Normal view

BE kërkon ndryshime në Facebook dhe Instagram, Meta nën presion për mbrojtjen e të miturve

11 July 2026 at 10:30

Komisioni Evropian ka rritur presionin ndaj kompanisë Meta, duke i kërkuar të ndryshojë disa funksione të Facebookut dhe Instagramit, të cilat, sipas autoriteteve evropiane, nxisin përdorimin e tepruar të rrjeteve sociale dhe mund të krijojnë varësi, veçanërisht tek të miturit dhe përdoruesit më të cenueshëm.

Sipas gjetjeve paraprake të Komisionit, Meta nuk ka vlerësuar dhe kufizuar në mënyrë të mjaftueshme rreziqet që lidhen me veçori si rrjedha e pafund e postimeve (infinite scroll), rekomandimet shumë të personalizuara dhe nisja automatike e videove.

Brukseli argumenton se këto mekanizma janë projektuar për t’i mbajtur përdoruesit sa më gjatë në platformë, duke rritur kështu të ardhurat nga reklamat. Sipas Komisionit, mënyra se si funksionojnë këto veçori e shtyn përdoruesin të vazhdojë shfletimin pa ndërprerje, duke krijuar sjellje kompulsive dhe zakone të dëmshme gjatë përdorimit të rrjeteve sociale.

Autoritetet evropiane kanë shprehur gjithashtu shqetësim për mjetet e kontrollit prindëror në Facebook dhe Instagram, të cilat i konsiderojnë tepër të ndërlikuara, si dhe për opsionet që kufizojnë kohën e përdorimit nga adoleshentët, të cilat, sipas tyre, nuk janë mjaftueshëm efektive.

Meta i ka kundërshtuar këto vlerësime paraprake. Një zëdhënës i kompanisë deklaroi se analiza e Komisionit nuk merr parasysh masat që kompania ka ndërmarrë për mbrojtjen e të rinjve.

Sipas Metës, llogaritë e posaçme për adoleshentët, të prezantuara dy vjet më parë, u mundësojnë prindërve të kufizojnë kohën ditore të përdorimit të Instagramit dhe të bllokojnë qasjen në aplikacion gjatë natës.

Këto gjetje janë pjesë e hetimit të nisur nga Komisioni Evropian në maj të vitit 2024, në kuadër të dyshimeve se Meta nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur të miturit në internet. Nëse konstatohen shkelje të rregullave të Bashkimit Evropian dhe kompania nuk ndërmerr ndryshimet e kërkuara, ajo mund të përballet me gjoba të konsiderueshme./KultPlus.com

❌