Durrësi u përfshi sot nga përmbytjet pas vetëm 5 minutash shiu të rrëmbyeshëm, duke paralizuar qytetin dhe duke shkaktuar panik tek kalimtarët. Rrugët...
Durrësi u përfshi sot nga përmbytjet pas vetëm 5 minutash shiu të rrëmbyeshëm, duke paralizuar qytetin dhe duke shkaktuar panik tek kalimtarët. Rrugët kryesore u mbuluan nga uji, dhe qytetarët u detyruan të fusin këmbët në qese të zeza mbeturinash për të kaluar rrugën, pasi Bashkia e Durrësit nuk ka marrë asnjë masë pas përmbytjeve të para një muaji, kur shumë banorë pësuan dëme materiale dhe u regjistrua edhe një viktimë. Në ngjarjen tragjike të mëparshme, Astrit Hysenaj, 54 vjeç, u gjet i pajetë në një kanal kullues pranë ish-repartit ushtarak në Plepa. Ai ishte shpallur i humbur më 6 janar, ndërsa më 8 janar trupi i tij u gjet, dyshohet i marrë nga rrjedha e ujit gjatë përmbytjeve. Astrit Hysenaj punonte pranë ndërmarrjes komunale në plazh dhe familjarët e tij kanë mohuar deklaratat e kryebashkiakes Emirjana Sako që pretendonin se ai nuk ishte në detyrë atë ditë. Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për vdekjen e tij si dhe për shpërdorim detyre dhe vdekje nga pakujdesia. Shumë banorë kanë theksuar mungesën e masave parandaluese nga Bashkia e Durrësit pas përmbytjeve të para, duke theksuar se situata e sotme tregon pamundësinë e qytetit për të përballuar reshjet e dendura, edhe pse ato ishin paralajmëruar nga meteorologët.
1471 views










