Një i ri ka shkruar historinë duke u bërë shqiptari i parë që nget një makinë fluturuese në trojet shqiptare. E teksa duket se e ardhmja është këtu, ky krijim evolucionar sjell një pamje të pazakontë mbi bregdetin e Durrësit, duke provuar një makinë fluturuese të modelit "Shqiponja X1" Sipas të dhënave, mjeti mund të arrijë lartësi deri në 600 metra dhe të qëndrojë në ajër rreth 30 minuta, në varësi të kapacitetit të baterisë dhe kushteve të fluturimit. Pamjet tregojnë një tjetër mënyrë për të parë qytetin bregdetar, ndërsa teknologjia e mjeteve fluturuese elektrike po zhvillohet gjithnjë e më shumë.
Momente shqetësuese janë regjistruar mbrëmjen e së shtunës në Lagjen 15 të Durrësit, ku ulërima dhe britma që vinin nga brenda një apartamenti kanë shqetësuar banorët dhe kalimtarët. Pamjet janë dërguar në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar, i cili tregon se ndodhej në zonë së bashku me tre shokë kur dëgjuan zhurmat e forta. "Ishim shumë të frikësuar, sepse nuk e dinim çfarë kishte ndodhur. Arritëm ta filmonim situatën dhe na u duk shumë serioze", shkruan denoncuesi. Sipas tij, zhurmat vinin nga brenda një apartamenti, ndërsa ai raporton se për ngjarjen është njoftuar edhe Policia. Nga pamjet nuk është e mundur të përcaktohet se çfarë po ndodhte brenda banesës apo nëse ka pasur persona të lënduar. Aktualisht nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet lidhur me këtë rast. JOQ Albania fton Policinë e Shtetit të sqarojë rrethanat e ngjarjes dhe të informojë publikun nëse ka pasur një konflikt apo një situatë tjetër që ka kërkuar ndërhyrjen e efektivëve.
Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një pushues në Dhërmi, i cili pretendon se ka filmuar pasojat e një incidenti të rëndë në det, ku një skaf dyshohet se për pak sa nuk i mori jetën një të riu me motor uji. Sipas denoncuesit, ngjarja ka ndodhur pranë resortit Sanur. Ai pretendon se skafi u nis nga bregu me shpejtësi dhe manovra të rrezikshme, pa respektuar distancën e sigurisë, duke goditur ose kaluar në afërsi ekstreme të një të riu që ndodhej me motor uji. Në videon e dërguar në redaksi dëgjohen personat që ndodheshin në skaf duke debatuar me të riun pas incidentit. Sipas denoncuesit, në vend që t'i jepnin ndihmë, ata e kanë ofenduar dhe kërcënuar, më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke e lënë atë në mes të detit. Pamjet tregojnë se pak çaste më vonë një tjetër pushues me motor uji i afrohet të riut dhe i vjen në ndihmë. "Djali shpëtoi mrekullisht. Skafi u nis me manovra jashtë çdo normaliteti nga bregu i resortit Sanur. Pas incidentit nuk ndaluan për ta ndihmuar, por u larguan sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Të gjithë pushuesit mbetën të tmerruar nga ajo që panë", shkruan qytetari në mesazhin dërguar redaksisë. Nëse pretendimet e denoncuesit konfirmohen, ngjarja ngre pikëpyetje serioze për respektimin e rregullave të lundrimit dhe sigurisë në zonat ku frekuentojnë pushuesit, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik. JOQ Albania fton autoritetet përgjegjëse të verifikojnë rastin dhe të sqarojnë rrethanat e plota të incidentit, si dhe të marrin masat e nevojshme nëse konstatohen shkelje të rregullave të lundrimit.
Pas fjalimeve të mbajtura përpara Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin e përnatshëm në rrugët kryesore të Tiranës, duke shënuar ditën e 63-të radhazi të protestës kundër klasës politike. Me flamuj kuqezi, pankarta dhe thirrjet në kor "Ju erdhi fundi!", protestuesit po marshojnë në bulevardet e kryeqytetit, duke përsëritur mesazhin e tyre se nuk do të ndalen deri në përmbushjen e kërkesave. Protestës së kësaj mbrëmjeje iu bashkuan sërish edhe shqiptarë të ardhur nga Diaspora, të cilët morën pjesë krah qytetarëve në tubim dhe në marshim, në një nga mbrëmjet me pjesëmarrjen më të lartë të javëve të fundit. Prej 63 ditësh pa ndërprerje, protestuesit mblidhen çdo mbrëmje në Tiranë, duke e kthyer këtë në një nga lëvizjet qytetare më të gjata dhe më të qëndrueshme në vend. Organizatorët e kanë cilësuar vazhdimësinë e protestës si dëshmi të vendosmërisë së qytetarëve për të kërkuar ndryshim politik. Marshimi pritet të vijojë gjatë mbrëmjes në rrugët kryesore të kryeqytetit, i shoqëruar nga thirrje dhe slogane kundër qeverisë dhe klasës politike që, sipas protestuesve, ka drejtuar vendin gjatë 36 viteve të fundit.
Një video e publikuar nga gazetari Xhensil Shkëmbi ka prekur mijëra qytetarë, duke sjellë në vëmendje historinë e dhimbshme të 10-vjeçarit Fatjon Braho nga fshati Kuç i Zi, në Bashkinë e Korçës. Sipas gazetarit, Fatjoni vuan nga sindroma Down dhe epilepsia, ka vështirësi në ecje dhe nuk flet. Ai është braktisur nga të dy prindërit dhe prej vitesh rritet vetëm nga gjyshi dhe gjyshja e tij. Në videon e publikuar, Xhensil Shkëmbi tregon se të moshuarit jetojnë në kushte tepër të vështira ekonomike. Sipas tij, asnjëri prej tyre nuk përfiton pension, ndërsa ndihma ekonomike që merrnin më parë është ndërprerë. E vetmja mënyrë për të siguruar të ardhura, sipas gazetarit, është që gjyshi i Fatjonit, Ramadani, të shkojë në mal për të prerë dru, me të cilat më pas siguron bukën e përditshme për familjen. Edhe banesa ku jetojnë ndodhet në gjendje të rënduar. Sipas pamjeve të publikuara, shtëpia është pothuajse e rrënuar dhe nuk ofron kushtet minimale për një fëmijë me probleme të rënda shëndetësore. Përmes videos së tij, gazetari u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore që të ndërhyjnë sa më parë për të vlerësuar gjendjen e familjes Braho dhe të ofrojnë mbështetjen e nevojshme. Ai ka apeluar gjithashtu edhe ndaj organizatave humanitare dhe çdo qytetari që ka mundësi, të kontribuojnë me ndihma ushqimore apo çfarëdo mbështetjeje tjetër për familjen. Fatjoni, përveç kushteve të vështira ekonomike, ka nevojë edhe për kujdes të vazhdueshëm shëndetësor. Rasti i tij është një kujtesë e dhimbshme se ende ka familje në Shqipëri që përballen çdo ditë me varfëri ekstreme dhe sfida të mëdha për të siguruar jetesën dhe trajtimin e të afërmve të tyre më të pambrojtur. Gazetari ka bërë publik edhe numrin e kontaktit të gjyshit të Fatjonit, Ramadan Braho (069 630 9457), për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të lidhen drejtpërdrejt me familjen dhe t'i ofrojnë ndihmë.
Një tjetër rast i dyshimtë me tenderat publikë ka shpërthyer në Bashkinë e Sarandës, ku miliona lekë nga taksat e qytetarëve po shkojnë për oferta me çmime dukshëm më të larta, duke skualifikuar kompani që ofruan me dhjetëra milionë lekë më pak. Sipas dokumenteve zyrtare, bëhet fjalë për procedurën e hapur me objekt “Rikonstruksion kopshti 2 dhe 3”, me një fond limit prej 51,041,666 lekësh. Oferta më e shtrenjtë shpallet fituese Në garën publike kanë marrë pjesë tri oferta. Ajo që bie menjëherë në sy është se Bashkia e Sarandës ka zgjedhur të shpallë fituese kompaninë që ka kërkuar çmimin më të lartë, pothuajse në kufijtë e fondit limit: BOE “NEWGEN” SHPK & “INERTI” SHPK: Ofroi 38,971,085 lekë (Oferta më e ulët) “INA” SHPK: Ofroi 42,580,559 lekë “L.T.E CONSTRUCTION” SHPK: Ofroi 49,478,399.28 lekë (OFERTA MË E SHTRENJTË — FITUESE) Ndonëse bashkimi i kompanive "NEWGEN" & "INERTI" paraqiti një ofertë rreth 10.5 milionë lekë të reja ose mbi 105 milionë lekë të vjetra më të lirë, autoriteti kontraktues ka vendosur t'ia japë tenderin kompanisë "L.T.E CONSTRUCTION" SHPK. Kush fshihet pas kompanisë fituese? Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), kompania fituese “L.T.E CONSTRUCTION” SHPK (NIPT: L78006801F) ka si administrator shtetasin Artur Caushaj. Kjo shoqëri zotërohet nga tre ortakë të familjes Caushaj: Ilir Caushaj (34%) Erjon Caushaj (33%) Artur Caushaj (33%) Skualifikimi i ofertave më të ulëta dhe përzgjedhja e operatorit me çmimin thuajse maksimal të fondit limit ngre hije të forta dyshimi për paracaktim të fituesit dhe shkelje të barazisë në tendera, në një kohë kur fondet publike të destinuara për kopshtet e fëmijëve duhet të administroheshin me transparencën më të lartë.
Një video e filmuar në Central Park të Nju Jorkut është bërë virale në rrjetet sociale dhe mund t'i kushtojë dhjetëra milionë dollarë një prej avokatëve më të njohur të SHBA-së. Pamjet tregojnë Nathaniel Cullerton, 45-vjeç, partner në firmën prestigjioze Wachtell, Lipton, Rosen & Katz, duke u puthur me kolegen e tij 29-vjeçare, Kelsey Borenzweig, në një stol të parkut. Videoja u filmua nga një krijues në TikTok, i cili iu drejtua çiftit me fjalët: "Merrni një dhomë, ka fëmijë këtu." Sapo kuptuan se po filmoheshin, të dy tentuan të fshiheshin nga kamera, ndërsa Cullerton kërkoi që telefoni të ulej, por regjistrimi vazhdoi. Pasi u publikua në TikTok, videoja u përhap me shpejtësi dhe përdoruesit identifikuan menjëherë dy avokatët. Vëmendja u shtua edhe më shumë pasi u zbulua se Cullerton është i martuar. Sipas raportimeve të Financial Times, avokati ishte në prag të një transferimi te firma rivale Gibson Dunn, një lëvizje që mund t'i siguronte fitime prej dhjetëra milionë dollarësh gjatë karrierës. Megjithatë, oferta thuhet se u tërhoq pasi videoja u bë virale. Cullerton, i cili fiton të paktën 4 milionë dollarë në vit si partner në firmën aktuale, është vendosur në leje ndërsa zhvillohet një hetim i brendshëm për rastin. Ironikisht, Cullerton dhe Borenzweig kishin punuar së bashku në ekipin ligjor që mbrojti me sukses OpenAI dhe Sam Altman në padinë e ngritur nga Elon Musk. Ende nuk dihet nëse marrëdhënia mes tyre ishte deklaruar pranë departamentit të burimeve njerëzore apo nëse edhe Borenzweig është pjesë e hetimit të brendshëm. Ndërkohë, profili i të dy avokatëve mbetet aktiv në faqen zyrtare të firmës ligjore, ndërsa videoja vazhdon të qarkullojë masivisht në rrjetet sociale.
Një banore e fshatit Bradashesh në Elbasan i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë që, sipas saj, po i kthen jetën e përditshme në makth. Ajo tregon se prej një kohe të gjatë është në konflikt me komshinjtë, të cilët mbajnë disa koshere bletësh shumë pranë banesës së saj. Sipas qytetares, prania e bletëve ka bërë që familja të mos mund të hapë dritaret apo dyert e shtëpisë, ndërsa vapën e këtyre ditëve e përshkruan si të padurueshme. Shqetësimi më i madh lidhet me fëmijët. Ajo thotë se djali i saj është pickuar nga bletët dhe ka pësuar reaksion alergjik, duke përfunduar në spital. Redaksisë i është dërguar edhe një fotografi ku shihet këmba e djalit ende e enjtur pas pickimit. "e kam aktualisht të pickuar. I bëri alergji dhe e çova në spital. Nuk e vrasin mendjen. Na thonë 'është ilaç'. Mund të jetë ilaç për ata, por jo për fëmijën tim. Nuk mund të rrijmë me dyer e dritare mbyllur në këtë vapë", shprehet ajo në videon e dërguar në redaksi. Sipas saj, familja ka tentuar disa herë të gjejë mirëkuptim me komshinjtë, por pa rezultat. Madje, ajo pretendon se sa herë kanë kërkuar largimin e koshereve, është përballur me përgjigje të tilla si: "Mos ndiz dritat", "Mos laj oborrin me ujë", apo "Mos hap dritaret". Banorja thekson se nuk është kundër bletëve dhe as nuk kërkon dëmtimin e tyre, por kërkon që kosheret të zhvendosen në një vend ku të mos rrezikojnë jetën dhe shëndetin e familjes së saj. "Nuk kam asgjë me bletët, por me mënyrën se si mbahen. Dua vetëm një zgjidhje. Po luhet me jetën e fëmijës tim, i cili është alergjik. Nuk mund të jetojmë të izoluar brenda shtëpisë", shprehet ajo. Qytetarja apelon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë situatën dhe të marrin masat e nevojshme, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje që garanton sigurinë e familjes, por edhe respekton aktivitetin e bletarisë në përputhje me rregullat.
Nëse keni menduar ndonjëherë se si duket një marrëdhënie toksike ku ju jepni gjithçka e tjetri ju merr shpirtin, mjafton t'i hidhni një sy tregut të mikrokredive në Shqipëri. Ndërkohë që qytetari i thjeshtë llogarit qindarkat për të mbyllur muajin me bukë në sofër, institucione si Iute Credit duket se e kanë gjetur formulën e lumturisë financiare: komisionet e kripura dhe interesat që të bëjnë të harrosh pse e ke marrë atë borxh në radhë të parë. Vetëm vitin e kaluar kjo kompani ka arkëtuar gati 20 milionë euro vetëm nga komisionet e larta ndaj qytetarëve. Po, e lexuat mirë, 20 milionë euro nga ato tarifat e vogla fshehurazi në kontrata që duket sikur nuk peshojnë gjë, derisa të mbyten së paguari. Pavarësisht se tregu i mikrokredive u trondit nga skandale të bujshme, ku kulmi u arrit me shpërthimin e famshëm të skemës MCA, modeli i biznesit të fajdeve me leje vazhdon të lulëzojë si mos më mirë. Banka e Shqipërisë është munduar të vërë ca fre, duke ulur interesat maksimale në 51.3%, një shifër kjo që në çdo vend normal do konsiderohej grabitje me armë, por këtu quhet "aktivitet financiar normal". Në fund të vitit të kaluar, Iute raportoi një fitim neto pas taksave prej 421.8 milionë lekësh, duke u konfirmuar si një nga dy shtyllat kryesore të mikrokredive që nuk njohin krizë. Me një portofol kredish prej rreth 100 milionë eurosh, kompania gjeneroi plot 33 milionë euro nga interesat dhe komisionet. Me pak fjalë: për çdo 100 lekë kredi që jep, merr mbrapsht 34 lekë vetëm nga kamatat dhe gjobat. E kush tha se bankat nuk kanë shpirt humanitar? Ato thjesht ta marrin me lezet.
Gjatë një takimi zyrtar në Beograd, presidenti serb Aleksandar Vuçiç i ka dhuruar kreut të UFC-së, Dana White, një lahutë, duke e prezantuar atë publikisht si një instrument të vjetër dhe tradicional të Serbisë. Ky veprim ka hapur një debat të madh në rrjetet sociale dhe ka shkaktuar reagime të shumta nga opinioni publik shqiptar, i cili ka vënë në pah pronësinë e vërtetë kulturore të instrumentit. Në aspektin faktik dhe historik, lahuta është një instrument i lashtë që përdoret gjerësisht në Malësinë e Veriut, veçanërisht brenda traditës së pasur të këngëve epike shqiptare. Ajo përbën një shtyllë kryesore të kulturës së rapsodëve shqiptarë dhe të trashëgimisë së këngës së lahutarëve, përmes së cilës janë përcjellë ndër shekuj legjenda, ngjarje historike dhe figura të rëndësishme të traditës sonë popullore.
Një qytetar ka kontaktuar JOQ Albania duke dërguar disa video, për të cilat pretendon se tregojnë grupe shtetasish egjiptianë të mbledhur në Tiranë. Ai shprehet i shqetësuar dhe kërkon që rasti të marrë vëmendje publike, duke pretenduar se një pjesë e tyre po pajisen edhe me dokumente shqiptare. “Shikoje sa masivisht po vijnë egjiptianët. Këta janë vetëm në Tiranë, pa llogaritur Kamzën dhe vendet e tjera. Madje kam informacion se po pajisen edhe me dokumente,” shkruan ai në mesazhin e dërguar. Qytetari shton se, sipas tij, Shqipëria po përballet ende me papunësi dhe emigrim të të rinjve, ndërsa punëtorët e huaj pranohen nga bizneset për paga më të ulëta. “Shqipëria ka plot njerëz pa punë, ndërsa po na sjellin punëtorë që punojnë për më pak lekë dhe po ua marrin vendet e punës shqiptarëve. Në fund humbet qytetari i këtij vendi,” shprehet ai. Ai ngre edhe pretendime të tjera, duke thënë: “Kanë ardhur 1 mijë veta brenda ditës në vendin tonë. Askush nuk flet. Në Kamëz disa nga këta ngacmojnë vajzat e supermarketeve.” JOQ Albania nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e qytetarit mbi identitetin e personave në video, numrin e tyre, pretendimin se po pajisen me dokumente shqiptare apo pretendimet e tjera të ngritura. Nëse institucionet kanë një reagim apo sqarim zyrtar mbi këtë situatë, jemi të gatshëm ta publikojmë.
Durrësi sonte nuk kishte nevojë për skenë. Disa vajza u panë duke dalë nga baxhoja e një taksie, teksa këndonin me të madhe dhe shijonin atmosferën e mbrëmjes.
Pas një udhëtimi të gjatë dhe të rrezikshëm, momenti i parë në tokën spanjolle ishte një telefonatë drejt shtëpisë. Në pamje, emigrantët marokenë nxjerrin telefonat për të lajmëruar familjarët se kishin mbërritur gjallë, duke përjetuar një çast të mbushur me emocion.
Një i ri maroken ka publikuar në rrjetet sociale pamje ku filmon veten duke notuar drejt enklavës spanjolle të Ceutës, me shpresën për të hyrë në Bashkimin Evropian. Videoja është bërë virale dhe pasqyron një fenomen që po përsëritet gjithnjë e më shpesh, ku emigrantë dokumentojnë udhëtimin e tyre të rrezikshëm drejt Evropës. Autoritetet kanë paralajmëruar vazhdimisht se këto kalime përmes detit janë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe kanë shkaktuar edhe viktima.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar vjedhjen e biçikletës së tij në Rrugën e Kavajës, në Tiranë. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës dhe është filmuar nga kamerat e sigurisë, të cilat kanë regjistruar të gjithë momentin e vjedhjes. Në pamjet e siguruara, një person shihet teksa i afrohet biçikletës së parkuar në trotuar. Pas disa sekondash, ai e merr biçikletën dhe largohet qetësisht duke e ngarë përgjatë rrugës. "Më kanë vjedhur biçikletën te Rruga e Kavajës. Kam edhe pamjet e kamerave.", shkruan qytetari. Me publikimin e videos, qytetari shpreson që dikush ta njohë personin që shfaqet në pamje ose të japë informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e tij dhe rikuperimin e biçikletës. Nëse e njihni personin që shfaqet në video ose keni informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e tij, kontaktoni redaksinë e JOQ Albania.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një vjedhje të pazakontë të ndodhur në Shkodër, ku një person është filmuar nga kamerat e sigurisë duke vjedhur lulet e mbjella në oborrin e banesës së tij. Ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes, ndërsa në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë shihet personi duke u afruar te porta e shtëpisë, duke marrë dy lule të mbjella dhe duke u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Sipas qytetarit, ajo që i tërhoqi më shumë vëmendjen ishte fakti se personi nuk kishte në dorë vetëm lulet e marra nga oborri i tij. "Mbrëmë ky person erdhi te porta e shtëpisë dhe vodhi dy lule të mbjella. Më bëri përshtypje se kishte edhe ca lule të tjera në dorë, që dukej se i kishte vjedhur diku tjetër. Kjo ka ndodhur në Shkodër.", shkruan qytetari. Pamjet janë vënë në dispozicion të redaksisë me shpresën se dikush mund ta njohë personin që shfaqet në video dhe të ndihmojë në identifikimin e tij. Nëse e njihni personin që shfaqet në pamje ose keni informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e tij, kontaktoni redaksinë e JOQ Albania.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar vjedhjen e biçikletës së djalit të tij, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e autorit. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur gjatë natës së 30 korrikut 2026, rreth orës 01:37, në garazhin e pallatit ku banon. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë një person që lëviz në ambientet e garazhit dhe largohet me biçikletën e vjedhur. Në fotot e siguruara nga kamerat, ai shihet duke ecur në garazh gjatë orëve të vona të natës. “Më kanë vjedhur biçikletën e djalit. Mund ta postoni hajdutin, mbase sensibilizohet dhe nuk vjedh më.”, shkruan qytetari. Qytetari shpreson që publikimi i pamjeve të ndihmojë në identifikimin e autorit dhe, nëse është e mundur, në rikthimin e biçikletës. Nëse e njihni personin që shfaqet në video ose keni informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e tij, kontaktoni redaksinë e JOQ Albania. Çdo informacion mund të jetë i vlefshëm për zbardhjen e rastit.
Një tjetër denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, këtë herë nga zona e Plepave në Durrës, ku një qytetar ka filmuar atë që ai pretendon se është derdhja e ujërave të kanalizimeve direkt në det. Në pamjet e dërguara shihet një rrjedhë e vazhdueshme ujërash të pista që derdhen drejt bregdetit, në një zonë të frekuentuar nga pushuesit. Sipas qytetarit, kjo po ndodh në mes të ditës, ndërsa shumë njerëz ndodhen në plazh. "Këtu shihet pamja se si zbrazën ujërat e pista të kanalizimeve në mes të ditës, ndërkohë që zjarri përhapet në zonën e Plepave. Uji shkon direkt në det. Ky është burim infeksionesh. Të lutem publikoje dhe tregoji njerëzit Durrësin e vërtetë.", shkruan qytetari. Nëse pretendimi konfirmohet, situata përbën një rrezik serioz për shëndetin publik dhe për mjedisin, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik, kur plazhet frekuentohen çdo ditë nga mijëra pushues. JOQ Albania i bën thirrje institucioneve përgjegjëse, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Bashkinë Durrës dhe autoritetet shëndetësore, të verifikojnë menjëherë situatën dhe të marrin masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe të mjedisit.