Një aksident i frikshëm rrugor ka ndodhur pasditen e së martës në autostradën Tiranë–Durrës, ku dy automjete janë përplasur, duke shkaktuar dëme të ko...
Një aksident i frikshëm rrugor ka ndodhur pasditen e së martës në autostradën Tiranë–Durrës, ku dy automjete janë përplasur, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Një shtetas i huaj, i cili jeton në Shqipëri prej rreth katër vitesh, i ka dërguar redaksisë së JOQ Albania pamje nga aksidenti, ku shihet qartë momenti i përplasjes dhe dëmet e konsiderueshme materiale. Sipas dëshmisë, ai po udhëtonte drejt Tiranës së bashku me bashkëshorten, duke ndjekur normalisht rrjedhën e trafikut, kur një automjet tip Toyota ka kryer një manovër të papritur, duke e goditur anash. Si pasojë e përplasjes, mjeti i tij është përplasur fuqishëm drejt trafikndarëses prej betoni, ku ka përfunduar pjesërisht mbi të. “Po udhëtoja normalisht, kur makina tjetër u shfaq papritur nga e majta dhe më goditi. Pas goditjes, automjeti im u përplas me barrierën anësore prej betoni”, shprehet ai për JOQ Albania. Nga pamjet e siguruara, vërehet qartë se automjeti i shtetasit të huaj, një Volkswagen Passat gri i errët, ka pësuar dëme të rënda, veçanërisht në pjesën e përparme dhe anësore, ndërsa ka mbetur i ngritur mbi barrierën e betonit. Ai thekson se automjetin e kishte blerë vetëm tre muaj më parë dhe se pas aksidentit dëmet janë të tilla, sa mjeti është bërë pothuajse i papërdorshëm. Fatmirësisht, si ai ashtu edhe bashkëshortja e tij kanë pësuar vetëm lëndime të lehta. Shtetasi i huaj vlerëson edhe ndërhyrjen e policisë në vendngjarje, duke theksuar se efektivi i pranishëm i ndihmoi me procedurat dhe komunikimin, për shkak të barrierës gjuhësore. Sipas tij, nga pamjet dhe rrethanat e aksidentit, përgjegjësia dukej se i takonte mjetit tjetër. Megjithatë, këto mbeten vlerësime paraprake, ndërsa përcaktimi përfundimtar i përgjegjësisë pritet nga organet kompetente.
5586 views







