Itaka po përgatitet për një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve, teksa ishulli grek i detit Jon pritet të përfitojë nga vëmendja e shtuar që po i kushtohet poemës homerike të “Odisesë”, pas rikthimit të saj në ekranin e madh nga regjisori Christopher Nolan. Me pak më shumë se 3 mijë banorë, Itaka është një nga ishujt më të njohur të Jonit dhe konsiderohet tradicionalisht si atdheu i Odisesë, heroit qendror të poemës së Homerit. Filmi i ri i Nolanit, i bazuar në “Odisenë”, ka tërhequr interes të madh dhe po shënon rezultate të forta në arkat filmike, duke rikthyer në vëmendje edhe vendet e lidhura me historinë e tij. Itaka, kryeqendra e së cilës është Vathy, prej vitesh është një destinacion i preferuar turistik, falë peizazheve të saj natyrore, ujërave të kristalta dhe atmosferës së qetë që e karakterizon. Ishulli, së bashku me destinacionet e tjera të arkipelagut të Jonit, tërheq turistë që kërkojnë një kombinim mes natyrës, detit dhe historisë. Interesi për Itakën lidhet veçanërisht me figurën e Odisesë, një prej personazheve më të famshme të mitologjisë dhe letërsisë botërore. Megjithatë, pavarësisht kërkimeve arkeologjike të zhvilluara ndër vite, vende që lidhen drejtpërdrejt me poemën homerike nuk janë zbuluar ende. Gërmimet arkeologjike kanë dëshmuar, megjithatë, se në ishull kanë ekzistuar vendbanime që i përkasin periudhës mikene, duke forcuar lidhjen e Itakës me botën e përshkruar në epikat e Homerit.
Një anije romake që daton më shumë se 2 mijë vjet më parë është zbuluar në brigjet e Siçilisë, duke sjellë në dritë një tjetër dëshmi të rëndësishme të historisë së lashtë. Rrënojat e anijes janë gjetur rreth 3 milje larg Mazara del Vallo, në një thellësi prej 46 metrash. Në shtratin e detit janë zbuluar qindra amfora të lashta, të cilat besohet se kanë qenë pjesë e ngarkesës së anijes. Sipas Ministrisë italiane të Kulturës, anija i përket periudhës mes shekujve II dhe I para Krishtit. Pamjet e publikuara nga ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli, tregojnë rrënojat e anijes dhe amforat e shpërndara në fundin e detit. Giuli e cilësoi zbulimin si “një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike nënujore” të viteve të fundit.
Një ngjarje e rëndë është shënuar në liqenin e Pogradecit, ku një 32-vjeçar ka humbur jetën, pasi është mbytur në ujë. Sipas të dhënave paraprake, 32-vjeçari ndodhej në një varkë rreth 150 metra larg bregut të liqenit, teksa po kalonte kohë në ujë, shkruan A2 CNN. Në rrethana ende të paqarta, ai është hedhur nga varka në liqen për t'u larë, por pak çaste më pas ka pasur probleme dhe është mbytur. Menjëherë pas ngjarjes janë njoftuar shërbimet e emergjencës, ndërsa vijojnë kërkimet për nxjerrjen e trupit nga ujërat e liqenit. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia normalisht, duhet të jetë shembull për zbatimin e ligjit. Por kjo gjë nuk ndodh në Vorë. Sipas një denoncimi të ardhur në redaksinë e Vox News, çdo natë, makinat e Policisë bllokojnë rrugët, duke parkuar dysh. Pavarësisht shqetësimit të qytetarëve, kjo situatë është përsëritëse. “Prsh. Shifeni pak makinat e policis se kom nr 7 ne Vore, vijojn perseri ne mes te rruges si te jen gango.!!! Nje polic me ka then se ka then Lorisi shefi komisarjatit aty rrini se spyes per njeri une se kam lidhje shum larte. Ok, po ne pse ne gjobisni ???!!!!”, thotë denoncuesi. Shef komisariati në Vorë, është Loris Dervishi. Sipas denoncuesit, ai e ka gruan punonjëse në Gjykatën Kushtetuese, dhe ndaj bën “trimin”, ndërsa “ne na këpusin me gjoba çdo darkë”, thotë denoncuesi. #voxnews #media #news
ShBA-ja po kërkon mbylljen me çdo kusht të luftës me Iranin. Sipas gazetës “The Wall Street Journal”, presidenti Donald Trump është i gatshëm t’i japë fund luftës me Iranin, edhe pa arritur një marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit, nëse Irani do të rihapë plotësisht ngushticën e Hormuzit. Sipas gazetës, Trump e ka diskutuar privatisht këtë mundësi me këshilltarët e tij të lartë, pas disa javësh përgatitjesh për të shpallur fitoren, në rast se Irani do të rikthejë lëvizjen e lirë të anijeve në këtë rrugë strategjike detare. Por kjo mundësi u bë më e vështirë të shtunën, pasi Irani paraqiti një sërë kërkesash në këmbim të lejimit të qarkullimit të lirë në ngushticë. Teherani kërkon miliarda dollarë pagesa nga Shtetet e Bashkuara, tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni, si dhe përfundimin e bllokadës detare amerikane. Sipas “Wall Street Journal”, Irani ka vendosur kësaj herë kushte më të rënda se më parë për të lejuar qarkullimin e lirë të anijeve në ngushticën e Hormuzit. Kjo ngushticë është një prej pikave më strategjike të transportit detar në botë dhe një arterie kryesore për furnizimin global me naftë. Irani aktualisht ka arritur një marrëveshje me Omanin për administrimin e Ngushticës së Hormuzit, por zbatimi i saj varet plotësisht nga pranimi i kushteve nga ShBA-ja. #voxnews #media #news
Një turiste gjermane 33-vjeçare ka humbur jetën më 30 korrik në Himarë, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar publikisht mënyrën se si është menaxhuar rasti. Përmes një postimi në Facebook, Berisha ka publikuar një denoncim të një qytetari, i cili ngre pikëpyetje mbi vonesat në transportin e pacientes drejt Tiranës, mungesën e një piste për uljen e helikopterëve të emergjencës dhe gjendjen e shërbimeve shëndetësore në Himarë. Ai akuzon gjithashtu Policinë se ka dhënë një version të rremë për ngjarjen. #voxnews #media #news
Në një intervistë për revistën e pavarur serbe “Radar”, një nga shkrimtarët më të shquar serbë dhe kritikët më të ashpër të nacionalizmit, Svetisllav Basara, ka folur gjerësisht mbi krizën e thellë politike e shoqërore që ka përfshirë Serbinë. Në romanin e tij më të fundit, “Gjingjiqi: Kujtimet nga ana tjetër e varrit”, Basara analizon historinë e re serbe, duke filluar nga çështja e Kosovës e deri te kapja e shtetit nga Aleksandar Vuçiq, roli i kishës dhe përgjegjësia e elitave politike të prirë nga Vojisllav Koshtunica e Boris Tadiqi. Duke komentuar politikat e sotme të regjimit ndaj Kosovës, Basara nuk u pajtuan me konstatimin se Aleksandar Vuçiq po fshin edhe gjurmët e fundit të pranisë shtetërore serbe në Kosovë. Ai tha se gjurmët e fundit të pranisë shtetërore serbe në Kosovë janë fshirë në një proces që ka përfunduar gjeopolitikisht shumë më herët. Sipas Basarës, gjurmët e fundit të shtetësisë serbe në Kosovë janë fshirë realisht që në ditën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës në vitin 1999. Të gjitha strukturat ose “institucionet” që Beogradi ka pretenduar se mbante atje pas luftës nuk ishin gjë tjetër veçse imazhe të rreme të krijuara për konsum të brendshëm politik, ashtu siç janë bërë edhe vetë institucionet e Republikës së Serbisë, shtoi Basara. Sipas shkrimtarit serb, rënia e Serbisë në gjendjen e sotme nuk mund t'i faturohet vetëm Aleksandar Vuçiqit apo as thjesht Slobodan Millosheviqit. Basara pretendon se gjendja aktuale është produkt i mbetjeve të mbledhura nën qilim për më shumë se një shekull e gjysmë. “Nuk është Vuçiqi ai që e bëri Serbinë kështu siç është; ai vetëm hoqi dorezat dhe hoqi velin e fundit nga fytyra e saj e shëmtuar. Qilimi nën të cilin për më shumë se një shekull e gjysmë regjimet fshihnin krimet dhe bëmat e fëlliqura është kalbur dhe përmbajtja me erë të keqe ka dalë në sipërfaqe”, shprehet Basara. Ai shton se politika e sotme është e vazhdueshme dhe strukturore: lufta epike për Kosovën, ksenofobia, urrejtja ndaj Perëndimit dhe klerikalizmi i stilit e fashistit Dimitrije Lotiq, të ushqyera me dekada nga intelektualët nacionalistë dhe të përshtatura në shekullin 21 nga ideologë si Dobrica Qosiq. Një nga pjesët më goditëse të intervistës lidhet me figurën e ish-kryeministrit properëndimor Zoran Gjingjiq dhe sfondin e vrasjes së tij në vitin 2003. Basara zbulon se Gjingjiq nuk kishte më asnjë shans të mbijetonte politikisht apo fizikisht, sepse tentoi të këpuste qarkun e nacionalizmit dhe të bënte ndryshime strukturore. “Gjingjiq u vra edhe pse nuk do të duhej të vritej. Ai e kishte kuptuar se nuk mund të bënte asgjë nga ato që kishte planifikuar për shkak të pengesave dhe tashmë po negocionte me disa universitete evropiane për t'u larguar nga politika pas zgjedhjeve të para. Rrethi i tij politik e dinte këtë. E vranë pjesërisht nga inati i pastër, e pjesërisht për të dërguar një mesazh: ‘Kështu do të përfundojë çdokush që guxon të prishë rendin e çarshisë’”, argumenton Basara. Sipas tij, pasuesit e menjëhershëm të pushtetit pas atentatit - Vojislav Koshtunica dhe Boris Tadiq - ishin përfituesit e parë që gëzuan pushtet të pakufizuar për tetë vjet, duke hapur rrugën e rikthimit të radikalëve. Basara e akuzon drejtpërdrejt Koshtunicën se vendosi “kontinuitet shtetëror” me strukturat e Millosheviqit, mbështeti rebelimin e armatosur të njësisë JSO dhe përdori mjetet e shtetit e klerikalizmit për të bllokuar reformat. Mbi rolin e Kishës Ortodokse Serbe dhe klerikalizmit, Basara përmend raste të ndërhyrjes direkte politike e gjyqësore, si mbyllja e hetimeve për pedofili ndaj peshkopit Pahomije me urdhër të drejtpërdrejtë politik të Koshtunicës, apo promovimin e ideve fashiste e ushtarake nën petkun e fesë. I pyetur për mënyrën se si Aleksandar Vuçiq ka kapur çdo pore të shtetit, të shërbimeve të sigurisë e medias, Basara nënvizon se Vuçiqi e mori pushtetin dhuratë nga dështimet e Tadiqit dhe paaftësia e elitave të vetëquajtura demokratike. #voxnews #media #news
Më shumë se 130,000 njerëz largohen nga rajoni i Ballkanit çdo vit. Pse po largohen të rinjtë dhe a janë subvencionet e shpallura nga politikanët rajonalë një nxitje e mjaftueshme për t'u kthyer? Mario (30), Mijat (29) dhe Matija (22) duket se nuk kanë asgjë të përbashkët. Njëri është nga Tuzla, tjetri nga Negotini, i treti nga Zagrebi. Ata kanë mbaruar shkolla të mesme dhe universitete të ndryshme, kanë profesione të ndryshme dhe nuk e njohin njëri-tjetrin. Ajo që kanë të përbashkët është se vijnë nga Ballkani. Dhe se jetojnë jashtë vendit ose planifikojnë të largohen. Të tre i thonë DW se nuk e morën vendimin për t'u larguar brenda natës. Edhe pse motivet e tyre për t'u larguar ishin të ndryshme, arsyet janë të njëjta: çrregullimi i sistemit dhe mungesa e organizimit të shoqërisë. "Pse njerëzit largohen nga Kroacia? Asgjë nuk funksionon atje! Transporti publik, kopshtet, nuk ka punë, nuk ka apartamente, gjithçka është e shtrenjtë. Njerëzit duan të jetojnë në vende ku funksionon, nuk ka të bëjë vetëm me paratë", thotë Matija, i cili jeton në qytetin gjerman të Mainzit që nga mosha 16 vjeç. Një nga shumë Se ata nuk janë të vetëm në vendimin e tyre për të emigruar dëshmohet nga fakti se mesatarisht rreth 133,500 njerëz largohen nga Ballkaniçdo vit. Kjo tregohet nga baza e të dhënave e Organizatës Ndërkombëtare për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), e cila regjistron numrin e njerëzve që janë zhvendosur në një vend në një vit të vetëm. Edhe pse nuk ka statistika zyrtare për numrin e atyre që largohen nga vendi në nivel kombëtar (përveç Kroacisë), të dhënat e OECD-së për 31 vende tregojnë se në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2023 - viti i fundit për të cilin ka të dhëna të disponueshme - një total prej më shumë se 660,000 njerëz u larguan nga Serbia, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina. Sipas këtyre të dhënave, vendi kryesor për sa i përket "ikjes së trurit" është Kroacia, nga e cila ikin rreth 47,000 banorë çdo vit. Kroacia ka rreth 3.8 milionë qytetarë. Më pas në këtë listë famëkeqe është Serbia, e cila humbet mesatarisht 43,000 banorë çdo vit, ndërsa rreth 40,000 qytetarë largohen nga Bosnja dhe Hercegovinaçdo vit. Në vitin 2023, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, njoftoi se, sipas vlerësimeve, rajoni i Ballkanit Perëndimor do të humbasë midis një të katërtën dedi në gjysmën e qytetarëve të saj të rinj të kualifikuar dhe të arsimuar në dekadat e ardhshme. Ajo theksoi shkallën e lartë të papunësisë, varfërinë dhe përjashtimin si disa nga arsyet kryesore. Pse po largohen të rinjtë? Edhe pse migrimi nga Ballkani nuk është "nga dje", ekspertët tregojnë se faktorët kanë ndryshuar në 30 vitet e fundit. Demografi Vladimir Nikitoviq nga Instituti i Shkencave Sociale në Beograd shpjegon për DW se, ndryshe nga të ashtuquajturit faktorë shtytës që dikur dominonin dhe që kryesisht kishin të bënin mearsye ekonomike, sot njerëzit motivohen edhe nga faktorët e kënaqësisë ose pakënaqësisë me gjendjen e shoqërisë. Megjithatë, ndonëse cilësia e jetës është një faktor i rëndësishëm, Nikitoviq vëren se ajo ndryshon në varësi të llojit të profesionit dhe se është e vështirë të thuhet me siguri se është bërë më e rëndësishme se të ardhurat. "Për njerëzit me arsim të lartë, të cilët si rregull kanë pritje më të larta nga jeta, cilësia e jetës dhe të gjithë faktorët që nuk lidhen ekskluzivisht me paratë ose pagën janë shumë lart në listën e prioriteteve", thekson ai dhe shton: "Nga ana tjetër, për njerëzit që janë në profesione të tjera, kryesisht duke kryer punë manuale, ku ndryshimet në të ardhura janë shpesh pesë ose gjashtë herë më të mëdha se këtu, është mjaft logjike që faktori ekonomik është ende vendimtar. Kjo është ende pjesa më e madhe e njerëzve që largohen". #voxnews #media #news
Policia njoftoi se mbrëmë, rreth orës 22:20, në lagjen “Xhabije”, dyshohet se 2 shtetas të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e shtetases O. N., 23 vjeçe, dhe e kanë dhunuar fizikisht. “Shtetasja O. N., ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, nën kujdesin e mjekëve. Shërbimet e Policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes” - thuhet në njoftim. #voxnews #media #news @voxnews.al
Nga Katie Martin, Financial Times Përfshirja e SHBA-ve në tregun e jenit japonez ngjan me një veprim të motivuar nga interesi i arsyeshëm vetjak. Aventurat e Thesarit amerikan në tregun e jenit japonez mund të duken si diçka mjaft abstrakte — lloji i ngjarjes së “makroekonomisë së madhe” që i emocionon ata që ëndërrojnë të bëhen guvernatorë bankash qendrore dhe i lodh ata që jetojnë për të kuptuar mekanizmat e brendshëm të tregut valutor. Në një nivel sipërfaqësor, kjo është gjithashtu diçka mjaft e thjeshtë dhe jo shumë kontroverse. Monedha e Japonisë ka rënë prej muajsh, me sa duket përtej nivelit që mund të justifikohet vetëm nga diferencat e normave të interesit në botë. Japonia kërkoi ndihmë dhe SHBA-të, aleati i saj i palëkundur, ishte e gatshme ta ndihmonte: bleu jen, trembi spekulatorët dhe premtoi veprime të tjera të përbashkëta nëse tregu nuk sillet siç duhet. E gjithë kjo mund të funksionojë madje — një gjë e rrallë në një treg që zakonisht e poshtëron këdo që përpiqet ta kontrollojë. Deri këtu, gjithçka duket e thjeshtë: një shprehje bujare solidariteti nga SHBA-të dhe një kujtesë se, të paktën në periudhën afatshkurtër, kjo superfuqi mund të ndikojë edhe mbi monedhat — tregu më i madh në planet — dhe ta orientojë atë sipas vullnetit të saj. Por në themel të gjithë kësaj qëndron një seri tensionesh që meritojnë vëmendje përtej rrethit të specialistëve të tregjeve valutore. E gjithë kjo histori prek në zemër disa nga kontradiktat dhe dobësitë kryesore ekonomike të SHBA-së, si dhe kufijtë e fuqisë së saj. Mes vëzhguesve të tregjeve globale, pak janë bindur nga shpjegimi që SHBA-të kanë dhënë për përfshirjen e saj në një monedhë të një vendi kaq të largët. Në një intervistë për Nikkei, sekretari i Thesarit Scott Bessent sugjeroi se blerjet e jenit që ai drejtoi kishin për qëllim të ulnin rrezikun e një krize më të gjerë valutore në Azi, duke thënë se “shumë monedha aziatike ndjekin jenin japonez”. Është disi e tepruar të besohet se një krizë e ngjashme me atë të vitit 1998 ishte vërtet në horizont, por Bessent ka të drejtë kur thekson se disa nga monedhat kryesore aziatike kanë qenë në rënie prej kohësh. Kit Juckes, analist i tregjeve valutore në Société Générale, vëren se Japonia, Kina dhe Koreja e Jugut së bashku përbëjnë rreth 18 për qind të tregtisë së SHBA-së, ndërsa monedhat e tyre janë zhvlerësuar me rreth 9 për qind gjatë dekadës së fundit. Kjo përbën problem për SHBA-të në disa drejtime. Njëri prej tyre është se monedhat e dobëta në Azi i bëjnë eksportet e rajonit shumë më të lira dhe importet nga SHBA-ja shumë më të shtrenjta. Dobësia e monedhave aziatike është paraqitur shpesh nga SHBA-ja si një formë avantazhi të padrejtë në eksport. Por çdo përpjekje e drejtpërdrejtë dhe agresive për ta korrigjuar këtë situatë sjell kompromise shumë të dhimbshme, jo aq për Azinë sa për vetë SHBA-në. Japonia, për shembull, mund ta forcojë ndjeshëm jenin në një nga dy mënyrat: përmes një rritjeje masive të normave të interesit në Japoni ose përmes shitjes masive të rezervës së saj të jashtëzakonshme të bonove të Thesarit amerikan. Rritja e normave të interesit është e vështirë për arsye të politikës së brendshme, por edhe sepse do t’i bënte bonot qeveritare japoneze një investim më tërheqës për investitorët vendas dhe madje edhe globalë, krahasuar me bonot amerikane. Ndërsa nëse Japonia do të rriste shitjet e saj tashmë të konsiderueshme të aktiveve amerikane, kjo do t’i shkaktonte dëm të drejtpërdrejtë SHBA-së, përmes uljes së çmimeve të bonove amerikane dhe rritjes së kostos së huamarrjes së SHBA-së. Fakti është se, pavarësisht retorikës së fortë për tregtinë, mbrojtjen dhe gjeopolitikën, SHBA-ja ka nevojë për miq dhe aleatë. Ajo ka nevojë që bota të blejë bonot e saj dhe nuk mund të përballojë që fuqitë e huaja t’i shmangin ato apo, aq më keq, t’i shesin. SHBA-ja jeton me para të marra hua, duke tejkaluar ndjeshëm ekonomitë e tjera të zhvilluara për nga madhësia e deficitit të saj fiskal. #voxnews #media #news
Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko, i cili ka nisur në Parlamentin e Ukrainës projektligjin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit që mbajti presidenti Volodymyr Zelensky gjatë vizitës së tij në Serbi. Zelensky, teksa ndodhej në Beograd, tha se Ukraina nuk ka ndërmend ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo deklaratë u konsiderua nga Goncharenko si një “gabim diplomatik”. Përmes një publikimi në rrjetin social “X”, deputeti ukrainas e ndau deklaratën e presidentit të vet, duke shtuar edhe një fotografi që tregonte heqjen e mbishkrimit “Free Ukraine” nga Hoteli Grand në Prishtinë. Goncharenko theksoi se shumica e qytetarëve ukrainas e mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe se, sipas tij, Kievi duhet ta njohë zyrtarisht shtetin kosovar. Ai u zotua se do të vazhdojë betejën për këtë çështje, duke shprehur bindjen se njohja nga ana e Ukrainës është vetëm çështje kohe. Goncharenko konsiderohet një ndër zërat kryesorë brenda skenës politike ukrainase që kanë kërkuar hapur njohjen e Kosovës, duke e lidhur këtë hap me interesat strategjike dhe politikën e jashtme të vendit të tij. #voxnews #media #news @voxnews.al