Dëbora në Shebenik, mundësi për të eksploruar parkun nën shoqërinë e udhërrëfyesve
TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Parku Kombëtar i Shebenikut u mbulua këto ditë të fundit të nëntorit nga dëbora, duke ofruar një panoramë të mrekullueshme që nuk duhet lënë pa u vizituar.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ndau në rrjetet sociale pamje nga ky park, ku bimësia fillon të ndërrojë ngjyrë dhe reshjet e dëborës përziejnë të bardhën me të verdhën e vjeshtës.
“Dëbora e parë në Parkun Kombëtar Shebenik krijon peizazhe mbresëlënëse dhe mundësi për të eksploruar majat e këtij parku nga mund të shijohen bukuritë natyrore të pyjeve të pishës, ahut e bredhit nën shoqërimin e udhërrëfyesve të certifikuar turistikë si garanci për përvoja të sigurta”, shkruan Jaupaj.
Shebeniku është mal në verilindje të Librazhdit, me lartësi 2253 metra mbi nivelin e detit. Ai kufizohet me luginën e Shkumbinit të sipërm në perëndim, luginën e Rrapunit në veriperëndim dhe Jabllanicën në lindje.
Përbëhet kryesisht nga shkëmbinj ultrabazikë. Ka forma të shumta të relievit akullnajor (mbi 1600 m) si cirqe, lugje, lugina dhe liqene akullnajore. Prej këtu burojnë përrenjtë e Bushtricës dhe Qarrishtës që janë degë të djathta të Shkumbinit.
Bimësia përbëhet kryesisht nga pyje ahu e dushku. Në pjesët e ulëta gjenden shkurre, kurse në kreshtën e tij ka kullota alpine. Ndër kafshët e egra takohen, sidomos në pyjet e Qarrishtës, ariu, derri i egër, kaprolli, zardafi (shqarthi), pëllumbi i egër etj.
/k.s/r.e/
The post Dëbora në Shebenik, mundësi për të eksploruar parkun nën shoqërinë e udhërrëfyesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.