Një situatë tejet shqetësuese është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Rrenas, Bashkia Belsh, ku një transformator i tensionit të lartë ka marrë ...
Një situatë tejet shqetësuese është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Rrenas, Bashkia Belsh, ku një transformator i tensionit të lartë ka marrë flakë dhe ka pësuar shpërthime të njëpasnjëshme, duke rrezikuar jetën e banorëve të zonës. Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur pamje video nga vendngjarja, ku dallohet qartë transformatori teksa shkakton shpërthime dhe flakë në kabllot elektrike. Sipas denoncuesit, transformatori ndodhet shumë pranë banesave, madje i vendosur brenda një ndërtese, ndërsa shtëpi të tjera ndodhen vetëm pak metra larg. “Është hera e disatë që ndodhin shpërthime të tilla. Rrezikohet jeta e shumë banorëve, pasi transformatori është vendosur brenda një shtëpie dhe shumë afër banesave të tjera,” – shprehet qytetari. Sipas tij, pas shpërthimeve, banorët janë detyruar të njoftojnë për ndalimin e energjisë elektrike, e cila furnizohet nga zona e Kajanit. Vetëm pasi u ndërpre rryma, banorët e fshatit kanë hyrë vetë për të fikur zjarrin, i cili kishte përfshirë kabllot e rrymës, duke rrezikuar jetën e tyre për të shmangur një tragjedi më të madhe. Denoncuesi thekson se problemi është i përsëritur dhe i njohur prej vitesh, pasi transformatori nuk është ndërruar kurrë, por vetëm janë bërë ndërhyrje të pjesshme. “Sa herë prishet, ndërrojnë vetëm ndonjë kabllo apo ndonjë pjesë të vogël. Asnjëherë nuk është ndërruar i gjithë transformatori. Ai është shumë i vjetër, madje po bie komplet nga vendi. Shtyllat janë të shtrembëruara prej vitesh,” – shprehet qytetari. Ai shton se shpërthime të tilla ndodhin edhe kur nuk ka mot të keq, çka tregon gjendjen e amortizuar dhe rrezikun konstant që paraqet ky transformator. Banorët i bëjnë thirrje urgjente kryebashkiakut të Belshit, Arif Tafani, dhe institucioneve përgjegjëse që të marrin masa të menjëhershme për zgjidhjen e këtij problemi, përpara se të ndodhë ndonjë ngjarje tragjike. JOQ Albania e publikon këtë denoncim për të ngritur alarmin dhe për të kërkuar ndërhyrje urgjente, pasi situata e përshkruar paraqet rrezik real për jetën dhe pronën e banorëve të zonës.
857 views








