia elektrike.

Trashësia e borës në njësitë Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Muhurr ka kaluar mbi 40 centimetra.

Bashkia Dibër po punon intensivisht për hapjen e rrugëve drejt fshatrave, megjithatë në këto momente raportohet se ende ka fshatra të izoluara.

Në qytetin e Peshkopisë, trashësia e borës arrin rreth 20 centimetra. Rruga Peshkopi–Kukës kalohet vetëm me zinxhirë dhe me vështirësi të mëdha. Ndërsa segmenti te Ura e Çerenecit – Librazhd është aktualisht i pakalueshëm, por po punohet për hapjen e tij.

Rruga Peshkopi–Tiranë është e qarkullueshme pa zinxhirë. Në të gjithë qarkun, strukturat përkatëse po vijojnë punën për pastrimin dhe hapjen e rrugëve rurale.

gijotina.com/

Kapiteni Berat Gjimshiti dëmtohet tek Atalanta dhe përfundon në spital… –

By: 27
11 January 2026 at 09:02

Berat Gjimshiti pësoi një dëmtim të rëndë në minutën e 41-të të pjesës së parë. Mbrojtësi i Atalantës u detyrua të largohej nga fusha tre minuta më vonë, i zëvendësuar nga Isak Hien, pas një përplasjeje me ish-shokun e skuadrës Duvan Zapata të Torinos, i cili po tentonte një gjuajtjeje nga jashtë zonës.

Mbrojtësi Kombëtares shqiptare pësoi një dëmtim të rëndë në kockën e majtë të kofshës, që përfshinte muskulin oblik të barkut. Gjimshiti u dërgua menjëherë në spital për analiza, të cilat përjashtuan ndonjë thyerje. Koha e rikuperimit do të përcaktohet.

gijotina.com/

Vëllai i Rooney-t me një ekip të kategorisë së gjashtë, eliminon fituesit e FA Kupës së Anglisë –

By: 27
11 January 2026 at 08:46

Trajneri John Rooney, vëllai i Wayne, e udhëheqi ekipin e kategorisë së gjashtë të futbollit anglez drejt arritjes më të pabesueshme në historinë e këtij kompeticioni.

“Davidi mund Goliathin.” Ja se si profilet në mediat sociale të FA Kupës, kompeticioni më i vjetër zyrtar i futbollit, i cili filloi në vitin 1871, festuan suksesin e Macclesfield.

Ekipi anglez i nivelit të gjashtë, Liga Kombëtare (Veriore), arriti diçka të paparë më parë në historinë e saj 155-vjeçare.

Ata eliminuan mbajtësit e trofeut Crystal Palace, fituesit në fuqi, pavarësisht një diference prej 117 vendesh në tabelën e ligës së futbollit anglez, diferenca më e madhe ndonjëherë.

Fitorja 2-1 në stadiumin e vogël vendas, përpara 5.000 spektatorëve të entuziazmuar që pushtuan fushën me fishkëllimën e fundit, siguroi kalimin në raundin e katërt të FA Kupës.

Nuk kishte ndodhur që nga viti 1909 që një ekip jashtë ligës (nën nivelin e katërt, pra gjysmë-profesional ose pothuajse) të eliminonte kampionët në fuqi, ose që kur vetë Crystal Palace eliminoi Wolverhampton në fillim të shekullit të kaluar.

HISTORY IS MADE! 🤩

Sixth-tier side Macclesfield FC knock FA Cup holders Crystal Palace out of the competition! 😳

📺 @tntsports & @discoveryplusUK pic.twitter.com/dz0wIxT3qH

— Football on TNT Sports (@footballontnt) January 10, 2026

gijotina.com/

❌
❌