SHBA/ Protesta dhe përplasje për bastisjet kundër emigrantëve, Trump urdhëron dërgimin e 2 mijë ushtarëve
Pamje që rikujtojnë Amerikën Latine të viteve ’70 janë regjistruar në rrugët e Los Anxhelosit, ku agjentët e Imigracionit (ICE) janë përballur me protestuesit gjatë një sërë aksionesh për arrestimin dhe deportimin e emigrantëve të paligjshëm. Operacionet, të mbështetura me gaz lotsjellës, plumba jo vdekjeprurës, armë dhe uniforma ushtarake, u zhvilluan në zona si Home Depot në distriktin Westlake dhe në Fashion District.
Agjentët kishin në shënjestër biznese të dyshuara për punësim të emigrantëve pa dokumente. Protestuesit, të shumtë në numër dhe me pankarta “Arsimim, jo depërtim”, i rrethuan ata, duke shkaktuar përplasje të ashpra. Më shumë se 40 persona u arrestuan, mes tyre edhe një sindikalist. Sipas dëshmitarëve, një prej operacioneve është zhvilluar edhe në një shkollë në Koreatown.
Policia e qytetit refuzoi të marrë pjesë në operacion, ndërsa Konsullata e Përgjithshme e Meksikës ofroi ndihmë ligjore për shtetasit e saj të ndaluar. Drejtoresha e organizatës CHIRLA, Angelica Salas, deklaroi se “komuniteti është nën sulm dhe i terrorizuar”. Kryebashkiakja Karen Bass i cilësoi aksionet si shkelje të parimeve të qytetit dhe nxitje të frikës në komunitet.
Presidenti Donald Trump, përmes një postimi në Truth Social, lajmëroi ndërhyrjen e qeverisë federale për të “zgjidhur problemin e revoltave dhe plaçkitësve”, duke kritikuar ashpër autoritetet lokale. Zyrtarët e administratës paralajmëruan edhe dërgimin e Gardës Kombëtare me 2 mijë trupa.
Tensionet janë përhapur në të gjithë vendin, me protesta në qytete si San Diego, Çikago, Minneapolis, Atlanta e Houston. Aktivistë amerikanë, përfshirë qytetarë të bardhë, po formojnë zinxhirë njerëzorë për të mbrojtur emigrantët, ndërsa ICE është detyruar të tërhiqet në disa raste, nën presionin e qytetarëve dhe kamerave.
Ndërkohë, rasti i Kilmar Abrego Garcia ka shkaktuar zemërim: ai ishte deportuar gabimisht në Salvador pa gjyq, pavarësisht një urdhri mbrojtjeje. I rikthyer tashmë në SHBA, ai mbahet në burg në Tennessee. Fotoja e publikuar nga Trump, që e lidhte atë me një bandë kriminale, rezultoi të ishte false. Një nga hetuesit e çështjes ka dhënë dorëheqjen, duke e akuzuar administratën për motivime politike pas padisë.
The post SHBA/ Protesta dhe përplasje për bastisjet kundër emigrantëve, Trump urdhëron dërgimin e 2 mijë ushtarëve appeared first on Sot News | Lajme.