Normal view

Rama: Turistë nga gjithë bota shijojnë mikpritjen dhe plazhet publike të Sarandës dhe Ksamilit

26 July 2025 at 13:48

Turistë nga gjithë bota po shijojnë këto ditë detin e mrekullueshëm, mikpritjen dhe plazhet publike të Sarandës dhe Ksamilit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale opinionet e disa prej tyre, të cilët vlerësojnë mikpritjen, ushqimin dhe plazhet e pastra.

“Shumë prej tyre vizitorë besnikë, të tjerët të sigurt që do të rikthehen, sepse brigjet e Jonit janë joshje me shikim të parë dhe e përjetshme”, u shpreh Rama.

Një prej operatorëve turistikë që operon në zonën e Sarandës u shpreh se për vitin 2025 Ksamili dhe Saranda janë nga vendet më të preferuara për turistët nga Izraeli.

“Kemi një fluks të jashtëzakonshëm turistësh dhe një rritje të kërkesave. Prenotimet e turoperatorit tonë arrijnë deri në muajin tetor. Jemi plot me prenotime dhe Ksamili mban vendin e parë”, bëri të ditur ajo.

Turistët e huaj që zgjedhin Sarandën e Ksamilin vlerësojnë veçanërisht plazhet, njerëzit traditat dhe ushqimin.

“Është bukur. Peizazh i mrekullueshëm. Po kalojmë momente shumë të këndshme në Sarandë”, tha një prej tyre.

Një tjetër vlerësoi bukuritë që ofron Saranda me “natyrën origjinale dhe detin super të pastër”.

“Do të doja t’ju ftoja të vizitoni një vend të bukur siç është Ksamili, në Shqipëri. Siç mund ta shihni moti është i ngrohtë dhe uji gjithashtu. Dua të them gjithashtu se njerëzit këtu janë shumë të dashur. Ata do t’ju ndihmojnë me çdo gjë që ju duhet gjatë qëndrimit këtu”, apeloi një tjetër turist i huaj.

Turistët e huaj shprehen veçanërisht të mahnitur nga Ksamili.

“Ejani dhe zbulojeni Ksamilin, është i veçantë, shumë i bukur, njerëz të dashur, uji i mirë!”, tha një prej tyre.

“Po shijojmë diellin, peizazhin e mrekullueshëm, motin e bukur, njerëzit e mirë, pijet e këndshme”, tha një tjetër.

“Sapo erdhëm këtu në plazhin publik. Plazhi është i pastër, falas. Deti është i bukur, njerëzit janë shumë mikpritës dhe ushqimi e pijet shumë të mira”, shtoi një tjetër.

Një turiste holandeze vlerësoi po ashtu motin e mirë dhe plazhet e bukura.

“Ushqimet dhe pijet janë të mira. Më pëlqen uji që është vërtetë blu dhe tashmë është plazh publik, të gjithë mund të vijnë”, shtoi ajo.

“Ndihem shumë mirë këtu. Dielli, njerëzit, janë të mrekullueshëm. Ushqimi është “wow”. Më i miri! Dhe njerëzit të presin me krahë hapur. Më pëlqen shumë”, tha një tjetër./atsh/KultPlus.com

Media irlandeze “Her”: Ksamili, destinacioni ideal për t’u vizituar në 2025

3 December 2024 at 09:00

Nëse keni ëndërruar ndonjëherë të vizitoni Maldivet, por nuk mund të përballoni fluturimet e gjata apo shpenzimet e mëdha, keni fatin të vizitoni këtë vit Ksamilin, sipas një artikulli të botuar në revistën irlandeze “Her”.

Destinacioni mesdhetar – i konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve si “Maldivet e Evropës” – është vetëm katër orë larg nga Irlanda.

Një vendpushim plazhi i njohur shqiptar, që ka tërhequr vëmendjen e pushuesve të huaj, dhe i rekomanduar nga ekspertët e udhëtimeve si destinacioni ideal për t’u vizituar në vitin 2025.

I njohur si “Maldivet e Evropës”, Ksamili krenohet me plazhet e tij të bukura me rërë, ujërat bruz.

Ju mund të porosisni një krikëll birrë vendase për 1 euro dhe të akomodoheni në një hotel për vetëm 16,70 euro.

Destinacioni pak i njohur i quajtur “Maldivet e Evropës”

Ju gjithashtu mund të gjeni akomodime në hotel për vetëm 16,70 euro nata – dhe të shijoni Rivierën Shqiptare me kosto të përballueshme – përpara se vija bregdetare të bëhet shumë e njohur.

Vendpushimi i Gadishullit Ballkanik ka qenë në qendër të vëmendjes së turistëve – që kërkojnë diçka më ndryshe nga destinacionet e njohura evropiane – të mbiçmuara dhe të mbipopulluara me vizitorë.

Turistët e kanë përshkruar Ksamilin si “parajsa në tokë”, ndërsa disa të tjerë i kanë krahasuar ujërat e tij blu të kristalta me ato në Maldive.

Sipas numbeo.com, një birrë kushton deri në 1 euro, që do të thotë se pijet nuk do të ndikojnë në buxhetin tuaj, ndërsa një vakt me tre pjata kushton deri në 20 euro.

Vizitorët gjithashtu mund të shijojnë udhëtimet në ishujt që ndodhen aty pranë, më i famshmi prej të cilëve quhet “Ishujt e Ksamilit”.

Ashtu si në Maldive, këtu vizitorët mund të notojnë, të zhyten në ujë dhe të eksplorojnë vijën bregdetare – pa u lodhur nga udhëtimi i tyre ajror.

“The Travel Mum”, një eksperte udhëtimesh në TikTok pati kënaqësinë të vizitonte fshatin e Ksamilit – të cilin e përshkroi si “Maldivet e Evropës”.

Udhëtimi i saj në fshatin e bukur bregdetar nisi me një fluturim në Korfuz. Prej aty, ajo dhe familja e saj udhëtuan me traget për në Sarandë, ku morën me qira një makinë dhe u nisën drejt Ksamilit.

“Ne rezervuam një apartament me dy dhoma gjumi për vetëm 222 euro për gjashtë netë”, tha ajo duke iu referuar akomodimit.

“Është një pikënisje e shkëlqyer për të shijuar plazhet e shumta mahnitëse, por edhe për të eksploruar disa vende të mrekullueshme nga afër”, tha ajo.

“Gjithashtu, shpenzuam afro 6 euro për disa ushqime në supermarket për pesë persona”, shtoi “The Travel Mum”./atsh/KultPlus.com

The post Media irlandeze “Her”: Ksamili, destinacioni ideal për t’u vizituar në 2025 appeared first on KultPlus.

❌