Nga zyra e Presidencës së Kosovës është bërë e ditur se Katari do të mbështesë invalidët e luftës së Kosovës, dhe mbështetja vjen pas anagazhimit të presidentes Osmani për mbështetjen e inavlidëve të luftës me pajisje të protezave të avancuara. KultPlus ju sjell të plotë njoftimin për këtë iniciativë.
Me iniciativë të Presidentes Osmani dhe me mbështetjen e shtetit të Katarit, invalidët e luftës do të pajisen me proteza ortopedike të avancuara
Falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani-Sadriu, dhe me mbështetjen e Qatar Fund for Development në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe të Katarit, kanë filluar ekzaminimet mjekësore në Kosovë për invalidët e luftës, si pjesë e një projekti që do t’i pajisë ata me proteza ortopedike të avancuara dhe trajtim mjekësor të specializuar.
Ky projekt përfaqëson më shumë sesa ndihmë mjekësore—është një akt konkret falënderimi për ata që kanë sakrifikuar gjymtyrët e tyre për lirinë e Kosovës. Ata nuk kanë humbur vetëm një pjesë të trupit, por kanë bërë sakrificën më të dhimbshme në ndjekje të idealit më të lartë: lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.
Kjo iniciativë është dëshmi e përkushtimit të palëkundur të Presidentes për të qëndruar pranë atyre që kanë dhënë gjithçka për shtetin tonë, duke e shndërruar kujdesin ndaj tyre në një prioritet kombëtar dhe moral.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë ndaj Qatar Fund dhe Gjysmëhënës së Kuqe të Katarit për këtë mbështetje të jashtëzakonshme, duke theksuar se kujdesi për invalidët e luftës është një detyrim moral, shtetëror dhe njerëzor.
Ky bashkëpunim po ashtu forcon marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Katarit, duke dëshmuar se solidariteti ndërkombëtar, i mbështetur nga udhëheqja e Presidentes, mund të sjellë ndryshime të prekshme dhe dinjitoze në jetën e atyre që mbrojtën lirinë me sakrificën më të lartë./ KultPlus.com
Autostrada Biennale rikthehet edhe këtë vit në datat 5 korrik – 5 tetor 2025 duke shënuar edicionin e saj të pestë përcjell KultPlus.
Këtë vit, Autostrafa Biennale cjen me titullin ‘Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës’, e kuryar nga Erzen Shkololli.
Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e plotë nga Autostrada Biennale:
Autostrada Biennale kthehet sivjet me edicionin e 5-të të titulluar Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës të kuruar nga Erzen Shkololli, duke shënuar dhjetë vjet nga themelimi i saj.
Me kohëzgjatjen nga 5 korriku deri më 5 tetor 2025, si dhe me vernisazhin profesional më 4 korrik, ekspozita rrëmon shtresat historike dhe arkitekturore të Prizrenit përmes veprave si të porositura së voni, ashtu edhe të ripërfytyruara, nga artistë prej brezave dhe vendndodhjeve të ndryshme.
Bienalja shpaloset në disa hapësira kyçe trashëgimore të Prizrenit, duke përfshirë Muzeun Arkeologjik dhe Sahatkullën, Shtëpinë e Shani Efendiut, Shtëpinë e Familjes Dorambari dhe Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, të cilat si tërësi kumbojnë përgjatë shtresave të historisë. Të ngulitura mirë në përbërjen urbane të qytetit dhe më tej duke u shtrirë në peizazhet përreth tyre, këto hapësira mundësojnë pikëtakime mes praktikave bashëkohore artistike dhe së kaluarës së ndërlikuar të Prizrenit.
Një nga hapësirat qendrore të këtij edicioni është Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, ish baza ushtarake. Në këtë park, Autostrada Biennale ka krijuar hapësirën e saj të përhershme — Autostrada Hangar – Qendra për Art Bashkëkohor. Si qendër që funksionon gjatë gjithë vitit për ekspozita, rezidenca, programe edukimi, prodhimi dhe dialogu, Hangari mishëron angazhimin e bienales për vazhdimësi dhe përkushtim afatgjatë.
Titulli i ekspozitës Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës pasqyron shndërrimin e vijueshëm dhe shumështresor të narrativave historike, politike dhe artistike. Prizreni, i formësuar përgjatë mijëvjeçarëve nga shkrirja e akullnajave dhe i shtresëzuar me shenja të Kohës së Bronzit, të kishave bizantine, të arkitekturës osmane, të infrastrukturës jugosllave dhe të vragave të luftës së Kosovës, shërben edhe si prapavijë, edhe si pjesëmarrës aktiv në shpalosjen e këtyre rrymave.
Artistët pjesëmarrës:
Blerta Hashani, David Fesl, Brilant Milazimi, Anita Muçolli, Doruntina Kastrati, Stephanie Rizaj, Edin Zenun, Robert Gabris, Armend Nimani, Elena Narbutaitė, Silva Agostini, Small But Dangers, Hassan Khan, Laurent Mareschal, Tao G. Vrhovec Sambolec, Nika Špan, Rivane Neuenschwander, Nathan Coley, Vadim Fishkin, Tamara Grcic, Ayşe Erkmen, Alije Vokshi, Lois Weinberger, Simon Shiroka.
“Duke qenë nga Kosova, përpiqem të sjell një të kuptuar të thellë si të rrënjësimit ashtu edhe të brishtësisë të praktikës artistike në Kosovë”, thekson Shkololli. “Shumë projekte në këtë edicion— ndonëse të përkohshmë—synojnë të lënë një mbresë afatgjatë edhe në përbërjen e qytetit, edhe në kujtesën tonë të përbashkët. Ky është një çast për të reflektuar mbi tensionet mes pranisë dhe zhdukjes, trashëgimisë dhe jetëshkurtësisë”.
“Edicioni i 5-të i Autostrada Biennale mishëron atë në të cilën kemi besuar që në fillim: se arti ka forcën të ndërtojë ura të padukshme që lidhin njerëzit, vendet dhe idetë përtej kufijve. Pas një dekade rrugëtimi, mbetemi të përkushtuar të krijojmë hapësira ku dialogu, imagjinata dhe lidhjet njerëzore mund të mbijnë, të rriten dhe të lënë gjurmë.” — Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, Drejtorët
Bashkëthemelues të Autostrada Biennale.
Krahas ekspozitës, Arktivi i Autostradës vazhdon të zgjerohet si vendgrumbullim për botimet e artistëve, materialet e bienales dhe përsiatjet kuratoriale në zhvillim e sipër, gjë që kontribuon tek reflektimi afatgjatë i rolit të artit bashkëkohor në formësimin e kujtesës kolektive në Kosovë dhe më tej.
Edicioni i 5-të i Autostrada Biennale është bërë i mundur falë mbështetjes dhe partneritetit bujar të: Allianz Foundation, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prizrenit, Zyra e Bashkëpunimit Zviceran, ITP Prizren dhe GIZ, Ambasada e SHBA në Prishtinë, British Council, Banka ProCredit, Mondriaan Foundation, Erste Foundation, Goethe Zentrum Prishtina, Istituto Italiano di Cultura në Tiranë, Ambasada e Italisë, Institut Français, Ambasada e Francës, Ambasada e Austrisë, Ministria Federale për Strehimin, Artet, Kulturën, Median dhe Sportin e Republikës së Austrisë, Ambasada e Holandës në Prishtinë, Ambasada e Gjermanisë, Sigma, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Ministria e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës në Shqipëri, Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, CulturAlb, Kontakt, Dokufest, GAK, IBA, Kreativ Qeramika, Pezull, Pro Helvetia./KultPlus.com