Zjarri në fushën e mbetjeve në Vlorë/ Nën hetim zyrtarë të bashkisë për neglizhencë dhe ndotje mjedisi
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu më 7 qershor 2025, rreth orës 12:18, fushën e grumbullimit të mbetjeve urbane në lagjen “24 Maji” të Vlorës, për shkak të temperaturave të larta. Si pasojë, disa zyrtarë të bashkisë janë proceduar penalisht për neglizhencë në detyrë dhe shkaktim të ndotjes në mjedis.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Vlorës, në kuadër të hetimeve janë vënë nën akuzë drejtori i Ndërmarrjes së Pastrimit, F. T., 31 vjeç, dhe përgjegjësi i Bordit të Kullimit, A. S., 36 vjeç. Në hetim janë përfshirë gjithashtu tre punonjës të bordit: L. D., 56 vjeç, E. D., 27 vjeç dhe D. I., 35 vjeç, të cilët shërbenin si manovratorë.
Autoritetet dyshojnë se të akuzuarit kanë dështuar në marrjen e masave parandaluese dhe në ndërhyrjen në kohë për shuarjen e zjarrit, duke lejuar përhapjen e flakëve dhe duke sjellë ndotje të konsiderueshme në mjedis.
Policia njoftoi se hetimet janë ende në vijim, ndërsa priten përcaktime të mëtejshme për përgjegjësitë konkrete të secilit prej zyrtarëve të përfshirë.
Deklarata e Policisë së Vlorës:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë:
-referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit F. T., 31 vjeç, me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes së Pastrimit pranë Bashkisë Vlorë, A. S., 36 vjeç, përgjegjës i Bordit të Kullimit pranë Bashkisë Vlorë, L. D., 56 vjeç, E. D., 27 vjeç dhe D. I., 35 vjeç, të tre me detyrë manovratorë në ndërmarrjen e Bordit të Kullimit të Bashkisë Vlorë, pasi më datë 07.06.2025, rreth orës 12:18, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, si pasojë e temperaturave të larta, ka rënë zjarr në fushën e grumbullimit të mbetjeve urbane dhe shtetasit e sipërpërmendur kanë neglizhuar kryerjen e detyrës, duke mos marrë masa në kohë për shuarjen e zjarrit, duke sjellë ndotje të mjedisit.
The post Zjarri në fushën e mbetjeve në Vlorë/ Nën hetim zyrtarë të bashkisë për neglizhencë dhe ndotje mjedisi appeared first on Sot News | Lajme.