Reading view

Rusia shpall të padëshiruar institutin britanik, ‘preket’ edhe profesori shqiptar

Përmes një njoftimi, Prokuroria e Përgjithshme e Rusisë ka ndaluar veprimtarinë e organizatës joqeveritare britanike Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara për Studime të Mbrojtjes dhe Sigurisë (The Royal United Services Institute for Defence and Security Studies).’

Ky zhvillim prek edhe akademikun shqiptar Andi Hoxhaj i cili është “associate fellow” ne The Royal United Services Institute for Defence and Security Studies. Praktikisht Hoxhaj kthehet në një person non grata nga Rusia.

Në dokumentin e njoftimit dërguar nga Rusia institutit britanik thuhet se: “Nëse anëtaret dhe ata që punojnë heqin dorë nga Instituti dhe nuk kanë më asnjë association formal, ju hiqet dhe lejohet hyrja ne Rusi.

Organizata ekziston që prej vitit 1831 në Mbretërinë e Bashkuar dhe e pozicionon veten si “think tank”-u më i vjetër i pavarur që merret me kërkime në fushën e mbrojtjes, sigurisë globale dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ajo financohet nga autoritetet britanike, Komisioni Evropian, vende te NATOs, dhe organizata të padëshiruara në vendin tonë – shprehet Rusia.

“Një pjesë e konsiderueshme e materialeve dhe aktiviteteve i kushtohet kërkimeve në sferat politike dhe ushtarake të Rusisë. Pjesëmarrësit e RUSI-t organizojnë rregullisht trajnime dhe seminare ku, nën petkun e kundërvënies ndaj një kërcënimi imagjinar rus, diskutojnë taktikat e operacioneve luftarake dhe të inteligjencës ruse, metodat e zhvillimit të luftës dhe krijimin e armëve të reja thuhet ne njoftim.

“Anëtarët e OJQ-së publikojnë artikuj ku akuzojnë Rusinë për përpjekje për të aneksuar Evropën, për diskreditimin e Perëndimit dhe për ndërhyrje në proceset zgjedhore të vendeve të tjera. Një sërë materialesh përmbajnë thirrje drejtuar anëtarëve të NATO-s për t’u bashkuar me qëllim të ushtrimit të ndikimit më shkatërrues mbi ekonominë ruse. Me nisjen e operacionit të posaçëm ushtarak, retorika kundër-Rusisë është ashpërsuar; anëtarët e OJQ-së kanë filluar t’u bëjnë thirrje shteteve dhe qytetarëve të mbështesin Ukrainën dhe të forcojnë presionin e sanksioneve ndaj Rusisë”./kb

  •  

Horoskopi ditor, 4 Shtator 2025

Dashi

Me Venusin ne krah gjate kësaj dite, gjithçka do shkoje me se miri sot ne jetën tuaj ne çift. Do jeni te gatshëm te bëni edhe ndonjë sakrifice te vogël për te ruajtur një ambient te këndshëm. Beqaret do takohen me persona te rinj dhe do fillojnë te njihen mire me te. Situata financiare do jete e qëndrueshme dhe aspak problematike.

Demi

Marrëdhënia ne çift do jete goxha me e mire se kohet e fundit. Secili nga partneret do respektoje mendimet e tjetrit dhe gjithçka do shkoje për mrekulli. Beqaret do realizojnë disa takime shume te mira dhe mund te fillojnë histori dashurie te qëndrueshme. Financat nuk do jene ne gjendjen me te mire te mundshme, prandaj shpenzimet duhen kryer me maturi.

Binjaket

Duhet te tregoheni me te përkujdesur ndaj partnerit tuaj gjate kësaj dite dhe ta mbani atë afër gjate gjithë kohës. Ne këtë mënyrë lidhja do përforcohet. Beqaret do mbyllen ne vetvete dhe nuk do pranojnë kurrsesi te dalin neper takime. Ne planin financiar do kryeni transaksione te rëndësishme dhe e përmirësoni ndjeshëm situatën.

Gaforrja

Do bëni goxha lëshime sot ne jetën tuaj ne çift dhe marrëdhënia me partnerin do ece ne rrugën e duhur. Edhe çiftet problematike do jene me te qete. Beqaret do kenë një dite plot shkëlqim dhe emocione. Gjerat do marrin për mire. Ne planin financiar mos bëni çmenduri sepse mund te ngeleni pa asnjë para. Menaxhojini me kujdes ato te ardhura qe keni.

Luani

Do jeni shume realiste sot ne jetën tuaj ne çift dhe do i merrni gjerat si t’iu vijnë. Nuk priten as debate dhe as konflikte. Beqaret nuk duhet t’iu besojnë te gjithë personave, por as te neglizhojnë ftesat qe do iu bëhen. Tregohuni te matur ne çdo rast. Ne planin financiar fatmirësisht situata do jete goxha e qëndrueshme dhe aspak delikate.

Virgjeresha

Dite shume normale dhe pa asnjë te jashtëzakonshme kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Nuk priten probleme dhe as surpriza te mëdha. Beqaret do kenë me shume fat se kurrë ne jetën e tyre dhe do realizojnë takimin e ëndrrave. Ne planin financiar mos kryeni shpenzime kuturu edhe pse situata ne te vërtetë do jete goxha e mire.

Peshorja

Jeta juaj sentimentale do ketë gjithë kohës mbështetjen e yjeve, por Jupiteri do jete planeti qe do iu nxite te dyve te jepni gjithçka për një lidhje sa me te forte. Beqaret duhet te presin edhe pak dite ne mënyrë qe te gjejnë princin e tyre te kaltër. Ne planin financiar do keni goxha përmirësime. Filloni te shlyeni dalëngadalë borxhet qe keni marre.

Akrepi

Shprehini sa te mundni ato qe ndjeni gjate kësaj dite sepse vetëm ne këtë mënyrë klima ne lidhjen tuaj do filloje te ngrohet. Beqaret nuk duhet te anashkalojnë asnjë mundësi qe do ju jepet për te dale neper takime. Asnjëherë nuk i dihet dhe sot mund te jete dita juaj me fat. Financat do jene te qëndrueshme dhe nuk pritet asnjë e papritur ne këtë sektor.

Shigjetari

Klima ne jetën tuaj ne çift do jete shume e ngrohte dhe sensuale gjate kësaj dite. Te dy do i shprehni me tepër ndjenjat dhe do jeni te gatshëm te sakrifikoni vetëm qe gjerat te shkojnë mire. Beqaret duhet te tregohen te kujdesshëm dhe te mos ju besojnë te gjithë personave qe do i joshin. Ne planin financiar fati do jete ne anën tuaj. Do ketë goxha përmirësime.

Bricjapi

Do jeni shume te nxituar gjate kësaj dite dhe ka rrezik te bëni gabime te pafalshme ne jetën ne çift. Partneri nuk do iu fale kollaj dhe situata mund te dale jashtë kontrollit. Beqaret do kenë takime pa fund dhe do kenë mundësitë te bëjnë zgjedhjet e duhura. Buxhetin mund ta stabilizoni me pak me tepër maturi dhe kujdes. Ambienti yjor do jete mjaft i favorshëm.

Ujori

Sektori i dashurisë do jete shume i privilegjuar gjate kësaj dite dhe çdo gjë do shkoje me se miri ndërmjet jush dhe partnerit. Thashethemet e te tjerëve nuk do ndikojnë aspak ne lidhjen qe keni krijuar. Beqaret jo vetëm qe do kenë takime, por mund te fillojnë edhe lidhje pasionante. Ne planin financiar do jete dite pozitive dhe do kryeni investimet e nevojshme.

Peshqit

Dite përgjithësisht e trazuar dhe e mbushur me vështirësi te shumta kjo e sotmja. Nuk do bini ne një mendje me partnerin dhe kjo do sjelle debate. Nëse jeni ende beqare duhet te mendoheni mire para se t’iu jepni përgjigje propozimeve qe do iu bëhen. Sektori i financave do ketë vështirësitë e veta. Tregohuni me vigjilente dhe mos hidhni hapa te nxituar./kb

 

  •  

Eurobarometri: 56% e qytetarëve të BE-së favorizojnë anëtarësimin e shteteve të reja

Presidentja e PE-së, Roberta Metsola, ka vlerësuar shifrat e fundit të Eurobarometrit ku 56% e qytetarëve të BE-së janë në favor të zgjerimit. Mbështetja është veçanërisht e lartë mes të rinjve.

Në të njëjtën kohë, të anketuarit shprehin shqetësime në lidhje me migracionin, korrupsionin dhe krimin, si dhe koston financiare të zgjerimit.

“Rezultatet tregojnë se qytetarët e BE-së, dhe veçanërisht të rinjtë, e mbështesin zgjerimin. Eurobarometri dërgon një mesazh tjetër të qartë, njerëzit duan një proces të besueshëm, të bazuar në vlera, të nxitur nga reforma të vërteta. Së bashku me Shtetet Anëtare, ne do të angazhohemi drejtpërdrejt me qytetarët, do t’i adresojmë shqetësimet e tyre dhe do të tregojmë se si zgjerimi sjell paqe, prosperitet dhe një Evropë më të bashkuar“, është shprehur Metsola.

Anketa u krye në periudhen shkurt – mars 2025, duke mbledhur pikëpamjet e mbi 26 mijë e 300 qytetarëve në të 27-të shtetet anëtare të BE-së.

Mbështetja për anëtarësimin në BE është dukshëm e lartë në Shqipëri (91%) dhe Maqedoninë e Veriut (69%), me qytetarët që presin përfitime të tilla si përmirësimi i cilësisë së jetës dhe kufijtë e hapur. Në të kundërt, Serbia shfaq mbështetjen më të ulët për anëtarësimin në BE në rajon me 33%./kb

  •  

Protesta e Tragjasit/ Rama: Burimet ujore janë të Republikës, jo të atyre që i kanë afër

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot detaje nga krijimi i i Operatorit Kombëtar të Ujit, ku mes të tjerash foli edhe në lidhje me Tragjasin dhe protestën e banorëve atje.

Ai u shpreh se burimet ujore janë të të gjithë qytetarëve, jo vetëm të atyre të Tragjasit, ndërsa prioritet mbete furnizimi i banorëve me ujë.

Pjesë nga fjala e Ramës:
Kam një fjalë që lidhet me atë që tha ministrja për Tragjasin, edhe për ndonjë rast tjetër. Të gjithë duhet ta kuptojnë që burimet ujore të Republikës së Shqipërisë nuk janë burimet e atij që i ka më afër, janë burime ujore të Republikës së Shqipërisë dhe në Republikën e Shqipërisë nuk ka njerëz me fat që e kanë ujin afër dhe njerëz pa fat që e kanë ujin te burimi larg.
Ndërkohë që, siç ua kam shpjeguar shumë banorëve të Tragjasit, siç ua kam shpjeguar edhe të tjerëve që më shkruajnë edhe komunikojnë me mua, as nuk diskutohet fare që nuk ekziston në asnjë botë tjetër, përveç se në botën e konspiracioneve dhe fantazive politike mediatike apo rreth tryezës duke pirë raki që qeveria e Republikës së Shqipërisë, që ministria apo autoritetet përgjegjëse t’i marrin ujin disave për t’ia dhënë disave, kjo nuk ekziston. Dhe kam një shembull për këtë që duhet ta kuptojnë të gjithë ata të cilët ngrihen kur ka nevojë që një burim uji të futet në shërbim të popullit shqiptar.

Kjo qeveri, ka ndaluar përfundimisht HEC-et prej kohësh dhe ka bërë një luftë të madhe me leje të dhëna për HEC-e, ato lejet, ka qenë një fjalë e jashtëzakonshme “mini superfuqi energjetike”, mini super fuqi, delir komplet edhe mini edhe super, por ajo mini super fuqia ishte faktikisht krijimi i një rrjeti gjakpirësish, njësoj si shushunjat që sulmojnë trupin për t’i thithur ujin bujqve, fermerëve, zonave të tëra dhe për t’ua tharë shtratin e lumit që disa të prodhonin energji.

 

 

Nuk ishte e nevojshme t’i hynte Shqipëria asaj aventure, të asaj mini super fuqisë që është një nga dëmet më të mëdha që i është bërë këtij vendi, por ndodhi sepse vullneti i popullit të çon aty ku pastaj të çojnë ata që udhëheqin, e prandaj ka dhe shumë rëndësi vota, por kjo është temë tjetër.

Kështu që ne e kemi mbyllur atë kapitull prej shumë kohësh dhe kemi bërë luftëra të mëdha me ata që kishin leje dhe që dilnin rrugëve dhe shisnin leje për HEC-e. Kështu që pse e kemi bërë? E kemi bërë për të mbrojtur burimet ujore të Republikës së Shqipërisë dhe burimet ujore të popullit shqiptar.

Nuk e kemi bërë për të ndaluar sipërmarrjen. Dhe ata që çohen dhe flasin, janë dhe ca që flasin anglisht për Vjosën dhe për burimet ujore të Vjosës dhe si ne po thajmë një burim të Shushicës për të shuar etjen e popullit tonë dhe sesi ne po thajmë një degë të lumit për të furnizuar me ujë të pijshëm banorët e Himarës, duhet ta kuptojnë, ata s’kanë për ta kuptuar asnjëherë se ata jetojnë me këtë punë, marrin fonde për këtë punë, por duhet ta dinë që prioriteti i prioriteteve është furnizimi me ujë i popullsisë. Natyrisht në ekuilibrin më të mirë të mundshëm me natyrën dhe as në njërin rast të Shushicës, as në rastin e Tragjasit dhe as në asnjë rast tjetër nuk bëhen fjalë për investime të papërgjegjshme për të tharë. Thaj këtej që të japësh andej. Absolutisht! Megjithatë duke respektuar siç tha ministrja njerëzit atje, 9 muaj, ditë për ditë kemi bërë të gjithë raportin e monitorimit të burimit.

Shifrat janë kaq kokëforta dhe kaq kuptimplota sa nuk ka më asnjë diskutim që projekti ishte i drejtë, se ne nuk bëjmë projekte, projektet i bëjnë ekspertët, jo se ishte një projekt që financohej nga qeveria por sepse ishte një projekt i bërë mbi monitorimit e burimit, nuk ishte një projekt i bërë në hava. Duhet ta kuptojnë shumë mirë njerëzit dhe sidomos ata që janë në zonat më të vështira, që ata janë drita e syve të qeverisë. Nuk ka qeveria dot kurrë qëllime të errëta ndaj tyre dhe nuk bën vaki që qeveria tua u heqë njerëzve të zakonshëm për tua u dhënë siç thonë jo një oligarku, jo dy oligarkëve, që oligarkë në Shqipëri nuk ka por ka mbetur dhe kjo “oligark në Shqipëri”. Nuk bën vaki kjo!/kb

  •  

Paketa e Maleve, deputeti i PD: Rrezik për paqen sociale në Tropojë, Has e Kukës

Deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj, thotë se Paketa e Maleve e miratuar nga Qeveria rrezikon paqen sociale në Qarkun e Kukësit. “Mënyra me të cilën përfaqësuesit e rilindjes përgatiten dhe e kaluan në seancë këtë ligj me shpejtësi dhe po thuajse në errësirë totale tregon qartë synimin djallëzor që mbart në vetvete kjo e ashtuquajtura “Paketa e Maleve”. Nga një premtim zhvillimi, në një plagë të re e burim konfliktesh mbi pronësinë kolektive të bjeshkëve, pyjeve e kullotave alpine për banorët e Tropojës, Hasit e Kukësi”, shkruan Çelaj në një reagim në llogarinë e tij në Facebook.

Ai u kërkon këshilltarëve bashkiakë të Tropojës, Hasit dhe Kukësit, që të reagojnë. “Qeveria ka nxjerrë në tryezë Paketën e Maleve, e cila premton lehtësira fiskale, tokë publike deri edhe me “1 euro” dhe procedura ku regjistrimi i pronës vjen pas investimit. Por nëse ky ligj kalon i zbatuar siç është, ju do të mbani mbi supe jo zhvillimin, por konfliktet dhe përplasjet që do të pasojnë. Trashëgimia e bjeshkëve nuk është mall për plaçkë tregu. Në Tropojë, Has e Kukës, kullotat, bjeshkët dhe pyjet janë pronë e përbashkët e fiseve dhe fshatrave. Ato kanë qenë të tilla ndër shekuj, janë ruajtur me sakrifica, e shpesh edhe me gjak. Biles edhe në periudhën e regjimit monist ku u kolektivizua e shtetëzua çdo gjë bjeshkët e kullotat në organizimin e Kooperativave e Ndërmarrjeve Bujqësore në përgjithësi u lanë në që edhe shfrytëzimi i tyre të bëhej sipas fshatrave”, shkruan Çelaj.

Paketa e Maleve, deputeti i PD, Çelaj: Rrezik për paqen sociale

Reagimi i plotë

Paketa e Maleve: Rrezik për bjeshkët e kullotat dhe për paqen sociale në Tropojë, Has e Kukës.

Mënyra me të cilën përfaqësuesit e rilindjes përgatiten dhe e kaluan në seancë këtë ligj  me shpejtësi dhe po thuajse në errësirë totale tregon qartë synimin djallëzor që mbart në vetvete kjo e ashtuquajtura “Paketa e Maleve.” Nga një premtim zhvillimi, në një plagë të re e burim konfliktesh mbi pronësinë kolektive të bjeshkëve, pyjeve e kullotave alpine për banorët e Tropojës, Hasit e Kukësi.

Këshilltarë bashkiakë të Tropojës, Hasit dhe Kukësit, është momenti juaj i përgjegjësisë historike. Qeveria ka nxjerrë në tryezë Paketën e Maleve, e cila premton lehtësira fiskale, tokë publike deri edhe me “1 euro”, dhe procedura ku regjistrimi i pronës vjen pas investimit. Por nëse ky ligj kalon i zbatuar siç është, ju do të mbani mbi supe jo zhvillimin, por konfliktet dhe përplasjet që do të pasojnë.

Trashëgimia e bjeshkëve nuk është mall për plaçkë tregu.

Në Tropojë, Has e Kukës, kullotat, bjeshkët dhe pyjet janë pronë e përbashkët e fiseve dhe fshatrave. Ato kanë qenë të tilla ndër shekuj, janë ruajtur me sakrifica, e shpesh edhe me gjak. Biles edhe në periudhën e regjimit monist ku u kolektivizua e shtetëzua çdo gjë bjeshkët e kullotat në organizimin e Kooperativave e Ndërmarrjeve Bujqësore në përgjithësi u lanë në që edhe shfrytëzimi i tyre të bëhej sipas fshatrave.

Për 35 vite, pas rënies së komunizmit, këto pasuri nuk iu janë regjistruar ende komuniteteve që i zotërojnë historikisht ato, gjë të cilën e kam ngritur disa herë në seancat parlamentare si për regjistrimin e kashnjeteve të gështenjave kësaj pasurie me vlera po ashtu edhe të banesave të ndërtuara me shekuj, por ende vazhdojnë të jenë të pa regjistruara në zyrat e Agjencisë së Kadastrës Shtetërore!

Dhe sot, përmes një pakete të re, rrezikojnë të tjetërsohen për interesa investitorësh fantazmë apo të lidhur nëpërmjet interesave okulte me qeverinë e rilindjes.

Çfarë thonë ligjet ekzistuese?

•   Ligji nr. 55/2016 për Pyjet dhe Ligji nr. 26/2018 për Fondin Kullosor parashikojnë se pyjet dhe kullotat shtetërore administrohen nga bashkitë, por me detyrim të përfshijnë komunitetet lokale në përdorim e menaxhim.

•   Neni 3 i Ligjit për Kullotat e njeh qartë funksionin social-ekonomik të kullotës për blegtorinë dhe detyrimin që të mos tjetërsohen interesat e banorëve vendas.

•   Kushtetuta (neni 59/d) e detyron shtetin të mbrojë mjedisin dhe burimet natyrore, jo t’i shesë pa garanci për ruajtjen e tyre.

•   Ligji për Trashëgiminë Kulturore dhe Natyrore e ka të mbrojtur Zonën e Lumit të Gashit (UNESCO) dhe rezervat strikte – aty ku çdo ndërhyrje duhet të jetë e kufizuar rreptësisht.

Pra, vetë ligjet ekzistuese kërkojnë mbrojtje dhe pjesëmarrje të komunitetit. Ndërsa Paketa e Maleve, me mekanizmin e “legalizimit pas investimit”, i heq komunitetit të drejtën e fjalës paraprake dhe e lë vendimin vetëm në duar të këshillit bashkiak.

Pasojat e drejtpërdrejta

•   Privatizim i kullotave të përbashkëta – investitori merr tokë që në realitet përdoret nga fshati.

•   Përplasje sociale – aty ku pronësia nuk është e qartë, çdo kontratë zhvillimi kthehet në konflikt. Historia e veriut na ka treguar se bjeshka nuk falet dhe këtë duhet ta mësojnë mirë përfaqësuesit e rilindjes që shëtisin sa në një bjeshkë në një tjetër duke broçkullisur gjasme në emër të zhvillimit të këtyre zonave.

•   Cenim i kohezionit social – pronat e përbashkëta janë ngjitësi i fshatit; po u morën, solidariteti thyhet dhe bëhet shkak flagrant për konflikte që fundin mund ta kenë deri në tragjik!

•   Shkatërrim i ekosistemeve – nga Alpet e Tropojës deri te pyjet e Hasit, bjeshkët e bukura të Kukësit, pasi pasuritë natyrore të këtyre zonave janë shumë më të çmuara se çdo resort i përkohshëm i ndërtuar mbi to duke i tjetërsuar bashkë me pronësinë edhe pamjen që natyra ua ka krijuar në shekuj!

•   Zhvillim pa përfitim lokal – lehtësirat fiskale nuk garantojnë që të ardhurat të shkojnë te bariu, bletari apo drurëtari apo banori vendas.

Thirrje këshillave bashkiake

Ju, si këshilltarë të Tropojës, Hasit dhe Kukësit, jeni porta e fundit, por kyçe e vendimmarrjes. Mos pranoni të jepni miratim për dhënie prone pa:

1. Regjistrim paraprak të kullotave dhe pyjeve si pasuri të përdorimit kolektiv.

2. Konsultim të detyrueshëm me komunitetin që posedon këto kullota e pyje për çdo investim.

3. Kufizime zonale të forta pranë rezervave të mbrojtura e UNESCO-s.

4. Kushtëzim të çdo lehtësie fiskale me kontrata furnizimi nga blegtorët e zonës dhe me fonde për ruajtjen e staneve dhe shtigjeve tradicionale.

Nëse heshtni sot duke menduar për ndonjë përfitim të çastit, historia dhe brezat e sotëm dhe ata të ardhshëm do t’ju mbajë përgjegjës për përplasjet që do të lindin. Bjeshkët dhe pyjet e veriut nuk janë pasuri e lirë për treg, por pjesë e identitetit tonë kombëtar. Për to janë bërë beteja dhe është derdhur gjak. Mos e ktheni këtë trashëgimi në shkak për konflikte sociale e gjakderdhje të reja.

Paketa e Maleve duhet ndryshuar rrënjësisht ose refuzuar. Përndryshe, ajo nuk do të jetë paketa e zhvillimit, por paketa e konflikteve e hapjes së plagëve sociale në të gjithë veriun e vendit!

Për një qeveri të përgjegjshme e cila mendon për qytetarët e vet parësore duhet të jenë interesat e banorëve të këtyre zonave e jo interesat e aferat e një grushti personash  të ashtuquajtur investitor strategjik që vetëm kërkojnë të pasurohen me pasurinë e këtyre zonave.

Stop kësaj mynxyre në veriun e Shqipërisë!/kb

  •  

“Vajzat VIP në burgje”, gazetari: Nuk ishte lajm i ri

Vizitat në burgje të vajzave të shoubizit shqiptar dhe botës së medias, për gazetarin Andi Vrapi nuk përbëjnë një lajm të ri. Në “Dita Jonë” në A2 CNN me Bora Shahinin dhe Rei Bezhanin, gazetari tha se në Shqipëri drejtësia duke bërë veshin e shurdhër është pranuar si normalitet. Sipas tij kjo është e dukshme, pasi njerëz që nuk punojnë bëjnë jetë luksi.

“Ky nuk është informacion i ri qoftë për publikun, qoftë për mediat që personazhe të botës së krimit dhe shoubizit dhe në Shqipëri. Kjo është e dukshme. Shohim njerëz që nuk punojnë dhe bëjnë jetë luksi. Është informacion që dihej, thjesht që drejtësia duke bërë veshin e shurdhër është pranuar si normalitet sa kur drejtësia filloi të bënte punën, ne u habitëm”, tha ai A2 CNN.

Gazetari theksoi se drejtësia i ka emra, por ka vendosur të publikojë vetëm inicialet duke ngritur spekulimet tek njerëzit.

“Sa kohë ka vendosur që drejtësia t’i publikojë me iniciale për njerëzit mbetet spekulim. Drejtësia i ka emrat. Institucionet e drejtësisë hedhin shashkën dhe secili shpërndan informacion të rremë për të anashkaluar. Të vjen keq se një publik po manipulohet e mashtrohet”, tha ai në A2 CNN.

Rasti i Leart Haxhiut, por edhe dyshimet se modele të tjera mund të jenë futur në takime speciale, në shkelje të protokolleve dhe sigurisë në burgje, bëri që në korrik të këtij vitit të kryhet verifikimi në disa institucione.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nisi një verifikim të brendshëm në të gjitha burgjet e vendit në lidhje me zbatimin e rregullave për takimet speciale./kb

  •  

Krijohet Operatori Kombëtar për Ujin, Rama: Paaftësia e bashkive, e frikshme!

Është zhvilluar ditën e sotme prezantimi i Operatorit të Ujit. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij nënvizoi se nuk ka më kohë për të humbur dhe se është me shumë rëndësi që të krijohet një strukturë e re kombëtare me fokus menaxhimin e të gjitha burimeve ujore në vend, për të garantuar një efikasitet më të lartë të sektorit dhe shërbim cilësor për të gjithë abonentët

“Dua të ndajmë me publikun një hap të rëndësishëm që duam të hedhim së shpejti lidhur me krijimin e operatorit kombëtar të shpërndarjes së ujit. Kemi pasur një trashëgimi dramatike në sektorin e ujit që kërkon investime dhe administrim të përgjegjshëm dhe në këto vite kemi bërë investime të mëdha dhe kemi rritur përgjegjshmërinë e administrimit. Por jemi të bindur dhe duke parë ecurinë e një reforme që u ndërmor pasa ca vitesh që nuk kemi arsye të humbasim kohë dhe të besojmë në një zgjidhje tjetër përveç një zgjidhje që na është sugjeruar edhe vite më parë.  Fragmentimi në emër të decentralizimit i sistemit të shpërndarjes së ujit në 58 ndërmarrje ishte katastrofë”, tha ai.

Rama: Borxhet e larta, paaftësia në menaxhimin, me politizimin ekstrem të burimeve njerëzore si edhe mungesa e ekspertizës shoqëruar me mungesë të investimeve në mirëmbajtje, sollën situata shumë të pajustifikueshme.

Ndërkohë që, paralelisht ne nga ana jonë kemi bërë investime masive nga ana e qeverisë qendore. Po të shohim hartën sot, nga 4 zona që furnizoheshin me ujë 24 orë dhe me humbje në rrjet afro 70 %, kemi një panoramë tërësisht ndryshe, por ama është ndryshe me atë që ishte jo me sfidën që kemi. Dhe kjo në një kohë që duam të shkëlqejmë në turizëm dhe kur volumi i kërkesës për ujë rritet ndërkohë që kapaciteti është i pamjaftueshëm dhe niveli i papërgjejgshmërisë dhe paaftësisë në pushtetin vendor është i frikshëm.

Ju sjell shembull Vlorën. Nuk është se në bëmë ndonjë investim në ato ditë, por thjesht dhe vetëm komandimi me mision të posacëm nga Tirana dhe me vëmendjen e posacme nga ministria këtu, për ta vënë në vijë me ato që gjendeshin administrimin solli një përmirësim të jashtëzakonshëm të situatës dhe hoqi ankthin dhe pasigurinë, ndjesinë e alarmit se nuk kemi ujë
Raporti i bërë nga ai ekip për situatën e ujësjellësit të Vlorës është i frikshëm. Nivel papërgjegjshmërie i frikshëm. Solla rastin konkret duke qenë se flasim për një nga pikat më të ngarkuara./kb

  •  

“Qeveria nuk do të rrisë çmimin e ujit”, Balluku: Mbrojtje më të fortë për burimet ujore!

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe njëherësh zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u shpreh se për të gjitha ata që thonë se do të ketë një rritje të çmimit të ujit, kjo nuk është e vërtetë. Balluku nënvizoi se do të sigurohet një mbrojtje më e fortë për burimet ujore.

“Të gjithë dalin dhe thonë se qeveria do të rrisë çmimin e ujit, por nuk është e vërtetë. Do të sigurohet mbrojtje më e fortë për burimet ujore. Do të ketë edhe një përshpejtim të zhvillimit teknologjik. Flasim për sigurinë e produktit që shpërndahet në çdo shtëpi. Sigurisht që ne do të kemi edhe një njësi të dedikuar, pjesë e operatorit  të prodhimit të ujit e ngritur mbi kërkimin dhe teknologjinë. Asgjë nuk duhet shpikur nga fillimi, sot vende që Zoti nuk i ka bekuar si Shqipëria arrijnë të furnizojnë tregun e tyre 24 orë duke përdorur teknologji…Kjo do të japë mundësi të kemi zhvillime të bazuara me praktika më të mira ndërkombëtare me të gjithë partnerët. Nuk do të jetë e nevojshme që të kemi ndryshime ligjore”, tha ndër të tjera Balluku./kb

  •  

Firmosi me Juventusin, Braçe ‘kritika’ për Edon Zhegrovën: Pupupu

Emri i Edon Zhegrovës vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, jo vetëm mes tifozëve, por edhe te politikanët shqiptarë. Pas urimeve nga kryeministri Edi Rama, ka reaguar edhe deputeti i PS-së, Erion Braçe.

Në një “story” në Instagram, Braçe komentoi me humor veshjen e sulmuesit 26-vjeçar gjatë prezantimit te Juventusi në Torino.

“Pupupupupu! Ngriji pantallonat u çun. Po vjen te ekipi i avokatit, jo te klubi i getos”, shkroi ai. Braçe është një tifoz i ‘Zonjës së Vjetër’ dhe është ‘kujdesur’ që të këshillojë Zhegrovën për ‘look-un’.

Kujtojmë se sulmuesi i Kosovës firmosi deri në verën e 2030 te Juvja./kb

  •  

Balluku: Uji i pijshëm s’mund të përdoret për lavazhe makinash dhe mbushje pishinash

Ministrja Belinda Balluku ka “qortuar” sot të gjithë ata që shfrytëzojnë ujin e pijshëm në mënyrë pa kriter. Ajo tha se uji i pijshëm nuk mund të përdoret për larjen e makinave dhe as për mbushjen e pishinave.


Balluku:

Uji i pijshëm nuk mund të jetë i disponueshëm as për lavazhe makinash dhe as për të mbushur pishinave. Kur ne i referohemi ujit të pijshëm, i referohemi detyrimit që shteti ka për t’iu ofruar qytetarëve ujë 24 orë me cilësi sanitare të lartë për tu përdorur për shërbimet e tyre./kb

  •  

Sa nga anëtarët e NATO-s përmbushin objektivin e ri?

Të gjithë anëtarët e NATO-s tani arrijnë pragun minimal të shpenzimeve të mbrojtjes të vendosur nga aleanca. Polonia, Lituania, Letonia përmbushin edhe objektivin e ri.

“Vetëm paratë nuk ofrojnë siguri”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, por shtetet anëtare kanë rritur shpenzimet që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Sipas një raporti të ri të NATO-s, të gjitha shtetet anëtare të aleancës do të përmbushin objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes prej 2% të PBB-së këtë vit, por vetëm tre aktualisht përmbushin objektivin e ri prej 3.5%.

Sipas raportit të publikuar të enjten në Bruksel, vendet e NATO-s që më parë kishin mbetur prapa, si Spanja, Italia dhe Belgjika, tani kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes në nivelin e rënë dakord në samitin e NATO-s në Uells në vitin 2014.

Vlerësimet e Aleancës treguan se vetëm vitin e kaluar, më shumë se 10 nga 32 anëtarët e aleancës nuk e arrinin objektivin prej 2%.

Megjithatë, shumë shtete anëtare kanë rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe pas kërkesave të Presidentit të SHBA Donald Trump që aleatët evropianë të investojnë më shumë në mbrojtjen e tyre.

Cilat vende të NATO-s po përmbushin objektivin e ri prej 3.5%?
Megjithatë, vetëm tre anëtarë të NATO-s po përmbushin aktualisht objektivin e ri prej 3.5% të PBB-së të rënë dakord në Hagë në qershor: Polonia (4.48%), Lituania (4%) dhe Letonia (3.73%).

Edhe pse kontribuon me pjesën më të madhe në pikëpamje absolute, SHBA planifikojnë të shpenzojnë vetëm 3.22% të PBB-së për mbrojtje këtë vit.

Shifrat specifike për Gjermaninë nuk janë në dispozicion, por qeveria ka treguar se Berlini do ta përmbushë objektivin pasi ligjvënësit të miratojnë buxhetin.

Duke folur në hapjen e një fabrike të re municionesh Rheinmetall në Gjermani të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte përshëndeti rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga anëtarët e aleancës, por bëri thirrje që fondet shtesë të shndërrohen në aftësi të vërteta ushtarake.

“Vetëm paratë nuk ofrojnë siguri,” tha ai në objektin në qytetin Unterlüss, pranë Hanoverit. “Frikësimi nuk vjen nga 5%; frikësimi vjen nga aftësimi për të… luftuar armiqtë e mundshëm./kb

  •  

“Gaza, një nga episodet më të errëta” Sánchez: Përgjigja e Evropës ka qenë një dështim

Standardet e dyfishta të Evropës dhe Perëndimit mbi luftërat në Ukrainë dhe Gaza kërcënojnë të minojnë pozicionin e saj global, paralajmëroi kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, duke e përshkruar përgjigjen ndaj sulmit të Izraelit në territorin palestinez si një nga episodet më të errëta të marrëdhënieve ndërkombëtare në shekullin e 21-të.

“Ajo që po shohim tani në Gaza është ndoshta një nga episodet më të errëta të marrëdhënieve ndërkombëtare në shekullin e 21-të, dhe në këtë drejtim ajo që duhet të them është se Spanja ka qenë shumë e zëshme brenda BE-së dhe gjithashtu brenda bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai. “Brenda BE-së, ajo që kemi bërë deri më tani është të mbështesim pezullimin e partneritetit strategjik që BE ka me Izraelin.”

Sánchez është udhëheqësi i parë i lartë evropian që akuzoi Izraelin për gjenocid në Gaza. Ai tha se ishte i kënaqur që vendet e tjera evropiane po ndiqnin shembullin e Spanjës në njohjen e një shteti palestinez, por pranoi se përgjigjja e Evropës kishte qenë e dobët.

“Është një dështim. Absolutisht. Është gjithashtu realitet se, brenda Bashkimit Evropian, ka vende që janë të ndara kur bëhet fjalë për mënyrën e ndikimit tek Izraeli. Por sipas mendimit tim, kjo nuk është e pranueshme dhe ne nuk mund të zgjasim më gjatë nëse duam të rrisim besueshmërinë tonë kur bëhet fjalë për kriza të tjera, si ajo me të cilën përballemi në Ukrainë. Rrënjët e këtyre luftërave janë krejtësisht të ndryshme, por bota po shikon nga BE-ja dhe gjithashtu nga shoqëria perëndimore dhe po pyet: Pse po përdorni standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për Ukrainën dhe kur bëhet fjalë për Gazën?’”

Në një intervistë për gazetën “Guardian” përpara bisedimeve me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, në Londër të mërkurën, udhëheqësi socialist tha gjithashtu se SHBA-ja nën drejtimin e Donald Trump po përpiqej t’i jepte fund rendit global të bazuar në rregulla pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai gjithashtu mbrojti përfitimet e migracionit dhe fajësoi partitë tradicionale të krahut të djathtë për thyerjen e konsensusit mbi përgjigjen ndaj emergjencës klimatike duke kopjuar politikat e rivalëve të tyre populistë/kb

  •  

Qetësia në pavarësi: Fondi i pensionit në SIGAL si mundësi

Pavarësia financiare në moshën e pensionit nuk është e lehtë, por ajo pavarësi garanton qetësinë dhe mbarëvajtjen e moshës së tretë.

Në Shqipëri vendimmarrjet e lehta janë pakta. Megjithatë, panorama është e thjeshtë nga sa mendohet: Pensioni shtetëror mbulon vetëm nevojat bazë, për një jetë më të qetë e të pavarur duhet një alternativë më e sigurt dhe më fitimprurëse.

Kjo mundësi ekziston dhe është Skema e Pensioneve Private.Këtë mundësi e ofron lideri i tregut financiar, sigurime dhe pensione, SIGAL Fond Pensioni.

SIGAL mund krijosh një fond pensioni falas, pa detyrime, hapura, pa dallim moshe, vendodhje apo nivelit punësimit.

Hapja e një fondi pensional te SIGAL sjell shumë përfitime: përcaktimi i shumës kontributit dhe përfitimit mujor, siguria e lartë pasi kursimet tuaja investohen obligacione QeverisëShqiptare me risk minimal, mundësia e daljes pension deri 5 vite herët se sa skema shtetërore, asetet e trashëgueshme dhe sigurta nga çdo konfiskim, si dhe lehtësia tatimore deri investim 40,000 lekë muaj përjashtim nga tatimi.

Me koston ulët administrimit treg (vetëm 1,5%), me një portofol menaxherial rreth 35 milionë euro duke zënë 40% tregut aseteve pensioneve, me investime mjete monetareme risk minimal, me ulje veçanta formë bonusesh për anëtarët e fondit  (50% bonus për shërbime mjekësore, 25% bonus sigurimet vullnetare shtëpisë dhe 15% bonus sigurimin Kasko makinës), Fondi i Pensionit SIGAL mbetetalternativa e mirëmenduar për t’u zgjedhur.

Edhe raportin zyrtar AMF për 6-mujorin e parë vitit, SIGAL Max Pensioni konfirmon pozitat kyçe e shëndosha në treg me 17,217 anëtarë dhe 3,380,650,000 Lekë. Po ashtu edheSIGAL Pro Pensioni, me 603 anëtarë, me asete neto 46,540,000 Lekë.

Investimi në SIGAL Fond Pensioni është një mënyrë inteligjentepër të siguruar qetësinë financiare në të ardhmen përmes formës më të zgjuar e më të bukur: pavarësisë./kb

  •  

Belind Këllici: Tërmet Peçi do jetë ministri i i ri i Financave

Në një emision televiziv Belind Këllici zbuloi emrat e mundshëm të ministrave të ardhshëm në qeveri.

Ai deklaroi se Tërmet Peci mund të jetë Ministër i Financave, ndërsa Agron Malaj mund të marrë postin e Ministrit të Brendshëm. “Unë kam ardhur këtu të flas për qeverinë dhe për lajmet që qarkullojnë që Tërmet Peçi mund të jetë ministër Financash, për Agron Malajn që mund të jetë ministër i Brendshëm. Ky është lajmi i tanishëm, Tërmet Peçi ministër financash. Në këto nivele do shkojë mazhoranca.”, tha Këlliçi.

Për raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, Këlliçi theksoi se dokumentimi me video dhe dokumente tregon realitetin e tre muajve të fundit. “E vërteta është e vetmja, nuk mund të mohohet. Në Shqipëri ka pasur votime, por jo zgjedhje reale; ka pasur një farsë dhe kundërshti të manipuluar,” tha ai./kb

  •  

Tjetër akuzë për përdhunim ndaj aktorit francez, Gérard Depardieu rrezikon 20 vite burg

Aktori i njohur francez Gérard Depardieu është akuzuar për përdhunimin e aktores Charlotte Arnould, njoftoi Gjykata Penale e Departamentit të Parisit, sipas burimeve të transmetuesit BfmTv. Nëse dënohet, ai përballet me deri në 20 vjet burg.

Në një gjyq të mëparshëm, Depardieu u dënua për sulm seksual dhe mori një dënim me 18 muaj burg, të cilin ai e ka apeluar. Vendimi i ri lidhet me akuzat e ngritura nga Charlotte Arnould, e cila e akuzoi aktorin se e kishte përdhunuar dy herë, më 7 dhe 13 gusht 2018, në shtëpinë e tij në Paris.

Pas një hetimi nëntëmujor, padia e parë ishte rrëzuar, por Arnould ngriti një padi të re si paditëse civile. Në dhjetor 2020 u emërua një gjyqtar hetimor paraprak, i cili konkludoi se kishte prova serioze dhe të qëndrueshme. Si rezultat, Gérard Depardieu u akuzua më pas për përdhunim dhe sulm seksual. Prokurorët kërkuan një aktakuzë në gusht 2024.

Depardieu është raportuar për sjellje të pahijshme nga më shumë se 20 gra, por deri tani vetëm kjo çështje e sulmit seksual është çuar në gjykatë. Disa akuza të tjera janë pushuar për shkak të mungesës së provave ose parashkrimit.

Në maj të këtij viti, një gjykatë në Paris e shpalli fajtor për sulm seksual për incidentet që ndodhën gjatë xhirimeve të filmit të vitit 2021, Les Volets Verts. Ai mori dënim me kusht prej 18 muajsh dhe u regjistrua në dosjen penale për mos përmbushje të kritereve të pjesëmarrjes.

Ky rast i ri vë Gérard Depardieu përballë një sfide të madhe ligjore dhe mediat e ndjekin me vëmendje ndërkombëtare./kb

  •  

“Vdekja e Greqisë”, Elon Musk ndez debatin në rrjet me vetëm dy fjalë

Miliarderi i teknologjisë Elon Musk ka shprehur këtë të martë shqetësimin e tij për krizën demografike që po përkeqësohet në Greqi, pasi raportet konfirmuan se fqinji ynë jugor do të mbyllë më shumë se 700 shkolla për vitin akademik 2025-2026 për shkak të rënies së lindjeve.

Musk ndau në profilin e tij në platformën ‘X’ një artikull nga Visegrád 24 duke shkruar vetëm dy fjalë: “Vdekja e Greqisë“.

Postimi u bë shpejt viral, duke mbledhur mbi 1.8 milion shikime brenda disa orësh dhe duke shkaktuar diskutime të nxehta në mediat sociale.

Sakaq, sipas shifrave zyrtare, Greqia do të mbyllë 721 shkolla në të gjithë vendin këtë vit, përfshirë 324 shkolla fillore dhe 358 kopshte. Mbylljet pasqyrojnë rënien dramatike të numrit të studentëve në vend, me Greqinë që regjistron një nga normat më të ulëta të fertilitetit në Bashkimin Evropian, rreth 1.3 lindje për grua.

Njoftimi ka intensifikuar shqetësimet në lidhje me qëndrueshmërinë afatgjatë të vendit, me ekspertët që paralajmërojnë për pasoja të rënda për ekonominë, fuqinë punëtore dhe strukturën sociale nëse rënia demografike nuk përmbyset.

“Vdekja e Greqisë”, Elon Musk ndez debatin në rrjet me

Ndërkohë, CEO i Tesla-s Elon Musk, ka folur vazhdimisht për rënien e normave të lindshmërisë globale, duke i quajtur shpesh një nga kërcënimet më të mëdha për qytetërimin. Ai ka argumentuar se rritja ekonomike, inovacioni dhe madje edhe ruajtja e kulturës janë në rrezik nëse normat e lindshmërisë vazhdojnë të bien nën nivelet e zëvendësimit.

Shprehja e tij e ashpër, “Vdekja e Greqisë”, po interpretohet nga shumë si një paralajmërim jo vetëm për Athinën zyrtare, por edhe për vendet e tjera që përballen me sfida të ngjashme demografike, si Italia, Spanja dhe Japonia.

Postimi shkaktoi një valë reagimesh në internet. Disa përdorues i bënë jehonë alarmit të Musk, duke i quajtur mbylljet e shkollave një “tragjedi kombëtare”, ndërsa të tjerë argumentuan se imigracioni, reforma e politikave dhe inovacioni teknologjik mund ta zbusin krizën./kb

  •  

Kur natyra godet: Mbi 198 milionë dollarë humbje çdo vit, 5 mijë shqiptarë të prekur

Mbi 198 milionë dollarë në vit, 16.5 milionë në muaj apo rreth 550 mijë dollarë në ditë. Kaq para humbet Shqipëria nga ndryshimet klimatike sipas llogarive të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kryesisht në formë zjarresh, përmbytjesh e tërmetesh, gati 5 mijës shqiptarë dëmtohen ekonomikisht nga fatkeqësitë natyre çdo vit.

“Raporti i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, por edhe studime të Bankës së Shqipërisë tregojnë se 1 në 200 shqiptarë rrezikohet nga ndryshimet klimatike”, thotë studiuesja Asetila Kostinger.

Në raportin e fundit, mbi perspektivën ekonomike të vendeve në zhvillim Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, paralajmëroi se thatësira rrezikon të ngadalësojë rritjen ekonomike të vendit.

“Shqipëria duhet të ndryshojë qasje në drejtim të mënyrës së prodhimit në bujqësi dhe energji. Të dy këta sektorë rrezikohen nga mungesa e reshjeve veçanërisht”, shprehet studiuesja Asetila Kostinger.

Gjatë një konferencë ndërkombëtare për klimën dhe mjedisin, profesorë shqiptarë e të huaj theksuan nevojën e masave nga të gjitha shtetet për të përballuar ngjarjet ekstreme të motit pa rrezikuar jetën e banorëve të tyre. Po sa i përgatitur është vendi në drejtim të parandalimit të ndryshimeve klimatike?

“Në Shqipëri flitet pak për ndryshimet klimatike. Mungon kultura në këtë drejtim. Fenomeni është më serioz nga sa mendohet”, thotë Asetila Kostinger studiuese.

Në vitin 2021, qeveria miratoi një Plan të posaçëm për Energjinë dhe Klimën. Në të nxirret në pak nevoja për uljen e  ndotjes së gazeve në atmosferë dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbra./kb

  •  

Avokati zbulon shifrat, ja sa para iu zhvatën shqiptarëve nga “skemat piramidale” online

Ish-prokurori Besnik Muçi zbuloi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, se qytetarët shqiptarë kanë depozituar në platformën TXEX dhe të ngjashme me të, që rezultojnë të jenë skema piramidale online, mbi 150 milionë euro në total.

Bëhet fjalë për mbi 150 milionë euro që po mashtrohet. Është më shumë se dëmi i firmave piramidale. Këtu ka një fenomen kriminal, po vidhen paratë e qytetarëve”, tha Muçi.

Më tej ai bëri thirrje që institucionet shtetërore të reagojnë për të mbrojtur qytetarët nga kjo katastrofë dhe një mënyrë sipas tij është mbyllja e linkut të platformës, duke ia bërë të pamundur aksesin në Shqipëri.

A është krim, mashtrim i thjeshtë, apo mashtrim kompjuterik pak rëndësi ka për qytetarin. Policia e Shtetit shumë mirë është për tu përgëzuar që ka bërë referimin në prokurori. Të mbyllet platforma në Shqipëri, prandaj ne paguajmë AKSHI-n. Nëse bëhet fjalë për mashtrim me kriptomonedha, por ama janë të ngjashme me këto platformat exchange, ama jemi në një përzierje të monedhës virtuale dhe parave cash. Kemi një ligj të 2020 për rregullimin e monedha virtuale, atëherë ku janë  këta që do e zbatojnë ligjin? Ne kemi ligjin por shteti nuk vepron. AKSK ta ndërpresë, ta gjejë nga vjen burimi. Ta ndërpresë atë fijen e këtij linku që vjedh qytetarët shqiptarë, siç ndërpreu Tik Tok-un”, u shpreh Muçi.

Ndërkohë, ish-drejtuesi i policisë Shemsi Prençi tha se ka dijeni që organi i akuzës ka vendosur të mos nisë hetimet për rastin pas referimit të çështjes nga policia.

Është vendosur mosfillim i hetimit, e kam informacion të saktë”, tha Prençi./kb

  •  

Pasuria e Trump rritet me miliarda nga kriptomonedha e re

Pasuria e familjes Trump është rritur me rreth 5 miliardë dollarë në letër, pasi kompania e tyre e re financiare, World Liberty Financial, hodhi në treg token-in e saj digjital $WLFI. Kriptomonedha debutoi të hënën, duke u tregtuar fillimisht mbi 0.30 dollarë, përpara se çmimi të binte në 0.20 dollarë.

Sipas CoinMarketCap, gjatë orës së parë të tregtimit u shkëmbyen afërsisht 1 miliard dollarë në vlerë token-esh, duke e çuar kapitalizimin e $WLFI në rreth 7 miliardë dollarë duke e renditur si kriptomonedhën e 31-të më të madhe në botë, sipas të dhënave të CoinGecko.

Që nga krijimi i World Liberty vitin e kaluar, familja Trump ka përfituar rreth 500 milionë dollarë nga projekti. Në total, zotërimi i rreth një të katërtës së token-eve i ka shtuar mbi 5 miliardë dollarë pasurisë së familjes. Donald Trump figuron në faqen zyrtare të kompanisë si “bashkëthemelues emeritus”, por ai dhe djemtë e tij nuk lejohen të shesin zotërimet e tyre.

Disa nga bursat më të mëdha të kriptomonedhave në botë, përfshirë Binance, OKX dhe Bybit, e kanë listuar $WLFI në platformat e tyre.

Mbështetësit e parë të projektit u tërhoqën kryesisht nga lidhja e fortë e kriptomonedhës me emrin Trump, duke shpresuar se vlera e saj do të rritej falë mbështetjes së tij. Bërja e token-it të tregtueshëm ka hapur rrugën për më shumë spekulime dhe fitime nga tarifat e tregtimit.

Megjithatë, hyrja e familjes Trump në botën e kriptomonedhave ka ngritur shqetësime mbi konfliktet e interesit, pasi ai njëkohësisht ka promovuar politika pro-kripto në SHBA. Zëdhënës të Shtëpisë së Bardhë kanë theksuar se pasuritë e tij ndodhen në një trust të menaxhuar nga fëmijët, duke mohuar çdo konflikt./kb

 

  •  

Parashikimi i motit/ Si do variojnë temperaturat përgjatë ditës

Territori shqiptar në orët e para të mëngjesit dhe mesditës së kësaj të mërkure parashikohet të jetë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash ku herë pas here pritet zhvillim i tyre duke gjeneruar rrebeshe shiu.

Më të theksuara pritet të jenë në zonat veriore dhe qëndrore.

Pjesa e dytë e dites do vijojë me vranësira dhe shira në zonat malore duke lënë bregdetin dhe zonat e ulëta me kthjellime dhe vranësira të shpeshta.

Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes, por ulen në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 13°C temperatura më e ulët deri në 32°C vlera më e lartë në rang vendi.

Era do të fryjë mesatare deri e fortë duke arritur shpejtësinë mbi 55 km/h nga drejtimi Verior.

Kjo do të bëj që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 4 ballë./kb

  •  
❌