Çfarë duhet të dini para se ta shihni “Odisenë” e Nolanit
David Elmer, profesor i Letërsisë Greke në Universitetin e Harvardit, më 15 korrik 2026, në Harvard Griffin GSAS Communications ka folur për temat e “Odisesë” si kthimi në shtëpi dhe mikpritja, si dhe për atë që epika homerike mund të na mësojë mbi marrëdhëniet njerëzore në kohë pasigurie.
Poema epike e Greqisë së lashtë, “Odiseja”, tregon historinë e heroit Odise dhe udhëtimin e tij 19-vjeçar për t’u kthyer në shtëpi pas Luftës së Trojës. Si një gur themeli i kulturës perëndimore, kjo histori rikthehet edhe njëherë pas realizimit të filmit me të njëjtin emër nga regjisori Christopher Nolan.

Cila është origjina e “Odisesë”?
David Elmer: Unë i përkas grupit të studiuesve që e shohin epikën homerike si produktin përfundimtar të një tradite shumë të gjatë gojore, e cila shtrihet deri në Epokën e Bronzit. Le ta vendosim origjinën e kësaj historie diku në mijëvjeçarin e dytë para erës sonë.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se personazhi i Odisesë daton po aq herët. Është shumë e vështirë të thuhet me siguri. Megjithatë, besoj se mund të themi pa shumë rrezik se historia e “Odisesë”, ashtu siç e njohim sot, qarkullonte tashmë në shekullin e tetë para erës sonë.
Kemi edhe disa dëshmi të hershme vizuale për episode të dallueshme të saj. Për shembull, ekziston një vazo shumë e hershme që paraqet një skenë të ngjashme me Ciklopin, gjë që tregon se historia ishte tashmë e njohur.
Nga ana tjetër, rrëfimi i “Odisesë” është në disa aspekte i përhapur gjerësisht edhe në folklorin botëror. Kjo sugjeron se ai ka rrënjë shumë të thella dhe se modeli bazë i kësaj historie është shumë i lashtë.
Poema shpesh paraqitet si një histori e kthimit në shtëpi. Çfarë përfaqëson “shtëpia” për Odiseun, si në kuptimin e drejtpërdrejtë ashtu edhe në atë simbolik? Dhe pse i duhet kaq shumë kohë për t’u kthyer?
David Elmer: Të dyja këto janë pyetje mjaft të ndërlikuara. Pjesa më e lehtë për t’iu përgjigjur është arsyeja pse udhëtimi zgjat kaq shumë, sepse ekziston një shpjegim krejtësisht i drejtpërdrejtë: Polifemi, Ciklopi. Është historia e famshme kur Odiseu fsheh identitetin e tij dhe i thotë Ciklopit se quhet “Askushi”. Me sa duket, ai e kupton intuitivisht se do të ishte më mirë të mos ia tregonte emrin e tij të vërtetë këtij përbindëshi që kishte takuar. Plani funksionon pikërisht ashtu siç kishte shpresuar. Fshehja e identitetit i siguron atij lirinë, si edhe shpëtimin e shumicës së shokëve që ishin me të. Megjithatë, disa prej tyre përfundojnë në gojën e Ciklopit. Pastaj ai kthehet në anije. Ndërsa po largohen me rrema, ai thërret: “Dëgjo, Polifem! Nëse dikush të pyet se kush të verboi, kush ta nxori syrin, thuaju se ishte Odiseu, biri i Laertit, banor i Itakës”. Kjo është arsyeja pse udhëtimi i tij zgjat kaq shumë. Kjo i jep mundësi Polifemit t’i lutet Poseidonit: “O atë Poseidon, shkatërroje Odisenë, ose, nëse nuk mund ta shkatërrosh, bëj që të kthehet në shtëpi vetëm pas një kohe shumë të gjatë dhe pasi t’i ketë humbur të gjithë shokët e tij”. Pra, zbulimi i identitetit të tij jo vetëm që shkakton vonesën, rreth nëntë vjet e ca, por edhe vdekjen e të gjithë shokëve të tij.
Çfarë zgjedhje ka bërë Odiseu? Pse bën një gabim kaq katastrofik?
David Elmer: Ai ndjek një ideal që, nëse e shohim nga këndvështrimi i “Iliadës” (epopesë pararendëse mbi Luftën e Trojës), është thelbësor. Në botën e “Iliadës”, fama, ose lavdia, që grekët e quanin “kleos”, është një e mirë e padiskutueshme. Të gjithë e pranojnë se është krejt e natyrshme që një burrë me prestigj të kërkojë lavdi. Pikërisht këtë po bën Odiseu. Ai po e përdor Polifemin si mjet për të përjetësuar famën e tij. Me fjalë të tjera, ai i thotë: “Ti, Polifem, do të jesh ai që do t’ua tregojë të gjithëve historinë e trimërisë sime”. Vetë emri Polifem do të thotë diçka si “ai që ka shumë rrëfime”, ose “ai i shumë fjalëve”. Me fjalë të tjera, Polifemi mishëron zërin që përcjell histori, dhe Odiseu përpiqet ta shfrytëzojë pikërisht këtë. Por tek “Odiseja”, kërkimi i famës shndërrohet në diçka problematike. Poema shqyrton idenë se heroizmi tradicional i “Iliadës” mund të ketë edhe një anë shkatërruese. Lavdia nuk është më një e mirë e padiskutueshme. Ka edhe një moment tjetër të jashtëzakonshëm në poemë, kur Odiseu zbret në botën e të vdekurve dhe takon Akilin, heroin e “Iliadës”. Odiseu i thotë, në thelb: “Sa me fat je! Ti ishe heroi më i madh në Trojë dhe, kur vdiqe, të bëmë një ceremoni madhështore mortore”. Por Akili i përgjigjet: “Aspak. Më parë do të doja të isha skllav i një njeriu të varfër sesa më i madhi ndër heronjtë e Trojës”. Kjo është e jashtëzakonshme, sepse personazhi kryesor i “Iliadës” përmbys plotësisht sistemin e vlerave që vetë “Iliada” kishte ngritur. Në këtë mënyrë, “Odiseja” ofron një kritikë interesante ndaj idealeve të lavdisë dhe heroizmit që mbizotërojnë në epopenë e saj binjake, “Iliada”.
A do të thotë kjo se episodi me Polifemin nuk ka të bëjë në të vërtetë me hubris-in, arrogancën, siç mendohet zakonisht? A është një mënyrë e gabuar për ta kuptuar këtë pjesë të historisë?
David Elmer: Preferoj ta shmang termin “hubris”, sepse ai bart shumë ngarkesa interpretimi. Është një koncept që është formësuar nga një traditë e gjatë studimore, e cila, sipas mendimit tim, lidhet më shumë me mënyrën se si janë interpretuar tragjeditë greke sesa epika homerike. Të gjithë heronjtë homerikë janë, në një mënyrë ose në një tjetër, të tepruar. Pikërisht kjo është edhe në thelb kuptimi i fjalës së lashtë hubris: ajo lidhet me tejkalimin e masës, me teprinë. Heronjtë e epikës greke i çojnë gjërat gjithmonë në skaj: qoftë pikëllimin, zemërimin apo çdo ndjenjë tjetër. Prandaj, nuk mendoj se këtu kemi të bëjmë drejtpërdrejt me një reflektim mbi hubris-in si koncept më vete. Një pjesë thelbësore e karakterit të Odiseut tregon se ai është ajo që folkloristët e quajnë dinak. Nëse shohim tradita të ndryshme folklorike nëpër botë që kanë një figurë të tillë, vërejmë se ajo karakterizohet nga një dykuptimësi morale. Këta personazhe nuk janë gjithmonë të mirë dhe as gjithmonë të këqij. Nuk mund t’i klasifikosh thjesht si heronj ose si keqbërës. Ata janë moralisht të paqartë dhe kontradiktorë. Odiseu nuk bën përjashtim. “Odiseja” është shumë e interesuar të eksplorojë pikërisht këtë paqartësi dhe ambivalencë morale. Për shembull, në episodin me Polifemin, Odiseu dhe shokët e tij bëjnë diçka qartësisht të gabuar. Ata hyjnë në shtëpinë e një njeriu, i vjedhin djathin dhe marrin delet e tij pa kërkuar leje. Ata futen në shpellën e Polifemit dhe, në thelb, sillen njësoj si pretendentët në shtëpinë e Odisesë në Itakë: hyjnë në shtëpinë e një njeriu kur ai nuk ndodhet aty, pinë verën e tij, therin delet e tij dhe presin të largohen pa u ndëshkuar. Përkundrazi, ata përfundojnë të bllokuar brenda shtëpisë. Kujtoni se një pjesë e strategjisë së Odiseut në fund është që ai mbyll të gjitha hyrjet, pikërisht ashtu siç Polifemi vendos shkëmbin përpara shpellës. Këtu kemi një lloj pasqyrimi mes dy situatave: pretendentët në Itakë dhe Odiseu me shokët e tij në shpellën e Polifemit. Në të dyja rastet kemi njerëz që shkelin rregullat themelore të mikpritjes dhe vuajnë pasojat për këtë. Pra, ekziston padyshim një paqartësi morale. Por mendoj se është një drejtim i gabuar të kërkosh hubris-in si nocionin kryesor për ta kuptuar këtë episod.
Një tjetër temë kryesore e historisë është mikpritja. Pse ishte ajo kaq e rëndësishme për grekët?
David Elmer: Një nga modelet narrative që “Odiseja” përdor shpesh quhet me termin grek “theoxenia”. Ky model funksionon kështu: Një zot dëshiron të vërë në provë devotshmërinë e njerëzve, prandaj maskohet dhe shkon t’i vizitojë ata, zakonisht i paraqitur si një person i thjeshtë që ka nevojë për mikpritje. Nëse njerëzit nuk i ofrojnë mikpritje, ata ndëshkohen. Pasojat janë shkatërruese. Por njerëzit që tregojnë mikpritje shpërblehen sepse tregojnë devotshmëri. Kjo i ngjan shumë asaj që ndodh me Odiseun. Ai është një person i fuqishëm, por shfaqet i maskuar si dikush pa fuqi, si një njeri që ka nevojë për ndihmë dhe mikpritje. Sigurisht, pretendentët nuk janë vetëm duke konsumuar pasurinë e Odiseut; ata gjithashtu sillen në mënyrë shumë abuzive ndaj Odisesë së maskuar. Për këtë arsye ata ndëshkohen. Pra, poema e vendos mikpritjen si një vlerë themelore dhe thekson vazhdimisht rëndësinë e respektimit të saj. Një nga gjërat interesante te “Odiseja” është mënyra se si shkelja e mikpritjes dhe ndëshkimi i saj duket se sjellin pasoja që përhapen në të gjithë komunitetin. Ajo shndërrohet në një krizë të vërtetë qytetare, pothuajse në një luftë civile në fund të poemës, ku kemi dy grupe nga familjet e pretendentëve: njëri kërkon hakmarrje, ndërsa tjetri thotë, në thelb, se pretendentët e meritonin atë që u ndodhi.
Ju thoni se “Odiseja” është romanca e parë në traditën letrare perëndimore. Çfarë kuptoni me këtë?
David Elmer: Nëse shohim historinë e fiksionit në prozë në traditën perëndimore, tregimi artistik në prozë ekzistonte tashmë në botën greko-romake, dhe tekstet që kanë mbijetuar deri sot i referohen të gjitha “Odisesë” në një mënyrë ose në një tjetër, jo domosdoshmërisht si modelit të tyre të drejtpërdrejtë, por si një tekst themelor. Odiseu, si tregues i historive të trilluara ose i gënjeshtrave, bëhet në një mënyrë interesante paraardhësi i një tradite të mëvonshme të letërsisë që është e vetëdijshme për natyrën e saj fiksionale. Gjithashtu, historia e të dashuruarve të ndarë që kalojnë sprova të ndryshme për t’u ribashkuar është një model themelor për eksperimentet e hershme të romancave. Sigurisht, kjo ka të bëjë edhe me kthimin në shtëpi. Ekziston një fjalë e bukur greke, “nostos”, që do të thotë “kthim në shtëpi”, prej së cilës vjen fjala “nostalgji”. Megjithatë, “nostalgjia” është një krijim shumë më i vonshëm si term. Nuk është një fjalë e lashtë. Por “Odiseja” ka të bëjë gjithashtu me një çift individësh, të cilët, secili më vete, luajnë një rol në ribashkimin dhe rindërtimin e marrëdhënies së tyre. Penelopa nuk shkon askund. Ajo qëndron në shtëpi në Itakë, por ajo bën shumë gjëra. Ajo i mban larg kërkuesit e saj. Ajo fiton kohë. Dhe poema e bën shumë të qartë se suksesi ose dështimi i kthimit të Odiseut varet vërtet nga Penelopa. Ajo është personi që mban çelësin e gjithçkaje. Atëherë, pse Penelopa shtiret sikur nuk e njeh Odiseun kur ai kthehet dhe më në fund i zbulohet asaj? Po ashtu, pse Odiseu maskohet fillimisht kur kthehet në ishullin e tij të lindjes, Itakë? Historia e njohjes nuk ka të bëjë me faktin që Penelopës i duhet të jetë e sigurt nëse ai është vërtet Odiseu dhe jo dikush tjetër. Ka të bëjë me faktin që Penelopa duhet të jetë e sigurt se Odiseu ende është i përkushtuar ndaj marrëdhënies së tyre, edhe pas gjithë kohës që ka kaluar. Në të njëjtën mënyrë, arsyeja pse Odiseu maskohet është që të sigurohet se Penelopa ka mbetur e përkushtuar ndaj marrëdhënies së tyre dhe nuk ka pranuar ndonjërin prej kërkuesve si partnerin e saj të ri. Një gjë që gjithmonë më pëlqen t’u tregoj studentëve është skena e famshme e njohjes, ku ekziston truku me shtratin. Odiseu e zbulon veten. Ai thotë: “Jam Odiseu”, por Penelopa ende nuk po e pranon plotësisht. Telemaku mërzitet shumë. Pastaj Penelopa i thotë njërit prej shërbëtorëve të saj: “Pse nuk e merrni shtratin e tij nga dhoma e gjumit dhe ta vendosni në oborr për të?” Odiseu zemërohet shumë. Ai thotë: “Kush ka qenë brenda? Unë e ndërtova këtë shtrat me duart e mia, nga trungu i një ulliri të fiksuar në tokë. Kush e ka lëvizur këtë trung ulliri?” Shumica e lexuesve e kuptojnë atë që po ndodh si një lloj sekreti. Në fund të fundit, Odiseu thotë se askush tjetër nuk di për këtë shtrat. Shumica e lexuesve kanë përshtypjen se ekziston një sekret i njohur vetëm nga Odiseu, Penelopa dhe një shërbëtore e vetme që hyn në dhomën e gjumit; dhe se ajo që ka bërë Penelopa është për ta vënë në provë Odiseun, duke e nxitur të zbulojë se ai e zotëron këtë njohuri të fshehtë, gjë që garanton identitetin e tij. Mirë. Kjo mund të jetë pjesë e asaj që ndodh. Por, siç e lexoj unë poemën, prova e vërtetë nuk është nëse ai e ka këtë njohuri. Prova e vërtetë është: a trazohet ai nga ideja se edhe dikush tjetër mund ta ketë këtë njohuri? Ajo vë në provë përkushtimin e tij emocional ndaj marrëdhënies së tyre. Është emocioni i reagimit të tij ai që e shtyn Penelopën ta pranojë atë si bashkëshortin e saj. Ekziston edhe një pasazh tjetër shumë interesant, menjëherë pas skenës së mashtrimit me shtratin në Librin 23, ku Penelopa më në fund thotë, në thelb: “Mirë, ti je Odiseu”. Ata përqafohen dhe është një skenë shumë emocionale. Rrëfimtari thotë diçka të tillë: “Odiseu, i mbushur me emocion, e mbajti Penelopën në krahë”. Pastaj fillon një krahasim poetik: “Sa e dashur është toka për një anijembytur në det, i cili ka notuar drejt bregut dhe më në fund arrin në tokë…” Kur e lexon ose e dëgjon këtë, mendon se ajo që po thuhet është: “Ashtu si toka që është e dashur për marinarin, po ashtu Penelopa ishte e dashur për Odiseun”, sepse ai është marinari anijembytur që ka mbijetuar. Por në fund, krahasimi kthehet përmbys. Ai thotë: “Kaq i dashur ishte Odiseu për Penelopën”. Penelopa del se është vetë anijembyturi. Është një mënyrë e jashtëzakonshme për të treguar barazinë mes Penelopës dhe Odiseut: të dy janë vënë në provë. Të dy kanë kaluar sprova të jashtëzakonshme. Dhe më në fund kanë arritur të ribashkohen. Së fundmi, koha në të cilën jetojmë na duket veçanërisht sfiduese për shkak të pasigurisë që na shfaqet në shumë nivele të ndryshme. Ajo prodhon ankth, frikë, pakënaqësi, armiqësi, ndarje dhe polarizim.
Çfarë mund të mësojmë nga “Odiseja” për të qëndruar të fortë përballë pasigurisë dhe atëherë kur ndihemi të humbur?
David Elmer: Unë mendoj se periudha në të cilën u formuan këto histori ishte një periudhë e një pasigurie të madhe. Nuk do të thosha thjesht se poemat lindin në një moment pasigurie si ai që po përjetojmë ne. Nuk ishte vetëm një moment. Ishte një botë që, për shekuj me radhë, kishte rreziqe të vazhdueshme, mungesë ushqimi dhe pasiguri në shumë aspekte të ndryshme. Kjo histori i përgjigjet një mjedisi përgjithësisht të pasigurt dhe të brishtë. Ajo ishte një botë ku për shumë njerëz lëvizja e vazhdueshme ishte e detyrueshme, kështu që poema mendon për zhvendosjen në këtë kuptim. Poema e pranon vërtet se Penelopa dhe Odiseu janë individë shumë të ndryshëm nga ata që ishin kur u ndanë 20 vjet më parë. Pastaj kemi Telemakun, i cili ishte foshnjë kur babai i tij u largua dhe për këtë arsye nuk e njohu kurrë atë. Njohja mes Telemakut dhe Odiseut është vërtet interesante. Me të gjithë të tjerët ekziston një lloj njohurie e përbashkët dhe një shenjë njohjeje. Por mes Telemakut dhe Odiseut nuk ka asnjë njohuri të tillë të përbashkët. Kështu, Odiseu thjesht i zbulohet Telemakut, i cili është i pasigurt, dhe e vetmja gjë që mund të thotë është: “Unë jam i vetmi Odise që ke”. Por Penelopa dhe Odiseu janë njerëz që kanë ndryshuar shumë, dhe ajo që përpiqen ta kuptojnë është nëse marrëdhënia e tyre, pavarësisht nga të gjitha ndryshimet që kanë kaluar individualisht, ende mbetet diçka e qëndrueshme.
Kjo është pyetja me të cilën jemi të zhytur si komb, apo jo? A mund të stabilizohet marrëdhënia?
David Elmer: Mendoj se kjo është e drejtë. Ekziston një pyetje aty rreth lidhjeve themelore shoqërore. A mund t’u mbijetojnë ato forcave të ndryshimit, zhvendosjes dhe transformimit?
Kjo është një pyetje mjaft jetike. Nuk jam i sigurt nëse poema ofron një përgjigje, ajo më shumë ofron një aspiratë: që marrëdhëniet më të rëndësishme mund t’u mbijetojnë zhvendosjeve dhe ndryshimeve të jashtëzakonshme. Por ndoshta kjo nuk është një garanci.
Shënim për autorin: David Elmer është profesor dhe studiues i letërsisë së Greqisë së Lashtë, me fokus te epet homerike dhe rrëfimet shumë më të vona në prozë, të njohura zakonisht si “romanet greke”. Qasja e tij ndaj poezisë homerike mbështetet thellësisht në traditën intelektuale që buron nga puna e Milman Parryt, teoria e të cilit mbi kompozimin gojor gjatë interpretimit ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si studiohen “Iliada” dhe “Odiseja”. Përderisa Parry u përqendrua kryesisht te mekanizmat e frazeologjisë formulare, Elmer tërhiqet më shumë nga pyetjet që lidhen me strukturat narrative në shkallë të gjerë. Monografia e tij, “The Poetics of Consent”, e merr pikënisjen nga disa shprehje formulare karakteristike, por shpejt kalon në nxjerrjen e përfundimeve mbi mënyrën se si “Iliada” e paraqet marrëdhënien e saj me traditën. Në studimet e tij mbi romanet e lashta, ai përqendrohet kryesisht te mënyra se si këto tekste e pozicionojnë veten në aspektin gjinor, te modelet e interpretimit që propozojnë dhe te pyetjet etike që shtrojnë. Ai i sheh romanet si shembuj të një ligjërimi vetëdijshëm “odisean”, i cili në mënyrë të nënkuptuar përmbys ose kritikon format dominuese të rrëfimit përmes manipulimit të teknikave narrative dhe normave etike. Gjithashtu, David Elmer është kurator i Koleksionit Milman Parry, dhe editor i revistës Oral Tradition, si dhe ka edituar librat: “The Singer of Tales” dhe “The Singers and Tales in the Twenty-First Century”. Ka qenë pjesë e Harvard Jazz Band, kurse aktualisht merret me përdorimin e fragmenteve të muzikës së Greqisë së Lashtë si bazë melodike për kompozime elektronike, dhe është një praktikues i pasionuar i fotografisë analoge, me procesin silver-gelatin. Autoportreti i paraqitur më sipër është realizuar në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Bonnie Talbert, me një aparat Rolleiflex të mesit të viteve 1960, në film Ilford HP5+, dhe është zhvilluar në laboratorin e tij fotografik.
(Ky tekst, i përgatitur për KultPlus nga Ag Apolloni, botohet me lejen e Universitetit të Harvardit. Linku i tekstit origjinal mund të gjendet këtu: https://gsas.harvard.edu/news/what-know-seeing-nolans-odyssey)/KultPlus.com