Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 January 2026Social

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës neglizhencën e frikshme të drejtuesve dhe personelit mjekësor të Burgut 313 në Tiranë, ku një i paraburgosur h...

28 January 2026 at 06:00

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës neglizhencën e frikshme të drejtuesve dhe personelit mjekësor të Burgut 313 në Tiranë, ku një i paraburgosur humbi jetën. Në datën 28 tetor 2023, i paraburgosuri Artan Zylyftari, i cili ndodhej në qelinë numër 5, në katin e parë të godinës B të këtij institucioni, është ndjerë keq dhe ka kërkuar ndihmë më të specializuar mjekësore. Emisioni investigativ ka siguruar videot e plota, ku pamjet e kamerave të sigurisë kanë hedhur dritë mbi abuzimin e këtij personeli, teksa shihet mjaft qartë se infermierja ishte “me duar në xhepa”, ndërkohë që mjeku as nuk ndodhej në vendin e punës. Në filmim duken disa të burgosur të tjerë, mes të cilëve edhe Geri Zylyftari, vëllai i viktimës, i cili kërkon me ngulm ndihmë mjekësore. “Në atë datë, në orën 3 e 8 minuta, vëllai im ka pasur shqetësime të zemrës dhe ka rënë përtokë. Në qeli kam qenë unë, vëllai, kushëriri dhe një shok tjetër. E kemi marrë vëllanë në orën 3 e 12 minuta për t’a nxjerrë në korridor. Ka ecur me këmbët e tij deri aty dhe nga ora 3 e 12 minuta e deri në 3 e 30 minuta, na ra dhe s’u çua më. Ne lajmëruam punonjësin që të lajmëronte infermieren dhe mjekun. Polici i lajmëroi, kurse mjeku s’është afruar që t’i japë ndihmë, as infermierja”, thotë Geri Zylyftari, në një rrëfim për Fiks Fare. Në pamje duket se viktima ka qenë i shtrirë në mes të korridorit, ku disa gardianë i japin ndihmën e parë. Ata i bëjnë masazh kardiak. Të paraburgosurit tentojnë t’a ndihmojnë për minuta të tëra. Pranë tyre, asnjë gjurmë të stafit mjekësor. “Infermieres i është dashur 15 minuta për të ardhur në atë korridor. Ka ardhur pas kaq kohësh, s’kishte asnjë lloj gjëje, as medikamente, pajisje e as defribilator. Nëse do kishte pasur këto gjëra, ai s’do vdiste! Për shkak të kësaj, ai ka ndërruar jetë” vijon Geri. Çuditërisht, në atë ditë, orë, minutë e sekondë, asnjë mjek nuk ka shkuar për të dhënë ndihmën e parë. Pranë të paraburgosurit ka shkuar vetëm infermierja. “Burgu ka pasur edhe mjekë por s’ka ardhur. Infermierja vetëm i ka matur pulsin. Pulsi i kishte rënë dhe donte defribilator që t’a kthente në jetë dhe nuk e kishin. Kanë pritur edhe ambulancën, është vonuar deri në 3 e 30 minuta” shton ai. Në video duket qartë neglizhenca dhe paaftësia e stafit mjekësor të Paraburgimit 313 në një situatë të tillë. Disa gardianë e marrin të paraburgosurin me batanije, për t’a transportuar deri te autoambulanca. “E kanë marrë aty me batanije për t’a çuar në QSUT, s’ka pasur barrelë, asnjë lloj gjëje. E kanë rrëzuar dhe rrugës. Me batanije e morën punonjësit e policisë. Kjo është çdo gjë absurde. Vonesa dhe neglizhenca e atyre i morën jetën atij. S’kanë pasur as barelë dhe asnjë lloj gjëje. S’kanë pasur asnjë lloj kushti, asnjë lloj gjëje”, thotë Geri, i cili është edhe dëshmitar okular i asaj që ka ndodhur brenda burgut 313 në Tiranë. Në dosjen e prokurorisë shkruhet se Artan Zylyftari ka ndërruar jetë në QSUT. “Vëllai im ka ndërruar jetë në institucionin e burgut. Atë e kanë marrë pa barrelë dhe e kanë rrëzuar rrugës. Ka qenë ora 3 dhe doktoresha duhet të ishte prezente se ka ndodhur diçka në institucionin e burgut. Në dijeninë time ka pasur doktorë, por s’ka qenë aty. Për neglizhencën e tyre ka vdekur vëllai im” shton Geri. #voxnews #media #news

1119 views


💾

Drejtoria e Pastrim Gjelbërimit në Tiranë i ka dhënë një tjetër tender të paracaktuar kompanisë Shpresa Al, me pronar Lush Osmanin, duke ngritur hije ...

28 January 2026 at 06:00

Drejtoria e Pastrim Gjelbërimit në Tiranë i ka dhënë një tjetër tender të paracaktuar kompanisë Shpresa Al, me pronar Lush Osmanin, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se paratë që akordon kjo drejtori, sidomos për karburantet, shkojnë gjithmonë te të njëjtat duar. Skandali thellohet më tej për shkak se kjo firmë nuk ka licencë për të tregtuar karburant, por kjo s’e ka penguar që të marrë këto miliona. Gjatë 4 viteve të fundit, Osmani ka marrë çdo qindarkë të akorduar nga Liri Qoshi apo ish-drejtorët e tjerë. Ka dyshime se Osmani, apo punonjës të tij, kanë lidhje të ngushta me këtë drejtori, duke bërë që tenderat t’i fitojë gjithmonë Shpresa Al. VoxNews ka denoncuar disa javë më parë se këto procedura kanë qenë të paracaktuara, por asnjë institucion as ka marrë mundimin që t’i verifikojë. Nuk është bërë asnjë kontroll apo audit për të parë nëse janë bërë procedurat konform ligjeve apo rregulloreve. Ashtu siç edhe paralajmëruam, madje edhe me dokumente, në datën 21 janar 2026, Drejtoria e Pastrim Gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës ka shpallur fituesin e tenderit me objekt “blerje karburant dhe vaj”. Kompania Shpresa Al ofroi 185 milionë lekë, pa TVSH. Të njëjtën ofertë kishte edhe një kompani që mori pjesë në tender, ndërkohë firma e tretë u skualifikua nga gara. VoxNews hulumtoi dokumente të vjetra të kësaj drejtorie, ku rezulton se e njëjta procedurë e zhvilluar në vitin 2023 është fituar nga firma Shpresa AL. Në atë kohë, Pastrim Gjelbërimi finalizoi tenderin “furnizim me lëndë djegëse për automjete diesel” me marrëveshje kuadër me afat 36 muaj. Fondi limit ishte 172 milionë lekë, ndërkohë që në procedurë mori pjesë vetëm një ofertues dhe “SHPRESA-AL” shpk me nipt K31321021N. Kjo firmë e fitoi këtë tender me të njëjtën vlerë, 172 milionë lekë, duke marrë 100 % të fondit limit. Jo vetëm tenderin e naftës, por e njëjta firmë fitoi edhe tenderin e benzinës. Kjo procedurë e vitit 2023 u fitua sërish me 100 % të fondit limit nga firma Shpresa Al, me dyshimin se ishte e paracaktuar. Ishte e vetme në garë dhe mori çdo qindarkë të akorduar. Vlera e akorduar nga Pastrim Gjelbërimi ishte 27.900.000 lekë dhe Shpresa Al ofroi po 27.900.000 lekë. Megjithëse xhiron miliona euro nga tenderët, apo ka marrë koncesionin e kalibrimit të pajisjeve të gazit, sërish kompania Shpresa Al nxjerr fitime minimale. E njëjta kompani fiton tendera për ndërtim rrugësh, fiton për karburant procedura apo edhe merr koncesione, ndërkohë që bilanci i vitit 2024, i publikuar disa muaj më parë, e ka nxjerrë këtë firmë me një fitim prej 350 mijë eurosh. Pronari mori 240 mijë euro, ndërkohë 100 mijë euro i la për rezerva. Ka dyshime se bilancet e kësaj kompanie janë manipuluar, duke i xhiruar paratë e tenderave në kompani të tjera, për mallra apo shërbime. Duket se, lidhjet e Osmanit me godinën e qelqtë në zonën e Astirit, me Tatimet VIP, kanë bërë që ai të mos hetohet për këto abuzime. Prona ku është vendosur kjo drejtori e tatimeve është në emër të Shpresa Al, teksa gjithkush mund të mendojë se qiramarrësit (tatimet) s’mund të hetojnë qiradhënësit (Shpresa al)! #voxnews #media #news

4752 views


💾

Spanja do të shpërndajë 20 milionë euro si kompensim për viktimat e aksidentit të javës së kaluar në trenin me shpejtësi të lartë, që vrau 45 persona ...

28 January 2026 at 06:00

Spanja do të shpërndajë 20 milionë euro si kompensim për viktimat e aksidentit të javës së kaluar në trenin me shpejtësi të lartë, që vrau 45 persona dhe la mbi 150 të plagosur. Lajmi u konfirmua këtë të martë nga ministri i Transportit, Oscar Puente. Vendi është ende i tronditur nga katastrofa e 18 janarit që ndodhi në Adamuz, pranë qytetit jugor të Kordobës, që shkaktoi një nga numrat më të lartë të viktimave nga një aksident me tren në historinë e fundit në Europë dhe më të madhin në Spanjë që nga viti 2013. Familjet e të vrarëve do të marrin secila 216 mijë euro brenda jo më shumë se tre muajsh, të cilat ndahen në 72 mijë euro ndihmë e përjashtuar nga taksat nga qeveria dhe një pagesë paraprake sigurimi prej 72 mijë euro. Një tjetër shumë prej 72 mijë eurosh do të paguhet nga sigurimi i detyrueshëm i udhëtarëve. “E dimë që procedurat e zakonshme dhe afatet ligjore nuk i përgjigjen gjithmonë urgjencës jetike të një tragjedie të tillë,” tha Puente, citon Reuters, duke shtuar se viktimat nuk mund të përballojnë të presin vite për të marrë mbështetje. “Pasiguria ekonomike nuk mund të shtohet mbi dhimbjen emocionale.” Pagesat për të plagosurit do të variojnë nga 2 mijë e 400 euro deri në 84 mijë euro, sipas ministrit Puente. Ministri është nën presion publik që nga aksidenti në Adamuz dhe incidente të tjera të së njëjtës javë, përfshirë vdekjen e një makinisti në Katalonjë dhe dy aksidente të tjera pa viktima. Partia Popullore ka kërkuar dorëheqjen e tij. I pyetur për të ardhmen e tij, Puente u tha gazetarëve se e kishte ndërgjegjen të qetë, ishte duke kryer punën e tij sa më mirë që mundej dhe duke bërë çdo përpjekje për të komunikuar të gjitha informacionet e disponueshme për qytetarët. Shërbimi i trenave lokalë në Katalonjë, Rodalies, gjithashtu u përball me ndërprerje të mëdha javën e kaluar pasi shumë makinistë refuzuan të punonin për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar, ndërsa një dështim i softuerit rrëzoi qendrën e kontrollit të trafikut hekurudhor të hënën. #voxnews #media #news

9458 views


💾

Anthony Zurcher – BBC Administrata Trump ka hequr dorë shpejt nga strategjia e saj e zakonshme “moho dhe sulmo”, të cilën e përdori fillimisht pas vra...

28 January 2026 at 06:00

Anthony Zurcher – BBC Administrata Trump ka hequr dorë shpejt nga strategjia e saj e zakonshme “moho dhe sulmo”, të cilën e përdori fillimisht pas vrasjes së Alex Pretti nga agjentë federalë në Minneapolis, të shtunën në mëngjes, 24 janar. Brenda 24 orësh, ndërsa në rrjetet sociale nisën të qarkullojnë video të shumta nga momenti i incidentit, u bë e qartë se Shtëpia e Bardhë ishte në kundërshtim të hapur me perceptimin publik dhe me atë që amerikanët mund të shihnin vetë me sytë e tyre. Që prej asaj kohe, administrata, përfshirë edhe vetë presidentin, ka ndryshuar qasje, duke ia atribuar përgjegjësinë demokratëve dhe duke u fokusuar më pak te veprimet e infermierit amerikan që u vra. Nga ana tjetër, demokratët kanë shtuar kritikat ndaj politikës së deportimeve masive dhe taktikave agresive të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE), duke hyrë në një përplasje politike që mund të çojë në një tjetër mbyllje të pjesshme të qeverisë që të premten. Të hënën në mëngjes, Zëvendës-Prokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, e përshkroi situatën si një “fuçi baruti”. Edhe pse ai fajësoi demokratët, shumë nga të dy krahët e spektrit politik amerikan bien dakord se situata aktuale është jashtëzakonisht e rrezikshme. Reagimi fillestar i administratës ndaj vdekjes së Pretti-t ishte i drejtpërdrejtë. 37-vjeçari u portretizua si një terrorist i vendosur për të shkaktuar gjakderdhje. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, deklaroi se Pretti synonte të “shkaktonte dëm” dhe se po “mbante armë”. Komandanti i Patrullës Kufitare, Gregory Bovino, tha se situata dukej si një rast ku një individ donte të “shkaktonte dëme maksimale dhe të masakronte forcat e rendit”. Këshilltari i lartë presidencial, Stephen Miller, e quajti Pretti-n një “vrasës të mundshëm”. Megjithatë, ndryshe nga praktika e zakonshme e Shtëpisë së Bardhë për të reaguar ashpër ndaj kritikave, zëdhënësja Karoline Leavitt refuzoi të përsëriste deklaratat e Miller-it, kur u pyet nëse presidenti ndante të njëjtin qëndrim. Ajo tha se do të zhvillohej një hetim i plotë. Ky ishte një ton dukshëm më i përmbajtur krahasuar me reagimin fillestar pas të shtënave. Qasja e parë i ngjante asaj të ndjekur tre javë më parë, kur forcat federale vranë një tjetër banore të Minneapolis-it, Renee Good, e cila u cilësua gjithashtu si terroriste që kishte “armatosur” automjetin e saj për të plagosur agjentë të ICE. Ashtu si në rastin Good, edhe versioni i qeverisë federale është kundërshtuar nga autoritetet lokale, dëshmitarët okularë dhe familja e viktimës. Prindërit e Pretti-t kërkuan që e vërteta të dalë në dritë, duke shtuar se “gënjeshtrat e neveritshme të thëna për djalin tonë nga administrata janë të papranueshme dhe të turpshme”. Video të shumta nga incidenti i së shtunës hedhin poshtë shumë nga pretendimet fillestare të administratës. Pamjet tregojnë Pretti-n duke filmuar agjentët e ICE me telefonin e tij dhe duke ndihmuar një grua që shtyhet përtokë, përpara se të dy të spërkaten me sprej lotsjellës. Në asnjë moment ai nuk shihet duke mbajtur armë, kur shtrihet përdhe nga agjentët. Departamenti i Sigurisë Kombëtare pretendon se Pretti kishte një pistoletë gjysmë-automatike 9 mm dhe dy karikatorë municioni. Policia lokale ka konfirmuar se ai ishte pronar i ligjshëm i armës. Sipas ligjit të Minesotës, qytetarët mund të mbajnë ligjërisht armë të fshehur në publik, me leje përkatëse. Këtë herë, narrativa fillestare e administratës u bë shumë shpejt e vështirë për t’u mbajtur. “Publiku e ka humbur durimin”, tha shefi i Policisë së Minneapolis-it, Brian O’Hara, duke theksuar se oficerët e tij kanë kryer qindra arrestime të personave të dhunshëm vitin e kaluar pa përdorur armë zjarri. “Kjo situatë nuk është e qëndrueshme.” #voxnews #media #news

12.4K views


💾

New York Times” i ka kushtuar një artikull me doza ironie ministres së Inteligjencës Artificiale në Shqipëri, e njohur me emrin “Diella” New York Time...

28 January 2026 at 06:00

New York Times” i ka kushtuar një artikull me doza ironie ministres së Inteligjencës Artificiale në Shqipëri, e njohur me emrin “Diella” New York Times shkruan se avatarja Diella, promovuar nga kryeministri Edi Rama si simbol i transparencës dhe reformës digjitale, është ndërtuar nga një agjenci shtetërore, drejtuesit e së cilës sot akuzohen për manipulim tenderash dhe lidhje me krimin e organizuar. Një histori që tregon paradoksin shqiptar: lufta kundër korrupsionit, e menaxhuar nga vetë sistemi që dyshohet se është i kapur nga korrupsioni. Shkrimi i New York Times: Avatari i njohur si Diella, i reklamuar si ministrja e parë qeveritare në botë e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, supozohej të ndihmonte në uljen e korrupsionit endemik të Shqipërisë. Por ka një defekt. Udhëheqësit e agjencisë që e ndërtuan atë akuzohen për manipulim tenderash në kontrata publike. E veshur me kostum tradicional dhe me një buzëqeshje enigmatike, Diella është bërë fytyra e përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për të frenuar korrupsionin, ndërsa Shqipëria synon të bashkohet me Bashkimin Evropian. Gjatë vitit të kaluar, Diella (shqiptohet di-EL-a) ka folur në konferenca ndërkombëtare dhe është mbuluar me publicitet si simbol i mënyrës se si inteligjenca artificiale po integrohet në shtyllat e shoqërisë në mbarë botën, përfshirë qeverisjen. Madje ajo deklaroi se ndihej “e lënduar” kur iu drejtua Parlamentit të Shqipërisë vjeshtën e kaluar për kritikat se përpjekjet e saj për të identifikuar mashtrimet dhe abuzimet në prokurime ishin antikushtetuese, pasi “unë nuk jam një qenie njerëzore.” “Nuk kam ambicie apo interesa personale,” tha Diella, e modeluar sipas një aktoreje lokale, ligjvënësve në një video në shtator me flamurin shqiptar dhe atë të Bashkimit Evropian të superimponuar pas saj. “Kam vetëm të dhëna, njohuri dhe algoritme të dedikuara për t’u shërbyer qytetarëve në mënyrë të paanshme, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë.” Në praktikë, Diella i ndihmon qytetarët të aplikojnë për shërbime qeveritare online, duke eliminuar një sistem të konsoliduar prej kohësh të ryshfetit ndaj zyrtarëve për dorëzimin e shpejtë të dokumenteve dhe caktimin e takimeve. Së shpejti ajo do të jetë në gjendje të përmbledhë aplikimet për kontrata qeveritare për të vlerësuar se cili ofertues është më i kualifikuari, bazuar në të dhënat e paraqitura. Puna e saj mund të auditohet. Marrja e hapave për të ulur korrupsionin është një kërkesë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një çështje trashëgimie për zotin Rama. Ai e quajti avatarin Diella, fjala femërore për diell, për të promovuar transparencën në prokurimin publik. “Ne jemi një vend kushërinjsh — nuk është e lehtë të kesh ndërveprime plotësisht të drejta dhe transparente në një vend kushërinjsh,” tha ai në një intervistë njëorëshe më herët këtë muaj. Me reformat që ka drejtuar që nga marrja e detyrës në vitin 2013, tha Rama, “tani kemi një pamje krejtësisht të ndryshme.” Rama tha se do të largohej nga jeta publike sapo Shqipëria të bashkohej zyrtarisht me Bashkimin Evropian. Kjo mund të ndodhë që në vitin 2030, nëse negociatat vazhdojnë me ritmin aktual, megjithëse ai vuri në dukje se “ka tre gjëra që janë mbi kapacitetin njerëzor për të planifikuar: Zoti, seksi dhe BE-ja.” Një raport i nëntorit nga zyrtarët e BE-së tha se Shqipëria kishte “treguar disa përparime”, por se “korrupsioni mbeti i përhapur në sektorë vulnerabël.” Ai vlerësoi një njësi të posaçme prokurorie të krijuar në vitin 2019 për “rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.” Kjo përfshin një hetim në Agjencinë Kombëtare të Informacionit, vetë organizatën qeveritare që krijoi Diellën. #voxnews #media #news

1147 views


💾

Franca reagoi ashpër ndaj deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili argumentoi se Europa nuk mund të mbrohet pa mbështetj...

28 January 2026 at 06:00

Franca reagoi ashpër ndaj deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili argumentoi se Europa nuk mund të mbrohet pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Rutte i bëri këto deklarata gjatë një seance të Parlamentit Europian, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga eurodeputeti francez i ekstremit të djathtë, Pierre-Romain Thionnet, i cili tha se ideja e një ushtrie europiane është anakronike dhe nuk mund të përballojë sfidat moderne. Përgjigja e Ministrit të Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, ishte e drejtpërdrejtë dhe kategorike: “Jo, i dashur Mark Rutte. Europianët mund dhe duhet të marrin përsipër sigurinë e tyre. Edhe SHBA-të janë dakord. Kjo është shtylla evropiane e NATO-s”, tha ai. Kundërshtimi i Francës ndaj deklaratave të Rutte u përforcua nga zyrtarë të tjerë, siç është Muriel Domenech, një ish-ambasador francez në NATO, i cila i tha në X se strategjia e forcimit të sigurisë europiane përmes garancisë amerikane është e vjetruar dhe i dërgon mesazhin e gabuar Rusisë. Franca nuk është i vetmi vend që mbështet forcimin e shtyllës evropiane të NATO-s. Ministrja franceze e Mbrojtjes, Catherine Vautrin, tha se realiteti i sotëm kërkon forcimin e pranisë ushtarake të Europës brenda NATO-s dhe se kjo ide, e propozuar nga Franca disa vjet më parë, tani mbështetet nga vende të tjera, siç është Gjermania. Ky diskutim vjen në një kohë kur Uashingtoni, nën udhëheqjen e Trump, ka deklaruar se Amerika do të kufizojë përfshirjen e saj në sigurinë europiane. Sipas strategjisë së re të mbrojtjes kombëtare të SHBA-së të publikuar të premten, evropianët duhet të marrin iniciativën përballë kërcënimeve, dhe u theksua se Europa është ekonomikisht dhe ushtarakisht e aftë të mbrohet, veçanërisht kundër Rusisë. Përveç kësaj, vendimi i SHBA-së për të nxitur rritjen e shpenzimeve ushtarake në Evropë ka pasur ndikim, pasi vitin e kaluar arriti të bindë vendet evropiane që të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 5% të PBB-së. Ministri i Jashtëm francez tha se BE-ja duhet të marrë përgjegjësinë për sigurinë e kontinentit, pa u varur nga Amerika, duke theksuar nevojën për një shtyllë të fortë evropiane brenda NATO-s. #voxnews #media #news

8746 views


💾

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, para eurodeputetëve ka konfirmuar se Europa nuk është në gjendje të mbrohet e vetme pa mbështetjen e Sh...

28 January 2026 at 06:00

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, para eurodeputetëve ka konfirmuar se Europa nuk është në gjendje të mbrohet e vetme pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Skenari i pavarësisë ushtarake do te kërkonte shpenzime te papërballueshme. “Nëse dikush mendon përsëri këtu se Bashkimi Europian ose Europa në tërësi mund të mbrohet pa SHBA-në, le të vazhdojë të ëndërrojë. Ju nuk mundeni. Ne nuk mundemi. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin. Dhe pse kemi nevojë për njëri-tjetrin? Po ju them. Para së gjithash, sepse edhe SHBA-të kanë nevojë për NATO-n.” Duke folur në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ai paralajmëroi se nëse Europa do të synojë krimin e një ushtrie të sajën për të siguruar mbrojtje, do të përballej me shpenzime të larta dhe investime në armë bërthamore. “Europa nëse do vërtet të mbrohet vetë, dhe ata prej jush planifikojnë ta bëjnë këtë, harroni se nuk mund ta arrini kurrë me 5 përqind të GDP-së, do të jetë 10 përqind. Ju duhet të ndërtoni aftësinë tuaj bërthamore që kushton miliarda e miliarda euro. Do të humbisni, do të humbisni garantuesin përfundimtar të lirisë sonë, që është ombrella bërthamore e SHBA-ve”. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte i ka rikujtuar Serbisë se ende nuk ka pasur llogaridhënie për sulmin terrorist në Banjskë, si dhe për sulmet e kryera ndaj ushtarëve të KFOR-it gjatë trazirave në pranverën e vitit 2023. “Unë kam marrëdhënien time me presidentin Aleksandar Vuçiç. Ne e njohim njëri-tjetrin prej shumë vitesh. Por, sigurisht, presim që ai të japë llogari për atë që ndodhi disa vjet më parë, për dy çështje. Dhe për të dyja, ai premtoi llogaridhënie të plotë”. Para ligjvënësve europianë, Rutte prezantoi dy drejtime veprimi kur është fjala për sigurinë e Grenlandës dhe Arktikut: përpjekjet kolektive të NATO-s për forcimin e mbrojtjes ushtarake dhe ekonomike kundër ndikimit rus dhe kinez në Arktik si dhe bisedimet dypalëshe midis Danimarkës, Groenlandës dhe Shteteve të Bashkuara. #voxnews #media #news

17.8K views


💾

Iliri punon si bashkëpunëtor i jashtëm në një televizion. Ai është regjistruar si i vetëpunësuar i vetëm dhe lëshon fatura mujore për televizionin. Kj...

28 January 2026 at 06:00

Iliri punon si bashkëpunëtor i jashtëm në një televizion. Ai është regjistruar si i vetëpunësuar i vetëm dhe lëshon fatura mujore për televizionin. Kjo është e ardhura kryesore që ai ka. Prej disa ditësh Iliri i kërkon ekonomistes që të presë faturën mujore, por kjo është e pamundur, pasi fiskalizimi i faturave bëhet përmes sistemit self-care, që ka mbi dy javë që është tërësisht jashtë funksionit dhe menaxhohet nga portali qeveritar E-Albania. Ashtu si Iliri, të vetëpunësuarit e vetëm përdorin sistemin self-care për fiskalizimin e faturave, pasi ky shërbim atyre u ofrohet pa pagesë, ndryshe nga bizneset e tjera që janë të detyruara të marrin shërbimin e kompanive private të programeve fiskale. Sipas INSTAT, në vend ka rreth 40 mijë biznese të vetëpunësuar, ose rreth 30% e totalit, por nuk ka të dhëna se sa prej tyre janë të vetëpunësuar të vetëm. Aktiviteti i këtyre të fundit është tërësisht i bllokuar prej ditësh për shkak të mosfunksionimit të programit self-care. Të vet-punësuarit e vetëm janë ata që po pengohen më shumë në aktivitetin e tyre nga mosfunksionimi i sistemit self-care. Ky i fundit është portali i fiskalizimit i vendosur në dispozicion nga Administrata Tatimore që mundëson procesin e fiskalizimit të faturave të shitjes, deklaratave doganore, ngarkimin e certifikatës së fiskalizimit dhe ndryshimet në të, etj. Por, ekonomistët raportojnë se edhe subjektet e tjera që përdorin programe private po hasin vështirësi, pasi disa programe të lira i nxjerrin të dhënat e faturës të kufizuara. Sonila, ekonomiste, thotë se një klient i kërkon që të nxjerrë faturën me kokë blu, ku janë të dhënat e bankës, pasi banka nuk ia kishte pranuar faturën e nxjerrë nga kompania që u ofron shërbimin e programit fiskal. Bizneset nuk arrijnë të bëjnë dot as kontabilizimin e doganave, por malli mund të merret dhe dërgohet. Tashmë që afati për dorëzimin e bilanceve po afrohet, ekonomistët e përdorin këtë portal për të parë historikun e pagesave, dhe për të bërë minibilancet mujore, dhe bllokimi i portalit po bën që të vonohen në procesin e hartimit të bilancit. Bllokimi i platformës qendrore të fiskalizimit sipas ekspertit fiskal Julian Saraçi, po paraqet një sërë problematikash që ndikojnë në funksionimin normal të biznesit, që nga mosfunksionimi i fiskalizimit, nxjerrja e certifikatës së re, mosfiskalizim për faturat e importit apo moskryerja e rakordimeve të faturave të kontrollit me ato të sistemit. “-Faturat nuk lëshohen nga platforma qendrore. Procesi i fiskalizimit shpesh duket i përfunduar, por kur kontrollohet (check) sistemi bllokohet (crash) dhe fiskalizimi nuk përfundohet. -Nuk mund të lëshohen faturat nga platforma qendrore; disa shoqëri fiskalizimi duket se përfundojnë procesin, por sistemi bllokohet kur kontrollohet. -Certifikata e re e fiskalizimit nuk regjistrohet, nuk mund të shkarkohet ose të ngarkohet (upload), duke penguar rinovimin dhe aktivizimin e saj. -Nuk mund të hapet filial i ri ose të ndryshohet operatori, duke bllokuar zgjerimin e biznesit dhe ndryshimet në staf (largime, shtime, zëvendësime). -Faturat e importit nuk fiskalizohen brenda 72 orëve. -Nuk mund të aksesohen faturat në sistem për rakordime dhe kontrolle. -Nuk aksesohen faturat në sistem për rakordime e kontrolle -Nuk verifikohen dot statuset e faturimeve -Nuk kryhen dot rakordimet, apo pagesat që të lidhen me faturën etj”. Sotiraq Dhamo: Mosfunksionimi i sistemit Self Care ka bllokuar punën për shumë biznese Për kontabilistin Sotiraq Dhamo mosfunksionimi i sistemit Self Care ka bllokuar punën për shumë biznese, përfshirë personat fizikë që mund të lëshojnë fatura të fiskalizuara, mosfiskalizim të deklaratave doganore në afat për importuesit, në certifikatën elektronike nuk mund të bëhen ndryshime e adresës, nëse është dhënë gabim. “Normalisht, Self Care është baza kryesore për rakordimet. Edhe tani, gjatë përgatitjes së Planit Financiar vjetor 2025, duhet të kryhen disa rakordime me Self Care, prandaj është e nevojshme të kesh akses në platformë. #voxnews #media #news

5069 views


💾

❌
❌