Ndërsa Prokuroria e Posaçme ka nën hetim tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe vetë parkun e shumëpërfolur teknologjik në X...
Ndërsa Prokuroria e Posaçme ka nën hetim tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe vetë parkun e shumëpërfolur teknologjik në Xhafzotaj të Shijakut, një prej figurave kyçe të këtij projekti ka arritur të sigurojë sërish një kontratë të majme nga fondet publike. Bëhet fjalë për biznesmenin Armand Shara, i njohur si një nga themeluesit dhe mendjet drejtuese të parkut DURANA, i cili ka përfituar një tender me vlerë rreth 2 milionë euro nga AKSHI, pavarësisht se drejtues të këtij institucioni janë nën hetim penal, ndërsa ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Sipas dokumentacionit të procedurës, kontrata ka si objekt mirëmbajtjen e sistemit “e-receta” për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe parashikon një afat zbatimi prej 24 muajsh. Fondi limit i tenderit kapte shifrën mbi 210 milionë lekë, ose rreth 2.2 milionë euro. Por ajo që ngre dyshime të forta është mënyra se si është zhvilluar gara. Në procedurë është regjistruar formalisht edhe një operator tjetër ekonomik, por ky i fundit nuk ka dorëzuar as ofertë financiare dhe as dokumentacion shoqërues. Praktikisht, tenderi ka mbetur pa konkurrencë reale, duke i hapur rrugë shpalljes fituese të kompanisë “Infosoft Systems”, e lidhur në mënyrë direkte me Armand Sharan. Oferta fituese kapte vlerën rreth 185 milionë lekë pa TVSH, ose mbi 2.3 milionë euro me TVSH, çka u shpall automatike fituese për shkak të mungesës së rivalëve realë në garë. Kjo situatë ka shtuar dyshimet se procedura ka qenë e paracaktuar, ndërsa pjesëmarrja e kompanisë tjetër është përdorur thjesht për të krijuar idenë e një gare formale. Skandali thellohet edhe më tej nga fakti se një tjetër kompani e lidhur me familjen Shara, e regjistruar së fundmi në parkun DURANA, rezulton e themeluar pikërisht në qershor 2025 dhe ka si adresë të saj Xhafzotajn. Kjo firmë, ndonëse në letra figuron me pronësi të shpërndarë, sipas burimeve lidhet drejtpërdrejt me Armand Sharan dhe rrethin e tij familjar. Emri i këtij biznesmeni shfaqet vazhdimisht në dosje hetimore të SPAK, përfshirë edhe hetimet ndaj AKSHI-t, ku kompani të lidhura me të kanë pasur rol aktiv në disa procedura të dyshimta. Megjithatë, pavarësisht hetimeve, arrestimeve dhe akuzave për abuzime të rënda me fondet publike, skema e përfitimit të tenderëve duket se vijon pa u ndalur. Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin real të kontrollit shtetëror dhe efektivitetin e hetimeve: si është e mundur që kontrata miliona euro të jepen pa garë, në një institucion nën hetim, dhe të përfundojnë te të njëjtët emra? Dhe mbi të gjitha, ku kanë përfunduar qindra miliona euro të shpenzuara ndër vite nga AKSHI dhe kush ka përfituar realisht prej tyre?
14.7K views






