Shqipëria ka shënuar një rekord historik në vitin 2025, pasi për herë të parë numri i mjeteve rrugore në qarkullim ka kaluar shifrën 1 milion. Të dhën...
Shqipëria ka shënuar një rekord historik në vitin 2025, pasi për herë të parë numri i mjeteve rrugore në qarkullim ka kaluar shifrën 1 milion. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në fund të vitit 2025 në vend qarkullonin gjithsej 1.048.092 mjete, nga të cilat 847 mijë ishin autovetura. Sipas statistikave, autoveturat përbëjnë 80,8% të mjeteve gjithsej, të ndjekura nga motorët me 6,1% dhe automjetet për transport të përzier me 5,8%. Rritja reflekton zgjerimin e ndjeshëm të flotës së automjeteve në vend gjatë viteve të fundit. Tirana mban peshën më të madhe të mjeteve në qarkullim, me 34,7% të totalit kombëtar, e ndjekur nga Durrësi me 13,6%. Në krahun tjetër, Gjirokastra dhe Kukësi rezultojnë qarqet me numrin më të ulët të mjeteve, përkatësisht me 2,1% dhe 2,4%. Vetëm në tremujorin e katërt të vitit 2025 janë regjistruar për herë të parë 24.854 mjete, ku 81,2% e tyre ishin autovetura. Edhe në regjistrimet e reja, qarku i Tiranës kryeson me 40,3% të totalit. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, numri total i mjeteve është rritur me 9,3%, ndërsa regjistrimet e reja kanë shënuar një rritje prej 8,5%. Sa i përket markave, Volkswagen kryeson listën e automjeteve të regjistruara për herë të parë me 18,6%, i ndjekur nga Mercedes Benz me 17,5%. Rritja e flotës së automjeteve ka ndikuar edhe në raportin e makinave për banorë. Sipas INSTAT, në Shqipëri tashmë ka 358 automjete për 1.000 banorë, nga më pak se 200 që ishte disa vite më parë. Megjithatë, ky nivel mbetet nën mesataren europiane prej rreth 550 autovetura për 1.000 banorë dhe ndër më të ulëtit në Europë, duke kaluar vetëm Turqinë dhe Maqedoninë e Veriut.
58.3K views









