Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim, duke pretenduar se prej vitesh nuk ka më akses në pronën e tij, e ndodhur pranë...
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim, duke pretenduar se prej vitesh nuk ka më akses në pronën e tij, e ndodhur pranë zonës së ish-Ambasadës Greke, në rrugën e Ambasadave në Tiranë. Sipas tij, rruga që të çon te trualli është bllokuar dhe sot ai nuk ka më asnjë mënyrë për të hyrë në pronën që rezulton e regjistruar në emrin e tij. Në videot e dërguara në redaksi ai shprehet: "Kam një truall te ish-Ambasada Greke, por sot nuk kam nga të futem në pronën time. Më kanë zënë rrugën. Vetëm me helikopter mund të futem tani." Në një tjetër video ai shton: "Prona që unë disponoj është në cep. Në këto momente është e zënë. Dua që institucionet të marrin masa sa më shpejt, sepse kjo nuk është e drejtë. Këto gjëra nuk ndodhin as në Afrikë." Për të mbështetur pretendimet e tij, qytetari i ka dorëzuar JOQ Albania një dosje me dokumente zyrtare, ku përfshihen kartela pronësie të lëshuara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, dokumente teknike të Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit, një kallëzim penal të depozituar në Komisariatin nr. 2 në Tiranë, kërkesa drejtuar Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, si dhe korrespondencë me institucione të ndryshme shtetërore. Në kallëzimin penal, qytetari pretendon se rruga e aksesit drejt pronës së trashëguar është zaptuar dhe përdoret si parkim, duke e lënë truallin pa hyrje funksionale. Mes dokumenteve ndodhet edhe një përgjigje zyrtare e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë, e datës 21 korrik 2026. Në këtë shkresë ambasada sqaron se nuk është pronare e ndërtesave dhe parkimeve që përdor për aktivitetin diplomatik, pasi ato janë pronë e shtetit shqiptar dhe administrohen nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. Për pretendimet që lidhen me pronën private dhe rrugën e aksesit, ambasada e orienton qytetarin t'u drejtohet institucioneve shtetërore shqiptare. Sipas qytetarit, pavarësisht kërkesave të shumta drejtuar institucioneve përgjegjëse, ai ende nuk ka marrë një zgjidhje konkrete dhe vazhdon të jetë i privuar nga e drejta për të hyrë në pronën e tij.
10.1K views