Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rritje të ndjeshme në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Partia e Albin Kurtit është rrugës për të formuar e vetme qeverinë. Pas procesimit të rreth 95 për qind të vendvotimeve në nivel vendi, LVV-ja ka marrë pak nën 50 për qind. Me këtë përqindje, kjo parti do t’i marrë mbi 55 ulëse në Kuvend dhe mund ta krijojë shumicën e nevojshme prej 61 ulësesh vetëm me bashkëpunim me partitë nga komunitetet joshumicë. Partitë tjera parlamentare shqiptare pësuan rënie të ndjeshme.
KQZ-ja shpall rezultatet preliminare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në konferencën e fundit për ditën e sotme, ka shpallur rezultatet preliminare.
Në platformën e KQZ-së nga 96% e votave të procesuara, Lëvizja Vetëvendosje ka 49.80 për qind të votave apo 422 mijë e 561 vota. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.21 për qind apo 179 mijë e 933 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës renditet e treta me 13.76 për qind apo 116 mijë e 777 vota. E katërta bazuar në rezultatet preliminare është renditur AAK-ja me 5.73 për qind apo 48 mijë e 630 vota.
Nisma Socialdemokrate nuk e ka kaluar pragun, me 14 mijë e 545 vota apo 1.71 për qind.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka deklaruar se numërimi i votave të kandidatëve për deputet do të fillojë nesër, më 29 dhjetor.
Në këto rezultate nuk përfshihen votat e diasporës, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Pas procesimit të 95 për qind të votave, VV-ja merr 56 ulëse në Kuvend.
Me përllogaritjen sipas formulës “D’Hondt”, Partia Demokratike e Kosovës me 21 për qind të votave ka 23 ulëse. Lidhja Demokratike ka 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6 ulëse.
Në krahasim me zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje është rritur në Kuvend për tetë ulëse, nga 48 sa i kishte.
Ndërkaq, PDK-ja e humbi një ulëse.
Humbësja më e madhe është LDK-ja që ka humbur pesë ulëse, nga 20 sa kishte.
AAK-ja në koalicion me Nismën ka pasur 8 ulëse.
Kjo përllogaritje vlen pa u numëruar votat nga postë dhe ato në përfaqësi diplomatike.
20 ulëse të tjera ndahen në 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera. Për të pasur shumicën mjaftojnë 61 vota.
Abdixhiku fton Kuvendin e LDK-së, paralajmëron dorëheqje
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë përgjegjësinë për dështimin që partia e tij e ka pësuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai ka njoftuar se ditëve në vijim do ta ftojë Kuvendin e partisë për të shqyrtuar “të gjitha çështjet dhe përgjegjësitë si kryetar”. Në një konferencë për media të dielën, Abdixhiku ka dhënë sinjale se mund të dorëhiqet nga posti i kryetarit.
Ai ka thënë se rezultati i LDK-së nuk është ai që e kanë pritur dhe ky do të jetë moment reflektimi. Shtoi se e respekton verdiktin e qytetarëve.
“Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësit që mbaj si kryetar. Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku tutje u shpreh se në këto pesë vjet drejtimi të LDK-së ka vepruar ashtu që ka besuar se është më e mira për partinë.
“Këto pesë vjet, kam vepruar ashtu siç kam besuar se është më e mira për LDK-në. Megjithatë, sot them hapur nuk kam arritur ta çojë LDK-në aty ku duhet të jetë. Kemi ndërtuar ekip të mirë, kemi ndërtuar fushatë të dinjitetshme, por ky është verdikti qytetar dhe përulemi para tij. Qytetari gjithmonë ka të drejtë”, ka shtuar ai.
Abdixhiku uroi edhe fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurti.
“Më lejoni të uroj fituesin. Shteti është mbi secilin prej nesh. Le të shpresojmë se qytetarët kanë zgjedh drejt këtë herë”, ka deklaruar ai.

gijotina.com/