Normal view

“U rrethova nga policët dhe truprojat”, flet gruaja që nuk e lanë të takonte Ramën

By: user 5
7 July 2025 at 19:16

Kryeministri Edi Rama zhvilloi ditën e sotme takime në bashkinë e Vlorës, ndërsa më pas doli për inspektime në terren. Pas daljes nga ambientet e bashkisë, në një moment një e moshuar ka kërkuar që të takojë vetë kryeministrin dhe u filmua teksa përpiqej të shkonte pas Ramës duke e thërritur këtë të fundit në emër me zë të lartë.

Pamjet e saj u bënë virale në rrjet, ndërsa 82-vjeçarja, Katina Thanasi ka treguar në një intervistë për Euronews Albania së përse këmbënguli të takonte kryeministrin. Thanasi ka treguar teksa provoi t’i afrohej Ramës, u shty nga një efektive dhe nga truprojat e kreut të qeverisë. Pasi Rama ndaloi dhe e pyeti se “çfarë kishte që bërtiste”, Katina tha se ajo i shpjegoi problemin e kanalit pranë banesës së saj, i cili duhej pastruar.

“Jam Katina Thanasi, jam 82 vjeçare. Doli Rama, unë isha atje, më rrethuan policët se s’donin të më linin të takoja Ramën. Unë i thashë do ta takoj. Shty ata policët, shty unë dhe ata duke më shtyrë mua. Përplasja me ta ishte e vështirë. Më thanë do të arrestojmë. I thashë: ‘S’më arrestoni dot, se s’kam bërë ndonjë gjë. Nuk kam vjedhur, s’kam bërë ndonjë gjë.’ Ishte një police vajzë dhe pesë të tjerë. Shty ata mua, shty unë ata. Rama ikte poshtë, i thashë: ‘Rama, mos ik se të dua! Mos ik se të dua për kokë të djalit’, kështu i thashë. Këta më shtynin mua, Rama qëndroi aty në anë. Policët më mbanin, ndërsa unë i shtyva. Rama më tha mua: ‘Pse bërtet?’ I thashë: ‘Po bërtas për këta’. I thashë Ramës, ky kryetari i bashkisë që rrin me ty… Kam dy vjet e gjysmë që i them për pastrimin e kanalit dhe të tokës dhe ky nuk vjen. Kam shqetësim që të më pastrohet kanali dhe toka.” – tregoi ajo.

Ndërkohë e pyetur nesë pas bisedës së shkëmbyer me kreun e qeverisë, ka shprësë që do t’i zgjidhet problemi, ajo u shpreh se pret që të shohë veprimë konkrete, ose do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje.

“Të them të drejtën, për kokë të djalit të vetëm, nuk është se kam shpresë se do më zgjidhet problemi për kokë të djalit, sepse këta të gënjejnë, të keqen nëna. Megjithatë pasi kam biseduar me Ramën, erdhen dy djem, i thanë këtij që ka tokën: ‘A të futemi dot te toka jote të pastrojmë?’ Ai i tha: ‘Futuni’, por ata s’janë futur akoma me prentendimin që nuk lejohet të futesh te toka e dikujt tjetër,” – thotë 82-vjeçarja.

Katina thotë se këtë problem më parë ia kishte parashtruar kryetarit të bashkisë dhe për gati dy vjet e gjysmë nuk ishte marrë asnjë masë

“Unë kam vajtur te kryetari, e takova dhe më krehu dorën kështu. Problemi kanalit të madh… Hedhin qen të ngordhur, mushkonjat të hanë se vijnë prej kanalit. S’kanë vënë një kazan të hedhin mbeturinat, mileti. Atë i thashë: ‘Vini një kazan se njerëzit janë të papërgjegjshëm. Shqiptarët i hedhin në kanal, po s’po vënë dorë.’ Unë e takova Ramën, po merakun s’e kam hequr akoma sa të pastrohet kanali. Merakun do ta çoj deri në fund. Nëse nuk vijnë këtu, më kanë atje nesër. Për kokë të djalit, që në mëngjes, në orën 8–9 jam atje, nëse nuk do vijnë,” – u shpreh 82-vjeçarja./ Euronews Albania

The post “U rrethova nga policët dhe truprojat”, flet gruaja që nuk e lanë të takonte Ramën appeared first on Lapsi.al.

Presidenti i Iranit: Izraeli tentoi të më eliminonte

By: user 5
7 July 2025 at 19:13

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se Izraeli u përpoq ta vriste atë duke bombarduar një zonë ku ai po mbante një takim. Ai tha gjithashtu se Irani nuk ka zhvilluar kurrë një program për bombë bërthamore, as sot dhe as në të kaluarën dhe nuk ka ndërmend ta bëjë këtë në të ardhmen.

“Ata u përpoqën, po. Ata vepruan në përputhje me rrethanat, por dështuan”, i tha Masoud Pezeshkian.

Kjo, tha Pezeshkian, sepse programi i armëve bërthamore është i ndaluar nga feja jonë dhe bie ndesh me fetvanë e Ajatollah Khameneit në vitin 2003, e cila ndalon prodhimin e armëve bërthamore.

“Nuk ishin Shtetet e Bashkuara që qëndronin pas atentatit ndaj jetës sime. Ishte Izraeli. Isha në një takim… ata u përpoqën të bombardonin zonën ku po mbanim atë takim”, tha ai.

Donald Trump ka thënë tashmë se i bllokoi izraelitët nga përpjekja për të vrarë udhëheqësin suprem 86-vjeçar, Ajatollah Ali Khamenei, i cili qëndroi i fshehur për gati tre javë. Ai mori pjesë në një ceremoni fetare në Teheran në fundjavë, e cila u prit me entuziazëm dhe lehtësim nga besnikët e qeverisë. Ai më parë ishte shfaqur në tre video duke u dukur i zbehtë, nëse jo sfidues.

The post Presidenti i Iranit: Izraeli tentoi të më eliminonte appeared first on Lapsi.al.

Merr flakë një shtëpi në Pogradec

By: user 5
7 July 2025 at 19:11

Një banesë është perfshirë nga flakët, pak minuta më parë, ne fshatin Trebinjë të Mokrës. Sipas banorëve zjarri i favorizuar dhe nga temperaturat e larta, është përhapur në të gjithe banesën por fatmiresisht familjarët kanë arritur të dalin menjëherë nga banesa. Nga banorët e zonës është njoftuar zjarrëfiksja e cila ndodhet rrugës për në fshatin Trebinjë,fshat i largët.

Dyshohet paraprakisht se shkak i këtij zjarri ka qënë një shkëndijë elektrike, ndërsa dëmet materiale janë të shumta

The post Merr flakë një shtëpi në Pogradec appeared first on Lapsi.al.

Kabinat në Theth, Rama reagon sërish: Do t’i marrë shteti!

By: user 5
7 July 2025 at 19:10

Kreu i ekzekutivit Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me kabinat e vendosura në Theth, dhe pezullimin e çështjes nga Prokuroria e Shkodrës për heqjen e tyre.

Ndërsa kjo e fundit sqaroi se çështja për këto kapanone të cilët nuk kanë themele, nuk përmbushin kritere për ta konsideruar objekt ndërtimi, Rama shton se Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e çështjes në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

“Natyrisht që të gjitha kabinat e “fshatit turistik” të kriminelit që plagosi Thethin do i marrë shteti dhe skuadra e Bashkisë Shkodër nuk do të largohet nga Thethi pa e shëruar zemrën e qytezës magjike, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e çështjes “Gjeli” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

The post Kabinat në Theth, Rama reagon sërish: Do t’i marrë shteti! appeared first on Lapsi.al.

Pavlefshmëri të zgjedhjeve në Fier, KAS rrëzon kërkesën e PD

By: user 5
7 July 2025 at 19:02

KAS-i vendosi rrëzimin e kërkesës për shpalljen e pavlefshmërisë të zgjedhjeve në Fier, si të pambështetur në ligj dhe prova. Ndërkohë në këtë qark ka mbaruar dhe rinumërimi i votave, prej të cilave nuk pati ndryshim në mandatet e shpërndara mes opozitës dhe mazhorancës. Por ajo që u konstatua ishin trafikimi i madh i votave mes kandidatëve të PS-së, ku shquan mes tyre Ceno Klosi, i cili kishte rreth 1 mijë vota të shtuara padrejtësisht.

The post Pavlefshmëri të zgjedhjeve në Fier, KAS rrëzon kërkesën e PD appeared first on Lapsi.al.

Mister vetëvrasja e ministrit të shkarkuar nga Putin

By: user 5
7 July 2025 at 18:56

Ish-ministri i Transportit i Rusisë, Roman Starovoit, është gjetur i vdekur me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në makinën e tij, vetëm disa orë pasi u zbulua se ishte shkarkuar nga detyra nga Presidenti Vladimir Putin.

Starovoit, ish-guvernatori i rajonit të Kurskut, raportohet se i ka marrë jetën vetes.

Njoftimi për vdekjen e tij vjen pasi ai u shkarkua nga roli i tij si ministër transporti nga presidenti Vladimir Putin.

Në një deklaratë të hënën, Komiteti Hetues i Rusisë tha: “Trupi i ish-ministrit të Transportit të Federatës Ruse, Roman Vladimirovich Starovoit, u zbulua në automjetin e tij personal me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit sot në lagjen e qytetit Odintsovo.”

Rrethanat e vdekjes së Starovoit po hetohen, teksa në deklaratë shtohet më tej: Versioni kryesor është vetëvrasja.

Më herët të hënën, u zbulua se Putin e kishte shkarkuar Starovoit pas vetëm një viti në detyrë.

Pse Putin e largoi nga detyra?!

Starovoit u emërua ministër i transportit në maj 2024, pasi kaloi pothuajse pesë vjet si guvernator i rajonit Kursk në kufi me Ukrainën. Disa muaj pasi ai la rolin e tij si guvernator, trupat ukrainase kaluan kufirin në Kursk, ndërsa Kievi nisi inkursionin më të madh të huaj në territorin rus që nga Lufta e Dytë Botërore.

Forcat ukrainase u dëbuan nga Kursku në fillim të këtij viti.

Disa zyrtarë rajonalë në Kursk u arrestuan më pas me akuzat për shpërdorim detyre.

Në prill, pasardhësi i Starovoit si guvernator, Alexei Smirnov, u akuzua për përvetësim të parave të destinuara për qëllime mbrojtjeje. Andrei Nikitin, një ish-guvernator i rajonit të Novgorodit, është emëruar ministër i përkohshëm i transportit.

Kur u pyet më parë për largimin e papritur të Starovoit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: Aktualisht, sipas mendimit të presidentit, cilësitë profesionale dhe përvoja e Andrei Nikitin do të kontribuojnë më së miri në sigurimin që kjo agjenci, të cilën presidenti e përshkroi si jashtëzakonisht të rëndësishme, të përmbushë detyrat dhe funksionet e saj.

The post Mister vetëvrasja e ministrit të shkarkuar nga Putin appeared first on Lapsi.al.

Prokuroria i përgjigjet Ramës:IMT Shkodër e klasifikoi si kundravajtje administrative

By: user 5
7 July 2025 at 18:21

Prokuroria e Shkodrës i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me një ndërtim pa leje në zonën e Thethit.

Prokuroria në reagim shkruan se ndërtimi nuk ka qenë pa leje i referuar sipas policisë së shtetit dhe se nuk mund të nisej hetim penal, pasi shkelet Kushtetuta.

Nisur nga deklaratat publike të bëra nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, ku është komentuar vendimi i një Prokurori të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, sqarojmë opinionin publik, si më poshtë vijon:

Vendimi i datës 30.05.2025 i Prokurores zj.Elsa Gjeli është marrë në përputhje të plotë me nenin 290, pika ç të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet se: “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”.

Në rastin konkret, nga vlerësimi i plotë i fakteve dhe akteve procedurale, u konstatua se faktet e referuar nga policia e shtetit nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm në kuptim të nenit 199/a të Kodit Penal, për arsyen se:

Strukturat e konstatuara dhe që janë referuar nga policia kanë qënë kontenjerë të përkohshëm pa themele, të vendosura mbi pllaka guri, dhe si të tilla nuk përmbushin kriteret për të konsideruar objekt ndërtimi sipas standardeve të përcaktuara në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar.

Vetë Policia, në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes është shprehur se, kontenjerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qënë të vendosura mbi rrasa guri të prera.

Sipas nenit 7, pika 3, gërma “i” e VKM nr. 408, datë 13.05.2015, e ndryshuar, strukturat që instalohen për nevoja të çastit dhe/ose të përkohshme, pa themele dhe me materiale të çmontueshme, nuk kërkojnë pajisje me leje ndërtimi, por vetëm deklaratë paraprake.

Vetë IMT, Bashkia Shkodër në shkresën e saj drejtuar Policisë Gjyqësore e ka klasifikuar faktin si kundërvajtje administrative, jo si vepër penale dhe në këto kushte duhet të kishin vepruar institucionet kanë në përgjegjësi menaxhimin e territorit.

Në këto kushte, mungesa e elementit objektiv dhe pasojës penale, sipas analizës së zbatuar të ligjit, e bën të pamundur ngritjen e ndjekjes penale dhe Prokurori, si organ kushtetues i pavarur, ka detyrimin ligjor që të vlerësojë faktet në përputhje me ligjin.

Në një shtet të së drejtës, pavarësia funksionale e prokurorit garantohet nga Kushtetuta dhe nga ligji nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Prokuroria është një institucion kushtetues i pavarur që vepron në përputhje me ligjin, ku çdo vendimarrje procedurale merret mbi bazën e fakteve dhe provave të administruara, dhe jashtë çdo ndikimi të jashtëm politik. Çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë direkte ose indirekte në vendimmarrjen e një prokurori cënon parimin e ndarjes së pushteteve të sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës.

Respektimi i ndarjes së pushteteteve është themel i funksionimit të shtetit demokrati dhe se ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv në proceset vendimmarrëse të insitucioneve të drejtësisë, qofshin ato edhe përmes komenteve publike, mund të përceptohen si presion mbi institucionet e drejtësisë dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në këto institucione.

Vendimi për mosfillimin e procedimit penal nuk është një akt vullneti personal, por një akt ligjor, që mbështetet mbi rregullat themelore të të drejtës penale materiale dhe procedurale. Çdo shqetësim institucional duhet të adresohet përmes rrugëve të përcaktuara ligjore, dhe jo përmes mesazheve politike publike që synojnë t’i imponohen sistemit të drejtësisë. Shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë nëse prokurori frikësohet për çdo vendimmarrje të ligjshme që mund të mos përkojë me interesat e pushteteve të tjera.

Prokuroria mbetet e angazhuar për të kryer funksionin e saj në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

The post Prokuroria i përgjigjet Ramës:IMT Shkodër e klasifikoi si kundravajtje administrative appeared first on Lapsi.al.

❌