Normal view

“Osmani” i telenovelave turke ‘pushton’ 88 ha tokë në Vlorë për 2 lira

1 July 2026 at 18:08

Qeveria miraton vendimin: “Osmani” i telenovelave turke vjen si investitor në Vlorë, jepen 88.5 hektarë tokë për Zonë Ekonomike


Aktori i mirënjohur turk Burak Özçivit, i cili ka fituar zemrat e publikut shqiptar përmes rolit të tij të famshëm si “Osmani”, duket se ka vendosur të lidhë emrin e tij me Shqipërinë, por këtë herë jo përmes ekranit. Özçivit po hyn fuqishëm në tregun e biznesit vendas si imazh dhe partner i një projekti gjigant investimi në qytetin e Vlorës.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, qeveria shqiptare ka miratuar një vendim të rëndësishëm për transferimin e një sipërfaqeje prej 88.5 hektarësh (saktësisht 885,557.6 m²) tokë shtetërore në Vlorë. Kjo hapësirë do të vihet në dispozicion të kompanisë “RAMS Albania” për zhvillimin dhe realizimin e projektit të investimit strategjik të quajtur “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”.

Sipas të dhënave zyrtare, projekti parashikon ndërtimin e një zone të lirë ekonomike me një investim që kap vlerën e rreth 100 milionë dollarëve. Ky investim pritet të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm në ekonominë lokale dhe kombëtare, duke synuar krijimin e deri në 10 mijë vendeve të reja pune në fushën e industrisë, teknologjisë dhe inovacionit.

Lidhja mes aktorit turk dhe projektit në Vlorë

Kompania “RAMS Albania” është pjesë e korporatës ndërkombëtare “RAMS Global”, me seli qendrore në Almaty të Kazakistanit, në pronësi të biznesmenit Mehmet Faruk Burbul. Prej fillimit të vitit 2025, aktori Burak Özçivit është bërë zyrtarisht imazhi global dhe partneri strategjik i këtij grupi në projekte të mëdha ndërkombëtare.

Rama i jep rreth 1 milion metra katrorë një firme me figurë imazhi aktorin turk Burak Ozcivit, që luan Osmanin në serialet turke. Vetë Burak Ozcivit është një mbështetës i fuqishëm i Erdoganit.

Tani po duket më qartë loja e Erdoganit: bëj presion mbi Ramën për lidhjen me Izraelin, hap teori konspirative për izraelitët në Vlorë, bëji presion Ramës dhe merr vetë një copë tokë në Vlorë.

Ndërkohë që Rama fliste për agjentura të huaja nga Irani, Greqia, Rusia etj., në fakt të vetmit që mund të jenë përzier në ato protesta janë agjenturat e Turqisë, të cilat Rama nuk i përmendi kurrë. Tani, kur i duhen aleatë dhe mbështetje ndërkombëtare, ai lëshon copa toke shqiptare për Erdoganin.

Sigurisht, protestat janë më se legjitime dhe Rama është një kryehajdut antikombëtar që duhet larguar një orë e më parë. Po kam përshtypjen që kjo ishte përplasja e parë e Shqipërisë me një ideologji ekstremiste që vjen nga Lindja e Mesme, e cila ka hedhur rrënjë në Shqipëri; dhe iu lëshua një copë tokë shqiptare vetëm për të mbrojtur pushtetin e një kryehajduti antikombëtar.

Kushdo që vjen pas Ramës, tashmë e ka marrë mesazhin. Do të luftojë për Shqipërinë apo do të bëjë lëshime të tjera për të ruajtur pushtetin personal? Kjo mbetet për t’u parë. Historia nuk mbyllet me kaq.

Kujtojmë që gjatë verës së vitit 2025, ylli i kinematografisë turke vizitoi personalisht Shqipërinë dhe kaloi pushimet në bregdetin e Vlorës, ku u prit edhe nga autoritetet lokale. Me sa duket, mbresat e shkëlqyera nga ajo vizitë kanë shërbyer si urë lidhëse për këtë investim madhor që pritet të nisë së shpejti.

Për zbatimin e këtij vendimi dhe ndjekjen e hapave të mëtejshëm janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

The post “Osmani” i telenovelave turke ‘pushton’ 88 ha tokë në Vlorë për 2 lira appeared first on Publik Media.

Kush po e merr Plazhin e Pasqyrave?

29 June 2026 at 12:48

Nga vlerësimi i “National Geographic” te ethet e betonizimit strategjik

Në korrik të vitit 2024, prestigjiozja National Geographic e rreshtoi Plazhin e Pasqyrave në krye të gjashtë pikave sekrete dhe më të bukura të Evropës. Gazetarja Hannah Wild e përshkroi atë si një “parajsë të paprekur”, ku drita e diellit reflektohet mbi ujin kristal si mbi pasqyrë, larg zhurmës dhe turmave të Ksamilit fqinj.

Por, ndërsa bota mahnitej pas këtij xhepi të izoluar të Rivierës Shqiptare, pas kulisave të zyrave qeveritare në Tiranë kishte nisur një tjetër “betejë”: ajo për ndarjen e tepsisë së fundit të mbetur publike në bregdet. Sot, pyetja që mundon qytetarët dhe vëzhguesit e pavarur është: Kush po e merr vërtet Plazhin e Pasqyrave dhe sa i ka mbetur jetë statusit të tij si “plazh sekret dhe i virgjër”?

1. Paradoksi Shqiptar: Reklamë Ndërkombëtare, Privatizim Lokal

Plazhi i Pasqyrave, i ndodhur mes Sarandës dhe Ksamilit, njihet për rrugën e tij të vështirë, terrenin e thyer dhe izolimin që i falte magjinë. Mirëpo, ky izolim po thyhet me shpejtësi.

Skema e përdorur në pjesën më të madhe të Jugut po përsëritet edhe këtu:

 Hapi 1: Një zonë shpallet “perlë e virgjër” nga mediat e huaja.

 Hapi 2: Infrastruktura publike (rrugët) përmirësohet me paratë e taksapaguesve.

 Hapi 3: Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) dhe Komiteti i Investimeve Strategjike miratojnë leje ndërtimi apo statusi ekskluziv për hotele dhe resorte me 5 yje, duke ia dorëzuar zonën privatit.

2. Kujt po i lihet “karta e bardhë” mbi Pasqyrat?

Investigimet mbi planet urbanistike dhe vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike tregojnë se zona përreth Plazhit të Pasqyrave dhe Plazhit të Pulëbardhës ka rënë në shënjestrën e kompanive të fuqishme të ndërtimit dhe individëve me lidhje të forta politike.

Sipas të dhënave nga planet e menaxhimit të vijës bregdetare dhe aplikimeve pranë AIDA (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve):

 Komplekset e Vilave dhe Hotelet me 5 yje: Pjesa kodrinore sipër plazhit ka nisur të parcelizohet. Kompani të lidhura me oligarkë tradicionalë të ndërtimit në Tiranë kanë siguruar leje për “resorte turistike”, duke përdorur argumentin e sjelljes së brendeve ndërkombëtare të hoteleve.

 Tjetërsimi i Pronave: Ashtu si në gjithë zonën e Ksamilit dhe Sarandës, edhe mbi kodrat e Pasqyrave rëndojnë hije dyshimi për mbivendosje pronash dhe tjetërsim të tokave shtetërore (pyje dhe kullota) në tokë truall për ndërtim, procese këto që shpesh kanë përfunduar në dyert e SPAK-ut.

Ku konsiston rreziku? Kur një subjekt merr statusin “Investitor Strategjik” për një resort pranë një plazhi të tillë, ligji shpesh i jep të drejtën e shfrytëzimit ekskluziv të vijës bregdetare. Kjo do të thotë se “plazhi pa turma” që përshkruan National Geographic do të kthehet në një plazh privat me pagesa astronomike për shezlongë, i paarritshëm për qytetarët e thjeshtë.

 

3. Alarmi i SPAK dhe Pastrimi i Parave në Bregdet

Nëse i referohemi dosjeve të fundit të hetuara nga SPAK (përfshirë përgjimet e SKY-ECC dhe analizat e bëra nga kreu i SPAK, Altin Dumani), bregdeti i Jugut është destinacioni kryesor ku paratë e rrjedhura nga trafiku ndërkombëtar i drogës konvertohen në beton dhe hotele luksoze.

Edhe pse emrat specifikë për çdo parcelë rreth Plazhit të Pasqyrave shpesh fshihen pas kompanive guaskë (shell companies) apo emrave të transferuar te të afërmit, skema mbetet e njëjtë: Leja e ndërtimit merret si investitor strategjik, ndërsa financimi mbulohet nga burime të paverifikuara ose kredi të dyshimta.

Shkatërrimi i “Sekretit” të Fundit

Një kronikë e një humbjeje të paralajmëruar

Në vitin 2024, revista “National Geographic” shkruante se Plazhi i Pasqyrave ishte një vend sekret ku në verë nuk kishte shumë njerëz. Sot, në vitin 2026, rrugët e hapura me ekskavatorë kanë sjellë aty një fluks të madh mjetesh, zhurmë dhe ndotje mjedisore.

Ndërsa revista e vlerësonte si një zonë me vijë bregdetare të paprekur, realiteti i sotëm tregon se kodrat sipër plazhit po gërryhen për të hapur themelet e resorteve të radhës me vila luksoze.

Ajo që dikur përshkruhej si një vend intim dhe pa turma, tani po ndahet në parcela dhe po rrethohet me gardhe nga pronarët e rinj që mbështeten nga shteti.

Plazhi i Pasqyrave po pëson të njëjtin fat si Palasa, Dhërmiu dhe Ksamili. Ai po kthehet nga një pasuri kombëtare e mbrojtur nga natyra, në një pronë private të mbrojtur nga politika.

Ndërsa bota na sugjeron ta vizitojmë për shkak të natyrës së tij të virgjër, makineritë e rënda dhe kontratat e ndërtimit po bëjnë që shumë shpejt pasqyra e vetme që do të mbetet aty të jetë ajo e fasadave prej xhami të hoteleve.( P.s .Redaksia investigative e Publik Media po ndjek nga afër edhe lëvizjet dhe manovrat që bëhen me urdhëra nga lart në kadastër për titullin e pronësisë së Plazhit të Pasqyrave.)

 

The post Kush po e merr Plazhin e Pasqyrave? appeared first on Publik Media.

Përplasjet në Zvërnec, Hita: Policia u shfaq e fjetur dhe jo profesionale

1 June 2026 at 15:12

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur në Zvërnec, duke kritikuar hapur performancën e strukturave vendore të policisë në Vlorë. Në një dalje për mediat, ai e cilësoi reagimin e uniformave blu si të papranueshëm, duke theksuar se në momentin kritik ato u shfaqën të papërgatitura dhe jo profesionale.

Sipas tij, dështimi për të ndërhyrë në kohë, ndërkohë që një qytetar dhunohej nga roje private, përbën një shkelje serioze të detyrës dhe cenon drejtpërdrejt besimin e publikut tek Policia e Shtetit.

“Policia u shfaq e fjetur dhe joprofesionale”, deklaroi Hita, duke shtuar se standardet e kërkuara nuk janë respektuar dhe se kjo situatë nuk do të tolerohet.

Menjëherë pas ngjarjes, sipas tij, janë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke nisur hetime të plota si në aspektin penal, ashtu edhe në atë administrativ. Paralelisht, është bërë edhe riorganizimi i drejtimit të Policisë së Vlorës, ku është komanduar në detyrë drejtuesi i ri, Edvin Ndreu, me misionin për të rikthyer rendin, disiplinën dhe profesionalizmin në këtë strukturë.

Hita bëri të ditur se ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës është shkarkuar për shkak të dështimit në menaxhimin e situatës së 30 majit, por edhe për shpërndarjen e informacionit të pasaktë lidhur me incidentin. Ai nënvizoi se përveç mungesës së reagimit, problematik ishte edhe komunikimi i gabuar me publikun.

Në fokus të hetimeve është i gjithë zinxhiri komandues, ndërsa një grup i posaçëm po analizon çdo veprim të kryer gjatë protestës. Po ashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një proces të thelluar disiplinor për të identifikuar përgjegjësit dhe për të vendosur masa konkrete.

Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me kompanitë private të sigurisë të përfshira në incident. Sipas verifikimeve, dy subjektet kanë rezultuar me shkelje dhe për këtë arsye u është hequr licenca e ushtrimit të aktivitetit.

Drejtori i Policisë kërkoi ndjesë publike për informacionin e pasaktë të dhënë fillimisht, duke e cilësuar besimin e qytetarëve si elementin më të rëndësishëm për institucionin që ai drejton. Ai theksoi se Vlora dhe qytetarët e saj meritojnë respekt maksimal dhe një polici në lartësinë e detyrës.

Në deklaratën e tij, Hita rikujtoi gjithashtu se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor të garantojë si rendin dhe sigurinë gjatë protestave, ashtu edhe mbrojtjen e pronës private. Ai sqaroi se territori ku ndodhi incidenti rezulton të jetë pronë private me dokumentacion të rregullt, duke u bërë thirrje qytetarëve që çdo pretendim ta ndjekin përmes rrugëve ligjore dhe jo përmes përplasjeve fizike.

Ndërkohë, hetimet për ngjarjen e 30 majit vijojnë në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të bëhen publike në vijim.

Në përfundim, Hita garantoi se Policia e Shtetit do të jetë e pranishme dhe aktive në çdo cep të vendit, sidomos gjatë sezonit turistik, duke vënë theksin te parandalimi i krimit, rritja e sigurisë rrugore dhe detare, si dhe reagimi i menjëhershëm ndaj çdo shqetësimi të qytetarëve.

Fjala e plotë:

Ngjarja e ndodhur, mënyra e menaxhimit të saj dhe informacioni i pasaktë i përcjellë publikisht, kanë cenuar standardin që unë kërkoj nga Policia e Shtetit dhe besimin që qytetarët duhet të kenë tek institucioni ynë.

Për këtë arsye kam marrë vendime të menjëhershme që në orët e para pas ngjarjes dhe janë nisur procese të plota hetimore e administrative për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse.

Po ashtu, sot prezantova drejtorin e komanduar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Drejtues Edvin Ndreu, i cili do ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave policore në qarkun e Vlorës, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve dhe zbatimit të ligjit.

Siç e dini, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u shkarkua dy ditë më parë, për shkak të dështimit në menaxhimin e tubimit të datës 30 maj, në Zvërnec, por mbi të gjitha për informacionin e pavërtetë që u përçua publikisht, për një qytetar që u mor me forcë dhe u godit nga rojet e sigurisë private në kantier.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka nevojë të nxjerrë mësimet e duhura dhe me të gjitha strukturat policore në varësi të saj duhet të identifikojë problematikat, si edhe të bëjë propozimet përkatëse, qoftë për masa administrative të reja, qoftë kandidatura të reja drejtuese në drejtori dhe komisariate, sipas nevojave.

Menaxhimi i strukturave, i situatave dhe i problematikave nga ana e drejtuesve të drejtorive dhe komisariateve në varësi, integriteti, transparenca dhe shërbimi ndaj qytetarëve, janë elemente bazë të vlerësimit për ta, por edhe domosdoshmëri për të mos humbur besimin dhe mbështetjen e qytetarëve.

I kërkoj Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, që të jetë sa më e hapur, sa më aktive dhe profesionale në shërbim të qytetarëve dhe në zbatim të ligjit, dhe të mos përfaqësohet kurrsesi dhe në asnjë rast para publikut, me dobësinë e papranueshme të tri ditëve më parë në Zvërnec, ku Policia u shfaq e fjetur dhe joprofesionale, duke mos ndërhyrë në kohë për të parandaluar marrjen me forcë të qytetarit apo duke mos identifikuar dhe arrestuar në kohë punonjësin që goditi me grusht qytetarin, ajo trupë na turpëroi të gjithëve.

Prandaj, siç jeni në dijeni, kam urdhëruar që prej pasdites së datës 30 maj, ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor, i cili do të hetojë të gjitha veprimet e kryera gjatë protestës si dhe kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka nisur menjëherë një hetim të plotë dhe të thelluar disiplinor për gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë.

Po në funksion të nxjerrjes së përgjegjësive, në vijim të veprimeve administrative të kryera nga grupi i posaçëm i Departamentit për Sigurinë Publike, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje. Për këto shkelje mora vendim për heqjen e licencave të të dyja subjekteve ShPSF.

I jam drejtuar qytetarëve me ndjesë publike për atë informacion të pasaktë, sepse besimi i publikut te Policia e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast. Por dua ta përsëris edhe këtu sot atë ndjesë, sepse Vlora dhe vlonjatët meritojnë respektin tonë më të madh dhe në asnjë mënyrë atë që panë e përjetuan atë ditë.

Nga ana tjetër, dua te nënvizoj përsëri se Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të garantojë rendin dhe sigurinë e protestuesve të çfarëdo natyre, por po ashtu ka detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor.

Konkretisht, territori i rrethuar rezulton pronë private, me dokumentacion të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin. Prandaj përfitoj nga rasti t’u drejtohem qytetarëve që protestojnë, që çdo pretendim që kanë mbi pronën apo zhvillimin e saj, ta adresojnë në Gjykatë, sepse drejtësia jo forca e ndan kush ka të drejtë e kush jo në sistemin demokratik.

Veprimet hetimore dhe administrative në lidhje me ngjarjen e datës 30 maj vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe rezultatet përfundimtare do t’i bëhen të njohura opinionit publik.

Standardi im si Drejtor i Përgjithshëm është standardi që kërkojnë qytetarët e ndershëm dhe që kërkon ligji: një polici profesionale, me integritet, garante për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe të jetës e pronës së qytetarëve.

Ndërkohë, parandalimi i ngjarjeve kriminale dhe zbardhja e atyre të ndodhura më parë, siguria gjatë sezonit turistik, siguria rrugore, rritja e sigurisë detare, mbrojtja nga ndotja akustike, ndjekja në dinamikë e shqetësimeve dhe e denoncimeve të qytetarëve, goditja e armëmbajtjes pa leje, e krimeve mjedisore, kapja e personave në kërkim, parandalimi dhe goditja e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe goditja e trafiqeve të paligjshme, janë në fokus të punës së Policisë së Shtetit përgjatë sezonit turistik veror 2026.

Në përfundim, dua t’iu drejtohem qytetarëve të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë:

“Policia e Shtetit do të jetë e pranishme, aktive dhe e vendosur për të garantuar rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit për këdo, pa dallim.

Asnjë shkelje e ligjit, asnjë cenim i interesit publik dhe asnjë neglizhencë në përmbushjen e detyrës nuk do të tolerohet.

Besimi i qytetarëve fitohet vetëm me punë, profesionalizëm dhe integritet. Ky është standardi që kam kërkuar dhe do të vazhdoj të kërkoj nga çdo punonjës policie në të gjithë vendin. Kush i shërben me ndershmëri qytetarëve do të ketë mbështetjen time të plotë, kush cenon ligjin, standardet profesionale apo besimin e publikut do të përballet me ndëshkimin. Ky është standardi që kam vendosur për veten time dhe këtë standard do të kërkoj pa kompromis nga çdo drejtues dhe punonjës policie në të gjithë vendin.

Ndërsa hyjmë në kulmin e sezonit turistik, prioriteti ynë mbetet siguria e qytetarëve, turistëve dhe komuniteteve lokale. Strukturat e Policisë së Shtetit do të jenë në terren 24/7, për të parandaluar paligjshmëritë, për të reaguar ndaj çdo shqetësimi dhe për të garantuar një sezon të sigurt për të gjithë.

The post Përplasjet në Zvërnec, Hita: Policia u shfaq e fjetur dhe jo profesionale appeared first on Publik Media.

Komandohet Drejtori i ri i Policisë së Vlorës

1 June 2026 at 11:58

Edvin Ndreu merr drejtimin e përkohshëm

Një lëvizje e re në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit ka sjellë ndryshime në qarkun e Vlorës, ku drejtimi i institucionit vendor i është besuar përkohësisht Edvin Ndreut.

Ai vjen në këtë detyrë pas eksperiencës së tij si drejtues i Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Tiranë, një pozicion kyç në menaxhimin e flukseve hyrëse dhe dalëse në vend. Emërimi i tij në Vlorë shihet si pjesë e një riorganizimi më të gjerë në nivelet drejtuese të policisë në këtë qark.

Ndryshimi në krye të Policisë së Vlorës pason largimin e Elidon Çelës, duke hapur rrugën për një fazë të re drejtimi në këtë zonë me rëndësi të veçantë për sigurinë dhe rendin publik.

Ndreu do ta ushtrojë këtë funksion në mënyrë të përkohshme, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Vlora mbetet një nga qarqet me dinamikë të lartë, sidomos gjatë sezonit turistik, çka e bën edhe më të rëndësishëm stabilitetin dhe efektivitetin në drejtimin e forcave të rendit.

The post Komandohet Drejtori i ri i Policisë së Vlorës appeared first on Publik Media.

Geraldo Biba, ish-mister Shqipëria 2012 pronari në hije i ‘Major Security’?

1 June 2026 at 11:56

Kompania në emër të vjehrrës, Shpresa Myzyri

Ish-mister Shqipëria për vitin 2012, Geraldo Biba, u arrestua nga policia e Vlorës për akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe “Heqje të paligjshme të lirisë”, pasi ishte protagonisti kryesor i dhunës së ushtruar ndaj qytetarit me inicialet E.S.

Ndërkohë që ditën e sotme ai dhe dy anëtarët e tjerë të policisë private “Major Security” që u arrestuan, shtetasit Artur Grami dhe Gazmend Vathi, pritet të dalin para gjykatës së Vlorës për tu njohur me masën e sigurisë që do kërkojë përfaqësuesi i akuzës.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se Geraldo Biba, nuk është një punojës i thjeshtë tek kompania e sigurisë “Major” që vepron në qytetin e Durrësit.

Ai duket se është pronari në hije i kësaj kompanie, pavarësisht se në letra del vjehrra e tij, 58-vjeçare nga Durrësi me emrin, Shpresa Myzyri, pa asnjë eksperiencë dhe njohuri për situatën e rendit, menaxhimin e situatave me turma apo zgjidhjen e problematikave sipas standarteve dhe rregulloreve.

Image

Zvernec, 30 maj 2026

Në Durrës shumë e dinë që pronari në hije i kësaj kompanie është pikërisht, Geraldo Biba, i cili lidh kontratat e sigurisë me bizneset dhe emrat e ndryshëm të personazheve të show-bizzit në Shqipëri.

Një amator në këtë fushë, i cili nga garantimi i sigurisë së klubeve të natës në Tiranë dhe Durrës si dhe disa këngëtarëve të njohur në Shqipëri,  “Stresi-Noizy”, hyri në një kontratë ekonomikisht të majme për garantimin e sigurisë tek shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development”.

Nga dokumentat e shqyrtuara nga gazetari Qyno, rezulton se kompania “MAJOR” është themeluar në muajin Nëntor 2016 në qytetin e Durrësit, ku pronare e saj, që prej asaj kohe ishte 58-vjeçaria Shpresa Myzyri. Ndërsa drejtues teknik rezulton të jetë Filip Llaka.

Image

Foto: Akti i themelimit te “Major Security”

Rezulton se nga nëntori 2016 dhe deri në nëntor 2021, Geraldo Biba, ka shërbyer si administrator i kësaj kompanie të policimit privat.

Por pavarësisht se ai është larguar me letra nga administrimi i kësaj kompanie, sërish ai ka vijuar me pjesën e administrimit, sigurimin e klientëve të rinj dhe paracaktimit të kushteve të kontratës së shërbimit.

Shoqëria e policimit privat, nuk ka qënë ndonjëherë e dëgjuar, megjithëse dhjetëra truproje të saj, janë parë të shoqërojnë personazhe të njohur publikë.

Tashmë shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” mësohet se ka vendosur të ndërpresë në mënyrë të menjëhershme kontratën me “Major Security”, duke kërkuar njëherësh dhe ndjesë publike për pamjet e rënda që u transmetuan në rrjetet sociale.

Sipas saj, kompania e sigurisë nuk ka pasur në asnjë moment instruksione për të vepruar në kundërshtim me ligjin apo në cenim të të drejtave të qytetarëve.

“Ndërhyrja ndaj një qytetari që ishte në të drejtën e tij të plotë për të protestuar jashtë kufirit të pronës dhe tërheqja e tij brenda saj për të ushtruar forcë nuk është vetëm e papranueshme moralisht, por edhe e dënueshme penalisht”, thuhet në reagimin e kompanisë.

“Zvërnec South Adriatic Development” ka kërkuar ndjesë për incidentin dhe u ka bërë thirrje organeve kompetente të zhvillojnë një hetim të plotë dhe të paanshëm, duke ndëshkuar sipas ligjit personat përgjegjës. Kompania deklaron se do të jetë në dispozicion të autoriteteve dhe palëve të interesuara me transparencë të plotë./Elton Qyno

The post Geraldo Biba, ish-mister Shqipëria 2012 pronari në hije i ‘Major Security’? appeared first on Publik Media.

❌