Normal view

“Lironi rrugën”- Digjen goma në mbikalimin e Shkozetit, Paloka i përgjigjet policisë

By: fra nc
29 October 2024 at 17:49

Protestuesit e opozitës nga qarku i Durrësit bllokuan këtë të martë autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit. Përveç bllokimit të rrugës, ata vendosën flakën disa gomave të hedhura mbi asfalt.

Në tubimin te mbikalimi i Shkozetit ishte i pranishëm edhe deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili iu përgjigj thirrjeve të policisë për të liruar rrugën. Paloka theksoi se Partia Demokratike ndodhet në rrugë për të ndryshuar realitetin e drejtimit të vendit dhe të policisë, e cila sipas tij është nën ndikimin e bandave.

“Policia e bandave, policia e kujt?! Policia që hyn në parlament dhe dhunon deputetët. Drejtori dhe ministri janë të zgjedhur nga bandat. Çfarë presim ne nga kjo polici? Policia që rrëmben ish-presidentin sikur të jetë terrorist. Nuk presim asgjë nga kjo polici, ndaj jemi në rrugë për të ndryshuar këtë realitet.

Nuk kemi marrë leje; thjesht është bërë një njoftim për bllokimin e rrugëve, nuk marrim leje kurrëkund. Sot hapi i radhës është bllokimi i rrugëve, për më vonë do të shohim,” tha Paloka.

Kujtojmë se mbështetësit e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë janë pozicionuar në 6 akse kryesore të vendit, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve. Aktivitetet do të zhvillohen nga ora 17:00 deri në orën 20:00 në këto akse: “Tiranë–Durrës” pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës–Tiranë” pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot” pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë” te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier” te rrethrrotullimi i Rrogozhinës; dhe “Levan–Tepelenë” te rrethrrotullimi i Levanit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Lironi rrugën”- Digjen goma në mbikalimin e Shkozetit, Paloka i përgjigjet policisë appeared first on Euronews Albania.

Stuhia ‘Helene’ godet Floridan, raportohet për të paktën 20 viktima

27 September 2024 at 19:57

Është rritur numri i viktimave nga stuhia Helene që ka goditur Meksikën dhe Floridan në SHBA.

Sipas mediave të huaja, të cilat citojnë zyrtarët në Florida, bëhet me dije se momentalisht numërohen të paktën 20 viktima.

Sherifi i qarkut Pinellas, Bob Gualtieri, thotë se të paktën pesë persona kanë vdekur në zonë që nga mbrëmja e kaluar.

Anëtarë të ndihmës së parë punuan gjatë gjithë natës, por nuk ishin në gjendje t’u përgjigjeshin disa thirrjeve të Urgjencës për shkak të kushteve, raporton Reuters të ketë thënë Gualtieri.

Më herët, Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, raportoi dy vdekje në këtë shtet, por paralajmëroi se shifra mund të rritet.

Përditësimi i fundit e çon numrin e përgjithshëm të njerëzve të vrarë nga Stuhia Helene në të paktën 20.

The post Stuhia ‘Helene’ godet Floridan, raportohet për të paktën 20 viktima appeared first on Euronews Albania.

Fundoset anija me 33 emigrantë në brigjet e Greqisë, gjenden të vdekur 3 prej tyre

23 September 2024 at 13:44

Një varkë me të cilën udhëtonin 33 emigrantë është fundosur në brigjet e Greqisë.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat greke, sipas të cilave hetimet nën koordinimin e Qendrës së Bashkuar Koordinuese për Kërkim Shpëtim (EKSED) po kryhen në zonën detare të Agios Isidoros, në veriperëndim të Samos, me qëllim gjetjen dhe shpëtimin e të huajve që ndodheshin në bordin e varkës.

Sipas informacioneve, në bordin e anijes ndodheshin 33 persona. Deri më tani janë gjetur 5 persona, ndërsa tre janë nxjerrë pa shenja jete. Numri i personave të zhdukur është 25.

Në operacion janë përfshirë mjete dhe forca të ndryshme:

– Një mjet Patrullë L.S.-EL.AKT.

– Një mjet patrullues në det të hapur (PATH)

– Një mjet patrullues L.S.-EL.AKT.

– Mjete Private EOD Samos

– Mjet Patrullë LS-EL.AKT nga toka

Në të njëjtën kohë, një helikopter i Forcave Ajrore është ngritur për të ndihmuar në kërkimin nga ajri.

Përpjekjet e forcave të shpëtimit janë penguar nga kushtet e pafavorshme të motit që mbizotërojnë në zonë. Erërat e fuqishme nga veriperëndimi po vështirësojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Fundoset anija me 33 emigrantë në brigjet e Greqisë, gjenden të vdekur 3 prej tyre appeared first on Euronews Albania.

Sulmi izraelit vret katër fëmijë në Gaza, 10 të vdekur në total

23 September 2024 at 12:54

Mëngjesin e sotëm forcat izraelite kanë vrarë në 2 sulme të ndryshme të paktën 10 palestinezë në Gaza.

Sipas mediave të huaja, të cilat citojnë Reuters, mjekët bënë të ditur se një grua dhe katër fëmijë vdiqën në një sulm në një shtëpi në qytetin Deir Al-Balah.

Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm të ushtrisë izraelite për incidentin në fjalë.

Shtetasit e Gazës të zhvendosur që jetojnë në tenda po ashtu tani duhet të përballen me përmbytjet, veç mungesës së ushqimit dhe ilaçeve – pasi kanë ardhur shirat e parë të sezonit të ftohtë.

Kujtojmë se ditët e fundit, ashtu si edhe këtë mëngjes, ka pasur shumë fokus në bombardimet e Izraelit ndaj Libanit, ndërsa Tel Avivi kërkon të zhdukë objektivat e Hezbollahut, megjithëse civilët janë paralajmëruar se ata mund të jenë gjithashtu në rrezik.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Sulmi izraelit vret katër fëmijë në Gaza, 10 të vdekur në total appeared first on Euronews Albania.

❌