Ministrja e Jashtme Spiropali ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënimin e ish-krerëve të UÇK në gjyqin që po zhvillohet në Hagë. Ajo...
Ministrja e Jashtme Spiropali ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënimin e ish-krerëve të UÇK në gjyqin që po zhvillohet në Hagë. Ajo thekson se kohëzgjatja e paraburgimit, që tashmë ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, dhe natyra e akuzave të ngritura ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Më tej në reagim vërhete se kërkesa e prokurorisë ushqen gjithnjë e më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme në trajtimin e kësaj çështjeje, sidomos kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb. Më tej ministrja e Jashtme shton se edhe sot e kësaj dite shumë krime ndaj civilëve në Kosovë mbeten pa përgjegjësi penale. Spiropali bën thirrje për drejtësi ndërkombëtare të paanshme, e balancuar dhe bazuar në prova të pakontestueshme. Gjithashtu ajo thekson që procesi gjyqësor të mos dëmtojë historinë, dinjitetin dhe kujtesën e luftës çlirimtare dhe vendimi të jetë i drejtë, i bazuar në prova dhe standardet më të larta të drejtësisë. Në fund Spiropali shpreh angazhimin e Shqipërisë për të ndjekur procesin dhe për të mbrojtur shtetin e së drejtës, drejtësinë ndërkombëtare dhe dinjitetin e luftës çlirimtare të Kosovës. Reagimi i Spiropalit “Po ndjekim me shqetësim të thellë zhvillimet e sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria paraqiti propozimin e dënimeve ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Kohëzgjatja e paraburgimit, që tashmë ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, dhe natyra e akuzave të ngritura ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Kjo situatë ushqen gjithnjë e më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme në trajtimin e kësaj çështjeje, sidomos kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb. Edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës mbeten të patrajtuara dhe pa përgjegjësi të plotë penale. Kjo pabarazi në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë ndjesinë e standardeve të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare. Ne besojmë se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, pa krijuar perceptimin e trajtimeve selektive ndaj palëve të përfshira në konflikt. Drejtësia që perceptohet si e njëanshme rrezikon të dëmtojë besimin publik dhe të lërë plagë të reja në një rajon që ka nevojë për pajtim të qëndrueshëm. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje çlirimtare që gëzoi mbështetjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare në përballje me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara gjerësisht ndaj popullsisë civile. Çdo proces gjyqësor që trajton individë të asaj lufte duhet të ruajë me kujdes dallimin thelbësor midis përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri. Gjykata ka sot një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që procesi të mos lejojë që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të prekin padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri. Vetëm një vendim i drejtë, i bazuar në prova dhe në standardet më të larta të drejtësisë, mund të largojë hijen e rëndë që këto qëndrime kanë hedhur mbi kujtesën historike të një lufte të drejtë. Shqipëria riafirmon se drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin, jo për të krijuar narrativa që rishkruajnë historinë ose relativizojnë përgjegjësitë e njohura ndërkombëtarisht për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. #voxnews #media #news
123 views







