Normal view

Buxheti mblodhi 51 miliardë lekë më shumë në 7-mujor, një e treta nga lejet e ndërtimit

25 August 2026 at 14:12

Të ardhurat totale, për periudhën Janar-Korrik 2026, arritën në rreth 484.6 miliardë lekë, duke u rritur me 11.8%, ose 51 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.

Sipas ndarjeve paraprake, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 20.8 miliardë lekë më shumë, ato nga sigurimet shoqërore e shëndetësore 13.9 miliardë lekë më shumë, ndërsa pjesa tjetër, prej rreth 16 miliardë lekë, ose një e treta e rritjes kanë ardhur nga taksat vendore, kryesisht nga arkëtimet nga taksa e infrastrukturës për ndërtimet e reja, një tregues i nivelit të lartë të lejeve të ndërtimit të dhëna në pjesën e parë të vitit.

Taksa e infrastrukturës në ndërtim është bërë një element i rëndësishëm që ka ndikuar në rritjen totale të të ardhurave buxhetore në tre muajt e parë të vitit.

Të dhënat e mëparshme për 6 mujorin e parë 2026 treguan se janë arkëtuar nga ‘taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja’ në të gjithë vendin 18.3 miliardë lekë, ose tre herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë (+200%).

Ku do shkojë Tirana?! Në janar-qershor jepen 5-fish leje për ndërtime rekord, me vlerë 1.6 mld euro

Buxheti vijon të jetë në suficit, me të ardhurat që janë më të larta sesa shpenzimet. Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën Janar-Korrik 2026, arritën në rreth 433.2 miliardë lekë, me një realizim në masën 98.2 % të planit të periudhës.

 

Performanca Paraprake e të Ardhurave dhe Shpenzimeve për Janar-Korrik 2026:

Të ardhurat totale, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u rritën me rreth 51.1 miliardë lekë ose 11.8 % më shumë, një realizim në masën 58.9 % të planit vjetor të mbledhjes së të ardhurave sipas buxhetit fillestar dhe 57.5% sipas Aktit Normativ nr.2.

Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në shumën 307.9 miliardë lekë, 20.8 miliardë lekë ose 7.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në shumën 165.9 miliardë lekë, 15.7 miliardë lekë ose 10.4% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025.

Krahasuar me planin e shtatërmujorit, të ardhurat e mbledhura janë 1.2 miliardë lekë ose 0.7% më shumë.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizuan në shumën 49 miliardë lekë, 9.8 miliardë lekë ose 25.1% më shumë se shtatëmujori 2025, dhe me realizim në shumën prej 1.2 miliardë lekë ose 102.6% të planit për shtatëmujorin e vitit 2026. Rimbursimet e dhëna për periudhën Janar-Korrik 2026 janë në shumën 8.8 miliardë lekë.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në shumën 34.6 miliardë lekë, me realizim në masën 98.3% të planit për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në shumën 56.6 miliardë lekë, 8.4 miliardë lekë ose 17.3% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025, si dhe 471 milionë lekë ose 0.8% më shumë se plani për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat nga taksat nacionale, për periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në shumën 25.6 miliardë lekë, një realizim në masën 100.2% të planit për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH, periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në shumën 117.6 miliardë lekë, 13.9 miliardë lekë ose 13.4% më shumë se shtatëmujori 2025, si dhe me realizim prej 100.3% të planit për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), për periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në vlerën 142 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 3.8% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025, me realizim 99% të planit për periudhën shtatëmujore 2026 për të ardhurat doganore.

Të ardhurat nga TVSH në import, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë 94.4 miliardë lekë, 3.3 miliardë lekë ose 3.6% më shumë se 7-mujori i vitit 2025, si dhe realizim në masën 98.7% të planit për periudhën shtatëmujore 2026.

Të ardhurat nga akciza, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë realizuar në shumën 40.5 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 3.9% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025, si dhe realizim në masën 99.5% të planit për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat e arkëtuara nga renta minerare në eksport, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në shumën 1.1 miliardë lekë, një realizim në masën 104.9 % kundrejt planit të shtatëmujorit 2026.

Të ardhurat nga taksat doganore, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në vlerën 6 miliardë lekë, 483 milionë lekë ose 8.8% më shumë se periudha 7-mujore e viti 2025, si dhe realizim prej 98.8% kundrejt planit të shtatëmujorit 2026.

 

Shpenzimet:

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 7-mujore të vitit 2026, arritën në rreth 433.2 miliardë lekë, me një realizim në masën 98.2% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 ky zë ka rezultuar 7.8% më i lartë ose rreth 31.3 miliardë lekë më shumë.

Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 7-mujorin e vitit 2026 u realizuan në masën 48.8% të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 47.8% të planit vjetor sipas Aktit Normativ Nr. 2, datë 30.06.2026.

Shpenzimet kapitale, për periudhën 7-mujore të vitit 2026, rezultuan në 49.1 miliardë lekë, një realizim në masën 96.3% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 10.1% më i lartë ose rreth 4.5 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korente, për periudhën 7-mujore të vitit 2026, rezultuan në rreth 384.1 miliardë lekë, ose me realizim në masën 98.5 % të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 7.5% më i lartë ose rreth 26.8 miliardë lekë më shumë.

 

The post Buxheti mblodhi 51 miliardë lekë më shumë në 7-mujor, një e treta nga lejet e ndërtimit appeared first on Revista Monitor.

Nuk ndalet rënia e Euros, arrin minimum të ri historik pranë 92.4 lekëve

25 August 2026 at 13:13

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun nuk po e ndal rënien as këtë javë dhe ka prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të martën me 92.44 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Që nga fillimi i vitit kalendarik, kursi Euro/Lek ka rënë me 4.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia e kursit ka arritur në 4.9%. Të dhënat tregojnë se rënia e kursit të Euros është shpejtuar sidomos gjatë vitit 2026.

Oferta e lartë e valutës e lidhur me sezonin veror e ka thelluar akoma një tendencë rënëse të Euros që ishte shfaqur qysh në tremujorin e parë të vitit. Banka e Shqipërisë e shpjegon këtë tendencë kryesisht me përmirësimet e Bilancit të Pagesave.

Statistikat treguan se për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe rrjedhimisht edhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut ngelet e lidhur ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave.

Sipas saj, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmoi lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë.

Ndërkohë, duke pasur parasysh tendencën e zakonshme të rritjes së prurjeve valutore në tremujorin e dytë dhe veçanërisht në atë të tretë, duket se një ecuri e tillë mund ta shpjegojë shpejtimin e zhvlerësimit të Euros në kursin e këmbimit me Lekun.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se vëllimi i tregtimit valutor në tregun e brendshëm arriti një rekord të ri historik në tremujorin e dytë të vitit. Vlera e këmbimeve valutore arriti në gati 4.5 miliardë euro, në rritje me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Volumi i këmbimeve valutore madje kaloi edhe vlerat e regjistruar në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Rënia e Euros duket se po shpejtohet përsëri këtë vit, pasi ishte ngadalësuar disi vitin e kaluar. Banka e Shqipërisë vazhdon të jetë e pranishme në tregun valutor, duke blerë rregullisht Euro, me qëllim për ta ngadalësuar këtë tendencë. Vetëm për tremujorin e parë, Banka Qendrore bleu rreth 140 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

The post Nuk ndalet rënia e Euros, arrin minimum të ri historik pranë 92.4 lekëve appeared first on Revista Monitor.

Projekti i ri për turizmin, FSHZH kërkon kompani për studimin e fizibilitetit

25 August 2026 at 12:13

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurën për përzgjedhjen e një kompanie konsulence që do të hartojë studimin e fizibilitetit për projektin “Projekti për Zhvillimin e Ekosistemit të Turizmit në Shqipëri”, një nismë që po përgatitet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës Botërore.

Sipas termave të referencës të publikuara nga FSHZH, konsulenti do të ketë për detyrë përgatitjen e një studimi të plotë fizibiliteti, i cili do të mbulojë aspektet teknike, institucionale, financiare dhe ekonomike të projektit, kostot, ndikimet mjedisore dhe sociale, vlerësimin e riskut dhe qëndrueshmërinë e investimeve të propozuara.

Projekti synon të mbështesë zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2024–2030, me fokus rritjen e konkurrueshmërisë, qëndrueshmërisë dhe cilësisë së shërbimeve në destinacionet turistike. Ai parashikohet të ndërtojë mbi eksperiencën e Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik, i cili u mbyll në qershor 2026.

Koncepti i projektit përfshin forcimin e menaxhimit të destinacioneve, investime të përzgjedhura në infrastrukturë dhe asete turistike, mbështetje për konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të turizmit, zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore dhe rritjen e koordinimit mes sektorit publik dhe atij privat.

Në fokusin fillestar gjeografik pritet të jetë klasteri i Jugut të Brendshëm, ndërsa zona të tjera potenciale do të përcaktohen gjatë përgatitjes së projektit, në varësi të gatishmërisë së investimeve, ndikimit të pritshëm dhe kufijve të financimit. Modeli parashikon gjithashtu lidhjen e qendrave të konsoliduara turistike me zonat rurale, asetet kulturore dhe natyrore, agroturizmin, fshatrat dhe eksperiencat e turizmit në natyrë.

FSHZH pritet të jetë agjencia kryesore zbatuese e projektit, ndërsa Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të ketë rolin e institucionit kryesor partner për orientimin strategjik. Në proces do të përfshihen gjithashtu Ministria e Financave, Agjencia Kombëtare e Turizmit, AIDA, institucionet e punësimit dhe aftësive, pushteti vendor dhe aktorë të tjerë të sektorit.

Kompania që do të përzgjidhet duhet të mobilizojë ekspertizë në zhvillimin e turizmit dhe menaxhimin e destinacioneve, analizën ekonomike dhe financiare, planifikimin e infrastrukturës dhe territorit, zhvillimin institucional, çështjet mjedisore e sociale dhe përgatitjen e studimeve të fizibilitetit.

The post Projekti i ri për turizmin, FSHZH kërkon kompani për studimin e fizibilitetit appeared first on Revista Monitor.

❌