Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në burgun famëkeq të Koridhalosit në Greqi, ku është vrarë Jani Aliaj, 49 vjeç nga Tepelena, i njohur me nofkën “Xheku ...
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në burgun famëkeq të Koridhalosit në Greqi, ku është vrarë Jani Aliaj, 49 vjeç nga Tepelena, i njohur me nofkën “Xheku i frikshëm”. Aliaj u godit për vdekje me mjet prerës nga një i burgosur grek, edhe ai i dënuar për vrasje, në sektorin 3 të burgut. Autoritetet greke kanë nisur hetimet dhe nuk përjashtojnë pistën e një vrasjeje me pagesë. Jani Aliaj ishte i shumëkërkuar në Shqipëri dhe i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për ekzekutimin e Elton Çiços më 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ai ishte arrestuar në Greqi më 31 dhjetor 2024 me identitet të rremë dhe priste ekstradimin drejt Shqipërisë. Sipas prokurorisë, vrasja e Elton Çiços lidhej me një konflikt të gjatë hakmarrjeje mes dy personave, me zanafillë vite më parë në Greqi, kryesisht për çështje të aktivitetit kriminal dhe drogës. Dyshohet se kishte tentativa të ndërsjella eliminimi, ku të dy kishin mbetur të plagosur në episode të ndryshme. Aliaj rezultonte gjithashtu i dënuar në Greqi me burgim të përjetshëm për vrasje, plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, si dhe ishte arratisur më herët nga burgu i Korfuzit. Pavarësisht provave të shumta të mbledhura ndër vite për vrasjen e Elton Çiços, çështja mbeti pa autorë të dënuar përfundimisht, ndërsa “Xheku i frikshëm” gjeti fundin e tij pas hekurave në një burg grek.
23.9K views






