Normal view

Mërgata shqiptare proteston në Bern kundër korrupsionit në Shqipëri dhe në mbështetje të “Revolucionit të flamingove”

5 July 2026 at 11:17


Vala e protestave që ka përfshirë Shqipërinë kundër korrupsionit dhe shkatërrimit të mjedisit ka mbërritur edhe në Zvicër.

Rreth njëqind persona u mblodhën të shtunën në sheshin kryesor përpara parlamentit zviceran në Bern, për të shprehur solidaritetin e tyre të plotë me lëvizjen protestuese që po zhvillohet në atë vend, njofton agjencia zvicerane e lajmeve SDA-Keystone.

Tubimi u thirr nga pjesëtarë të diasporës shqiptare në Zvicër.

Me pankarta të shkruara me dorë, ku lexohej mes të tjerash edhe mesazhi “Shqipëria është edhe e imja”, protestuesit kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë së Tiranës. Përveç kësaj, ata kërkuan reforma të thella kushtetuese, duke vënë theksin veçanërisht te nevoja për kufizimin ligjor të mandateve të kryeministrit.

Sipas organizatorëve, shumë shqiptarë të brezit të dytë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër e shohin si detyrim dhe përgjegjësi morale që të ngrenë zërin në këtë moment.

“Ata përjetojnë çdo ditë avantazhet e një demokracie të drejtpërdrejtë dhe angazhohen që vlerat themelore demokratike, shteti i së drejtës dhe transparenca të fuqizohen edhe në Shqipëri”, thuhej në thirrjen zyrtare të kësaj proteste.

Kjo revoltë e diasporës vjen në mbështetje të protestave në Shqipëri, të cilat u ndezën kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz brenda një zone të mbrojtur natyrore. Ky projekt udhëhiqet nga kompania e dhëndrit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Ambientalistët dhe ekspertët ndërkombëtarë kanë alarmuar se ky investim rrezikon të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme ekosistemin e ndjeshëm në deltën e lumit Vjosa në detin Adriatik.

Pasi kjo zonë shërben si pikë qëndrimi dhe fole për zogjtë flamingo, lëvizja qytetare tashmë po etiketohet gjerësisht në media si “Revolucioni i flamingove”. /Telegrafi/

“NZZ am Sonntag”: Revolucioni i flamingove në Shqipëri - nga buzëkuqi te aktivizmi për demokraci

5 July 2026 at 08:17


Tashmë, tallja me cinizmin e kryeministrit është kthyer në lojë për brezin e Instagramit. Përmes postimeve të tyre të pafundme, të rinjtë si moderatorja dhe influencuesja e njohur Fjoralba Ponari po godasin drejtpërdrejt propagandën e mediave tradicionale, të cilat fillimisht u përpoqën ta injoronin plotësisht protestën.

Gazeta zvicerane “NZZ am Sonntag” përshkruan në numrin e së dielës një kthesë të jashtëzakonshme në shoqërinë shqiptare, ku profilet e njohura të rrjeteve sociale po shndërrohen brenda natës në udhëheqës të protestave qytetare.

Në qendër të këtij artikulli është moderatorja dhe influencuesja e njohur Fjoralba Ponari, e cila normalisht reklamon produkte bukurie dhe modë për 317’000 ndjekësit e saj në Instagram, por prej më shumë se një muaji është kthyer në një zë të fuqishëm të protestave politike në Tiranë.

Sipas artikullit, qytetarët dhe veçanërisht rinia shqiptare po marshojnë çdo ditë nga Sheshi Skënderbej në Tiranë drejt kryeministrisë. Shkaku i revoltës janë planet për ndërtimin e resorteve luksoze brenda zonave të mbrojtura natyrore në bregdetin shqiptar, ku përfshihen investitorë të fuqishëm si Jared Kushner dhe Ivanka Trump, dhëndri dhe vajza e Donald Trump.

Protestuesit kundërshtojnë shkatërrimin e zonave ku bëjnë fole breshkat gjigante dhe ku jetojnë rreth dy mijë flamingo. Protestuesit akuzojnë qeverinë se po harton ligje të dizajnuara posaçërisht për oligarkët.

Shkëndija e vërtetë e shpërthimit të protestave, i quajtur ndryshe “Revolucioni i flamingove”, ndodhi më 30 maj pranë Vlorës, kur një aktivist mjedisor u keqtrajtua dhe u tërhoq zvarrë nga rojet private të sigurisë, në prani të policisë që thjesht po shikonte. Pamjet e kësaj ngjarjeje u bënë virale, duke shërbyer si një pasqyrë e përjetimit të përditshëm të qindra mijëra shqiptarëve përballë arbitraritetit.

“NZZ am Sonntag” vëren se qeveria u kap plotësisht në befasi. Kryeministri Edi Rama tentoi ta ironizonte publikisht Fjoralba Ponarin në rrjetet sociale, duke imituar pozat e saj. Megjithatë, kjo tallje publike u kthye kundër tij. Kur Rama u ankua se protestuesit po linin pas mbeturina, Ponari iu përgjigj me sarkazëm: “Si korrespondente nga Parisi ju njoftoj se Presidenti Macron nuk ankohet për mbeturinat e protestuesve”.

Tashmë, tallja me cinizmin e kryeministrit është kthyer në lojë për brezin e Instagramit. Përmes postimeve të tyre të pafundme, të rinjtë po godasin drejtpërdrejt propagandën e mediave tradicionale, të cilat fillimisht u përpoqën ta injoronin plotësisht protestën.

Ndonëse demokracia në Shqipëri ka 36 vjet që ka nisur, artikulli thekson se vetëm tani shoqëria po piqet për t’u përballur me mekanizmat e trashëguar të diktaturës dhe nepotizmit. Gazeta sjell historinë e 24-vjeçares Anjeza Marku, një mësuese muzike, e cila tregon se si u ndëshkua në Teatrin e Operas për shkak se nuk kishte njohje e lidhje politike, pavarësisht talentit të saj.

Pjesëmarrësit pranojnë se deri më tani ka pasur një ngurrim të madh për të kritikuar qeverinë, nga frika se familjarët mund të humbnin vendet e punës apo kontratat. Por, prania në shesh e nënave me fëmijë, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara, ka krijuar një valë të re guximi. Falë këtij brezi të ri, kultura politike në Shqipëri po ndryshon rrënjësisht: liria po vjen thjesht sepse të rinjtë po guxojnë ta marrin atë vetë.

❌