Normal view

Propozohen pagesat për kujdesin alternativ, përfitim deri 40 mijë/muaj për fëmijët dhe kujdestarët

23 July 2026 at 14:21

Fëmijët pa kujdes prindëror, për të cilët ofrohet shërbimi i kujdesit alternativ në familje do të përfitojnë mbështetje mujore financiare nga shteti. Përfitues të skemës së re nuk do të jenë vetëm fëmijët, por edhe familjet kujdestare që marrin përsipër ofrimin e këtij shërbimi.

Projektvendimi i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënbies Sociale “Për masën e pagesës për fëmijët e vendosur në kujdes alternativ në familje” propozon 3 lloje pagesash për mbështetjen e kujdesit familjar.

Sipas projektvendimit fëmijët në kujdes alternative drejpërdrejt do të përfitojë pagesë në masën 12 mijë lekë në muaj për përmbushjen e nevojave të përditshme të jetesës. Po ashtu për fëmijët parashikohet dhënia e një tjetër pagese në masën 35 mijë lekë në muaj për përballimin e shpenzimeve të tjera.

Në vitin e parë të zbatimit të kësaj skeme llogariten që efekti financiar për pagesat e drejtpërdrejta të fëmijëve të jenë në vlerën e 27,7 mln lekëve. Deri në fund të 2028 llogaritet që efekti nga pagesat të arrijë në 53.2 mln lekë, përfshirë edhe rritjen me 2% në vit të tyre për shkak të inflacionit.

Po ashtu për familjen që ofron shërbimin e kujdesit alternativ profesional në familje do të përfitojë pagesë mujore në nivelin e pagës minimale.

Projektvendimi përcakton se paga do të përfitohet nga prindi, pas aplikimit si i punësuar në njësinë e qeverisjes vendore, me kontratë punë në përputhje me Kodin e Punës.

Shpenzimet për kujdestarët profesionale llogariten në vlerën e 42 mln lekëve për vitin e parë të zbatimit, ku në skemë do të përfshihen 60 familje.

Për 2027 ku pritet që numri i familjeve kujdestare të arrijë në 140 shpenzimet llogariten të arrijnë në 98 mln lekë.

Në total nga skema për dhënien e pagesave për fëmijët dhe kujdestarët e kujdesit alternativ për vitet 2026-2028 parashikohen të shpenzohen nga buxheti i shtetit rreth 221 mln lekë apo 2.3 mln euro.

Sipas relacionit të projektvendimit, skema e re synon të forcojë kujdesin alternativ në mjedis familjar, duke nxitur që fëmijët pa kujdes prindëror të rriten në një ambient sa më të ngjashëm me atë familjar, në vend të qëndrimit në institucione rezidenciale.

The post Propozohen pagesat për kujdesin alternativ, përfitim deri 40 mijë/muaj për fëmijët dhe kujdestarët appeared first on Revista Monitor.

Inflacioni bazë arrin nivelin më të lartë që prej vitit 2023

23 July 2026 at 13:46

Përbërësit më të qëndrueshëm të inflacionit shënuan një rritje të fortë në muajin qershor.

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, inflacioni bazë, inflacioni bazë neto dhe inflacioni që përjashton ushqimet dhe mallrat energjetike u rritën njëkohësisht dhe në përmas atë ngjashme, duke treguar se presionet për rritjen e çmimeve ngelen të larta, edhe përtej efektit afatshkurtër të shtrenjtimit të naftës.

Shifrat e Bankës Qendrore tregojnë se inflacioni vjetor bazë u rrit në 3.54%, nga 3.15% që kishte qenë një muaj më parë.

Inflacioni bazë ngelet gjithashtu në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur shënonte nivelin 2.69%. Inflacioni bazë ka arritur nivelin më të lartë që prej tetorit të vitit 2023.

Inflacioni bazë qëndroi edhe këtë muaj sipër nivelit të inflacionit total në ekonomi, që për qershorin, sipas shifrave të INSTAT, arriti në 3.2%.

Nënshporta që mat inflacionin bazë llogaritet mbi një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë 69.8% të totalit të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Inflacioni bazë përjashton produktet që nga natyra kanë luhatshmëri të lartë, si ato ushqimore dhe energjetike.

Llogaritja e inflacionit bazë ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër. Inflacioni bazë është një indikator i rëndësishëm për të kuptuar tendencat më afatgjata të çmimeve dhe ndaj monitorohet vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë.

Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto u rrit në përmasa të ngjashme.

Për qershorin, ky tregues arriti në nivelin në 4.03%, nga 3.6% që kishte qenë në maj dhe gjithashtu në rritje të dukshme nga niveli prej 2.45% i një viti më parë.

Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 49% të shportës së IÇK-së.

Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike në qershor 2026 u rrit në nivelin 3.94%, nga 3.54% që kishte qenë në maj dhe 2.38% që kishte qenë një vit më parë.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se rritja e çmimeve nuk është e lidhur vetëm me luhatjen e çmimeve të naftës, të shkaktuar kryesisht nga tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Presionet inflacioniste në ekonominë shqiptare kanë një bazë më të qëndrueshme, çka e bën më të mundshme një rritje të normave të interesit në të ardhmen e afërt.

Në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të këtij muaji, Banka e Shqipërisë vendosi ta lërë normën bazë të interesit të pandryshuar në nivelin 2.5%.

Sipas deklaratës së Këshillit Mbikëqyrës, mbështetur në pritjet për një normalizim të tensioneve gjeopolitike dhe të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, goditja e ofertës në tremujorin e dytë pritet të ketë pasoja kalimtare në ekonominë shqiptare.

Megjithatë, javët në vijim tensionet në Lindjen e mesme janë ndezur përsëri dhe për më tepër edhe presionet inflacioniste që gjeneron ekonomia e brendshme duken të jenë në rritje të vazhdueshme.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

The post Inflacioni bazë arrin nivelin më të lartë që prej vitit 2023 appeared first on Revista Monitor.

Bizneset e reja rriten me 7.5% në 6-mujorin e parë, shtohen edhe regjistrimet me kapital të huaj

23 July 2026 at 13:34

Regjistrimet e bizneseve të reja në vend u rritën me 7.5% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB).

Në periudhën janar-qershor u regjistruan 11,567 subjekte të reja, ose 806 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Personat fizikë përbënin 75.7% të regjistrimeve, me 8,757 subjekte, ndërsa u regjistruan edhe 2,775 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (SHPK).

Sipas strukturës së kapitalit, 10,179 subjekte ishin me kapital 100% shqiptar. Regjistrimet e bizneseve me kapital 100% të huaj arritën në 1,240, me një rritje prej 35.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tirana përqendroi 6,039 regjistrime, ose 52.2% të totalit. Pas saj renditen Vlora me 1,347 dhe Durrësi me 1,310 regjistrime. Rritje të regjistrimeve u raportuan edhe në qarqet Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës.

Tregtia me shumicë dhe pakicë ishte sektori me numrin më të lartë të regjistrimeve të reja, me 2,771 subjekte. Pas tij renditen akomodimi dhe shërbimi ushqimor, aktivitetet profesionale, transporti, si edhe informacioni dhe komunikacioni. Sipas QKB-së, sektori i pasurive të paluajtshme regjistroi një rritje prej 35.8%, ndërsa transporti dhe magazinimi u rritën me 26.3%.

Në Regjistrin Kombëtar të Lejeve, Licencave dhe Autorizimeve u regjistruan 897 licenca dhe 124 leje gjatë gjashtëmujorit të parë. Numri i lejeve ishte 6.9% më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërsa lejet mjedisore të tipit B përbënin kategorinë kryesore.

Në Regjistrin e Pronarëve Përfitues u regjistruan 2,813 subjekte, 7.1% më shumë se një vit më parë. Pjesa më e madhe e regjistrimeve i përkiste shoqërive me përgjegjësi të kufizuar.

The post Bizneset e reja rriten me 7.5% në 6-mujorin e parë, shtohen edhe regjistrimet me kapital të huaj appeared first on Revista Monitor.

Dy operatorët celularë fituan 35 milionë euro vitin e kaluar

23 July 2026 at 13:00

Fitimi i operatorëve celularë në vend u rrit për të tretin vit radhazi në 2025.

Sipas informacionit të raportuar në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për vitin e kaluar Vodafone Albania raortoi një fitim neto në vlerën e rreth 1.7 miliardë lekëve, në rritje me 42% krahasuar me një vit më parë.

Një fitim në vlerë të njëjtë ka raportuar edhe operatori i dytë One Albania, por që gjithashtu e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me një vit më parë.

Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2025 me një fitim neto në vlerën e 1.7 miliardë lekëve, në rritje me 257% krahasuar me një vit më parë.

Në total, dy operatorët celularë fituan afërsisht 3.4 miliardë lekë (më shumë se 35 milionë euro) për 2025, në rritje me 102% krahasuar me një vit më parë.

Me këtë shifër, dy operatorët celularë kanë arritur fitimin më të lartë në gjashtë vitet e fundit

Në mungesë të pasqyrave të detajuara financiare, mund të vlerësohet se rritja e çmimeve të shërbimeve të komunikimit po ndikon pozitivisht bazën e të ardhurave të operatorëve dhe rritjen e fitimeve të tyre.

Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 28.95 miliardë lekë, në rritje me 3.7% krahasuar me një vit më parë.

Ulja e numrit të operatorëve celularë nga tre në dy, por edhe rezultatet e pakënaqshme financiare të tyre kanë sjellë shtrenjtimin gradual të paketave të komunikimit. / E.Shehu

 

https://monitor.al/jo-vetem-ushqimet-shqiptaret-paguajne-dhe-per-komunikimin-7-6-me-shume-se-mesatarja-e-be-se/

Rritet tregu i komunikimit

Burimi: AKEP

The post Dy operatorët celularë fituan 35 milionë euro vitin e kaluar appeared first on Revista Monitor.

Tregu i qirasë financiare arriti vlerën e 146 milionë eurove

23 July 2026 at 12:00

Tregu i qirasë financiare (lizingut) u rrit sërish me ritme dyshifrore për vitin e kaluar.

Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, portofoli i qirasë financiare në fund të vitit 2025 arriti vlerën e 14.1 miliardë lekëve ose rreth 146 milionë eurove. Vlera e portofolit u rrit me 12.8% krahasuar me vitin 2024.

Qiraja financiare është një produkt i ngjashëm me kredinë, por ndryshimi kryesor është se produkti i financuar nëpërmjet saj mbetet në pronësi të institucionit financiar deri në momentin kur klienti shlyen detyrimin e plotë.

Mekanizmi i lizingut parashikon një parapagim të pjesshëm nga klienti të vlerës së mjetit apo pajisjes së financuar, ndërsa pjesa e mbetur paguhet me këste mujore deri në shlyerjen e plotë të vlerës. Qiraja financiare është një produkt i fokusuar kryesisht në financimin e mjeteve të transportit të bizneseve dhe individëve dhe në një pjesë më të vogël në financimin e pajisjeve dhe linjave të prodhimit të bizneseve.

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, portofoli i qirasë financiare, sipas produkteve, dominohet nga financimet për mjete transporti personale (67%) dhe mjete transporti pune (24%).

Portofoli i financimit të automjeteve personale vitin e kaluar u rrit me 81%, ndërsa ai i financimit të mjeteve të punës pësoi rënie me rreth 2.3%.

Ndërkohë, pajisjet e tjera të punës dhe linjat e prodhimit përbënin afërsisht 7% të portofolit total të qirasë financiare. Vlera e këtij portofoli u rrit me 22% gjatë vitit 2025, për një shumë totale prej rreth 960 milionë lekësh.

Në një masë më të vogël, produkti i qirasë financiare përdoret edhe për financimin e pasurive të paluajtshme. Në fund të 2025, ky portofol kishte vlerën modeste të 170 milionë lekëve (1.2% të portofolit total).

Tregu i qirasë financiare, ashtu si ai i produkteve të tjera financiare, ka ndjekur rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në periudhën pas pandemisë. Produkti është nxitur ndjeshëm nga rritja e turizmit, që ka rritur kërkesën për taksi dhe flotat e reja janë të orientuara drejt automjeteve elektrike. Blerja e tyre përbën një segment të rëndësishëm të kërkesës për financime me lizing. Një aktivitetet tjetër ku lizingu ka peshë të rëndësishme është financimi i blerjes së automjeteve për dhënien e tyre me qira, kryesisht për përdorim nga turistët.

Efekti i tërthortë i turizmit është shtrirë edhe në sektorët e distribucionit dhe tregtisë, që kanë zgjeruar flotat e tyre të automjeteve. Një segment në rritje është edhe ai i shërbimeve mjekësore (edhe këtu një pjesë e rëndësishme e kërkesës vjen nga turizmi mjekësor), ku blerja ose rinovimi i pajisjeve po financohet në një masë të madhe me qira financiare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht në Shqipëri ushtrojnë aktivitet 10 institucione të licencuara për ofrimin e qirasë financiare. Megjithatë, veç institucioneve financiare jobanka, ky produkt ofrohet edhe nga disa prej bankave tregtare në vend./ E.Shehu

Burimi: BSH

The post Tregu i qirasë financiare arriti vlerën e 146 milionë eurove appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë borxhin më të lartë në rajon, Kosova më të ulëtin

23 July 2026 at 11:00

Borxhi publik në vendet e Ballkanit Perëndimor ndoqi përgjithësisht një prirje rënëse pas niveleve të larta të fillimit të dekadës, por ecuria nuk ka qenë e njëjtë në të gjitha ekonomitë.

Deri në vitin 2025, Shqipëria, Serbia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut e kishin ulur raportin e borxhit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në Malin e Zi rënia e fortë e viteve të para u pasua nga një rritje e re. Borxhi nisi të zgjerohej lehtë edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Sipas të dhënave të Komisionit Europian, Mali i Zi dhe Shqipëria kishin në vitin 2025 raportin më të lartë të borxhit publik ndaj ekonomisë në rajon. Borxhi i Malit të Zi arriti në 63.5% të PBB-së, ndërsa ai i Shqipërisë ishte 52.9%. Pas tyre renditej Maqedonia e Veriut me 51.6%, Serbia me 44.4%, Bosnjë dhe Hercegovina me 27% dhe Kosova me 16.5%.

 

Shqipëria, tendencë në ulje

Pavarësisht renditjes së lartë, Shqipëria ka shënuar uljen më të madhe të borxhit në rajon gjatë periudhës së analizuar. Raporti zbriti nga 74.1% e PBB-së në vitin 2021 në 64.1% në vitin 2022 dhe 57.6% në vitin 2023. Rënia vijoi në 54.2% në vitin 2024 dhe 52.9% në vitin 2025.

Komisioni Europian parashikon që tendenca rënëse të vazhdojë. Borxhi i përgjithshëm i qeverisë pritet të ulet në 52.3% të PBB-së në vitin 2026 dhe në 50.3% në vitin 2027. Në tremujorin e parë të vitit 2026, raporti i borxhit publik zbriti në 48.8% të PBB-së, mbi 5 pikë përqindjeje më pak se një vit më parë. Komisioni Europian sqaron se rënia lidhet si me uljen e stokut nominal të borxhit, ashtu edhe me rritjen e PBB-së nominale, përfshirë përditësimin e vlerësimeve nga Ministria e Financave.

 

Mali i Zi, borxhi pritet të rritet në 69.4% në 2026

Mali i Zi vijon të ketë barrën më të lartë të borxhit publik në Ballkanin Perëndimor. Raporti i borxhit ndaj PBB-së ra nga 84% në vitin 2021 në 70.8% në vitin 2022 dhe në 59.3% në vitin 2023.

Pas kësaj rënieje, tendenca ndryshoi. Borxhi u rrit në 61.3% të PBB-së në vitin 2024 dhe në 63.5% në vitin 2025. Për vitin 2026, Komisioni Europian parashikon një rritje të mëtejshme në 69.4%, përpara se raporti të ulet në 64.3% në vitin 2027.

Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2026 tregojnë një ulje të përkohshme të raportit në 59% të PBB-së, nga 63.5% në fund të vitit 2025. Megjithatë, zgjerimi i shpenzimeve dhe nevojat për financim pritet ta rrisin borxhin në pjesën tjetër të vitit.

 

Maqedonia e Veriut rikthehet në rritje

Maqedonia e Veriut nuk ka shënuar një tendencë të qëndrueshme në uljen e borxhit. Raporti ishte 51.4% e PBB-së në vitin 2021 dhe zbriti lehtë në 49.7% në vitin 2022 dhe 49.5% në vitin 2023.

Në vitin 2024, borxhi u rrit në 53% të PBB-së, përpara se të ulej në 51.6% në vitin 2025. Komisioni pret që ai të rritet sërish në 52.5% në vitin 2026 dhe në 53.3% në vitin 2027.

Në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, borxhi i përgjithshëm i qeverisë arriti në 51.9% të PBB-së së parashikuar, 0.3 pikë përqindjeje më shumë se në fund të vitit 2025. Rritja lidhet edhe me zgjerimin e deficitit dhe shpenzimeve kapitale.

 

Serbia e ul borxhin më shumë se vendet e tjera

Serbia, e cila dikur ishte një nga vendet me nivelin më të lartë të borxhit në rajon, ka shënuar një trajektore rënëse të vazhdueshme. Borxhi zbriti nga 53.9% e PBB-së në vitin 2021 në 52.5% në vitin 2022, 48% në vitin 2023 dhe 46.7% në vitin 2024.

Në vitin 2025, raporti ra më tej në 44.4%, rreth 8.5 pikë përqindjeje më poshtë se në Shqipëri. Komisioni parashikon një rritje të lehtë në 45.8% në vitin 2026, ndërsa për vitin 2027 pritet një ulje në 45%.

 

Bosnjë dhe Hercegovina, borxhi nis të rritet

Bosnjë dhe Hercegovina ka një nga nivelet më të ulëta të borxhit në rajon, por tendenca ka ndryshuar pas vitit 2024.

Borxhi zbriti nga 33.9% e PBB-së në vitin 2021 në 29.3% në vitin 2022, 26.4% në vitin 2023 dhe 26.1% në vitin 2024. Në vitin 2025, raporti u rrit në 27%.

Komisioni Europian pret që rritja të vijojë, me borxhin që parashikohet në 27.5% të PBB-së në vitin 2026 dhe në 28.3% në vitin 2027. Në tremujorin e parë të vitit 2026, raporti ishte 27.5%, i ndikuar kryesisht nga shtimi i borxhit afatshkurtër në monedhën vendase. Stoku nominal i borxhit u rrit me 11.6% në krahasim me një vit më parë.

 

Kosova ka borxhin më të ulët në rajon

Kosova vijon të ketë nivelin më të ulët të borxhit publik në Ballkanin Perëndimor. Raporti zbriti nga 21.5% e PBB-së në vitin 2021 në 20% në vitin 2022 dhe 17.5% në vitin 2023.

Rënia vazhdoi në 16.8% në vitin 2024 dhe në 16.5% në vitin 2025. Në tremujorin e parë të vitit 2026, borxhi ishte ulur më tej në 15.6% të PBB-së. Raporti i Komisionit Europian nuk jep parashikime vjetore për Kosovën për vitet 2026 dhe 2027.

The post Shqipëria dhe Mali i Zi kanë borxhin më të lartë në rajon, Kosova më të ulëtin appeared first on Revista Monitor.

Nga algoritmi te të ardhurat, drafti i ri detyron platformat të justifikojnë vendimet ndaj krijuesve

23 July 2026 at 09:42

Platformat online që operojnë në Shqipëri do të duhet të justifikojnë jo vetëm heqjen e përmbajtjes, por edhe çdo vendim për pezullimin ose kufizimin e të ardhurave të krijuesve të përmbajtjes, sipas projektligjit të ri “Për Shërbimet Digjitale” i nxjerrë për konsultim. Drafti, i harmonizuar pjesërisht me Aktin Evropian për Shërbimet Digjitale (DSA), vendos një regjim të ri detyrimesh për shërbimet ndërmjetëse, duke zgjeruar kërkesat për transparencë, mbrojtjen e përdoruesve dhe përgjegjshmërinë e platformave që operojnë në tregun shqiptar.

Një nga ndryshimet me ndikimin më të madh prek ekonominë e krijuesve të përmbajtjes. Për herë të parë, projektligji trajton çmonetizimin si një vendim që duhet të jetë i arsyetuar. Platformat do të detyrohen t’u komunikojnë përdoruesve arsyet kur vendosin “pezullimin, ndërprerjen ose kufizime të tjera të pagesave monetare”, duke e vendosur kufizimin e të ardhurave në të njëjtin regjim me heqjen e përmbajtjes apo mbylljen e një llogarie.

Drafti shkon një hap më tej, duke u dhënë përdoruesve të drejtën të kundërshtojnë këto vendime. Sistemet e brendshme të ankesave që platformat do të jenë të detyruara të krijojnë do të mbulojnë edhe vendimet që “pezullojnë, ndërpresin ose kufizojnë ndryshe aftësinë për të gjeneruar të ardhura nga informacioni i ofruar nga marrësit e shërbimit”. Projektligji kërkon gjithashtu që shqyrtimi i këtyre ankesave të mos mbështetet vetëm në algoritme, por vendimet të merren “nën mbikëqyrjen e personelit të kualifikuar dhe jo vetëm mbi bazën e mjeteve të automatizuara”.

Përtej monetizimit, projektligji krijon një sistem të ri “njofto dhe vepro” për përmbajtjen e paligjshme. Ofruesit e shërbimeve të hostimit do të duhet të krijojnë mekanizma elektronikë përmes të cilëve çdo individ ose subjekt mund të raportojë materiale të dyshuara si të paligjshme. Platformat do të jenë të detyruara të konfirmojnë marrjen e raportimit, ta shqyrtojnë atë në mënyrë “koherente, të kujdesshme, jo arbitrare dhe objektive” dhe të njoftojnë raportuesin për vendimin e marrë dhe mjetet juridike në dispozicion.

Një tjetër shtyllë e reformës është rritja e transparencës mbi mënyrën se si funksionojnë platformat. Ofruesit do të publikojnë të paktën një herë në vit raporte me të dhëna mbi urdhrat e autoriteteve, njoftimet për përmbajtje të paligjshme, ankesat e përdoruesve dhe përdorimin e sistemeve të automatizuara për moderimin e përmbajtjes, duke përfshirë edhe tregues mbi saktësinë dhe shkallën e mundshme të gabimeve të tyre. Përjashtim bëjnë vetëm ndërmarrjet mikro dhe të vogla.

Projektligji zgjeron gjithashtu juridiksionin ndaj platformave të huaja. Çdo ofrues që nuk është i themeluar në Shqipëri, por u ofron shërbime përdoruesve shqiptarë, do të duhet të caktojë një përfaqësues ligjor në Shqipëri ose në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian, i cili do të shërbejë si pikë kontakti me autoritetet shqiptare për zbatimin e ligjit. Paralelisht krijohet edhe Koordinatori i Shërbimeve Digjitale, organi rregullator që do të mbikëqyrë zbatimin e ligjit dhe bashkëpunimin me autoritetet vendase dhe homologët ndërkombëtarë.

Projektligji ruan një nga parimet bazë të modelit evropian, duke përcaktuar se ofruesit e shërbimeve ndërmjetëse nuk kanë një detyrim të përgjithshëm për të monitoruar përmbajtjen e përdoruesve. Megjithatë, ata do të jenë të detyruar të zbatojnë urdhrat e autoriteteve për heqjen e përmbajtjes së paligjshme ose për dhënien e informacionit mbi përdorues të caktuar, kur këto urdhra përmbajnë bazën ligjore, arsyetimin dhe identifikimin e qartë të përmbajtjes ose llogarisë që preket.

The post Nga algoritmi te të ardhurat, drafti i ri detyron platformat të justifikojnë vendimet ndaj krijuesve appeared first on Revista Monitor.

Keydata: Çmimet e apartamenteve rriten 122% brenda 7 viteve, arrijnë gati 2.2 mijë euro/m² në mars

23 July 2026 at 06:03

Arrin në nivele rekord çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve në Tiranë. Deri në muajin mars 2026, çmimi mesatar për apartamentet ka arritur 2,141 euro/m².

Çmimi median ka arritur 2,046 euro për metër katror.

Të dhënat për ecurinë e çmimeve mesatare të apartamenteve nga 2005 deri në 3-mujorin e parë të 2026-s  janë publikuar në indeksin “Keydata Albania” të “Çelësi Media Group”.

Indeksi përfshin një përzierje të dhënash, përfshirë çmimet e apartamenteve të rishitura dhe të reja, megjithatë shumica e tregut që pasqyrohet në indeks është bazuar në çmimet e apartamenteve të rishitura.

Në 7 vite, çmimet e apartamenteve në Tiranë rezultojnë se janë dyfishuar.

Krahasuar me 3-mujorin e parë të 2019-s, periudhë kur nisi përshpejtimi i rritjes, çmimet mesatare të apartamenteve në 3-mujorin e parë të 2026 janë bërë dy herë më të larta. Nga 964 euro për metër katror, çmimi mesatar arrin në nivelin e 2,141 eurove për metër katror apo 122% më shumë.

Në krahasim me 2005-n, viti më i hershëm kur ka filluar llogaritja, dhe çmimi mesatar ishte 664 euro/m², rritja e çmimeve është rreth 222% më shumë.

Çmimi mesatar i apartamenteve në 21 vite është mbi trefishuar krahasuar me vitin 2005.

Ndryshime të çmimeve mesatare të apartamenteve ka pasur edhe për tre zonat kryesore të analizuara nga indeksi.

Në zonën e ish – Blloku çmimi mesatar i shitjes ka arritur 3,003 euro për metër katror deri në muajin mars 2026 nga 1,574 euro për metër katror që ishte çmimi në 3-mujorin e parë të 2022. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 4 viteve më parë çmimi mestar në këtë zonë është rritur me 90%.

Brenda Unazës së Vogël të Tiranës ,çmimi mesatar ka arritur 2,431 euro për metër katror nga 1,269 euro që ishte në 3-mujorin e parë të 2022. Edhe në këtë çmimet janë rritur rreth 92% krahasuar me 4 vite më parë.

Shtrenjtim të çmimeve ka pasur edhe për apartamentet jashtë Unazës së Vogël. Në këtë zonë regjistrohet çmim mesatar prej 2,022 euro për metër katror nga 1,056 që ishte në 3 mujorin e parë të 2022. Rritja me 91.4%.

Sipas raportit në Grafikun 1 është paraqitur kurba e evoluimit në kohë të indeksit të çmimit real të shitjes së apartamenteve në Tiranë për periudhën e tremujorëve 2020-2026. Si bazë krahasuese për të gjitha periudhat e përfshira në vlerësim, ekspertët e Keydata kanë përcaktuar vitin 2005 si një periudhë që plotëson kriteret dhe kushtet e një momenti të qëndrueshëm për tregun e pronave të paluajtshme. Vlera e indeksit për vitin 2005 është caktuar 100.

Nga tremujori i parë 2020 deri në tremujorin e parë 2026, çmimi real i shitjes së apartamenteve në Tiranë është rritur me 117%. Inflacioni kumulativ për tremujorët 2020-2026 përllogaritet në 77.3%.

Referuar grafikut të mësipërm, kurba e indeksit të çmimit të shitjes së apartamenteve në Tiranë ka pësuar fluktuacione të pakta përgjatë kësaj periudhe kohore, mes të cilave do të nënvizonim:

Momentet kryesore të rritjes janë listuar si më poshtë:

Tremujori i tretë 2020 deri në tremujorin e dytë 2023; indeksi është rritur me: 3.17%; 2.2%, 0.41%, 0.69% dhe 0.63%, 1.89%, 0.85%, 1.70%, 5.56%, 3.00%, 0.72% dhe 6.24% përkatësisht nga njëri tremujor në tjetrin. Nga tremujori i tretë në tremujorin e kartër indeksi është rritur me një përqindje më të lartë, përkatësisht me 21%, nga tremujori i katërt në tremujorin e parë 2024, indeksi është rritur me 10.09%, nga tremujori i parë në të dytë 2024, indeksi është rritur me 2.26% dhe nga tremujori i dytë në atë të tretë është rritur me 4.19%. Periudha aktuale, tremujori i dytë 2025 shoqërohet me një rritje me 23% krahasuar me tremujorin e parë 2025, ndërsa tremujori i tretë krahasuar me tremujorin e dytë është rritur me një përqindje shumë të vogël, 0.91%. Në tremujorin e parë 2026, çmimet reale të shitjes janë rritur me 9.5% krahasuar me tremujorin e fundit 2025.

Rënie në indeks vërehet nga tremujori i parë në tremujorin e dytë 2020, një rënie me  2.37 % në indeksin e çmimit të shitjes së apartamenteve në Tiranë, një rënie me 1.04% nga tremujori i dytë në tremujorin e tretë 2023, një rënie në periudhën aktuale nga tremujori i tretë në tremujorin e katërt 2024 me 2.57% dhe nga tremujori i fundit 2024 në tremujorin e parë 2025 me 5.26%. Tremujori i fundit 2025 është shoqëruar me një rënie në indeksin e shitjes së apartamenteve në Tiranë me 3.1% krahasuar me tremujorin e tretë 2025.

Në Grafikun 2 më sipër paraqitet çmimi mesatar real i shitjes së apartamenteve në Tiranë në Euro/m2 për periudhën e tremujorëve 2020-2026, shprehur në vlerë reale (i deflatuar me normën e inflacionit) si dhe çmimet mediane (vlera e mesit). Nga tremujori i parë 2020 deri në tremujorin e parë 2026, niveli i çmimeve mesatare reale në Tiranë ka lëvizur brenda intervalit 1,030 €/m2 – 2,141 €/m2, ndërsa çmimet mediane brenda intervalit 984 €/m2 në 2,046 €/m2.

Në tremujorin e parë 2026, çmimet mesatare dhe mediane përllogariten në 2,141 €/m2 dhe 2,046 €/m2, respektivisht. Krahasimisht me tremujorin e fundit 2025, në këtë tremujor, çmimet mesatare reale të shitjes së apartamenteve në Tiranë janë rritur me 2.4% dhe çmimet mediane janë rritur me 4.5%.

Ҫmimet mesatare, në ndryshim nga indeksi i çmimeve, përllogariten në proporcion me numrin e apartamenteve që janë në shitje në një periudhë të caktuar. Kështu, një rritje apo rënie në çmimet mesatare, jo domosdoshmërisht duhet të interpretohet me një dukuri që mund të ketë ndodhur të tregun e pasurive të paluajtshme. Ajo mund të interpretohet me faktin se në një moment të caktuar, oferta për apartamente është rritur ose ulur.

Në Grafikun 3, paraqitet çmimi mesatar real dhe median i shitjes së apartamenteve në Tiranë (Euro/m2) në zonën brenda Unazës së vogël për periudhën e tremujorëve 2020-2026. Siç mund të vihet re nga grafiku, çmimi mesatar real i shitjes në këtë zonë, ka ardhur duke u rritur, në intervalin 1,128 – 2,478 €/m2. Çmimet mediane luhaten në intervalet 1,074 – 2,282 €/m2.

Një tendencë e vogël rënëse e çmimeve në zonën brenda Unazës së vogël vihet re në tremujorin e parë 2026. Në këtë tremujor, çmimi mesatar përllogaritet në 2,431 €/m2; çmimi median përllogaritet në 2,282 €/m2. Krahasuar me tremujorin e fundit 2025, në këtë tremujor, çmimet mesatare janë ulur me 1.9% dhe çmimet mediane janë rritur me 1.3%.

 

Në Grafikun 4 është paraqitur kurba e evoluimit të çmimit mesatar real dhe medianës së  çmimeve (Euro/m2) të apartamenteve në zonën e Bllokut. Në këtë zonë, çmimet mesatare të shitjes kanë pësuar një luhatje të konsiderueshme duke variuar në intervalin 1,462€/m2-3,003€/m2 ndërsa çmimet median brenda intervalit 1,387€/m2 -3,004€/m2.

Një rënie e nivelit të çmimeve mesatare reale vihet re në tremujorin e dytë 2020, 13.7%, shoqëruar më pas me një rritje me të madhe me 20.7% krahasuar me një tremujor më parë, një rënie me 3.2 % nga tremujori i katërt 2020 në tremujorin e parë 2021 shoqëruar më pas me një rritje me 6.2% dhe sërisht një rritje me 2.9% nga tremujori i dytë në tremujorin e tretë 2021, me një rënie nga tremujori i tretë në të katërt me 1.4%, nga tremujori i parë në të dytë një rritje me 9.8% dhe një rritje me 13.4% nga tremujori i tretë në tremujorin e fundit 2022. Përsa i përket periudhës aktuale, në këtë tremujor të parë 2026, mesatarisht një apartament në zonën e bllokut shitet në vlerën 3,003€/m2, çmimi median përllogaritet në vlerën 3,004 €/m2. Çmimet mesatare në këtë tremujor krahasuar me tremujorin e katërt 2025 kanë pësuar një rritje me 1.8% ndërsa çmimet mediane janë rritur me 9.7%.

Grafikun 5 paraqitet evoluimi i çmimit mesatar real dhe median të shitjes në Euro/m2 të apartamenteve në zonën jashtë Unazës së vogël. Çmimet mesatare reale në këtë zonë variojnë nga një interval 959 €/m2 deri në 2,022 €/m2 në tremujorin e parë 2026. Çmimet mediane variojnë në intervalin nga 930 €/m2 – 1,951€/m2.

Tremujori i parë 2026 karakterizohet nga një rritje e çmimeve mesatare të shitjes së apartamenteve në këtë zonë. Ҫmimet reale mesatare përllogariten në 2,022 €/m2, ndërsa çmimet mediane në nivelin 1,951€/m2, duke pësuar një rritje me 3.3%, ndërsa çmimet mediane janë rritur me 5.7% krahasuar me tremujorin e katërt 2025.  / D.Azo

The post Keydata: Çmimet e apartamenteve rriten 122% brenda 7 viteve, arrijnë gati 2.2 mijë euro/m² në mars appeared first on Revista Monitor.

Rritja e të ardhurave dhe shtimi i pensioneve të pjesshme ulin barrën e buxhetit për subvencione

23 July 2026 at 06:01

Shteti po jep çdo vit më pak para nga buxheti për të mbuluar fondet që nuk sigurohen skemën e sigurimeve shoqërore nga të ardhurat dhe skemat suplementare.

Rritja e të ardhurave nga  kontributet që paguajnë punonjësit dhe bizneset po mbulojnë një pjesë më të madhe të pensioneve, duke ulur nevojën që qeveria të financojë skemën me para nga taksat. Kjo ka lehtësuar barrën mbi buxhetin e shtetit.

Një pjesë e fondeve që më parë shkonin për të mbuluar deficitin e skemës së pensioneve mund të përdoren për qëllime të tjera, si financimi i bonuseve të pensionistëve në fund të vitit ose masa të tjera mbështetëse.

Të dhënat zyrtare nga ISSH tregojnë se në vitin 2025 subvencioni nga buxheti për skemën e sigurimeve shoqërore zbriti në 10.2 miliardë lekë, ose 0.38% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), niveli më i ulët i pesë viteve të fundit. Në vitin 2021, ky financim arrinte në 26.5 miliardë lekë, ose 1.42% të PBB-së, çka tregon se varësia e skemës nga buxheti është ulur ndjeshëm.

Në vitin 2025, subvencioni për skemën e sigurimeve shoqërore zbriti në rreth 10.2 miliardë lekë, nga 13.5 miliardë lekë në vitin 2024 dhe 26.5 miliardë lekë në vitin 2021.

Në krahasim me vitin 2021, financimi shtesë nga buxheti është ulur me rreth 16.4 miliardë lekë (rreth 170 mln euro), ose me afro 62%.

Skema e pensioneve vazhdon të shpenzojë më shumë sesa mbledh nga kontributet, por diferenca që duhet të mbulojë buxheti është bërë më e vogël. Kjo e ka lehtësuar buxhetin e shtetit dhe ka krijuar më shumë hapësirë financiare për masa të tjera në favor të pensionistëve.

Një pjesë e kësaj hapësire mund të përdoret për financimin e bonuseve të fundvitit, shtesave mujore apo programeve të tjera mbështetëse, megjithëse kursimet nga subvencioni nuk kalojnë automatikisht dhe tërësisht për bonuset.

Një nga arsyet kryesore është rritja e të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore. Rritja e pagave, shtimi i punësimit formal dhe deklarimi i pagave më të larta kanë rritur shumën që punonjësit dhe bizneset derdhin çdo muaj në skemë.

Por ulja e subvencionit lidhet edhe me një zhvillim më pak pozitiv, pasi një pjesë gjithnjë e më e madhe e pensionistëve nuk po arrin të marrë pension të plotë.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2025 rreth 55.2% e pensionistëve të pleqërisë përfitonin pension të pjesshëm, nga 52.1% në vitin 2024. Pra, më shumë se gjysma e pensionistëve marrin pagesa të llogaritura mbi më pak vite kontributesh dhe jo pension të plotë.

Pensionet e pjesshme janë zakonisht më të ulëta, pasi përfituesit nuk kanë plotësuar vitet e sigurimit që kërkohen për pension të plotë. Për rrjedhojë, edhe shpenzimi mesatar i skemës për këta pensionistë është më i ulët.

Ulja e subvencionit është pozitive për financat publike, pasi buxheti duhet të përdorë më pak të ardhura nga taksat për të mbuluar deficitin e zakonshëm të skemës.

Burimi: ISSH

The post Rritja e të ardhurave dhe shtimi i pensioneve të pjesshme ulin barrën e buxhetit për subvencione appeared first on Revista Monitor.

Reformë në drejtësi, por Shqipëria ndër vendet me më pak gjyqtarë në raport me popullsinë

23 July 2026 at 06:00

Pavarësisht reformës së thellë në drejtësi dhe procesit shumëvjeçar të rivlerësimit të magjistratëve, Shqipëria vijon të ketë një nga numrat më të ulët të gjyqtarëve në raport me popullsinë në Europë.

Në vitin 2024, vendi kishte vetëm 9.66 gjyqtarë profesionistë për çdo 100 mijë banorë, sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor (për Shqipërinë Eurostat raporton vetëm të dhënat për numrin e gjyqtarëve, raporti për 100 mijë banorë është përllogaritur nga redaksia).

Ky nivel ishte rreth 39% më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, prej 15.7 gjyqtarësh për 100 mijë banorë.

Mes 32 vendeve europiane dhe të rajonit për të cilat ka të dhëna, Shqipëria renditej e nënta nga fundi. Raport më të ulët kishin vetëm Suedia, Malta, Polonia, Italia, Çekia, Spanja, Austria dhe Irlanda.

Në raport me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, Shqipëria ka një diferencë të madh. Mali i Zi kishte 42.49 gjyqtarë për 100 mijë banorë, Serbia 40.18 dhe Maqedonia e Veriut 20.15.

Në raport me popullsinë, Mali i Zi kishte mbi katër herë më shumë gjyqtarë se Shqipëria, ndërsa Serbia rreth katër herë më shumë. Për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën nuk figurojnë të dhëna në tabelën përkatëse.

Niveli i ulët pasqyron tkurrjen e trupës gjyqësore gjatë procesit të rivlerësimit, kur largimet, dorëheqjet dhe shkarkimet nuk u zëvendësuan me të njëjtin ritëm nga emërimet e reja. Për pasojë, një pjesë e gjykatave kanë funksionuar me vende vakante, ndërsa çështjet e mbartura dhe kohëzgjatja e proceseve janë kthyer në një nga problematikat kryesore të sistemit.

Të dhënat e tjera të Eurostat treguan se Shqipëria ka 55% të gjyqtareve femra, një nga më të ulëtat në Europë.

Shqipëria, ndër vendet me më pak gra gjyqtare në Europë

Kroacia dhe Mali i Zi kryesojnë Europën

Kroacia kishte raportin më të lartë në Europë, me 43.32 gjyqtarë profesionistë për 100 mijë banorë. Pas saj renditej Mali i Zi me 42.49, Serbia me 40.18 dhe Sllovenia me 40.16.
Nivele të larta shënonin gjithashtu Luksemburgu, me 36.01 gjyqtarë për 100 mijë banorë, Bullgaria me 35.37 dhe Rumania me 35.31.

Në Gjermani raporti arrinte në 26.3, në Greqi në 26.06, ndërsa në Finlandë dhe Estoni përkatësisht në 19.38 dhe 18.11 gjyqtarë për 100 mijë banorë.

Eurostat raportoi se në të gjithë Bashkimin Europian numri i gjyqtarëve në raport me popullsinë është ulur edhe në nivel europian gjatë dekadës së fundit. BE kishte mesatarisht 15.7 gjyqtarë profesionistë për 100 mijë banorë në vitin 2024, nga 17.7 në vitin 2014.

Irlanda kishte numrin më të ulët të gjyqtarëve në raport me popullsinë, me vetëm 3.64 për 100 mijë banorë. Ajo ndiqej nga Austria me 4.32, Spanja me 6.18, Çekia me 6.72 dhe Italia me 7.86.
Polonia regjistronte 8.01 gjyqtarë për 100 mijë banorë, Malta 8.52 dhe Suedia 9.04, të gjitha poshtë nivelit të Shqipërisë.

Megjithatë, krahasimi i drejtpërdrejtë mes vendeve duhet interpretuar edhe në raport me organizimin e ndryshëm të sistemeve gjyqësore, kompetencat e gjykatave dhe rolin e personelit tjetër juridik. Eurostat sqaron gjithashtu se të dhënat për Austrinë dhe Çekinë përfshijnë vetëm gjyqtarët e autorizuar për të shqyrtuar çështje penale.

Si përkufizohet gjyqtari profesionist

Në tregues përfshihen gjyqtarët profesionistë me kohë të plotë dhe të pjesshme, të autorizuar për të shqyrtuar çështje civile, penale dhe çështje të tjera, përfshirë ato në gjykatat e apelit.

Ata duhet të jenë të rekrutuar dhe të paguar për ushtrimin e profesionit të gjyqtarit. Në të dhëna nuk përfshihen gjyqtarët joprofesionistë, anëtarët laikë të trupave gjyqësore dhe magjistratët që nuk e ushtrojnë këtë funksion si profesion.

The post Reformë në drejtësi, por Shqipëria ndër vendet me më pak gjyqtarë në raport me popullsinë appeared first on Revista Monitor.

❌