Rruga e fshatit Podgorie, në rrethin e Korçës, bashkia Maliq, ndodhet në një gjendje shumë të rëndë, duke krijuar vështirësi serioze për banorët e zonës. Dëmtimet e shumta në infrastrukturë e bëjnë pothuajse të pamundur qarkullimin normal të mjeteve dhe këmbësorëve, sidomos gjatë kushteve të këqija atmosferike. Banorët shprehen të shqetësuar për mungesën e ndërhyrjes nga bashkia Maliq me kryetar Gëzim Topçiun dhe kërkojnë që problemi të marrë zgjidhje sa më shpejt. Ata theksojnë se kjo rrugë është jetike për lëvizjen e përditshme dhe për lidhjen e fshatit me zonat përreth. “Përshëndetje JOQ! Dua të publikoj një ankesë për një rrugë në fshatin Podgorie, rrethi i Korçës, bashkia Maliq, e cila është në gjendje shumë të rëndë”, shkruan banori.
Eduart Biba, është 45-vjeçari që ditën e djeshme ka ndërruar jetë pas një arresti kardiak gjatë drejtimit të automjetit në autostradën “Tiranë–Durrës”. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Biba ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të problemit shëndetësor dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje. 45-vjeçari me origjinë nga Kodër Rrësheni, ishte Oficer i Policisë me detyrë Shef i Seksionit të Krimeve në Durrësit, qytet ku jetonte prej disa kohësh me familjen, ndërsa më parë ka punuar edhe në Policinë e Lezhës dhe te Mirditës. Familjarët, miqtë dhe kolegët janë tronditur nga ky lajm tragjik dhe ndarje e parakohshme nga jeta e 45-vjeçarit.
Dy persona kanë humbur jetën gjatë ditës së sotme në Tiranë, në dy ngjarje të ndara. Një burrë ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak, ndërsa një grua ka vdekur pasi është mbytur gjatë konsumimit të ushqimit në një restorant. Sipas njoftimit të Policisë, shtetasi E. B., 45 vjeç, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak teksa po drejtonte automjetin në autostradën “Tiranë–Durrës”. Si pasojë, ai ka humbur kontrollin dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërkohë, shtetasja G. D., 53 vjeçe, ka humbur jetën në një lokal në rrugën “Xhanfize Keko”. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes gjatë konsumimit të ushqimit. Policia po kryen veprimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjeve.
Banorët e zonës pranë Amfiteatrit të Durrësit kanë dalë sot në protestë paqësore kundër shembjes së banesave të tyre. Si shenjë kundërshtimi, ata kanë bllokuar përkohësisht rrugën e qarkullimit të automjeteve. Në vendngjarje kanë mbërritur forca policore me furgon, të cilat kanë ndërhyrë për të liruar rrugën dhe kanë larguar protestuesit. Banorët shprehen se kryetarja e Bashkisë së Durrësit nuk ka dalë për t’u përballur me ta, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për dialog dhe transparencë mbi vendimin për shembjet. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve dhe marrjen e masave të menjëhershme. Mesazhi i qytetarit: Ne Durres do shembin shtepiat tek amfiteatri dhe banoret po protestojne ne menyre paqesore, ndalen ne rrugen e makinave, erdhen furgoni i policise dhe i hoqi Sic e shikoni eshte dhe nje djal i paralizuar, patjeter qe kryetarja e bashkise nuk e ka nxjerr fytyren dhe pas thirrjeve te vazhdueshme per ballafaqim, ju lutem raportojeni
120 punonjës të kompanisë së sigurimit të Bankers Petroleum, “SHPSF Serjani”, dolën në protestë paraditen e sotme, për shkak se prej 7 muajsh nuk kanë marrë pagat. Situata ka prekur rreth 120 punonjës, të cilët thonë se po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike. Sipas protestuesve, numri i punonjësve ka rënë nga 380 në vetëm 120, si pasojë e shkurtimeve të vazhdueshme, ndërsa kjo është protesta e katërt brenda shtatë muajve. Ata theksojnë se pavarësisht se vijojnë punën normalisht, nuk kanë asnjë garanci financiare dhe janë zhytur në borxhe e kredi. Punonjësit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga drejtuesit e kompanisë dhe institucionet përgjegjëse, duke shtuar se premtimet e marra deri tani kanë qenë të kota. Ata paralajmërojnë se protestat do të vazhdojnë paralelisht me punën, deri në shlyerjen e pagave të prapambetura dhe sigurimin e të ardhmes së punësimit.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë tonë duke bërë një thirrje publike për kryetarin Artur Bushi, për ndërhyrje urgjente për rrugën e fshatit Dritas, Tapizë. Sipas qytetarit, rruga është vetëm 200 metra, por gjendja e saj është e mjerueshme, me gropa dhe pellgje uji dhe askush nuk ka marrë masa për ta shtruar ose rregulluar. “Po lëmë rrogën e muajit duke e shpenzuar për riparime të makinës, për shkak të dëmeve nga kjo rrugë,” deklaron qytetari, duke e cilësuar situatën si një skandal që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Ai thotë se bashkë qytetarët përballen çdo ditë me rrezikun e aksidenteve për shkak të gropave dhe sipërfaqes së dëmtuar të rrugës. Qytetari apelon që bashkia të marrë masa urgjente për rikonstruksionin e rrugës, duke shpresuar që një ndërhyrje e shpejtë do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve dhe do të shmangë shpenzimet e panevojshme për riparime të automjeteve.
Një tjetër rrezik i hapur për qytetarët po injorohet në autostradën Thuman–Laç. Pranë zonës ku ndodhet një pikë karburanti, rruga është çarë dhe është krijuar një gropë e madhe, e cila çdo ditë po dëmton automjete dhe po vë seriozisht në rrezik drejtuesit e mjeteve. Sipas denoncimit të qytetarit, vetëm mbrëmjen e kaluar mbi 10 makina kanë pësuar dëmtime në goma, ndërsa autoritetet përgjegjëse vijojnë të heshtin, sikur të mos kalonte askush në këtë aks kombëtar. Në një rrugë ku qarkullojnë qindra automjete çdo orë, mungon çdo lloj sinjalizimi, duke e kthyer këtë gropë në një kurth të padukshëm, sidomos gjatë natës ku fushëpamja është e dobët. Pyetja është e thjeshtë: A duhet të humbasë dikush jetën që të ndërhyhet? Qytetari paralajmëron se kjo situatë nuk është më thjesht neglizhencë, por papërgjegjshmëri kriminale, pasi rreziku është i përditshëm dhe i dukshëm. Denoncimi publikohet për të ngritur alarmin publik, në një kohë kur institucionet përgjegjëse duket se presin aksidentin fatal për të lëvizur.
Një banor nga zona e Shkozës ka denoncuar për JOQ gjendjen e rënduar të një rruge, e cila prej rreth një muaji është shembur dhe është kthyer në rrezik serioz për kalimtarët. Sipas tij, situata ka krijuar frikë te banorët, të cilët druhen se mund të bien poshtë gjatë kalimit, për shkak të mungesës së sigurisë. Banori shprehet se, megjithëse problemi është i njohur prej kohësh, institucionet shtetërore nuk kanë marrë asnjë masë për riparimin e rrugës. Për të shmangur aksidentet, banorët janë detyruar të vendosin vetë disa gurë dhe shirit sinjalizues, ndërsa apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për zgjidhjen e situatës. “Përshëndetje JOQ nga Shkoza! Ka 1 muaj që është shembur rruga dhe është bërë shumë e rrezikshme. Kemi frikë të kalojmë, sepse rrezikojmë të biem poshtë. Vetëm këta gurë dhe shiritin i kemi vendosur ne si banorë. Shteti nuk ka marrë asnjë masë”, shkruan banori.
Arbitri amator gjerman Pascal Kaiser u sulmua fizikisht në shtëpinë e tij gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës, më shumë se një javë pas propozimit publik për martesë ndaj partnerit të tij. Sipas L’Équipe, Kaiser ishte bërë i njohur gjerësisht pasi i propozoi martesë të dashurit të tij, Moritz, në stadiumin “RheinEnergie” të Këlnit, gjatë pushimit të ndeshjes së Bundesligës kundër Wolfsburgut, e cila u mbyll me rezultatin 1-0, përpara rreth 50 mijë tifozëve. Propozimi, i transmetuar edhe në televizion, u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u përshëndet gjerësisht si një akt kundër homofobisë, por njëkohësisht shkaktoi reagime të forta në Gjermani. Një ditë para sulmit, Kaiser kishte marrë kërcënime të drejtpërdrejta, ku përmendej edhe vendbanimi i tij. Ai njoftoi policinë, por sipas tij, autoritetet i thanë se nuk kishte rrezik të menjëhershëm. Vetëm rreth 20 minuta pas kësaj përgjigjeje, Kaiser doli në kopshtin e shtëpisë për të pirë një cigare, ku u përball me tre burra që e sulmuan dhunshëm. Ai e lidh drejtpërdrejt sulmin me propozimin publik, duke deklaruar se ishte vënë në shënjestër për shkak të këtij akti. Si pasojë e agresionit, arbitri pësoi një dëmtim në syrin e djathtë.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh të hënën në mëngjes në prani të kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut, e cila ndodhet aktualisht e pezulluar nga detyra e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës. Mbledhja erdhi në një moment tensioni institucional, pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese që riktheu pezullimin e saj, ndërsa Rama u përpoq të mbante të rreshtuar deputetët socialistë pas një qëndrimi të unifikuar. Pas mbledhjes, Rama publikoi në rrjetin social X tre “konkluzione” që, sipas tij, përfaqësojnë qëndrimin e PS. Në thelb, ai kundërshton idenë se funksionet kushtetuese të padelegueshme nga ministrat deri te Presidenti mund të pezullohen, duke argumentuar se një veprim i tillë paralizon institucionin dhe jo vetëm individin. Ky qëndrim shihet nga kritikët si një përpjekje e hapur për të mbrojtur Ballukun dhe për të relativizuar efektet e masave ligjore. Rama paralajmëroi gjithashtu se mazhoranca do të angazhohet për “ndërhyrje në legjislacion” për të zgjidhur situatën, duke iu referuar edhe deklaratës së Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tij është unanime për problemin, por jo për zgjidhjen. Një hap i tillë ngre pikëpyetje serioze mbi balancën e pushteteve dhe rrezikun e ndryshimeve ligjore të diktuara nga interesa konkrete politike. Në përfundim, kryeministri theksoi se e vetmja palë e “përmbushur” nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, i cili mund të vijojë hetimet pa pengesa, duke shtuar se nuk ka urgjencë për të trajtuar kërkesat e prokurorisë deri në një zgjidhje ligjore. Megjithatë, përtej deklaratave për mbështetje ndaj SPAK-ut dhe pavarësisë së institucioneve, mesazhi politik i Ramës lexohet si një përpjekje për të fituar kohë dhe për të kontrolluar dëmin politik që rasti Balluku i shkakton mazhorancës.
Pas denoncimit të publikuar një ditë më parë për vjedhjen e një steke cigaresh në një market, redaksia e JOQ është kontaktuar nga një tjetër qytetar, i cili raporton një rast identik të kryer nga i njëjti person. Sipas këtij denoncimi të dytë, i riu është futur në një dyqan Tabachino, ka marrë një stekë cigaresh dhe është larguar pa paguar, këtë herë pa nxitim dhe me një qetësi që ka ngritur dyshime te pronari i biznesit. Sjellja e tij e ftohtë dhe e sigurt gjatë vjedhjes ka bërë që qytetari të vërë në pikëpyetje gjendjen e tij mendore ose faktin nëse kemi të bëjmë me një person që e kryen këtë veprim në mënyrë të përsëritur. Dy rastet kanë ngjashmëri të forta në mënyrën e veprimit, çka forcon dyshimet se bëhet fjalë për të njëjtin autor. Në rastin e parë, i riu është afruar pranë kasës, ka kërkuar një stekë cigare Marlboro Gold dhe, sapo e ka marrë nga punonjësi, është larguar me vrap. Në rastin e dytë, vjedhja është kryer më qetë, pa panik, duke shtuar shqetësimin te tregtarët e zonës. Qytetarët kërkojnë që personi përgjegjës të identifikohet dhe të mbajë përgjegjësi, ndërsa u bëhet thirrje institucioneve përkatëse të ndjekin rastin, pasi veprime të tilla po kthehen në fenomen dhe po dëmtojnë bizneset e vogla.
Një ngjarje e pazakontë është raportuar nga një qytetar në Vlorë. Ditën e djeshme ai ka filmuar një të moshuar duke hequr pllakat e trotuarit dhe duke i marrë me vete me motor. Qytetari, dëshmitar i kësaj ngjarje ka treguar se zotëria në fjalë i hoqi pllakat e trotuarit pa u shqetësuar dhe u largua. Nuk dihet se cila ka qenë arsyeja pse i moshuari i ka hequr pllakat e trotuarit, por ky veprim ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve.
Një grabitje e armatosur ka ndodhur ditën e sotme, të hënën 9 shkurt, në superstradën 613 që lidh Brindisin me Lecce, në territorin e provincës së Brindisit, pranë zonës së Tuturanos, duke shkaktuar panik te udhëtarët dhe ndërprerje të qarkullimit rrugor. Sipas autoriteteve italiane, një grup personash të armatosur rëndë kanë sulmuar një furgon të blinduar që transportonte vlera, i shoqëruar nga një mjet tjetër sigurie. Grabitësit, të veshur me kostume të bardha dhe të zeza dhe me maska në fytyrë, ishin të armatosur me armë automatike të tipit kallashnikov dhe kanë qëlluar me armë zjarri gjatë aksionit. Për të bllokuar mjetin e blinduar, autorët e ngjarjes kanë vendosur tërthorazi në rrugë një kamion, të cilit më pas i kanë vënë flakën, duke bllokuar plotësisht karrexhatën në drejtim të Lecces. Më pas, ata kanë rrethuar furgonin me mjete të tjera dhe kanë përdorur lëndë plasëse për të çarë portën e pasme të blindit, duke shkaktuar një re të dendur tymi. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e karabinierisë dhe policisë, ndërsa segmenti i rrugës ku ndodhi grabitja u mbyll përkohësisht për trafikun. Ngjarja është parë nga dhjetëra drejtues mjetesh që ndodheshin në krahun e kundërt të rrugës, i cili për shkak të punimeve funksiononte vetëm me një korsi. Pas grabitjes, autorët janë larguar në drejtim të territorit të Squinzanos, në provincën e Lecces. Autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre, ndërsa ende nuk ka të dhëna zyrtare mbi vlerën e shumës së grabitur apo për persona të lënduar.
Protesta e banorëve të Velipojës ka vijuar për të shtatën ditë radhazi, këtë herë përpara ambienteve të Prokurorisë së Shkodrës. Banorët e zonës së Rrjollit pretendojnë se po përballen me një grabitje të pronës me prapavijë politike dhe kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të organeve të drejtësisë për të ndalur, sipas tyre, shkeljen e të drejtave pronësore. Ata kanë depozituar një kërkesë zyrtare në Prokurori, duke kërkuar verifikimin dhe zgjidhjen sa më të shpejtë ligjore të dokumenteve që disponojnë për pronësinë e tokës. Sipas banorëve, dokumentacioni dëshmon pronësinë e ligjshme dhe çështja duhet të trajtohet me prioritet, pa zvarritje të mëtejshme të procesit. Më 15 janar 2025, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka firmosur lejen e ndërtimit për kompleksin turistik gjigant që do të shtrihet në rreth 146 hektarë, ndërmjet Ranës së Hedhun dhe Velipojës. Ndërkohë, më 31 dhjetor 2024, Bashkim Ulaj botues pranë familjes Berisha së bashku me vëllezërit Astrit dhe Ahmet Ulaj përfituan statusin e veçantë “investitor strategjik” për projektin “Blue-Borgo”, që do të realizohet nga kompania “Aba Blue Borgo” sh.p.k., një nga investimet më të mëdha turistike të planifikuara në vend.
Kjo është gjendja aktuale e plazhit të Divjakës, ku vija bregdetare është shndërruar në një landfill mbeturinash në qiell të hapur. Ngado të kthesh kokën, sytë të zënë vetëm mbetje plastike, qese, shishe dhe mbeturina të shumta, duke e kthyer këtë zonë në një pamje të turpshme. Ndërsa banorët dhe vizitorët përballen çdo ditë me këtë realitet alarmant, Bashkia Divjakë vazhdon të heshtë pasi deri më tani nuk ka patur asnjë ndërhyrje serioze për pastrimin e zonës, asnjë plan konkret dhe asnjë reagim publik për një problem që po dëmton rëndë mjedisin, shëndetin publik dhe imazhin turistik të Divjakës. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe zgjidhje të menjëhershme, jo premtime boshe.
Rreth 10% e baballarëve të rinj përjetojnë depresion pas ardhjes në jetë të një fëmije. Faktorët që e nxisin përfshijnë mungesën e gjumit, stresin, presionin financiar, ndryshimet në marrëdhënie dhe ndjenjat e fajit. Meshkujt kanë më pak gjasa të kërkojnë ndihmë dhe shpesh nuk e njohin depresionin, duke e justifikuar atë si lodhje apo nervozizëm. Kjo gjendje mund të ndikojë edhe te fëmijët, duke dobësuar lidhjen prind–fëmijë dhe duke rritur rrezikun për probleme të sjelljes dhe zhvillimit. Nëse gjendja e rënduar emocionale zgjat më shumë se disa javë, është e rëndësishme të kërkohet ndihmë profesionale, pasi trajtimi i hershëm e bën rikuperimin më të lehtë. Është e rëndësishme që baballarët të dinë se depresioni pas lindjes së një fëmije është “legjitim” edhe te meshkujt. Dhe se sa për nënat e reja, është vetëm një periudhë që pasi të kalojë, do të mbetet një kujtim i keq.
Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ nga banorët e fshatit Matohasanaj në Tepelenë, të cilët raportojnë se pas përmbytjeve të fundit nuk ka pasur asnjë ndihmë nga bashkia apo nga emergjencat civile. "Përshëndetje JOQ, si jeni? Desha të bëja një denoncim. Në fshatin Matohasanaj të Tepelenës nuk ka patur asnjë ndihmë nga bashkia apo emergjenca civile pas përmbytjeve. Kemi dalë vetë si banorë në krye të detyrës", shkruan banori. Sipas tyre, pavarësisht situatës së krijuar, institucionet përgjegjëse nuk kanë reaguar, duke i lënë banorët të përballen të vetëm me pasojat e përmbytjeve. Në mungesë të çdo mbështetjeje, vetë banorët kanë dalë në terren për të pastruar rrugët dhe për të rikthyer minimalisht qarkullimin, duke punuar me mjete rrethanore.
Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ nga banorët e Tapizës, të cilët ngrenë shqetësimin për gjendjen e rrezikshme të telave elektrikë dhe ndriçimit në zonë. Sipas tyre, telat janë të varur dhe të dëmtuar, duke përbërë një rrezik serioz për këdo që kalon aty, veçanërisht për fëmijët dhe nxënësit që çdo ditë shkojnë drejt shkollës. Banorët shprehen se situata është denoncuar disa herë pranë institucioneve përkatëse, por deri më tani as Bashkia e Tiranës dhe as OSHEE nuk kanë marrë masa për të zgjidhur problemin. Pavarësisht rrezikut të dukshëm, mungesa e reagimit ka lënë zonën të pambrojtur, ndërsa frika për një aksident të rëndë është gjithnjë e pranishme. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse, përpara se kjo situatë të përfundojë në një ngjarje tragjike. Banorët i bëjnë thirrje institucioneve që të mos e neglizhojnë më këtë problem, pasi bëhet fjalë për sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Banorët e zonës së Plazhit në Durrës raportojnë mungesë uji që prej tre ditësh, një situatë shqetësuese, veçanërisht në dimër. Qytetarët shprehen se dimri është i vështirë pa ujë pasi kanë edhe fëmijë të vegjël që duhen larë dhe çuar në shkollë. Ata thonë se qyteti bregdetar s’mund të presë turistë në këtë gjendje pasi vetë vendasit po detyrohen të marrin ujë kanalesh për higjienën e banjove në banesat e tyre. Banorët kanë bërë disa ankesa te Ujësjellës por deri më tani nuk kanë asnjë shpjegim për shkaqet e ndërprerjes dhe kohëzgjatjen e rikthimit të furnizimit. Denoncimi i qytetarit: Pershendetje Joq! Kemi 3 dite pothuajse qe svjen uji ne plazh. Vende vende ka probleme se di pse .kemi femije te vegjel .Nuk e di cfare po ndodh me qytetin tone te bukur te Durresit, qe do presim turista