Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës neglizhencën e frikshme të drejtuesve dhe personelit mjekësor të Burgut 313 në Tiranë, ku një i paraburgosur h...
Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës neglizhencën e frikshme të drejtuesve dhe personelit mjekësor të Burgut 313 në Tiranë, ku një i paraburgosur humbi jetën. Në datën 28 tetor 2023, i paraburgosuri Artan Zylyftari, i cili ndodhej në qelinë numër 5, në katin e parë të godinës B të këtij institucioni, është ndjerë keq dhe ka kërkuar ndihmë më të specializuar mjekësore. Emisioni investigativ ka siguruar videot e plota, ku pamjet e kamerave të sigurisë kanë hedhur dritë mbi abuzimin e këtij personeli, teksa shihet mjaft qartë se infermierja ishte “me duar në xhepa”, ndërkohë që mjeku as nuk ndodhej në vendin e punës. Në filmim duken disa të burgosur të tjerë, mes të cilëve edhe Geri Zylyftari, vëllai i viktimës, i cili kërkon me ngulm ndihmë mjekësore. “Në atë datë, në orën 3 e 8 minuta, vëllai im ka pasur shqetësime të zemrës dhe ka rënë përtokë. Në qeli kam qenë unë, vëllai, kushëriri dhe një shok tjetër. E kemi marrë vëllanë në orën 3 e 12 minuta për t’a nxjerrë në korridor. Ka ecur me këmbët e tij deri aty dhe nga ora 3 e 12 minuta e deri në 3 e 30 minuta, na ra dhe s’u çua më. Ne lajmëruam punonjësin që të lajmëronte infermieren dhe mjekun. Polici i lajmëroi, kurse mjeku s’është afruar që t’i japë ndihmë, as infermierja”, thotë Geri Zylyftari, në një rrëfim për Fiks Fare. Në pamje duket se viktima ka qenë i shtrirë në mes të korridorit, ku disa gardianë i japin ndihmën e parë. Ata i bëjnë masazh kardiak. Të paraburgosurit tentojnë t’a ndihmojnë për minuta të tëra. Pranë tyre, asnjë gjurmë të stafit mjekësor. “Infermieres i është dashur 15 minuta për të ardhur në atë korridor. Ka ardhur pas kaq kohësh, s’kishte asnjë lloj gjëje, as medikamente, pajisje e as defribilator. Nëse do kishte pasur këto gjëra, ai s’do vdiste! Për shkak të kësaj, ai ka ndërruar jetë” vijon Geri. Çuditërisht, në atë ditë, orë, minutë e sekondë, asnjë mjek nuk ka shkuar për të dhënë ndihmën e parë. Pranë të paraburgosurit ka shkuar vetëm infermierja. “Burgu ka pasur edhe mjekë por s’ka ardhur. Infermierja vetëm i ka matur pulsin. Pulsi i kishte rënë dhe donte defribilator që t’a kthente në jetë dhe nuk e kishin. Kanë pritur edhe ambulancën, është vonuar deri në 3 e 30 minuta” shton ai. Në video duket qartë neglizhenca dhe paaftësia e stafit mjekësor të Paraburgimit 313 në një situatë të tillë. Disa gardianë e marrin të paraburgosurin me batanije, për t’a transportuar deri te autoambulanca. “E kanë marrë aty me batanije për t’a çuar në QSUT, s’ka pasur barrelë, asnjë lloj gjëje. E kanë rrëzuar dhe rrugës. Me batanije e morën punonjësit e policisë. Kjo është çdo gjë absurde. Vonesa dhe neglizhenca e atyre i morën jetën atij. S’kanë pasur as barelë dhe asnjë lloj gjëje. S’kanë pasur asnjë lloj kushti, asnjë lloj gjëje”, thotë Geri, i cili është edhe dëshmitar okular i asaj që ka ndodhur brenda burgut 313 në Tiranë. Në dosjen e prokurorisë shkruhet se Artan Zylyftari ka ndërruar jetë në QSUT. “Vëllai im ka ndërruar jetë në institucionin e burgut. Atë e kanë marrë pa barrelë dhe e kanë rrëzuar rrugës. Ka qenë ora 3 dhe doktoresha duhet të ishte prezente se ka ndodhur diçka në institucionin e burgut. Në dijeninë time ka pasur doktorë, por s’ka qenë aty. Për neglizhencën e tyre ka vdekur vëllai im” shton Geri. #voxnews #media #news
1119 views







