Normal view

Mundësi përparimi të Studimeve Albanologjike

16 November 2024 at 07:56

Nga Muharrem Abazaj, gjuhëtar

Sipas ligjit të saj, Akademia jonë e Shkencave, albanologjinë, shkencat e identitetit, i ka pasur dhe i ka prioritet konstant. Por, duhet pranuar se përpjekje e albanologjisë, sidomos këto dekadat e fundit nuk kanë sjellë ndonjë gjë të re në këtë fushë. Etnogjeneza e kombit tonë, që përbën objektin madhor të saj, vazhdon ende të mos jetë përcaktuar përfundimisht. Edhe për problemin e gjuhës,shqipe, që është një element bazë për etnogjenezën, për origjinën dhe lashtësinë e saj, nuk është arritur në një përfundim shterues. Ndërkohë institucione prestigjioze ndërkombëtare, me mundësi shumë herë më të mëdha se Akademia jonë, në studimet e tyre kanë sjellë të reja shkencore ku hidhet dritë edhe për këto çështje të albanologjisë.

Një studim i tillë është edhe ai i Institutit Max Panck (Institute for Evolutionary Anthropology) të SHBA, i publikuar kohët ë fundit nga revista “Science”,me autor të parë studiuesin gjerman Paul Heggarty (Max Planck Institute) dhe 33 bashkautorë nga disiplina të ndryshme, ku një vend të veçantë zë edhe prejardhja dhe lashtësia e gjuhës shqipe. Me qëllim, për t ‘u njohur më nga afër me këtë studim, Akademia jonë e Shkencave organizoi më 4 – 5 nënrtor “Tryezën Shkencore Ndërkombëtare” me temë: “: “Shqipja midis gjuhëve indoevropiane, origjina dhe lashtësia e saj”, duke patur prezent në këtë aktivitet edhe prof. Paul Heggarty. Albanologjia ka dalë prej kohësh në përfundimin se gjuha shqipe rrjedh nga ilirishtja, por për mungesa materialesh të shkruara në ilirishte, ky përfundim ka patur edhe kundërshtime.

Në studimin e Institutit të lartpërmendur, konfirmohet plotësisht jo vetëm prejardhja e shqipes nga ilirishtja, por jepet edhe prejardhja e vet ilirishtes direkt nga gjuha mëmë, nga kanë rrjedhur të gjitha gjuhët indoevropiane. Kjo hipotezë e re kombinon aspekte të dy tezave të deritanishme për origjinën e gjuhëve indoevropiane: asaj të “stepës ponto-kaspike” dhe asaj të “gjysmëhënës pjellore” ose “hapësirës në formë gjysmëhëne”, që fillon nga Deti Mesdhe e mbaron në Gjirin Persik. Sipas saj indoeuropianishtja e ka origjinën në harkun verior të “gjysmëhënës pjellore” dhe vetëm disa degë te saj kryesore në Europë kaluan në veri përmes stepës, si një pikë kalimi dytësore. Gjuha shqipe (albanin / shqipe) është shkëputur nga gjuha mëmë mbi 6000 vjet më parë, por jo përmes stepës ponto – kaspike, siç është menduar më parë, por hapësirës në formë gjysmëhëne”, që fillon nga Deti Mesdhe e mbaron në Gjirin Persik.

Ky përfundim duhet kuptuar drejt, sepse:. “…vjetërsia relative e një gjuhe mund të përcaktohet në bazë të inovacioneve gjuhësore që e dallojnë nga gjuhët e tjera, vjetërsia (kronologjia) absolute nuk mund të datohet, pra, gjuhët nuk kanë një datë lindjeje, por kronologji të dallimit (shkëputjes).” Kjo do të thotë që është gjuha ilirishte ajo që është shkëputur mbi 6000 mijë vjet më parë nga gjuha mëmë, dhe përmes një inovacioni gjuhësor të pandërprerë, ajo ka arritur në trajtën e shqipes së sotme. Në këtë kuptim nuk mund të quajmë gabim mendimin e disa gjuhëtarëve se gjuha e sotme shqipe nuk është me e lashtë se 1500 vjet,.sepse në këtë periudhe ilirishtja ka patur një evoluim intensiv,ka arritur në trajtat e shqipes së sotme dhe ka marrë një emërtim të ri, emërtimin gjuha shqipe.

Studimi e klasifikon gjuhën shqipe si të tretën për nga lashtësia mbas anatolianes dhe tokarianes. Por duke qenë se anatoliania dhe tokariania, aktualisht janë gjuhë të vdekura, mbetet gjuha shqipe me lidhje më të afërta me gjuhën mëmë. Ky fakt i jep mundësinë gjuhës shqipe të ketë konservuar më mirë se gjuhët e tjera indoevropiane, trajta të gjuhës mëmë. Nisur nga kjo ide realiste, shumë studiues shqiptarë janë përpjekur për të zbuluar lidhje midis ilirishtes dhe shqipes por edhe më tej,.Është arritur të zbulohen fakte reale të lidhjes së shqipes me ilirishten. Por, të entuziazmuar nga lashtësia e shqipes, në këto studime janë përfshirë edhe një numër i madh amatorësh, të cilët me publikimet e shumta të tyre të të ashtuquajturave “analiza etimologjike motivuese ” kanë mbushur rrjetet sociale deri në media, kanë tërhequr vëmendjen e një numri të madh ndjekësish, duke spostuar kërshërinë e lexueseve nga e vërteta shkencore.

Ky fenomen tërhoqi vëmendjen dhe u kritikua gjatë punimeve të kësaj tryeze. Horizonti që përshfaqet nga kjo tryezë shkencore për historinë e shqipes, jep mundësi të mëdha për të shpënë përpara studimet albanologjike deri në vërtetimin me fakte konkrete hipotezën e lashtësisë disa mijra vjeçare të ilirishte- shqipes. I del për detyrë Institutit të Gjuhësisë për organizimin e një studimi gjithëpërfshirës, ku të vilen të gjitha gjetjet dhe faktet që vinë nga të gjithë studiuesit, jo vetëm të punonjësve shkencorë, por edhe studiueseve të pavarur. Të analizohen me hollësi të gjitha këto fakte dhe të bëhet seleksionimi i tyre duke arritur në përfundime konkrete. Një veprimtari e tillë shkencore duhet të publikohet në vazhdimësi, sepse në këtë mënyrë njihen edhe ata që janë të interesuar për lashtësinë e gjuhës shqipe dhe arrijnë vetë të gjykojnë se cilët studiues kanë sjellë fakte reale, duke mos besuar më tek të pavërtetat e amatorëve.

The post Mundësi përparimi të Studimeve Albanologjike appeared first on Sot News | Lajme.

Silvinjo flet hapur për gjithçka, por jo për formacionin, priten surpriza sot përballë Çekisë

16 November 2024 at 07:37

Adriatik BALLA

Trajneri Silvinjo foli dje në konferencë për shtyp, ku komentoi jo vetëm gjendjen e skuadrës së tij, por edhe pritshmëritë nga dueli me Çekinë, që është kundërshtari i radhës. “Skuadra me të cilën ndoshta kemi luajtur më shumë në këto vite, kemi fituar, barazuar e humbur me ta, ndaj nesër mund të ndodhë gjithçka. Ata janë të fortë, janë fizikisht të fortë, e kemi thënë prej kohësh. Trajneri i tyre, është shumë inteligjent, ka bërë 3-4 ndryshime, është ekip ndryshe, luan me 4. Ka Shulc, është Çeri i cili i jep ekuilibër skuadrës, Hoslek, Çerni, Provod, shumë të fortë e fizik. Ne duhet të bëjmë mirë lojën tonë, kemi cilësi teknike e organizim taktik.

Por duhet të shkojmë në fushë me shumë zemër dhe shpirt, kjo mund të bëjë diferencën. Mbase 90 minutat që do luajmë mund të bëjmë një nga ndeshjet më të mirë të vitit të fundit, nuk është momenti për t’u ankuar, lojtarët janë në gjendje për 100%. E kam thënë pas Europianit është periudhë e vështirë, kombëtaret kanë humbur lojtarë prej dëmtimeve, dhe Çekia ka lojtarë të dëmtuar. Lojtarët nuk kanë pasur pushimet për t’u rikuperuar, unë jam i lumtur dhe kam besim te ato lojtarë që kam. Ne do futemi për të dhënë 100% tonë. Nuk ka frikë nga kundërshtarit apo ndeshja, hyjmë në fushë për 100%”, theksoi tekniku brazilian.

Sulmi

Silvinjo pranoi se sulmi ka specifikën e vet në këtë ndeshje, por u ndal më shumë ek Uzuni, të cilin e cilësoi në formë dhe shumë të mirë, por që bënte më shumë rolin si sulmues i dytë. “Ne kemi dhe një stërvitje pas pak, duhet të shohim 2-3 lojtarë që kanë pasur probleme të vogla fizike. Uzuni nuk ka probleme. Uzuni nuk është tipik 9, është më shumë i dytë, por arrin të shënojë kur gjen hapësirë. Kemi dy tre mundësi që mund t’i përdorim dhe nesër do të marrim vendim për formacionin me të cilin do të nisim.

Uzuni bën më shumë rolin e sulmuesit të dytë. Kam mësuar në lidhje me cilësitë si Uzuni, i shpejtë, që rri pas sulmuesit të parë dhe që krijon hapësira për të shënuar. Ekziston mundësia për ta shfrytëzuar karakteristika e lojtarit në këtë aspekt. Ju kujtoj se e ka nisur si sulmues anësor dhe më pas duke depërtuar më tepër brenda. Ka fizik shumë të mirë, por ngelet për t’u vlerësuar çfarë do zgjedhim nesër”, shtoi Silvinjo.

Qëndrimi për momentet e vështira

Trajneri brazilian i Kombëtares foli edhe për natyrën e ndeshjeve të tilla dhe se si lojtarët duhet të silleshin kur gjendeshin në moment të vështirë. “Mua më duket se janë ndeshje që vlerësohen detajet. Duhet kujdes në çdo moment për të bërë një ndeshje të bukur, një nivel përqendrimi të lartë, kërkon anën fizike, taktike, por të kërkon më shumë në nivel përqendrimi, duhet të bësh gjithçka me sytë hapur. Kemi luajtur 3 ndeshje me ta, praktikisht një derbi, por nuk ka lidhje, nesër është ndryshe.

Do të shkojmë fort në fushë dhe provojmë gjithçka, 100%. Zakonisht ndodh kur pëson gol, me të gjitha skuadrat, 4-5 minutat e para ai “black-out”. Këtu bën diferencën eksperienca dhe fusha, e rëndësishme pasi pëson gol të qetësohesh dhe pastaj të rinisësh lojën. Kam qenë lojtar i trajnerëve të rëndësishëm, e kam kuptuar që kanë të drejtë trajnerët sepse krijohet ideja që duhet të rikthehesh fushën, kemi vuajtur gjatë Europianit”, përfundoi Silvinjo.

The post Silvinjo flet hapur për gjithçka, por jo për formacionin, priten surpriza sot përballë Çekisë appeared first on Sot News | Lajme.

Arlind Ajeti apelon që tifozët ta respektojnë himnin çek, beson tek fitorja e Shqipërisë

16 November 2024 at 07:36

Adriatik BALLA

Kuqezinjtë janë gati të shkruajnë histori me ndeshjen e sotme ndaj Republikës Çeke, një ndeshje vendimtare në grupin 1 të Divizionit B të Ligës së Kombeve, ndeshje që për shqiptarët duhet fituar patjetër nëse duan të mbeten brenda objektivave të tyre për vend të parë në grup në këtë edicion të ligës. Trajneri Silvinjo doli dje në konferencë shtypi duke pasur në krah Arlind Ajetin. Ky i fundit, në kushtet kur ka mungesa të rëndësishme në repartin difensiv, duket e do të zëvendësojë qendërmbrojtësin Berat Gjimshiti. Pra, Shqipëria pret sot Çekinë në orën 20:45. Kjo sfidë do të luhet në stadiumin “Arena Kombëtare” dhe vlen për Grupin B1 në Ligën e Kombeve.

Para ndeshjes foli mbrojtësi Arlind Ajeti. “Besoj i kemi të gjitha cilësitë e duhura të arrijmë kualifikimin në Botëror, është rrugë e gjatë, besoj nëse mundohemi të japim maksimumin dhe të japim shpirtin për Kombëtaren do ta arrijmë dhe atë. U bëjmë thirrje tifozëve që të respektojmë himnin e Çekisë, të tregojmë anë të mirë pavarësisht çfarë ka ndodhur në Çeki, të tregojmë anën tonë të mirë. Shpresoj të shoh ekipin që ishte në Gjeorgji, e dimë që ndeshje e vështirë, i dimë dhe cilësitë e Çekisë. Jemi përgatitur mirë dhe shpresojmë t’ia dalim”, nënvizoi Ajeti. Më tej mbrojtësi kuqezi foli për rivalët, duke përmendur lojtarin me të cilin do të përballet në fushë, Horin. “Ai ka bërë në ndeshje shumë të mirë, ka qenë shumë i rëndësishëm për Çekinë.

Fizikisht është afër 2 metër dhe është shumë e vështirë ta ndalësh, shpresoj që nesër t’ia dalim që të mos shënojë gol”, nënvizoi më tej Ajeti. Një koment e bëri ai edhe për renditjen e skuadrave në grupin 1 të Divizionit B të Ligës së Kombeve. “Janë të gjitha të mundura në futboll. Por unë besoj te ekipi, të cilësitë e çdo lojtari dhe normalisht synojmë vendin e parë, të fitojmë dy ndeshjet e marrim vendin e parë, Sigurisht, çdo gjë është e mundur, por me cilësinë që e kemi, besoj që nuk do biem”, shtoi kosovari i përfaqësueses tonë.

Objektivi

Mbrojtësi Arlind Ajeti beson se Shqipëria ka shansin të marrë maksimumin në këto dy përballje të mbetura, duke nisur nga dueli i sotëm me Çekinë, e për të zënë vendin e parë në grup, një objektiv që nuk duket i lehtë, por me mbështetjen e tifozerisë mund të arrihet. “Po normalisht besojmë se mund t’ia dalim prapë dhe pse është ndeshje tjetër, çdo ndeshje fillon nga 0-0. Ne kemi kualitete dhe cilësi për të marrë rezultat pozitiv. Shpresojmë t’ia dalim”, vazhdoi Ajeti. Mbrojtësi kuqezi foli dhe për performancën në përfaqësuese.

“Ndjenja në Kombëtare është gjithmonë ndryshe, të jesh pjesë është diçka shumë e veçantë. Vetëm ato që janë pjesë e dinë, prandaj në fushë hyjmë ndryshe nga ekipet, prandaj është gjë shumë normale dhe sa herë jam këtu e ndjej atë”, shtoi ai. Në fund Ajeti komenton edhe deklaratat e lojtarit çek Çeluska me të cilin njihet de luajnë bashkë. “Kemi folur dhe për këtë ndeshje, normalisht ai dëshiron të fitojë Çekia dhe në duam të fitojmë, shikojmë nesër”, përfundoi Ajeti.

The post Arlind Ajeti apelon që tifozët ta respektojnë himnin çek, beson tek fitorja e Shqipërisë appeared first on Sot News | Lajme.

Juventusi në hall me mesfushorin Pol Pogba, kërkon shkëputjen e kontratës

16 November 2024 at 07:34

Adriatik BALLA

Juventusi ka ambicie të rikthehet tek titulli këtë sezon, por ka rivalitetin e fuqishëm të Napolit, Interit dhe Lacios, pa lënë mënjanë edhe Atalantën që ka pasur një ecuri të shkëlqyer këtë vit. Nga ana tjetër, trajneri Mota po kërkon të zgjidhet situata me disa lojtarë në ekip de emri që lakohet më shumë është ai i Pol Pogba, nisur nga specifika e problemit, pasi është lojtar që ishte pezulluar për përdorim substancash të palejuara. Në fakt, sipas mediave italiane, Pol Pogba dhe Juventusi janë pranë ndarjes përfundimtare, me largimin e mesfushorit francez që pritet të jetë tejet i dobishëm për balancat financiare të “Zonjës së Vjetër”. 31-vjeçari u kthye te “Allianz Stadium” në vitin 2022, duke firmosur një kontratë katërvjeçare me vlerë 8 milionë euro në sezon.

Megjithatë, paga e tij u ngri pasi u dënua me katër vite pezullim në shtator të vitit 2023, pasi rezultoi pozitiv në një test dopingu. Që nga ajo kohë, Pogba ka marrë vetëm një pagë minimale prej 2,000 euro në muaj. Edhe pse ai ka shprehur dëshirën për t’u kthyer te Juventusi pasi pezullimi i tij u reduktua në 18 muaj, klubi torinez ka konsideruar gjithmonë si zgjidhje të vetme një ndërprerje të kontratës me mirëkuptim, duke pasur parasysh përfitimet financiare që kjo do të sillte. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, ndërprerja e kontratës së Pogba-s do t’i kursejë Juventusit rreth 30 milionë euro bruto, duke përfshirë pagën minimale të 12 muajve të fundit, pagën sezonale prej 8 milionë eurosh dhe bonuset prej 2 milionë euro deri në përfundim të kontratës në vitin 2026. Një njoftim zyrtar nga Juventusi pritet të vijë së shpejti, ndoshta para përfundimit të pushimit ndërkombëtar, duke e bërë Pogbanë lojtar të lirë për të firmosur me ndonjë klub tjetër.

Shumë ekipe nga Anglia, Europa dhe MLS thuhet se kanë shfaqur interes për shërbimet e tij. Ndërkohë që Juventusi po përpiqet të gjejë një zgjidhje për Pol Pogba, Interi ka gati rinovimin e kontratës me Bisek. Mbrojtësi i Interit, Jan Aurel Bisek, do të jetë pjesë e skuadrës “nerazzurre” deri në vitin 2029, ka njoftuar klubi të premten. 23-vjeçari iu bashkua Interit në verën e vitit të kaluar nga Aarhusi i Superligës së Danimarkës. Transferimi i tij u kompletua për 7 milionë euro. “Calciomercato” ka shkruar se Bisek deri tani ka përfituar më pak se 1 milionë euro në sezon, por paga e tij është rritur dukshëm. Ai ka luajtur në shtatë ndeshje të Serie A në edicionin aktual. Ka zhvilluar edhe katër paraqitje në Ligën e Kampionëve. Interi dhe Atalanta janë të vetmet skuadra që ende nuk kanë pësuar gol në “Champions”.

The post Juventusi në hall me mesfushorin Pol Pogba, kërkon shkëputjen e kontratës appeared first on Sot News | Lajme.

❌